Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, në selinë e ministrisë së mbrojtjes kroate, me nderime të larta ushtarake, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, u prit në takim nga homologu i tij, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banožić.
Në takimin mes tyre u diskutua rreth bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes dhe mundësisë për avancimin e bashkëpunimit edhe në industrinë e mbrojtjes, pastaj rreth angazhimit dhe rolit të rëndësishëm të Kroacisë në NATO dhe misionin e KFOR-it si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë për anëtarësim të Republikës së Kosovës në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes me theks të veçantë në Kartën e Adriatikut- SHBA (A5), e cila këtë vit kryesohet nga Republika e Kroacisë.
Gjatë këtij takimi, ministri Banožić, ndër të tjera, theksoi miqësinë ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës në përgjithësi dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet dy ministrive në veçanti. Ai ndër të tjera theksoi se është koha që bashkëpunimin bilateral t’a ngrisim në nivel edhe më të lartë në kontekstin e Memorandumit të ri të Mirëkuptimit midis dy ministrive, i cili është duke u përgatitur, dhe i cili do të përfshijë modalitete të reja të bashkëpunimit.
“Do të jetë një projekt kompleks shumëvjeçar, por besoj se ky bashkëpunim do të lidhë më tej vendet tona në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik” tha ai. Ministri Banožić gjithashtu njoftoi dhe ftoi Ministrin Mehaj në Ekspozitën dhe Konferencën Ushtarake dhe Ajrore të Adriatikut – ASDA, e cila është planifikuar të mbahet këtë vjeshtë në Split. Nga ana e tij, Ministri Mehaj, falënderoi ministrin Banožić për mbështetjen e vazhdueshme shumëvjeçare, duke theksuar se kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës. Ai tha se ishte një nder i madh për të që është në Kroaci, të cilën Republika e Kosovës e sheh si një nga partnerët dhe mentorët më të fortë rajonalë në procesin e tranzicionit dhe avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Stabiliteti dhe siguria rajonale mund të arrihen vetëm përmes përpjekjeve dhe bashkëpunimit të përbashkët,” tha ministri, duke shprehur kënaqësinë me presidencën e Kroacisë të Kartës së Adriatikut-SHBA (A5) të këtij viti, duke theksuar se ai shpreson që Republika e Kosovës së shpejti do të bëhet anëtari më i ri i Kartës.
“Ne jemi mirënjohës Kroacisë për mbështetjen e saj gjatë gjithë këtyre viteve. Ne e shohim Kroacinë si një mentor dhe mësimet e nxjerra do të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt NATO-s. Sot në Kosovë kemi pasur garën tradicionale për ushtarin më të mirë dhe unë sapo morra informacion se një ushtar i Ushtrisë Kroate fitoi garën. Urime për suksesin”, tha në fund Ministri i Kosovës dhe ftoi Ministrin Banožić në Prishtinë për të nënshkruar Memorandumin e ri të Mirëkuptimit.
Gjatë vizitës katërditore, ministri Mehaj me delegacionin e tij, zhvilloi vizitat në kompanitë prodhuese për t’u njohur nga afër me cilësinë e pajisjeve të prodhuara nga kompanitë kroate të industrinë e mbrojtjes.
Në vazhdën e aktiviteteve të shumta, ministri Mehaj, përveç takimit me stafin diplomatik të Kosovës në Zagreb, po ashtu vizitoi student-kadetët e Kosovës në Akademinë Ushtarake të Kroacisë ku është pritur nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Mate Pađen dhe stafi i tij. Gjatë vizitës, ministri Mehaj, përveç tjerash rreth institucionit përkatës, u njoftua edhe me të arriturat e studentë-kadetëve të FSK-së që studiojnë aktualisht në këtë akademi. Nga ana e tij, ministri Mehaj, nikoqirët i përgëzoi për të arriturat e akademisë ushtarake kroate duke shprehur falënderimin për përkushtimin e tyre për aftësim sa më cilësor akademik e profesional të studentë-kadetëve tanë. Në bashkëbisedim të afërt me studentë-kadetët kosovar, ndër të tjera, ai i inkurajoi ata për angazhim maksimal në studime për aftësim sa më të lartë akademik dhe profesional në funksion të karrierës së tyre ushtarake si dhe përgjegjësive që i presin në të ardhmen./UBTNEWS
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet sot në orën 14:00, mëson Ekonomia Online nga burimet e saj brenda këtij subjekti politik.
Mbledhja e parlamentarëve të shumicës vjen në një moment të tensionuar politik, kur Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar një orar zyrtar për mbajtjen e seancës plenare.
Sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri deri në mesnatë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/
Në një kohë kur siguria ushqimore përbën një nga sfidat më kryesore globale, UBT ka hapur aplikimet për programin Master në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit, duke ofruar 20% bursë studimi përmes skemës “Engaged Scholarship” për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve.
Bursa vlen për një sere profesionistësh të fushës, përfshirë teknologët e ushqimit, nutricionistët, infermierët, kontrollorët e cilësisë, inspektorët ushqimorë dhe laborantët ushqimorë.
Programi është i ndërtuar sipas standardeve të universiteteve më të avancuara evropiane dhe synon përgatitjen e kuadrove udhëheqëse për tregun e punës. Përmes punës praktike në laboratorë modernë, studentët trajnohen në kontrollin e cilësisë, inxhinierinë e përpunimit, kiminë e mikrobiologjinë ushqimore, si dhe zhvillimin e produkteve inovative në përputhje me legjislacionin dhe normat ndërkombëtare.
Përveç komponentës teoretike dhe praktike, ky program vë fokus të veçantë te kërkimi shkencor dhe zgjidhja e problemeve reale me të cilat përballet industria ushqimore sot. Studentët aftësohen për të analizuar parametrat dietikë, për të optimizuar linjat e prodhimit industrial me eficiencë energjetike dhe për të garantuar qëndrueshmëri mjedisore në çdo fazë të përpunimit të ushqimit.
Gjithashtu, mjedisi interaktiv, stafi akademik me përvojë ndërkombëtare dhe rrjeti i gjerë i partneriteteve u mundësojnë studentëve përfitimin e kompetencave të nevojshme për pozita drejtuese e ekzekutive në sektorin publik dhe privat, si dhe për vazhdimin e studimeve të doktoraturës.
Për më shumë informata mbi aplikimin dhe përfitimin e bursës prej 20%, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen pranë hapësirave të UBT-së apo faqeve zyrtare të këtij institucioni.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Në një komunikatë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë, shprehje të lirë dhe tubim paqësor është e drejtë themelore që duhet të respektohet, por nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj policëve, institucioneve apo qytetarëve.
“SPK dënon fuqishëm çdo akt dhune, hedhjen e mjeteve piroteknike, mjeteve të forta dhe çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë që janë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatë.
Sindikata ka theksuar se policët nuk janë palë në debatet politike, por profesionistë që kanë për detyrë zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë.
Ajo ka shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren dhe ka bërë thirrje që dallimet politike të mos shndërrohen në përplasje me ta.
“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Sipas SPK-së, çdo polic i lënduar gjatë kryerjes së detyrës është anëtar i një familjeje që pret të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit.
Në fund, Sindikata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë zyrtarëve policorë dhe të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre profesional, duke theksuar se çdo veprim ndaj tyre duhet të vlerësohet në bazë të ligjit dhe jo të përkatësisë apo qëndrimeve politike./A.K/
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, mirëpo ende nuk është përcaktuar orari i saktë i nisjes së seancës.
Sipas burimeve të Kohës, deputetët fillimisht u ftuan për të qenë në ulëse në orën 14:00, mirëpo më vonë u njoftuan për shtyrjen e këtij orari.
Deri më tani, nga administrata e Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me kohën e saktë të nisjes së punimeve.
Kjo seancë vjen në një moment kritik, pasi sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/