Botë

Ekonomia gjermane në krizë, cilat kompani të mëdha do të largojnë mijëra punëtorë

Published

on

Ekonomia gjermane është në prag të recesionit edhe sivjet – industria është veçanërisht e prekur nga kriza. Pesimizmi dominon në kompanitë më të mëdha. “Ato po vuajnë më së shumti për shkak të rënies së aftësisë gjermane të konkurrencës në tregun botëror,” beson Ulrich Kater, kryeekonomist i Dekabanka.

Dobësia e ekonomisë gjermane ka pasoja shumë konkrete. “Kriza industriale dhe rënia ekonomike afatgjatë po lënë gjurmë në tregun e punës”, thotë Enzo Weber nga Instituti për Kërkimin e Tregut të Punës (IAB). Sipas vlerësimeve të studiuesve, papunësia pritet të vazhdojë të rritet. Deri në pranverë, thonë ata, në Gjermani “nuk pritet ndonjë ndryshim i trendit”.

Disa kompani të mëdha gjermane kanë njoftuar pushime masive nga puna në javët dhe muajt e fundit. Këto janë kompanitë e prekura.

Schaeffler

Kompania Schaeffler, e cila prodhon pjesë për industrinë e automobilave, ka njoftuar pushime nga puna dhe mbyllje të fabrikave. Për shkak të problemeve të vazhdueshme në sektorin industrial dhe kërkesës së dobët në tregun e automjeteve, Schaeffler planifikon të shkurtojë gjithsej 4.700 vende pune, nga të cilat 2.800 janë në Gjermani. Gjithashtu, nga një fabrikë në Austri dhe Britani të Madhe do të mbyllen. Kompania njoftoi gjithashtu pezullimin e prodhimit të disa produkteve në Berndorf, Austri, si dhe përfundimin e disa prodhimeve në Sheffield, Angli.

Continental

Furnizuesi i automjeteve Continental planifikon gjithashtu pushime masive për shkak të shitjeve më të dobëta në BMW, Mercedes dhe koncerne të tjerë, si dhe problemet në sektorin e makinave elektrike.

Sipas kompanisë, nga mesi i vitit 2023, tashmë janë eliminuar 5000 vende pune në zhvillim, prodhim dhe administrim. Deri në vitin 2028, ata planifikojnë të shkurtojnë gjithsej 7.150 vende pune, nga të cilat më shumë se një e treta i përket Gjermanisë.

Volkswagen

Prodhuesi më i madh gjerman i makinave (Volkswagen, i cili përfshin markat VW, Audi, Porsche, Seat, Skoda, Cupra, Lamborghini, Bentley dhe Ducati) po përballet me një krizë serioze. Sipas përfaqësuesve të sindikatës, tre fabrika të VW janë aktualisht në rrezik, ndërsa nga shkurtimi rrezikohen dhjetëra mijëra vende pune. Kompanisë i mungojnë blerësit për më shumë se 500.000 automjete, tha Dirk Große-Loheide, anëtar i bordit drejtues të markës VW. “Nëse nuk ka kërkesë, ne duhet t’i përshtatim kapacitetet prodhuese me situatën aktuale”, shtoi ai.

Edhe drejtori i markës Volkswagen, Thomas Schäfer theksoi se masat aktuale, si pensioni i parakohshëm, puna me orar të shkurtuar dhe shkurtimet e tjera nuk janë të mjaftueshme për të ulur shpenzimet. Momentalisht janë duke u zhvilluar negociatat me sindikatat IG Metall, por nuk është arritur asnjë marrëveshje deri tani. Negociatat do të vazhdojnë me 9 dhjetor, por tani për tani parashikohen të shkurtohen dhjetëra mijëra vende pune.

Bosch

Bosch, një tjetër furnizues i madh me pjesë të makinave, planifikon të shkurtojë deri në 5.550 vende pune – prej tyre 3.800 në Gjermani. Shifrat e sakta do të darkodohen në negociata me përfaqësuesit e punëtorëve. I prekur veçanërisht është sektori “Cross-Domain Computing Solutions”, i cili merret me zhvillimin e sistemeve për asistencën në drejtimin e automjeteve dhe në drejtimin autonom.

Bosch planifikon të prezantojë reduktimin e orëve të punës për shumë punonjës në Gjermani, gjë që do të rezultojë edhe me paga më të ulëta. Në total, do të preken rreth 10.000 punëtorë në nëntë lokacione në Gjermani. Kompania përmend krizën në industrinë e automobilave dhe kërkesën më të dobët si arsye, ndërsa rezultatet në sektorin e teknologjive të reja, siç është drejtimi i automatizuar, janë nën pritshmëritë e mëparshme.

ZF Friedrichshafen

Furnizuesi i pjesëve të automjeteve ZF Friedrichshafen planifikon të shkurtojë deri në 14.000 nga 54.000 vende pune sa ka në Gjermani. Vetëm në Saarbrücken, 1.800 punëtorë do të pushohen nga puna deri në fund të vitit 2025. Nëse situata e vështirë me porositë vazhdon, gjithsej 4.500 vende pune mund të shkurtohen deri në fund të vitit 2028. Kompania nuk e përjashton as mundësinë e mbylljes së ndonjë fabrike.

ZF ka probleme edhe me borxhe të mëdha për shkak të blerjeve të mëdha (marrje/blerje kompanish), ndërkohë që rezultatet e shitjeve janë shumë më të ulëta sesa është pritur. “Sipas të dhënave të fundit, në fund të vitit do të na mungojnë tre miliardë euro të ardhura”, tha kryetari i Këshillit të Punëtorëve, Achim Dietrich. Për më tepër, borxhet e mëdha vijnë si pasojë e blerjeve të korporatave të tjera.

Ford

Prodhuesi amerikan i makinave Ford planifikon të shkurtojë 2.900 vende pune në Gjermani deri në vitin 2027, shumica e tyre në fabrikën në Këln. Në total, rreth 4.000 vende pune do të shkurtohen në Evropë. Edhe pse kompania investoi dy miliardë euro gjatë viteve 2023 dhe 2024 në modernizimin e fabrikës në Këln, për prodhimin e automjeteve elektrike, pritshmëritë e shitjeve nuk u përmbushën.

Thyssenkrupp

Prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani, Thyssenkrupp Steel planifikon të shkurtojë rreth 11.000 vende pune gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Deri në fund të vitit 2030, numri i të punësuarve do të bjerë nga 27.000 në 16.000. Kompania synon të reduktojë kapacitetin prodhues dhe të rrisë investimet në teknologjitë miqësore ndaj mjedisit, të cilat kërkojnë miliarda investime. Përveç kësaj, importi i çelikut të lirë nga Azia dhe kriza në industrinë e automobilave paraqesin një sfidë të madhe.

BASF

Në vitin 2022, BASF ka shpallur një program kursimi për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe kushteve të vështira të biznesit në Evropë. Një plan shtesë shtrëngimi u prezantua në fillim të këtij viti, duke përfshirë shkurtimet e vendeve të punës në Ludwigshafen. Deri në vitin 2026, BASF planifikon të ulë kostot me një miliard euro në vit. Deri në fund të vitit 2024, kompania do të shkurtojë 3.300 vende pune globalisht, duke përfshirë 2.500 në Ludwigshafen.

Gjithashtu u njoftua edhe mbyllja e tre fabrikave në Ludwigshafen, duke përfshirë prodhimin e acidit adipik – një përbërës kyç për plastikën. Këto masa edhe pse të kuptueshme në situatën aktuale ekonomike, do të lënë pa punë mijëra punëtorë dhe do të përkeqësojnë më tej situatën në tregun e punës.

 

Lajmet

Të hënën, UBT do të organizojë forum akademik të veçantë në Kosovë në nder të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Published

on

By

Projekti “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, njofton se UBT, Partneri Kryesor Akademik i projektit, do të organizojë një forum akademik të veçantë më 29 qershor 2026 në Prishtinë, si pjesë e programimit zyrtar ndërkombëtar që shënon 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forumi, me titull “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, do të mbledhë studiues të njohur amerikanë, ekspertë të politikave publike, përfaqësues të komunitetit të veteranëve, studentë, profesorë universitarë dhe zyrtarë publikë për të diskutuar marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rolin e arsimit në formësimin e lidershipit demokratik për gjeneratat e ardhshme.

Ky aktivitet është pjesë e projektit më të gjerë “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, i cili u njoh zyrtarisht më herët gjatë këtij viti përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe America250, Komisionit Amerikan për Shënimin e Çerek-shekullit të Pavarësisë së Amerikës. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova u bë vendi i parë dhe i vetëm jashtë Shteteve të Bashkuara i përfshirë zyrtarisht në programimin ndërkombëtar të America250.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti partneritetin dhe mundësinë për të organizuar këtë forum në UBT.

“UBT-ja është e nderuar të shërbejë si Partneri Kryesor Akademik i Projektit për Shënimin e 250-vjetorit të Amerikës në Kosovë dhe të organizojë këtë forum akademik të veçantë. Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është ndër partneritetet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit tonë, ndërsa institucionet e arsimit të lartë kanë përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dhe avancuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky partneritet. Ne jemi krenarë që UBT do të kontribuojë në këtë iniciativë historike dhe do të ndihmojë në forcimin e themeleve intelektuale të partneritetit Kosovë–SHBA për vitet që vijnë”.

Faton Bislimi, Themelues dhe Drejtor i Projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, theksoi rëndësinë e aktivitetit dhe rolin udhëheqës të UBT-së.

“250-vjetori i Amerikës ofron një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të festuar historinë amerikane, por edhe për të reflektuar mbi ndikimin e thellë që lidershipi, vlerat dhe miqësia amerikane kanë pasur për popullin e Kosovës. Pak kombe në botë mund të flasin për rolin e Amerikës në historinë e tyre me aq shumë mirënjohje dhe respekt sa Kosova. Jemi thellësisht të nderuar që kemi UBT-në si Partnerin tonë Kryesor Akademik në këtë iniciativë historike. Duke sjellë së bashku folës të shquar amerikanë dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm, ky forum do të ndihmojë që gjeneratat e reja të kuptojnë si sakrificat që siguruan lirinë e Kosovës, ashtu edhe vlerat demokratike që duhet të udhëheqin të ardhmen e saj”.

Si partner i projektit, UBT do të organizojë një nga aktivitetet më të rëndësishme intelektuale dhe edukative të kësaj nisme, duke riafirmuar përkushtimin e kahershëm të universitetit ndaj inovacionit, vlerave demokratike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekselencës akademike.

Forumi do të trajtojë tema që lidhen me lirinë, demokracinë, lidershipin, përgjegjësinë qytetare, partneritetin transatlantik dhe mësimet që përvoja e Kosovës mund t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme.

Continue Reading

Live

Shkon në 589 numri i viktimave në Venezuelë nga tërmetet e fuqishme, mijëra persona rezultojnë të zhdukur

Published

on

By

Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë ka shkuar në 589, ndërsa 2.980 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Sipas raportimeve nga BBC, situata mbetet kritike pasi besohet se qindra qytetarë janë ende të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Ekipet e shpëtimit dhe ndihmat e para nga jashtë kanë filluar të mbërrijnë të premten, gati dy ditë pasi tërmetet e dyfishta rrafshuan zona të tëra brenda dhe përreth kryeqytetit Karakas. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, e rrethuar nga zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë, njoftoi bilancin e fundit të viktimave herët të premten dhe përshëndeti ndihmën e menjëhershme të ekipeve të shpëtimit nga e gjithë bota.

Autoritetet druhen se numri i të vdekurve pritet të rritet ndjeshëm, pasi mijëra persona janë raportuar zyrtarisht si të zhdukur. Në një faqe interneti të hapur posaçërisht për të mbledhur informacione mbi njerëzit e pagjetur, deri të premten në mëngjes ishte regjistruar një listë me rreth 50.000 persona.

Kjo katastrofë natyrore erdhi pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën vendin mbrëmjen e së mërkurës. Këto lëkundje, të cilat u ndjenë në të gjithë rajonin, vlerësohen si ndër më të fuqishmet dhe më shkatërrueset që kanë goditur Venezuelën në më shumë se një shekull. /BBC/ /E.A/

Continue Reading

Live

SHBA mbledh mbi 60 shtete në një samit kundër dhunës politike

Published

on

By

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të organizojë një samit të madh më 15 korrik për të diskutuar mënyrat se si të luftohet rritja e dhunës politike në botë.

Një zyrtar nga Departamenti i Shtetit njoftoi se samiti do të mbahet në Uashington. Në këtë takim, Rubio ka planifikuar të ftojë përfaqësues nga më shumë se 60 shtete të ndryshme nga Evropa, Azia dhe Amerika.

Ky samit po organizohet pas strategjisë së re kundër terrorizmit që Presidenti Donald Trump nënshkroi në muajin maj. Kjo strategji fokusohet në zbulimin dhe ndalimin e grupeve të dhunshme politike, të cilat Shtëpia e Bardhë i cilëson si antiamerikane dhe anarkiste.

Zyrtarët amerikanë thanë se ky sistem ka nevojë për një përditësim të ri, me qëllim që të mbrohen më mirë qytetarët dhe siguria kombëtare. SHBA do të godasë të gjitha aktivitetet që konsiderohen terrorizëm, siç janë vrasjet, rrëmbimet, kërcënimet ndaj qeverisë, si dhe sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë./Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

TikTok dhe YouTube mbyllin 4.7 milionë llogari të fëmijëve në Indonezi

Published

on

By

Platformat e njohura TikTok dhe YouTube kanë mbyllur rreth 4.7 milionë llogari të fëmijëve nën moshën 16 vjeç në Indonezi. Ky vendim erdhi pas rregullave të reja dhe rrepta që ka vendosur qeveria atje.

Ministrja e Komunikimit e Indonezisë njoftoi se rrjeti TikTok ka çaktivizuar 4.1 milionë llogari, ndërsa YouTube ka mbyllur 600 mijë të tilla. Përveç tyre, kufizimet kanë prekur edhe platformat e tjera si Instagram, X dhe Roblox.

Qeveria indoneziane mori këtë vendim për të mbrojtur fëmijët nga varësia ndaj rrjeteve sociale dhe nga dhuna në internet. Autoritetet thanë se duan që këto kompani të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj të miturve.

Indonezia ka ndjekur shembullin e Australisë, e cila vitin e kaluar ndaloi plotësisht përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët. Edhe Britania e Madhe ka njoftuar se po planifikon të vendosë kufizime të ngjashme së shpejti. /Euronews/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara