Lajmet

FBI-ja arreston një burrë afgan për planifikim të një sulmi në SHBA

Published

on

Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) ka arrestuar një burrë afgan, për të cilin zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë thonë se ishte frymëzuar nga organizata militante Shteti Islamik dhe po planifikonte një sulm në Ditën e Zgjedhjeve, duke synuar turma të mëdha në SHBA.

Nasir Ahmad Tawhedi, 27 vjeç, nga Oklahoma City, u tha hetuesve pas arrestimit të tij se kishte planifikuar që sulmi i tij të përkonte me Ditën e Zgjedhjeve muajin e ardhshëm dhe se ai dhe një bashkëpunëtor prisnin të vdisnin si martirë, sipas aktakuzës.

Tawhedi, i cili mbërriti në SHBA në shtator të vitit 2021, kishte ndërmarrë disa hapa në javët e fundit për të avancuar planet e tij për sulmin, përfshirë këtu porositjen e pushkëve AK-47, likuidimin e pasurive të familjes dhe blerjen e biletave për gruan dhe fëmijën e tij për t’u kthyer në Afganistan, thanë zyrtarët.

Arrestimi vjen ndërsa FBI-ja përballet me shqetësime të rritura për mundësinë e dhunës ekstreme në territorin amerikan, me drejtorin Christopher Wray që i tha Associated Press në gusht se nuk mund ta kujtonte një kohë në karrierën e tij kur kishte kaq shumë kërcënime të ndryshme njëkohësisht.

Terrorizmi mbetet prioriteti numër një i FBI-së dhe ne do të përdorim çdo burim për ta mbrojtur popullin amerikan”, tha Wray në një deklaratë të martën.

FBI-ja nuk zbuloi saktësisht se si Tawhedi ra në radarin e hetuesve, por përmend provat që tregojnë përkushtimin e tij në planifikimin e sulmit. Një fotografi nga korriku, e përfshirë në aktakuzë, tregon një burrë që hetuesit e identifikuan si Tawhedi duke lexuar për dy fëmijë të vegjël, përfshirë vajzën e tij, “një tekst që përshkruan shpërblimet që një martir merr në jetën e përtejme”.

Zyrtarët thonë se Tawhedi gjithashtu konsumoi propagandë të Shtetit Islamik, kontribuoi në një bamirësi që shërben në mënyrë të fshehtë për grupin militant dhe komunikoi me një person që FBI-ja tha se ishte i përfshirë në rekrutimin dhe indoktrinimin e njerëzve të interesuar për ekstremizëm.

Bashkëpunëtori i supozuar i Tawhedit nuk u identifikua nga Departamenti i Drejtësisë, që e përshkroi atë vetëm si një i mitur, shtetas afgan dhe vëllai i gruas së Tawhedit.

Pasi të dy reklamuan shitjen e pronës personale në Facebook, FBI-ja përdori një informator muajin e kaluar për t’iu përgjigjur ofertës dhe për të krijuar një lidhje komunikimi me ta. Informatori më vonë i ftoi ata në një poligon qitjeje, ku ata porositën armë nga një agjent i fshehtë i FBI-së që po shtirej si partner biznesi, sipas dokumenteve të gjykatës.

Tawhedi u arrestua të hënën pasi mori në posedim dy pushkë AK-47 dhe municionin që kishte porositur, thanë zyrtarët. Bashkëpunëtori i paidentifikuar gjithashtu u arrestua, por Departamenti i Drejtësisë nuk dha detaje për shkak se ai është i mitur.

Pasi u arrestua, Departamenti i Drejtësisë tha se Tawhedi u tha hetuesve se kishte planifikuar një sulm për Ditën e Zgjedhjeve që do të synonte turma të mëdha njerëzish.

Tawhedi u akuzua për komplot dhe përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, që është përcaktuar nga SHBA-ja si një organizatë e huaj terroriste. Dënimi për këtë akuzë është deri në 20 vjet burgim.

Ai u paraqit në gjykatë të martën dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim.

Një grua që e identifikoi veten si gruaja e Tawhedi refuzoi të diskutojë për rastin.

Nuk duam të flasim me mediat”, tha gruaja, e cila nuk dha emrin e saj.

Tawhedi hyri në SHBA me një vizë speciale imigrimi në vitin 2021 dhe ka qenë me lejeqëndrim të përkohshëm, në pritje të përfundimit të procedurave të tij të imigracionit, tha Departamenti i Drejtësisë.

Shawn VanDiver, president i #AfghanEvac, një koalicion organizatash të përkushtuara për të ndihmuar afganët që përpiqen të largohen nga Afganistani, tha se edhe pse akuzat janë serioze, “është e rëndësishme që të mos fajësojmë një komunitet të tërë për veprimet e një individi. Mijëra afganë që u vendosën në Shtetet e Bashkuara po punojnë për të ndërtuar jetë të reja dhe për të kontribuar në të ardhmen tonë të përbashkët”.

Këta janë të njëjtët individë që qëndruan krah për krah me ne në Afganistan për më shumë se dy dekada, duke mbrojtur vlerat që ne i çmojmë”, tha ai në një deklaratë. “Tani, ata janë fqinjët tanë dhe ne duhet t’i mbështesim ata ndërsa kërkojnë siguri dhe stabilitet në shtëpinë e tyre të re”./REL/

Lajmet

BE-ja mbështet Specialen, nuk komenton nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Published

on

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se BE-ja nuk komenton njoftime apo plane të tilla, por ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme.

“Gjykata Speciale është institucion i pavarur juridik, që operon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe puna e saj është përkrahur nga BE-ja”, ka deklaruar Wigand në konferencën për media të martën.

Ai ka theksuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet para një paneli të pavarur të Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“Personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të Apelit. Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndërkohë, PDK-ja synon përmes ndryshimeve ligjore kufizimin e mandatit të Speciales dhe përfshirjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se synimi është që rastet që lidhen me krimet e luftës të trajtohen në Kosovë, ndërsa në Hagë të mbeten çështjet e ngritura në raportin e Dick Martyt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Të kërkuara