Kuriozitete

Filmat e frikshëm përforcojnë rezistencën emocionale dhe ulin ankthin

Published

on

Edhe pse filmat horror shkaktojnë rritje të rrahjeve të zemrës dhe ndjesi frike, ata mund të kenë efekte pozitive në shëndetin mendor.

Psikologët shpjegojnë se ndjenja e frikës ndihmon njerëzit të mësojnë si të kontrollojnë ankthin dhe të përballen më lehtë me situata stresuese në jetën reale.

Kjo përforcon rezistencën emocionale dhe vetëbesimin. Një studim i ri psikologjik ka treguar se horrori aktivizon në tru procese që ndihmojnë individin të mësojë si të reagojë në situata të vështira.

Coltan Scrivner, psikolog amerikan nga Universiteti i Arizonës, thotë se përjetimi i frikës në mënyrë të kontrolluar, përmes filmave ose librave horror, funksionon si një ushtrim emocional që forcon rezistencën psikologjike.

Gjatë studimit, shikuesit e filmave horror u ndanë në tre grupe:

Adrenaline Junkers – ata që kërkojnë ndjesinë e fortë të frikës;

White Knucklers – ata që duan të provojnë ndjenjën e tejkalimit të frikës;

Dark Copers – ata që përdorin filmat horror për të përballuar ankthin ose depresionin.

Sipas Scrivner, shikimi i skenave të frikshme është një mënyrë për të testuar kufijtë e frikës dhe për të ndjerë siguri në jetën reale.

Këto përvoja i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë reagimet e tyre emocionale dhe të zhvillojnë aftësi për vetëkontroll.

Një pjesë tjetër e studimit, e realizuar në Danimarkë, tregoi të njëjtat rezultate, duke konfirmuar se ndjenja e frikës në kushte të sigurta ka vlera praktike.

Gjithashtu, gjatë pandemisë së COVID-19, hulumtuesit vërejtën se adhuruesit e filmave horror ishin më të qëndrueshëm emocionalisht, më të qetë ndaj lajmeve të frikshme dhe më të sigurt për aftësinë e tyre për të përballuar vështirësitë.

Efektet pozitive të frikës përdoren edhe në trajtimin e ankthit. Në Holandë, studiuesit përdorin një video-lojë të quajtur MindLight, e cila ndihmon fëmijët me ankth të përballojnë frikën. Scrivner beson se historitë horror përdoren si terapi, duke mësuar trurin të menaxhojë emocionet negative në mënyrë të sigurt.

“Tmerri na lejon të luajmë me ndjenjën e frikës pa qenë në rrezik real,” shpjegon ai. “Një libër apo film horror i përzgjedhur me kujdes mund të shërbejë si mjet i vlefshëm për qetësinë në momentet kritike dhe forcimin e durimit emocional.” /A.Z/UBT News/

Kuriozitete

Shkenca sfidon mitin e moshës, truri më i fortë në 55 deri 60 vjeç

Published

on

Një studim i ri nga Universiteti i Australisë Perëndimore ka përmbysur bindjen se aftësitë mendore bien me kalimin e moshës.

Sipas kërkuesve, performanca njohëse arrin kulmin midis moshës 55 dhe 60 vjeç, duke përfaqësuar periudhën më të fortë për arsyetim, vendimmarrje dhe zgjidhje të problemeve komplekse.

Studiuesi kryesor, Dr. Gilles Gignac, e përshkruan këtë fazë si “pikën ideale të ekuilibrit midis përvojës, njohurive dhe stabilitetit emocional”.

“Është koha të mos e shohim moshën e mesme si fillimin e rënies, por si kulmin e pjekurisë mendore,” – theksoi ai.

Duke analizuar të dhënat nga dhjetëra kërkime, ekipi përfshiu 16 tipare njohëse dhe të personalitetit, përfshirë kujtesën, arsyetimin moral, inteligjencën emocionale dhe “Pesë tiparet e mëdha”: ekstraversionin, ndërgjegjshmërinë, hapjen, pëlqyeshmërinë dhe stabilitetin emocional.

Rezultatet treguan se funksioni mendor rritet gradualisht gjatë jetës së të rriturve, kulmon në fund të të 50-ave dhe mbetet i qëndrueshëm deri në fillim të të 60-ave. Madje, disa tipare si ndërgjegjshmëria dhe arsyetimi moral vazhdojnë të përmirësohen edhe pas moshës 65 vjeç.

Sipas autorëve, kjo shpjegon pse personat midis 55 dhe 60 vjeç shpesh janë më të përshtatshëm për role udhëheqëse dhe vendimmarrje të lartë.

Studimi thekson se mosha e mesme nuk është fillimi i rënies, por periudha ku përvoja dhe mençuria arrijnë kulmin e tyre intelektual. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Pse “do ta bëj nesër” është një nga gënjeshtrat më të dëmshme për mendjen?

Published

on

Sipas disa studimeve, zakoni për të shtyrë detyrat apo vendimet për më vonë nuk është thjesht një formë përtacie apo mungesë motivimi, ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si funksionon truri ynë.

Shkencëtarët shpjegojnë se, kur një person e ka zakon të zvarrisë gjithçka, aktivizohen pjesët e trurit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me stresin dhe ankthin, ndërsa dobësohen ato zona që ndihmojnë përqendrimin, vetëkontrollin dhe vendimmarrjen.

Ky proces sjell një sërë pasojash: lodhje mendore, mungesë qartësie, rënie të motivimit dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve.

Në thelb, sa më shumë e shtyn një detyrë, aq më shumë truri mësohet me këtë sjellje dhe e bën gjithnjë e më të vështirë të ndalesh së zvarrituri.

Studiuesit theksojnë se zvarritja kronike nuk duhet parë si një çështje “përtacie”, por si model sjelljeje që ndikon në mirëqenien mendore dhe aftësitë njohëse.

Ajo mund të krijojë një cikël të lodhshëm ku ndjenja e fajit dhe ankthi përzihen me mungesën e veprimit, duke ulur produktivitetin dhe kënaqësinë personale.

Prandaj, herën tjetër që mendon “do ta bëj nesër”, kujto se truri yt nuk është aspak dakord dhe se çdo shtyrje e vogël mund të jetë një hap më larg nga qartësia dhe kontrolli i vetvetes. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Parashikimet e Ray Kurzweil për të ardhmen e Inteligjencës Artificiale dhe singularitetin

Published

on

Në librin e tij të vitit 1999, “The Age of Spiritual Machines”, shpikësi dhe futuristi Ray Kurzweil bëri parashikime që kanë tërhequr vëmendjen e botës teknologjike dhe shkencore.

Ai parashikoi se deri në vitet 2020, Inteligjenca Artificiale (IA) do të ishte e aftë të kryente shumicën e detyrave që aktualisht i bëjnë njerëzit.

Kurzweil shpjegoi se deri më 2029, makinat do të arrinin inteligjencën e nivelit njerëzor, duke u bërë partnerë të barabartë në shumë fusha të jetës dhe punës njerëzore. Deri më tani, pretendon se nga 147 parashikime të bëra që nga vitet 1990, 86% janë rezultuar të sakta, një tregues i saktësisë së vizionit të tij për zhvillimin e teknologjisë.

Sipas Kurzweil, vala e ardhshme e teknologjisë do të shkojë shumë përtej automatizimit të thjeshtë. Ai parashikon se deri në vitin 2032, shkenca do të arrijë përparime që mund të ngadalësojnë ose madje të përmbysin procesin e plakjes, duke sjellë revolucion në shëndetin dhe jetëgjatësinë njerëzore.

Në vitet e 2030-ës, nanorobotët pritet të luajnë një rol kyç, duke lidhur trurin tonë me cloud-in, çka mund të zgjeronte aftësitë njohëse dhe të mundësonte një shkallë të re ndërveprimi mes mendjes njerëzore dhe inteligjencës artificiale.

Deri më 2045, Kurzweil beson se njerëzimi do të arrijë Singularitetin, një pikë ku inteligjenca njerëzore dhe artificiale bashkohen plotësisht, duke zgjeruar kapacitetet e vetëdijes dhe duke krijuar mundësi të reja për krijimtarinë, inovacionin dhe zhvillimin e civilizimit.

Ai e quan këtë dekadë si më transformuese në historinë njerëzore, një moment kur kreativiteti dhe llogaritja bashkohen, duke hapur një epokë krejtësisht të re të teknologjisë dhe shoqërisë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

Raporti i UCLA zbulon: Adoleshentët po i drejtohen gjithnjë e më shumë filmave të animuar

Published

on

Qendra për Studiues dhe Tregimtarë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA) ka publikuar raportin e saj vjetor të titulluar “Adoleshentët dhe Ekranet”, i cili sjell një pasqyrë të hollësishme mbi zakonet dhe preferencat mediatike të gjeneratës së re në SHBA.

Sipas raportit, Gjenerata Z (të lindur midis viteve 1995–2012) po shfaq një prirje në rritje për filmat e animuar.

Përqindja e adoleshentëve që preferojnë animacionin ndaj filmave me aktorë është rritur nga 42% në 48.5% brenda një viti.

Kjo prirje nuk kufizohet vetëm te më të rinjtë, rreth 48% e të anketuarve 19–24 vjeç po ashtu preferojnë filmat e animuar, sipas të dhënave të Variety. Raporti tregon se filmave, videolojërave dhe koncerteve janë formatet që të rinjtë preferojnë t’i ndajnë me miqtë e tyre.

Për vitin e dytë radhazi, shikimi i një filmi të ri në kinema mbetet aktiviteti më i pëlqyer i fundjavës, nëse çmimi nuk përbën pengesë.

Marrëdhënia me median tradicionale

Të rinjtë ende vlerësojnë përvojën e përbashkët të kinemasë, por mënyra e konsumimit të përmbajtjes ka ndryshuar ndjeshëm.

Rreth 57% e të anketuarve pohojnë se shikojnë më shumë filma dhe seriale sesa brezat e mëparshëm, por80% prej tyre ndjekin këto përmbajtje në platforma si YouTube dhe TikTok, në vend të televizionit apo kinemave tradicionale.

Në lidhje me mënyrën se si portretizohen marrëdhëniet në ekran, 60.9% e të rinjve thanë se preferojnë që romancat të fokusohen më shumë te miqësia midis çifteve sesa te aspektet seksuale, 48.4% besojnë se ka tepër përmbajtje seksuale në filmat e serialet aktuale.

Sa i përket titujve më të pëlqyer, adoleshentët përmendën “Stranger Things”, “Wednesday”, “SpongeBob SquarePants” dhe “Spider-Man” si programet dhe filmat e tyre të preferuar.

Raporti thekson se të rinjtë amerikanë vazhdojnë të jenë të lidhur me kinemanë dhe serialet, por mënyra si i konsumojnë ka evoluar: më shumë online, më shumë në shoqëri, dhe me interes të veçantë për përmbajtje kreative dhe të animuar.

Studimi përfshiu 1,500 të anketuar amerikanë të moshës 10 deri 24 vjeç, të dhënat u mblodhën midis 13 dhe 25 gushtit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara