Lajmet

Evropa pas pandemisë, e fortifikuar për migrantët

Published

on

Teksa bota po bëhet gati që të udhëtojë sërish, Evropa po dërgon një mesazh të qartë për migrantët: Qëndroni larg!

Policia greke, duke lëvizur me mjete të blinduara, po lëshon një zhurmë shurdhuese në afërsi të kufirit me Turqinë. Autoritetet greke po vendosin në këto mjete një pajisje akustike, që shkakton zhurmë si të një motori të një aeroplani.

Kjo është pjesë e barrierave fizike dhe barrierave të reja eksperimentale digjitale, që po instalohen dhe testohen që disa muaj, në kufirin 200-kilometërsh ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, që kanë për qëllim ndalimin e hyrjeve ilegale në Bashkimin Evropian.

Një mur prej çeliku, që është i ngjashëm me murin e ndërtuar së fundmi në kufirin SHBA-Meksikë, bllokon pikat kaluese, që kryesisht janë përdorur për të kaluar Lumin Evros, që ndan këto dy shtete.

Në afërsi janë edhe kullat vrojtuese, që janë të pajisura edhe me kamera me rreze të gjatë, me mundësi që të xhirojnë edhe gjatë natës dhe kanë një sërë sensorësh. Të dhënat dërgohen në qendrat e kontrollit, për të parë nëse ka ndonjë lëvizje të dyshimtë përgjatë kufirit. Këto kontrolle bëhen duke përdorur analiza të inteligjencës artificiale.

“Ne do të kemi një pasqyrë të qartë të kufirit për të parë se çfarë po ndodh”, tha për Associated Press, polici Dimonsthenis Kamargios, që udhëheq njësinë e policisë kufitare.

Bashkimi Evropian ka dhuruar tre miliardë euro në hulumtimet për teknologjinë në fushën e sigurisë, pas krizës me refugjatë më 2015-2016, kur mbi një milion persona – shumica prej të cilëve që po iknin nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – shkuan në Greqi dhe më pas kaluan edhe në shtetet e tjera të BE-së.

Rrjeti i automatizuar i vëzhgimit që po ndërtohet në kufiri Greqi-Turqi, ka për qëllim që të detektojë migrantët dhe t’i parandalojë ata që ta kalojnë kufirin, ku do të ketë edhe patrullime në lumë dhe në vendkalimet tokësore, duke përdorur projektorë dhe pajisje akustike me rreze të gjatë veprimi.

Elementet kryesore të këtij rrjeti do të lansohen në fund të vitit, tha Kamargios.

“Puna jonë është që të parandalojmë migrantët që të hyjnë ilegalisht në shtet. Për këtë gjë, ne na duhen pajisje moderne”, tha ai.

Hulumtuesit në universitetet në mbarë Evropën, duke punuar me firmat private, kanë zhvilluar teknologji futuriste për vëzhgim dhe verifikim, dhe ka testuar dhjetëra projekte në kufijtë grekë.

Detektorët e gënjeshtrave, të bazuara në inteligjencën artificiale janë zhvilluar si dhe janë projektuar edhe intervistat në kufi të kryera përmes robotëve. Po ashtu janë shtuar përpjekjet për të integruar të dhëna satelitore me pamje nga dronët, nga toka, ajri dhe deti.

Testimet për këto janë kryer në Hungari, Letoni dhe në vendet e tjera në lindje të BE-së.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, një strategji më agresive migratore është shtyrë përpara nga politikanët evropianë, të cilët kanë financuar marrëveshje me shtetet e Mesdheut, që janë jashtë bllokut, me qëllim që ata të mos lejojnë migrantët të hyjnë në BE dhe duke e shndërruar agjencinë e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, nga një mekanizëm koordinues në një forcë multinacionale të sigurisë.

Por, marrëveshjet rajonale për migrimin, e kanë ekspozuar BE-në ndaj presionit politik nga fqinjët.

Në muajin maj, vetëm gjatë një dite, disa qindra migrantë kaluan nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceuta, duke shtyrë Spanjën që ta dërgojë ushtrinë në këtë enklavë. Një krizë e ngjashme ndodhi vitin e kaluar edhe në kufirin greko-turk dhe kjo krizë zgjati tri javë.

Greqia po kërkon nga BE-ja që ta lejojë Frontex-in që të patrullojë jashtë ujërave të saja territoriale, me qëllim që të ndalojë migrantët që të arrijnë në Lesbos apo në ishuj të tjerë grekë, që është rruga më e zakonshme për kalime ilegale për në Evropë, që është përdorur vitet e fundit.

Të pajisur me mjete të reja teknologjike, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit, po anojnë edhe më tej jashtë kufijve.

Jo të gjitha programet e vëzhgimit që po testohen do të përfshihen në sistemin e ri të detektimit, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto teknologji të reja do ta bëjnë edhe më të vështirë për refugjatët, të cilët po ikin nga luftrat dhe kushtet e këqija, për të gjetur një strehë të sigurt.

Patrick Breyer, një ligjvënës evropian nga Gjermania, e ka çuar në gjyq hulumtimin e BE-së, duke kërkuar që të bëhen publike detajet e programit të detektorëve të gënjeshtrave, që funksionojnë me inteligjencë artificiale.

“Çfarë po shohim në kufij dhe trajtimi i shtetasve të huaj në përgjithësi, është se shpesh ata janë një fushë testimi për teknologjitë, që më pas përdoren gjithashtu edhe ndaj evropianëve. Prandaj, të gjithë duhet të brengosen për këtë”, tha Breyer për AP.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë një mbikëqyrje më të madhe sa i përket metodave që përdoren për vëzhgimet kufitare, me qëllim që të rishikohen shqetësimet në aspektin etik të këtyre metodave si dhe për të parandaluar shitjen e kësaj teknologjie përmes partnerëve privatë te regjimet autoritare jashtë BE-së.

Ella Jakubowska, nga grupi për të drejtat digjitale, EDRi, argumenton se zyrtarët e BE-së po adaptojnë “zgjidhje teknologjike”, që nuk kanë për bazë shqetësimet morale kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjes komplekse të migrimit.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që herë pas here, BE-ja financon në teknologji jashtëzakonisht të shtrenjta që përdoren në mënyra që kriminalizojnë, eksperimentojnë dhe dehumanizojnë njerëzit”, tha ajo.

Fluksi i migrantëve u ngadalësua në shumë pjesë të Evropës gjatë pandemisë, duke ndërprerë rritjen e numrit të migrantëve gjatë viteve të fundit. Në Greqi për shembull, numri i migrantëve ra për 78 për qind, përkatësisht më 2019 në këtë shtet kishin hyrë pothuajse 75 mijë persona, ndërkaq më 2020, numri i migratëve ishte 15.700.

Por, presioni sigurisht që do të rikthehet. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2020, popullsia botërore e migrantëve është rritur mbi 80 për qind, duke arritur në 272 milionë, thonë të dhënat e Kombeve të Bashkuara.

Në fshatin kufitar grek, Poros, diskutimi i mëngjesit në kafenenë e fshatit ishte për krizën e fundit mes kufirit spanjoll dhe maroken.

Shumica e shtëpive në këtë zonë janë të braktisura dhe pranë shembjes dhe jeta po i përshtatet këtij realiteti.

Panagiotis Kyrgiannis, një banor i Porosit, thotë se muri dhe masat e tjera kanë parandaluar plotësisht që migrantët ta kalojnë kufirin ilegalisht.

“Jemi mësuar që t’i shohim teksa kalojnë përmes fshatit në grupe nga 80 deri në 100 njerëz”, thotë ai. “Ne nuk frikësohemi… ata nuk duan që të jetojnë këtu. E gjithë kjo që po ndodh rreth nesh, nuk ka të bëjë me ne”, shton ai./REL

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara