Lajmet
Fluturimi im nga Prishtina për në Bruksel
Published
5 years agoon
By
Betim GashiAlbin Kurti: Për të ardhur këtu duhet t’i tejkalojmë disa barriera të mëdha të shkaktuara nga kufizimi i vizave, keqperceptimi, dhe paragjykimet.
Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian
Good evening. Bonsoir. Guten Abend.
(Mirëmbrëma)
I nderuar Kryesues, të nderuar anëtarë, të nderuar miq, është nder të jem këtu me ju sot.
Së pari, më lejoni të ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që i keni dhënë vendit tonë dhe gjithashtu për rezolutën tuaj të fundit, e cila mirëpret dhe riafirmon perspektivën e zgjerimit për Kosovën dhe liberalizimin e vizave.
Fluturimi nga Prishtina për në Bruksel zgjat diku më pak se 3 orë, mirëpo për të ardhur këtu ne duhet t’i tejkalojmë disa barriera të mëdha të shkaktuara nga kufizimi i vizave, keqperceptimi, dhe paragjykimet.
E di që nuk jam udhëheqësi i pari që po flas në këtë institucion të nderuar, edhe udhëheqës të tjerë nga Kosova kanë folur para meje, në rrethana dhe kohë të ndryshme. Sot po ju flas si Kryeministër i një shteti sovran e të pavarur, i vogël por i rëndësishëm, i varfër por plot shpresë, i ri por i lashtë në të njëjtën kohë, i cili disa herë ka mbrojtur vlerat tona të përbashkëta evropiane.
Si popull kemi vuajtur pushtime nga perandori dhe regjime të ndryshme, të cilat deshën të na asimilojnë gjuhën dhe kulturën tonë, t’i marrin tokat tona dhe ta shuajnë ekzistencën tonë, fushatë e cila preku kulmin në vitin 1999 nga gjenocidi dhe dëbini i afër 1 milion njerëzve nga Kosova më 1999.
Pas Luftës së Dytë Botërore, bota u bë së bashku për të mos lejuar që mizori dhe tmerre të tilla të përsëriten në Evropë, megjithatë ato ndodhën në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
71 vjet më parë, gjersa Evropa po pastronte rrënojat e mbetura nga lufta, kohë kur vuajtjet ishin ende të mëdha, urrejtja dhe mosbesimi mbizotëronin dhe drejtësia nuk kishte ardhur në vend, lindi ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta.
Baballarët themelues të Bashkimit Evropian kishin përjetuar shkatërrimin e fuqishëm të luftës, dhe ishin dëshmitarë të anës së errët të arsyes njerëzore. Aty ku të tjerët panë luftë të pashmangshme, ata panë mundësinë për paqe dhe bashkëpunim, dhe kur të tjerët panë konkurrencë, me ç’rast fitorja e njërit është humbja e tjetrit, ata panë mundësinë që të gjithë të fitonin.
Historia është një seri e gjatë mësimesh të vështira. Por mbase pjesa më e rëndësishme për të mësuar është se paqja kërkon edhe drejtësi, por edhe përgjegjësi. Ne e dimë se pa gjyqet e Nurembergut dhe gjunjëzimin e Willy Brandt, pajtimi nuk do të ndodhte kurrë.
Bashkimi Evropian u ndërtua përmes betejës kundër fashizmit, dhe paqja evropiane ka në themel antifashizmin.
Pra, asnjëherë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë as BE-në dhe as paqen, dhe duhet të kujtojmë se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë. Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë.
Kjo gjë më sjell te Kosova dhe te dialogu i shumëpërfolur me Serbinë.
Kosova e pranon dialogun me Serbinë, dëshiron t’i zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, dëshiron marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunim paqësor, në mënyrë që të dy vendet tona dhe popujt tanë të mund të punojnë dhe jetojnë në harmoni, krah për krah dhe së bashku.
Pikërisht për këtë arsye, 13 vjet më parë, pas një procesi negociatash në Vjenë, i udhëhequr nga një i dërguar special i Kombeve të Bashkuara, me pëlqimin e demokracive botërore, Kosova u shpall shtet sovran dhe i pavarur. Pavarësia ishte kompromis i bazuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila shpalli Kosovën, një popull i përbërë nga 95% shqiptarë, si shoqëri multietnike; krijoi komuna me shumicë të komunitetit serb, dhe zona të veçanta të mbrojtura brenda territorit për vendet fetare, dhe shumë të drejta të tjera të zgjeruara dhe të veçanta, sidomos për komunitetin serb.
Sot, në parlamentin tonë, serbët dhe pakicat e tjera nuk i kanë vetëm vendet e rezervuara, por një shumicë të dyfishtë mbi shumë ligje dhe Kushtetutë. Të drejta të cilat as që mund të krahasohen nga afër me shtete të tjera evropiane.
Këto nuk janë vetëm opinione për t’u debatuar, por fakte për t’u përballur.
Ata që më kanë përcjellë mua dhe Lëvizjen të cilës i përkas, e dinë që si aktivist që nga fillimi kam kundërshtuar të drejtat e veçanta dhe zonat e veçanta, dhe kam avokuar për pavarësi dhe vetëvendosje si një e drejtë që na takon neve si popull.
Tani si Kryeministër, i cili ka fituar mbi 50% të votave në vend, detyra ime e parë është të mbroj sovranitetin, pavarësinë dhe kushtetutën tonë. Pra, ne jemi për dialog, por dialog që është i përgatitur mirë dhe me parime, i drejtë dhe i barabartë. Prandaj, më lejoni t’i përmend këto parime:
E para është pranimi i realitetit. Kjo do të thotë që ne nuk mund të kthehemi në kohën para pavarësisë. Pavarësia e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisaarit ishte një kompromis. Hapja e kësaj pakoje nënkupton hapjen e një liste dëshirash e shtysash, gjë që do na çonte në ngjarje të paparashikueshme dhe pasoja të padëshiruara.
E dyta është pranimi i së vërtetës. Serbia duhet të pranojë krimet dhe keqbërjet e saj në të kaluarën në Kosovë. Për të ndaluar gjenocidin, NATO-s iu desht të bombardonte Beogradin në Serbi sepse ishte Beogradi me regjimin e Millosheviqit ai që bëri gjenocid në Kosovë. Ishte aparatura shtetërore me zyrtarët qeveritarë dhe një zinxhir komandues i njohur për të gjithë. Megjithatë, pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pas regjimit të Millosheviqit, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e luftës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës, Serbia po identifikohet më afër me to.
E treta është barazia e përfaqësuesve. Në çdo tryezë ne ulemi si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja. Kosova nuk është një çështje në dialog, por një palë e dialogut, dhe kjo duhet të kuptohet mirë para çdo raundi të ri të bisedimeve me Serbinë.
E katërta, qytetarët duhet të jenë përfituesit fundor. Dialogu nuk mund të bëhet për ruajtjen e reputacionit ose karrierës së politikanëve në detyrë, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve në terren. Kjo do të thotë që ne ofrojmë zgjidhje reale për problemet reale, siç është fati i personave të zhdukur, prej të cilëve një e treta nuk janë shqiptarë, të tilla si sigurimi i ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike të pandërprerë, ndërtimi i rrugëve dhe urave, dhe afrimi i komuniteteve rreth një qëllimi të përbashkët. Ky është lloji i dialogut që ne duam të ndjekim dhe që është në përputhje me parimet e BE-së mbi përfshirjen, bashkekzistencën, solidaritetin dhe drejtësinë.
Ne duhet të adresojmë borxhet, trashëgiminë dhe reparacionet e luftës;
– Përafërsisht 3 miliard euro në dëmin pasuror dhe jopasuror të pensioneve të papaguara.
– Mbi 400 milionë euro në dëmin pasuror dhe dëmin jopasuror të keqpërdorimit të rrjetit të energjisë elektrike.
– Pasuritë e Kosovës në Serbi dhe të ish-republikave të tjera të RSFJ-së, statusi i të cilave nuk është adresuar ende.
– Reparacionet e luftës të cilat duhet të përfshijnë garancitë e mos-përsëritjes, dëmshpërblimit dhe kompensimit.
Këto janë gjëra për të cilat duhet të flasim dhe t’i zgjidhim, dhe për të cilat qeveria ime është plotësisht e përkushtuar.
Evropa i ka dhënë botës aq shumë, por gjithashtu ka nxjerrë shumë mësime, përmes luftës dhe iluminizmit, shtypjes dhe revolucionit, dhe ka gjetur paqe vetëm përmes pranimit të realitetit dhe të vërtetës.
Kjo është ajo që ne kërkojmë. Një pasqyrë që ne të shohim veten dhe të njohim veten sepse historia nuk mund të injorohet sepse mund të përsëritet.
Çdo pranverë, Kosova mban zi dhe kujton masakrat nga regjimi serb në 1998 dhe 1999, në çdo cep të vendit.
Deri më sot, ne ende kemi 1632 persona të zhdukur dhe 22 vjet pas luftës, familjet e tyre ende nuk mund të vendosin lule në varret e tyre dhe të pikëllohen në mënyrën tradicionale. Plagët e tyre janë plagët tona, vuajtjet e tyre janë vuajtjet tona. Kjo është arsyeja pse çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i personave të zhdukur. Nëse nuk mund të bëjmë përparim në këtë fushë, atëherë është vështirë të bëjmë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër.
Pra, nuk duhet ta injorojmë historinë, sepse injorimi i saj do të nënkuptojë injorimin e mësimeve që janë shkruar në varrezat e këtij kontinenti.
Bashkimi Evropian është projekti më i suksesshëm në botë për paqe, prosperitet dhe mirëqenie. Por përparimi dhe prosperiteti juaj duhet të ndahen.
Unë e falënderoj këtë institucion që mbështetë Kosovën në kohën e saj më të vështirë dhe që kërkon në mënyrë pro-aktive për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj të BE-së, por ne duhet të bëjmë më shumë.
Shtetet kombe të BE në Këshill nuk duhet të bllokojnë vullnetin demokratik në parlament. Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave dhe të marrë një rrugë të qartë drejt integrimit në BE pa veto dhe pa bllokime.
Ne nuk duhet të kërkojmë të kopjojmë një BE në Ballkan përmes disa iniciativave të cilat vetëm mund të vonojnë anëtarësimin tonë, por ne duhet të rrisim bashkëpunimin tonë rajonal në mënyrë që ai ta bëjë procesin e anëtarësimit më të lehtë dhe më të shpejtë.
Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE-së dhe ne duhet të trajtohemi si anëtarë të ardhshëm, jo si fqinjë. Sa më shpejt që të ecim drejt BE-së, aq më e sigurt do të bëhet Evropa dhe e lirë nga ndërhyrjet e huaja që kërkojnë destabilizim.
Si përfundim, unë besoj se është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një Mini-Marshall, plan i cili do të shpejtonte reformat dhe anëtarësimin e plotë. Plani Marshall i ShBA-së shpëtoi dhe ndërtoi Evropën dhe krijoi mrekulli ekonomike, tani është koha që BE-ja të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.
Ju faleminderit.
Lajmet
Policia gjen substancë të dyshuar narkotike në një veturë në Shtime
Published
5 hours agoon
October 27, 2026By
UBT News
Policia ka gjetur 3.15 gramë substancë të dyshuar narkotike gjatë kontrollit të një veture me targa të huaja në rrugën “De Rada” në Shtime.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 tetor, rreth orës 01:00, kur njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Shtime ka ndaluar automjetin në kuadër të planit operativ “Shtatori i Sigurt”, që synon luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët.
Gjatë kontrollit, te shoferi me inicialet R.I., 20 vjeç, është gjetur një qese najloni me 3.15 gramë substancë të dyshuar narkotike.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia në Shtime ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, përfshirë ato që lidhen me narkotikët.
/A.K/
Lajmet
Illija Sërdanoviq për REL: Dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian do të vazhdojnë
Published
5 hours agoon
October 27, 2026By
UBT News
Lista Studentore do ta vazhdojë dialogun me Kosovën, të zhvilluar gjatë qeverisjes së mëparshme. Kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, thotë Illija Sërdanoviq, i pari në listën që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Sërdanoviq thotë se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Kjo vlen për marrëveshjet politike, ndërsa sa u përket kontratave me kompanitë e huaja për investime në Serbi, ato do të respektohen “nëse janë në përputhje me sistemin juridik të Serbisë dhe aktet ndërkombëtare”.
Sërdanoviq thekson, gjithashtu, se Serbia do ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe se do të bëhet gjithçka që qytetarët të informohen për përfitimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai përsërit thirrjen për shmangien e çdo forme revanshizmi në Serbi, dhe thotë se përgjegjësinë për gjendjen aktuale të sigurisë e mban Qeveria në largim, e cila është në detyrë.
Sërdanoviq ishte i pari në Listën Studentore, i zgjedhur përmes vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, ishte organizimi pa një udhëheqës të vetëm.
Pas fitores bindëse ndaj forcave të Aleksandar Vuçiqit, të cilat qeverisën Serbinë për 14 vjet, shtrohet edhe pyetja se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Sërdanoviq, si ndiheni në rolin e udhëheqësit të një liste që, në fakt, nuk ka udhëheqës?
Illija Sërdanoviq: Ndihem krenar. Para së gjithash, jam krenar për të gjithë qytetarët tanë, të cilët te Lista Studentore gjetën një rrugëdalje nga situata në të cilën ndodheshim prej vitesh në Serbi, të ekspozuar ndaj sistemit represiv të një regjimi autoritar, të pushtetit të mëparshëm dhe të një njeriu që tashmë i përket historisë politike, por që ka lënë gjurmë të pashlyeshme të zbrazëtisë në historinë tonë. Ai ishte në pushtet për 15 vjet dhe vazhdon të jetë i pranishëm.
Radio Evropa e Lirë: Forcat që ai udhëhoqi kanë humbur vetëm rreth 100 mijë vota. Ai vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme politike në Serbi. A jeni të vetëdijshëm se problemi, nëse mund ta quajmë kështu, nuk është zgjidhur?
Illija Sërdanoviq: Jo, nuk mund të pajtohem me ju dhe me këtë konstatim. Në kushtet e një shoqërie krejtësisht jodemokratike, në të cilën jetojmë, ku mungon plotësisht liria e mediave dhe ku regjimi i Aleksandar Vuçiqit kishte kontroll mbi gjithçka, të fitosh me gjysmë milioni vota më shumë do të thotë se, në rrethana normale dhe me kushte të mirëfillta demokratike, ai nuk do të merrte as 15 deri në 20 për qind të votave. Kjo është fuqia reale e pushtetit të mëparshëm.
Radio Evropa e Lirë: Forcat që fituan zgjedhjet përballen me sfida jashtëzakonisht të mëdha. Por, të ndalemi fillimisht te një çështje tjetër. Si do t’i përgjigjeni frikës nga hakmarrja politike? Si do t’i përgjigjeni dhunës dhe çfarë keni ndërmarrë në këtë drejtim? Pamjet që kemi parë gjatë hyrjes së dhunshme në televizionin Informer janë shqetësuese. Besoj se pajtoheni.
Illija Sërdanoviq: Do të pajtohesha vetëm me një gjë. Lista Studentore “Studentët fitojnë” e mbështet programin, planin dhe të gjitha aktivitetet e deritanishme, përfshirë ato të organizatës studentore, mbi parimet e sundimit të ligjit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve.
Këto parime do t’i udhëheqin edhe të gjitha veprimet tona të ardhshme.
Askush prej nesh, përfshirë mua personalisht, nuk ka bërë ndonjëherë thirrje për çfarëdo forme hakmarrjeje politike. Kemi kërkuar vetëm respektimin e rendit dhe të ligjit.
Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht dje, shumë anëtarë të listës sonë, përfshirë edhe mua, u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta përcjellin deri në fund procesin zgjedhor në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Ngjarjet që janë parë brenda dhe përreth medias proqeveritare Informer nuk janë nxitur, inkurajuar apo mbështetur nga Lista Studentore.
Ne mbështesim rendin dhe ligjin dhe duam që Serbia të funksionojë në këtë mënyrë në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: A mund të garantojë dikush se dhuna nuk do të përsëritet?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment, përgjegjësia për çdo formë dhune dhe për parandalimin e saj i takon pushtetit aktual, i cili është në mandat teknik.
Nga ana jonë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të përmbahen nga çdo formë dhune dhe të respektojnë rendin dhe ligjin.
Në momentin kur ta marrim zyrtarisht pushtetin, përgjegjësia për zhvillimet në vend do të bjerë edhe mbi ne.
Aktualisht, ne kemi fuqinë për të bërë thirrje, ndërsa fuqinë për të vënë në funksion sistemin e ka ende aparati shtetëror, i cili vazhdon të jetë nën drejtimin e pushtetit të mëparshëm në mandat teknik.
Kush do ta udhëheqë Qeverinë e re të Serbisë?
Radio Evropa e Lirë: Kur do ta mësojë publiku se kush do të jetë kandidati për kryeministër dhe kush do të jenë kandidatët për ministra?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment mund t’ju them se Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Rezultatet përfundimtare nuk do të dallojnë nga ato të publikuara në bazë të mostrës përfaqësuese dhe as nga rezultatet e materialit zgjedhor të përpunuar deri më tani. Prandaj, numri i mandateve do të jetë pak a shumë ai që kemi aktualisht.
Megjithatë, procesi zgjedhor përfundon zyrtarisht vetëm në momentin kur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i shpall rezultatet në përputhje me ligjin.
Vetëm pas kësaj krijohen kushtet për fazën tjetër: konstituimin e Kuvendit të ri, formimin e organeve parlamentare dhe më pas procesin e formimit të Qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: A do të përcaktohet emri i kandidatit për kryeministër brenda Listës Studentore, apo do të kërkoni sërish konsultime me forumet studentore në fakultete?
Illija Sërdanoviq: Formimi i Qeverisë do të bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Serbisë. Emrat, përkatësisht zgjidhjet për postet në Qeveri, do të përcaktohen nga grupi shumicë i deputetëve të Listës Studentore.
Radio Evropa e Lirë: A do të ishit të gatshëm ta pranonit një kandidaturë të mundshme për kryeministër? Si i pari në listë, kjo duket deri diku logjike.
Illija Sërdanoviq: Po, por që në fillim të bisedës sonë thatë se kjo është një listë pa udhëheqës.
Mund të themi se, për çdo pozitë, do të zgjidhet kandidati për të cilin ne, bashkërisht, do të vlerësojmë se mund të veprojë më së miri në interes të qytetarëve të Serbisë.
Integrimet evropiane dhe marrëdhëniet me Rusinë
Radio Evropa e Lirë: Ka interesim të madh për drejtimin që do të marrë pushteti i ri në Serbi. Prandaj, do t’ju bëj disa pyetje konkrete. Bashkimi Evropian: A do të vazhdoni rrugën e integrimeve evropiane? A do ta përshpejtoni këtë proces?
Illija Sërdanoviq: Ne mbetemi në rrugën e integrimeve evropiane. Serbia është zotuar për këtë proces që në vitin 2000, pra 26 vjet më parë. Kjo punë do të vazhdojë.
Por, ajo që mund të premtojmë është se nuk do ta përsërisim atë që bëri pushteti i mëparshëm, i cili gjatë 15 vjetëve humbi 20 për qind të mbështetjes së qytetarëve të Serbisë për integrimet evropiane.
Ky është rezultati përfundimtar i politikave të pushtetit të mëparshëm.
Ne do ta harmonizojmë plotësisht politikën tonë të brendshme me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, duke u mbështetur në vlerat e përbashkëta evropiane, respektimin e të drejtave dhe barazisë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe lirinë e mediave.
Këta kapituj përbëjnë pengesën kryesore për përparimin e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.
Radio Evropa e Lirë: Nëse ka një çështje për të cilën Evropa është aktualisht e bashkuar, ajo është qëndrimi ndaj Rusisë. Lista Studentore ka mbajtur qëndrimin se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Por, diçka duhet të ndryshojë. Çfarë do të ndryshojë në marrëdhëniet me Moskën?
Illija Sërdanoviq: Para së gjithash, siç thashë edhe më parë, kushti i parë dhe pengesa më e madhe aktuale për vazhdimin e integrimeve evropiane lidhet me kapitujt 23 dhe 24, përkatësisht të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Fatkeqësisht, deri më sot në Serbi nuk kemi pasur vlerat themelore të lirisë, të drejtave, demokracisë dhe lirisë së mediave. Nuk ka pasur dialog.
Qytetarët tanë nuk kanë informacion të plotë se çfarë u ofron në të vërtetë Bashkimi Evropian. Një numër i madh qytetarësh, të izoluar brenda një hapësire mediatike ku u janë servirur të pavërteta për më shumë se një dekadë e gjysmë, nuk mund ta njohin plotësisht as agjendën evropiane.
Shumë qytetarë thjesht nuk janë të informuar.
Radio Evropa e Lirë: A po thoni se, përmes dialogut, do ta rishqyrtoni edhe qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë?
Illija Sërdanoviq: Sigurisht që do të ketë dialog brenda shoqërisë sonë. Të gjitha çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të trajtohen përmes një dialogu të hapur me qytetarët tanë.
Politika nuk mund të përcaktohet nga një njeri i vetëm.
Ne jemi përpjekur dhe kemi arritur që një sistem i tillë qeverisjeje, ku një njeri vendos se nga do të shkojmë dhe në cilin drejtim do të lëvizim si komb, të mos përsëritet më kurrë në Serbi.
Do të hapim dialog dhe do t’u japim qytetarëve mundësinë të zgjedhin drejtimin që ata e konsiderojnë më të mirin për veten.
Por, ai dialog duhet të jetë i hapur dhe transparent, jo i formësuar nga regjimi, siç ka ndodhur gjatë 15 apo 20 vjetëve të fundit.
Radio Evropa e Lirë: Pra, nëse ju kuptoj drejt, qëndrimi ndaj sanksioneve kundër Rusisë mund të rishqyrtohet?
Illija Sërdanoviq: Kjo mund të nënkuptojë se për këtë çështje do të vendosin qytetarët e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Si? Përmes referendumit? Më ndihmoni ta kuptoj.
Illija Sërdanoviq: Ngjashëm si në marrëdhëniet me të gjitha shtetet e tjera.
Politika e jashtme duhet të formësohet në përputhje me kërkesat dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve, jo sipas mendimit të një njeriu apo të një grupi shumë të vogël njerëzish që marrin vendime në vend të qytetarëve.
Kjo nuk është demokraci.
Dialogu me Kosovën dhe Marrëveshja e Brukselit
Radio Evropa e Lirë: Lista Studentore ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen e Kosovës. Por, a do ta vazhdoni dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve?
Illija Sërdanoviq: Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës dhe Metohisë është pjesë themelore e planit studentor.
E gjithë platforma e marrëdhënieve të brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë.
Prandaj, edhe platforma për bisedimet dhe të ardhmen e Kosovës dhe Metohisë është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Pra, mbeteni të përkushtuar ndaj dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve?
Illija Sërdanoviq: Absolutisht. Mbetemi të hapur dhe lëmë hapësirë për dialog të hapur dhe për zgjidhjen e çështjeve, para së gjithash, në interes të qytetarëve tanë dhe të të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit?
Illija Sërdanoviq: Kjo do të thotë se ne, si shoqëri dhe si pushtet i përgjegjshëm, në të ardhmen do t’i respektojmë protokollet e dakorduara ndërkombëtarisht.
Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë kanë dakorduar në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Ndoshta është pyetje e vështirë, por a nënkupton kjo edhe gatishmërinë për të biseduar drejtpërdrejt me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment, ne ende nuk e kemi marrë mandatin dhe nuk jemi në pushtet në Serbi.
Për çdo çështje që ka rëndësi të madhe strategjike për shtetin, kombin dhe qytetarët tanë, do të marrim vendim më vonë, pasi të formohet Qeveria.
Radio Evropa e Lirë: Kush do ta marrë vendimin, a do t’ia lini këtë çështje gjyqësorit, a do të nisë ndonjë procedurë, përkatësisht a do të merret ndonjë vendim lidhur me kërkesën për ekstradimin e Millan Radoiçiqit në Kosovë?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment nuk mund t’ju jap një vendim, madje as një qëndrim personal për këtë çështje, sepse jam vetëm një nga anëtarët e listës që ende nuk e ka formuar Qeverinë.
Por, sigurisht që do të përpiqemi që vendimet për të gjitha çështjet e tilla të merren më vonë, në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Republikën e Serbisë.
Marrëdhëniet me Republikën Sërpska dhe çështja e Srebrenicës
Radio Evropa e Lirë: A ju ka kontaktuar dikush nga rrethi i bashkëpunëtorëve të Millorad Dodikut në Bosnje e Hercegovinë?
Illija Sërdanoviq: Jo, jo.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë bashkëpunimi prisni?
Illija Sërdanoviq: Vazhdimin e bashkëpunimit me Republikën Sërpska, në interes të qytetarëve të Serbisë dhe të Republikës Sërpska.
Radio Evropa e Lirë: A do t’i inkurajojë pushteti i ri autoritetet e Republikës Sërpska që t’i zgjidhin problemet me autoritetet qendrore të Bosnje e Hercegovinës në Sarajevë?
Illija Sërdanoviq: Sigurisht që do t’i ndihmojmë të gjithë qytetarët në vendet që na rrethojnë, ndërsa çështja e Republikës Sërpska është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Do të kërkojmë që dialogu të zhvillohet hapur dhe të gjenden zgjidhjet më të mira të përbashkëta për të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, përfshirë ata të Republikës Sërpska.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë qëndrimi do të mbani për Srebrenicën?
Illija Sërdanoviq: Qëndrimi për Srebrenicën është përcaktuar nga gjykata. Ekzistojnë edhe dokumentet e njohura ndërkombëtarisht, të miratuara nga Kuvendi ynë në vitin 2010.
Radio Evropa e Lirë: Ekziston edhe një dokument ndërkombëtar i një niveli më të lartë. E kemi fjalën për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila krimin në Srebrenicë e ka përcaktuar si gjenocid.
Illija Sërdanoviq: Shikoni, çështje të tilla, që nuk kanë qenë aspak pjesë e zgjedhjeve dhe e procesit zgjedhor në Serbi, nuk do t’i vendosja në fokus.
Nuk mund t’ia ngarkojmë përgjegjësinë për ngjarjet e para 40 vjetëve dikujt që ka lindur pas vitit 2000.
Të rinjtë e Serbisë, të lindur pas vitit 2000, kërkuan ndryshime për shkak të problemeve të brendshme të Serbisë.
Ata kërkuan nga ne, nga lista me 250 kandidatë, që t’i ndihmonim në këtë proces.
Ne i ndihmuam të rinjtë tanë ta rrëzonin një pushtet represiv dhe autokratik, të udhëhequr nga një autokrat që ishte një nga promovuesit kryesorë të shumë çështjeve për të cilat po flisni tani me mua.
Askush nga anëtarët e listës sonë nuk është përgjegjës për ngjarjet e viteve ’90. Por, pushteti i mëparshëm është.
Brezi ynë i së ardhmes, i lindur pas vitit 2000, dëshiron të shohë se si do të duket Serbia në të ardhmen.
Ngjarjet e së kaluarës do t’ua lëmë historianëve për të dhënë vlerësimin përfundimtar.
Gjykatat tashmë kanë marrë vendime dhe aktgjykimet ekzistojnë. Historianët le t’i trajtojnë në të ardhmen çështjet e rëndësishme historike.
Para nesh është e ardhmja e Serbisë dhe drejt saj duam të orientohemi.
Kontratat me investitorët e huaj dhe projektet kineze
Radio Evropa e Lirë: A do t’i bëni publike në të ardhmen të gjitha kontratat sekrete, përkatësisht kontratat e mbyllura, që kanë mundësuar realizimin e projekteve të mëdha në Serbi me investitorë të huaj? Kjo ka qenë një nga shtyllat e fushatës suaj kundër korrupsionit. A mund të presim që qytetarët e Serbisë, në një të ardhme, t’i shohin kontratat për projektin “Beograd na vodi” (Beogradi mbi ujë), për investimet kineze dhe projekte të tjera?
Illija Sërdanoviq: Sigurisht që do të kërkojmë transparencë për të gjitha projektet e tilla në të ardhmen, para së gjithash për projektet e mëdha infrastrukturore që janë duke u ndërtuar ose që do të realizohen në të ardhmen.
Pikërisht projektet infrastrukturore që përmendët kanë kontribuar në masë të madhe në pakënaqësinë dhe revoltën e qytetarëve.
Ne do të kërkojmë qasje të plotë në të gjitha dokumentet dhe kontratat përkatëse, në mënyrë që të mund të vlerësojmë se cilat pjesë të tyre kanë qenë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Serbisë.
Vetëm kështu mund të japim një vlerësim përfundimtar për atë që është bërë.
Aktualisht, nuk kemi qasje në dokumentet që janë nënshkruar, nuk e dimë si janë lidhur këto marrëveshje dhe në interes të kujt.
Kur të kemi qasje të plotë, do të mund t’ju japim përgjigje të saktë.
Radio Evropa e Lirë: A do të rrënohet Panairi i Beogradit?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment nuk kam mandat t’i përgjigjem një pyetjeje të tillë, sepse edhe ky projekt, si shumë aktivitete të tjera, është mbështjellë me mister dhe mungesë transparence nga pushteti i mëparshëm.
Radio Evropa e Lirë: Pse e përmenda Panairin e Beogradit? Sepse ai është pjesë e kontratës së nënshkruar me investitorin që po ndërton projektin “Beogradi mbi ujë”.
Marrëveshjet ndërkombëtare janë marrëveshje ndërkombëtare. Por, pikërisht këto kontrata kanë qenë një nga arsyet kryesore të kritikave ndaj pushtetit tashmë të mëparshëm.
Megjithatë, këto marrëveshje duhet të vazhdojnë të respektohen, apo jo?
Illija Sërdanoviq: Kontratat duhet të respektohen nëse janë në përputhje me sistemin tonë juridik dhe me aktet e së drejtës ndërkombëtare.
Unë jam mjek dhe jo ekspert i së drejtës ndërkombëtare që të mund t’ju jap një përgjigje të saktë për këtë çështje.
Por, në listën tonë dhe në Qeverinë tonë të ardhshme do të ketë njerëz përgjegjës dhe ekspertë të kësaj fushe, të cilët do të mund t’ju japin një përgjigje më të saktë sesa unë.
Nuk dua të marr rolin e gjykatësit, sidomos në një fushë që nuk është specialiteti im.
Liria e shprehjes dhe mediat publike
Radio Evropa e Lirë: A do të hiqen ndalesat e hyrjes në Serbi për një numër të konsiderueshëm njerëzish, aktivistësh dhe punonjësish të kulturës, të cilët, në rrethana të pabesueshme, janë përballur me ndalesa të tilla gjatë dy apo tre vjetëve të fundit?
Illija Sërdanoviq: Së pari, Serbia do të jetë një vend ku do të ketë liri mendimi.
Nuk do të lejojmë më kurrë që njerëzit të etiketohen për shkak të diçkaje që kanë thënë dhe që, për këtë arsye, t’u mohohet e drejta për një jetë dinjitoze në këtë vend.
Nëse kjo është përgjigjja që kërkoni, besoj se jua dhashë në mënyrën më të përshtatshme.
Radio Evropa e Lirë: Pamë çfarë ndodhi në Radio-Televizionin e Vojvodinës. Ju ndodheni në Novi Sad. Drejtuesit e këtij transmetuesi kërkuan falje për politikën e tyre redaktuese. Çfarë prisni të ndodhë në Radio-Televizionin e Serbisë?
Illija Sërdanoviq: Duhet të them se një kërkimfalje e tillë nuk mjafton për të na bindur se politika redaktuese në të ardhmen do të jetë e drejtë dhe në përputhje me interesat më të mira të të gjithë qytetarëve të Serbisë.
Duhet të krijohet një mjedis ku do të ketë kontroll dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mbi punën, para së gjithash, të transmetuesit publik.
Në këtë drejtim, rol kyç ka Trupi Rregullator për Mediat Elektronike, i cili duhet të fillojë ta kryejë punën e vet në përputhje me ligjin.
Kjo nënkupton mbikëqyrjen e mediave elektronike publike, e cila, fatkeqësisht, ka munguar gjatë 15 vjetëve të fundit.
Radio Evropa e Lirë: A do të miratohet një ligj për lustracionin?
Illija Sërdanoviq: Ligji për lustracionin është paraparë në programin studentor dhe, me gjasë, do të jetë një nga ligjet që do të miratohen në Kuvendin e Serbisë gjatë periudhës së ardhshme.
Lajmet
Nga teknologjia te mjekësia: UBT ofron 25 programe Master për gjeneratën e re të ekspertëve
Published
5 hours agoon
October 27, 2026By
UBTNews
Si vend lider i arsimit të lartë dhe inovacionit në rajon, UBT vijon të mbetet adresa kryesore për secilin që synon ta ngrejë në një nivel tjetër përgatitjen e vet profesionale. Përmes një mjedisi që nxit kërkimin shkencor, infrastrukturës moderne laboratorike dhe stafit me përvojë ndërkombëtare, ky institucion mban gjithmonë studentin në qendër të vëmendjes. Me kurrikula të hartuara në përshtatje të plotë me kërkesat e tregut bashkëkohor të punës, në UBT po vazhdojnë regjistrimet për zhvillim akademik në 25 programe të akredituara të nivelit master.
Programet e ofruara në nivelin master përfshijnë një gamë të gjerë fushash profesionale e shkencore.
Në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë, Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi përgatit udhëheqësit e ardhshëm të sipërmarrjes përmes analizave strategjike financiare e menaxhuese. Programi FinTech dhe Menaxhimi i Inovacionit aftëson profesionistët për të udhëhequr transformimin digjital në sektorin financiar. Ndërkaq, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri ofron përgatitje të avancuar në zhvillimin e softuerëve, inteligjencën artificiale dhe sigurinë kibernetike.
Në infrastrukturë dhe teknologjinë e aplikuar, Inxhinieri Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë fillon nga parimet më të avancuara të projektimit dhe strukturave bashkëkohore. Inxhinieria e Trafikut dhe Transportit trajton planifikimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e sistemeve moderne të transportit. Programi Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment ofron diplomë të njohur ndërkombëtarisht me tri specializime në Sisteme Informacioni për Biznes, Biblioteka e Arkivim, si dhe Tregti Elektronike.
Programi Inxhinieri e Mekatronikës gërsheton robotikën, automatizimin dhe inxhinierinë elektrike për industrinë moderne. Në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor zhvillon aftësitë konceptuese për projektimin e hapësirave urbanistike dhe arkitektonike me standarde evropiane, ndërsa Inxhinieri e Energjisë dhe Mjedisi fokusohet në burimet e ripërtëritshme dhe mbrojtjen e ambientit.
Në fushën e së drejtës dhe shkencave shoqërore, E Drejta Penale analizon nga afër sistemin e drejtësisë penale dhe procedurat e avancuara ligjore. E Drejta Civile dhe Pronës trajton në thellësi marrëdhëniet juridike-civile dhe të drejtën e pronësisë, kurse E Drejta Komerciale përgatit ekspertë ligjorë për korporatat dhe tregtinë ndërkombëtare.
Programi Gjuhë, Media dhe Komunikim formëson profesionistët e gazetarisë e komunikimit publik me mjetet e epokës digjitale. Politika Publike dhe Menaxhim ofron njohuri mbi hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave shtetërore.
Shkenca Politike thellon studimin e sistemeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa Studime të Sigurisë trajton sfidat moderne globale dhe rajonale të sigurisë. Programi Psikologji përgatit specialistë të shëndetit mendor dhe mirëqenies me metodologjitë më të reja kërkimore.
Në fushën e shkencave mjekësore, jetësore dhe bujqësisë, Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit ofron njohuri mbi kontrollin e cilësisë dhe proceset e përpunimit ushqimor. Farmaci përgatit ekspertë për sektorin farmaceutik dhe kërkimet shkencore në mjekësi.
Stomatologji sjell përgatitje praktike e teorike të nivelit të lartë për kujdesin e shëndetit me gojë. Programi Shëndet Publik dhe Menaxhim trajton politikat e shëndetësisë dhe administrimin e institucioneve mjekësore.
Biokimi thellon kërkimet laboratorike dhe analizat molekulare mjekësore. Shkencat Paramjekësore aftëson kuadrot për shërbimet urgjente dhe përkujdesjen intensive mjekësore. Agrikulturë dhe Mjedis promovon bujqësinë e qëndrueshme dhe ruajtjen e ekosistemeve, ndërsa Shëndet dhe Aktivitet Fizik studion ndikimin e lëvizjes dhe sportit në mirëqenien e njeriut.
Me kushte moderne studimi, laboratore të teknologjisë së fundit dhe përkushtim absolut ndaj ngritjes profesionale të çdo studenti, UBT mbetet zgjedhja e parë për ndërtimin e një karriere të suksesshme.
Lajmet
Rasti Arlinda Zekaj: Kryeprokurori i Shtetit transferon tri lëndë penale në Prishtinë dhe nis hetim për përgjegjësinë institucionale
Published
6 hours agoon
October 27, 2026By
UBTNews
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për transferimin e tri lëndëve penale që lidhen me rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës.
Vendimi u mor mbështetur në nenin 20 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, me qëllim të garantimit të një trajtimi efikas, objektiv dhe të paanshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të çështjes dhe pasojat e saj të rënda.
Paralelisht me këtë lëvizje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka nisur një analizë gjithëpërfshirëse mbi veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale. Hetimi do të përfshijë vlerësimin e rrezikut, kronologjinë e marrjes së vendimeve dhe masat e mbrojtjes që ishin ndërmarrë për të ndjerën para se të ndodhte krimi.
Përmes një komunikate zyrtare, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit potencoi se do të kërkohet llogaridhënie e plotë dhe do të ndërmerren masa rigoroze ndaj secilit zyrtar në rast se evidentohen shkelje ligjore apo neglizhencë në trajtimin e këtij rasti.
Policia gjen substancë të dyshuar narkotike në një veturë në Shtime
Illija Sërdanoviq për REL: Dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian do të vazhdojnë
Nga teknologjia te mjekësia: UBT ofron 25 programe Master për gjeneratën e re të ekspertëve
Xhaka dhe Embolo rikthehen te Zvicra, mesfushori shqiptar mbetet kapiten
Rasti Arlinda Zekaj: Kryeprokurori i Shtetit transferon tri lëndë penale në Prishtinë dhe nis hetim për përgjegjësinë institucionale
Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për Jeton Sylajn: Ekziston rreziku i ikjes drejt SHBA-së
Ekspertja ukrainase ligjëron për luftën kognitive dhe propagandën para studentëve të Studimeve të Sigurisë në UBT
Mbappe kërkon falje publike pas polemikave në Kinë
Ish-bashkëlojtari i Shaqirit: Ai mbetet lojtari më i mirë në Superligën e Zvicrës
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport3 months agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet3 months agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet3 months ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
