Lajmet

Evropa pas pandemisë, e fortifikuar për migrantët

Published

on

Teksa bota po bëhet gati që të udhëtojë sërish, Evropa po dërgon një mesazh të qartë për migrantët: Qëndroni larg!

Policia greke, duke lëvizur me mjete të blinduara, po lëshon një zhurmë shurdhuese në afërsi të kufirit me Turqinë. Autoritetet greke po vendosin në këto mjete një pajisje akustike, që shkakton zhurmë si të një motori të një aeroplani.

Kjo është pjesë e barrierave fizike dhe barrierave të reja eksperimentale digjitale, që po instalohen dhe testohen që disa muaj, në kufirin 200-kilometërsh ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, që kanë për qëllim ndalimin e hyrjeve ilegale në Bashkimin Evropian.

Një mur prej çeliku, që është i ngjashëm me murin e ndërtuar së fundmi në kufirin SHBA-Meksikë, bllokon pikat kaluese, që kryesisht janë përdorur për të kaluar Lumin Evros, që ndan këto dy shtete.

Në afërsi janë edhe kullat vrojtuese, që janë të pajisura edhe me kamera me rreze të gjatë, me mundësi që të xhirojnë edhe gjatë natës dhe kanë një sërë sensorësh. Të dhënat dërgohen në qendrat e kontrollit, për të parë nëse ka ndonjë lëvizje të dyshimtë përgjatë kufirit. Këto kontrolle bëhen duke përdorur analiza të inteligjencës artificiale.

“Ne do të kemi një pasqyrë të qartë të kufirit për të parë se çfarë po ndodh”, tha për Associated Press, polici Dimonsthenis Kamargios, që udhëheq njësinë e policisë kufitare.

Bashkimi Evropian ka dhuruar tre miliardë euro në hulumtimet për teknologjinë në fushën e sigurisë, pas krizës me refugjatë më 2015-2016, kur mbi një milion persona – shumica prej të cilëve që po iknin nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – shkuan në Greqi dhe më pas kaluan edhe në shtetet e tjera të BE-së.

Rrjeti i automatizuar i vëzhgimit që po ndërtohet në kufiri Greqi-Turqi, ka për qëllim që të detektojë migrantët dhe t’i parandalojë ata që ta kalojnë kufirin, ku do të ketë edhe patrullime në lumë dhe në vendkalimet tokësore, duke përdorur projektorë dhe pajisje akustike me rreze të gjatë veprimi.

Elementet kryesore të këtij rrjeti do të lansohen në fund të vitit, tha Kamargios.

“Puna jonë është që të parandalojmë migrantët që të hyjnë ilegalisht në shtet. Për këtë gjë, ne na duhen pajisje moderne”, tha ai.

Hulumtuesit në universitetet në mbarë Evropën, duke punuar me firmat private, kanë zhvilluar teknologji futuriste për vëzhgim dhe verifikim, dhe ka testuar dhjetëra projekte në kufijtë grekë.

Detektorët e gënjeshtrave, të bazuara në inteligjencën artificiale janë zhvilluar si dhe janë projektuar edhe intervistat në kufi të kryera përmes robotëve. Po ashtu janë shtuar përpjekjet për të integruar të dhëna satelitore me pamje nga dronët, nga toka, ajri dhe deti.

Testimet për këto janë kryer në Hungari, Letoni dhe në vendet e tjera në lindje të BE-së.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, një strategji më agresive migratore është shtyrë përpara nga politikanët evropianë, të cilët kanë financuar marrëveshje me shtetet e Mesdheut, që janë jashtë bllokut, me qëllim që ata të mos lejojnë migrantët të hyjnë në BE dhe duke e shndërruar agjencinë e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, nga një mekanizëm koordinues në një forcë multinacionale të sigurisë.

Por, marrëveshjet rajonale për migrimin, e kanë ekspozuar BE-në ndaj presionit politik nga fqinjët.

Në muajin maj, vetëm gjatë një dite, disa qindra migrantë kaluan nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceuta, duke shtyrë Spanjën që ta dërgojë ushtrinë në këtë enklavë. Një krizë e ngjashme ndodhi vitin e kaluar edhe në kufirin greko-turk dhe kjo krizë zgjati tri javë.

Greqia po kërkon nga BE-ja që ta lejojë Frontex-in që të patrullojë jashtë ujërave të saja territoriale, me qëllim që të ndalojë migrantët që të arrijnë në Lesbos apo në ishuj të tjerë grekë, që është rruga më e zakonshme për kalime ilegale për në Evropë, që është përdorur vitet e fundit.

Të pajisur me mjete të reja teknologjike, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit, po anojnë edhe më tej jashtë kufijve.

Jo të gjitha programet e vëzhgimit që po testohen do të përfshihen në sistemin e ri të detektimit, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto teknologji të reja do ta bëjnë edhe më të vështirë për refugjatët, të cilët po ikin nga luftrat dhe kushtet e këqija, për të gjetur një strehë të sigurt.

Patrick Breyer, një ligjvënës evropian nga Gjermania, e ka çuar në gjyq hulumtimin e BE-së, duke kërkuar që të bëhen publike detajet e programit të detektorëve të gënjeshtrave, që funksionojnë me inteligjencë artificiale.

“Çfarë po shohim në kufij dhe trajtimi i shtetasve të huaj në përgjithësi, është se shpesh ata janë një fushë testimi për teknologjitë, që më pas përdoren gjithashtu edhe ndaj evropianëve. Prandaj, të gjithë duhet të brengosen për këtë”, tha Breyer për AP.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë një mbikëqyrje më të madhe sa i përket metodave që përdoren për vëzhgimet kufitare, me qëllim që të rishikohen shqetësimet në aspektin etik të këtyre metodave si dhe për të parandaluar shitjen e kësaj teknologjie përmes partnerëve privatë te regjimet autoritare jashtë BE-së.

Ella Jakubowska, nga grupi për të drejtat digjitale, EDRi, argumenton se zyrtarët e BE-së po adaptojnë “zgjidhje teknologjike”, që nuk kanë për bazë shqetësimet morale kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjes komplekse të migrimit.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që herë pas here, BE-ja financon në teknologji jashtëzakonisht të shtrenjta që përdoren në mënyra që kriminalizojnë, eksperimentojnë dhe dehumanizojnë njerëzit”, tha ajo.

Fluksi i migrantëve u ngadalësua në shumë pjesë të Evropës gjatë pandemisë, duke ndërprerë rritjen e numrit të migrantëve gjatë viteve të fundit. Në Greqi për shembull, numri i migrantëve ra për 78 për qind, përkatësisht më 2019 në këtë shtet kishin hyrë pothuajse 75 mijë persona, ndërkaq më 2020, numri i migratëve ishte 15.700.

Por, presioni sigurisht që do të rikthehet. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2020, popullsia botërore e migrantëve është rritur mbi 80 për qind, duke arritur në 272 milionë, thonë të dhënat e Kombeve të Bashkuara.

Në fshatin kufitar grek, Poros, diskutimi i mëngjesit në kafenenë e fshatit ishte për krizën e fundit mes kufirit spanjoll dhe maroken.

Shumica e shtëpive në këtë zonë janë të braktisura dhe pranë shembjes dhe jeta po i përshtatet këtij realiteti.

Panagiotis Kyrgiannis, një banor i Porosit, thotë se muri dhe masat e tjera kanë parandaluar plotësisht që migrantët ta kalojnë kufirin ilegalisht.

“Jemi mësuar që t’i shohim teksa kalojnë përmes fshatit në grupe nga 80 deri në 100 njerëz”, thotë ai. “Ne nuk frikësohemi… ata nuk duan që të jetojnë këtu. E gjithë kjo që po ndodh rreth nesh, nuk ka të bëjë me ne”, shton ai./REL

Lajmet

E plagosën me armë dhe e goditën me mjete të forta: Policia jep detaje për ngjarjen në Pejë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për plagosjen në Pejë, që ndodhi brenda një lokali mëngjesin e së dielës.

Raportohet se brenda një lokali privat, persona të pa njohur dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri dhe kanë goditur me mjet të fortë viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raport nga Policia e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Doli nga shtypi libri i profesorit Musa Sabedini, “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”

Published

on

By

Profesori, gazetari, publicisti dhe studiuesi i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të katërt universitar, të titulluar “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionistë, si dhe gazetarëve dhe profesionistëve të sinqertë, të përkushtuar dhe të guximshëm në të gjitha kohërat e vështira.

Duke qenë për një kohë të gjatë pjesë e gazetarisë hulumtuese dhe hulumtues i shumë temave që kanë pasur peshë në Kosovën e pasluftës, autori ka thënë se ky libër, që mban një titull profesional “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, erdhi si përmbyllje dhe kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare në fushën e gazetarisë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.

Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.

“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.

Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.

“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.

Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.

“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur; është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke i hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.

“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesori Zejnullahu.

Libri, sipas tij, do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë si një burim shumë i mirë për të mësuar bazat e gazetarisë hulumtuese, sidomos në një kohë sfiduese për gjithë gazetarinë, të ndikuar nga ndryshimet e imponuara nga përparimet tepër të shpejta teknologjike.

“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.

Ndryshe, në parathënien e librit është dhënë edhe struktura e tij, e cila përbëhet nga tre kapituj kryesorë, secili me tematikë dhe thellësi të veçantë.

Kapitulli i parë trajton përkufizimet, misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese. Ai përfshin reflektime mbi etikën, moralin, neutralitetin dhe pavarësinë e gazetarit hetues, si dhe analizon raste konkrete të aferave më të njohura ndërkombëtare dhe vendore, duke nxjerrë mësime për qasjen profesionale dhe njerëzore që kërkon ky profesion.

Kapitulli i dytë fokusohet në epokën digjitale dhe ndikimin e saj në gazetarinë hulumtuese. Diskutohet transformimi i profesionit në epokën e teknologjisë, kufijtë e rinj të raportimit, roli i insajderëve, sfidat etike dhe rreziqet që paraqet mungesa e mbrojtjes ligjore për gazetarët.

Kapitulli i tretë ndalet te teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat online, roli i multimedias, inteligjencës artificiale dhe mediave sociale në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore. Ai analizon gjithashtu aspektet ligjore dhe etike të përdorimit të kamerave të fshehta dhe raportimit digjital, duke sjellë një panoramë të plotë të evolucionit të gazetarisë hulumtuese në kohën moderne.

Profesori Sabedini ka theksuar në parathënie se e veçanta dhe më e rëndësishmja e librit mbeten 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të hartuara me zemër, duke e ditur se sa i vështirë mund të jetë një hulumtim fillestar për një gazetar të ri, por edhe sa të vlefshme janë ato për gazetarët me përvojë, redaktorët përgjegjës dhe profesorët universitarë.

“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”, ka potencuar Sabedini.

Ai ka falënderuar Rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe profesional.

Sipas Sabedinit, ky libër është më shumë se një botim profesional; është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit ndaj gazetarisë si mision jetësor.

“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, e cila sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, Musa Sabedini, si gazetar hulumtues dhe profesor universitar, është autor i mbi 14 punimeve shkencore, të mbrojtura dhe prezantuara ndër vite në konferenca ndërkombëtare të UBT-së.

Ai ka të botuara punime studimore në revista amerikane dhe në SCOPUS, ndërsa që nga viti 2011 është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku ligjëron katër lëndë kryesore mbi gazetarinë dhe etikën mediatike.

Profesori Sabedini është tash e 14 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa po aq vite drejton edhe një portal online.

Për kontributin e tij profesional, profesori Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime në kategorinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.

Libri ka 718 faqe, ndërsa botues është UBT.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka rishpërnda një deklaratë të sajën dhënë në Këshillin e Sigurimit, ku i kishte kërkuar Presidentit Aleksandër Vuçiqi t’iu kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë.

Mbi këtë video ajo ka shkruar se “Drejtësi dhe fakte”.

Drejtësi dhe fakte! 5 vite pa ndalë në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë!”, ka shkruar Osmani.

Ndërkohë që në fjalimin e saj ajo u kishte bërë thirrje anëtarëve të këshillit që të vizitojnë Kosovën dhe aty do të shinin demokracinë që lulëzojnë, e pastaj do të vendosin nëse iu besojnë syve apo gënjeshtrave të Vuçiqit.

Qartësisht ajo që Presidenti Vuçiq deklaroi, është plotësisht e rreme. Do të doja t’ju ftoja të gjithëve dhe të gjithë anëtarët e këtij këshilli që ta vizitojnë Republikën e Kosovës që ta shin vetë përparimin që kemi bërë, demokracinë që po lulëzon. Pastaj do ta kuptoni dhe vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij. Unë fola për Kosovë sot. Por Kosova e sotme ka marrë formë nga dhimbja e së kaluarës, për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe kemi mësuar nga historia se paqja kërkon që përballemi me të kaluarën. Në këtë kuptim në vend  të përhapjes së propagandës, Vuçiq duhej të na thoshte nëse është penduar që i përkiste regjimit që ka shkaktuar vdekjen e 150 mijë civilëve.”, pati deklaruar Osmani.

Continue Reading

Lajmet

Apeli shqyrton ankesën e Millosh Plleskoviqit, i dënuar me 15 vjet për krime lufte në Prizren

Published

on

By

Në Gjykatën e Apelit do të mbahet të hënën seanca për shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit.

Më 31 korrik 2025, Gjykata Themelore e ka dënuar Pleskoviqin me 15 vjet burgim për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.

Vendimi ishte dhënë nga gjykatësi Rrahman Beqiri. Pleskoviqi ishte nën masë paraburgimi që para gjykimit.

Sipas aktakuzës, Pleskoviqi dhe një grup serbësh të armatosur kanë hapur zjarr me armë ‘Kallashnikov’ në qytetin e Prizrenit. Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë R.D., B.D. dhe F.B., ndërsa Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë shpëtuar.

Continue Reading

Të kërkuara