Kolumnë

Dy grupe armiqësore brenda lëvizjes “Basha IK”

Publikuar

Sot Lulzim Basha gjendet i ulur në bankën e të akuzuarve, i sulmuar paradoksalisht nga dy kampe, krejt të kundërt me njëri tjetrin. 

Të parët, kryesisht afër pushtetit, që u qante zemra për një mandat të tretë të kleptokracisë, po e shigjetojnë liderin demokrat se humbi në një garë normale dhe të ndershme dhe prandaj, si në çdo demokraci të denjë për këtë emër, ai duhet të hapë rrugën. 

Qëllimi real i këtij grupi nuk ka aspak të bëjë me fatin personal të Bashës, apo me shqetësimin për të ardhmen e opozitarizmit në vend. Synimi i tyre është përdorimi minimal i kësaj fabule, për ti’a mbivendosur atë debatit real mbi masakrën elektorale dhe instalimit gati përfundimtar të një regjimi.

Të dytët kanë një qasje krejt tjetër. Për ta, zgjedhjet e kësaj radhe ishin një farsë. Me blerjen masive të votës, me përdorimin e administratës, me legenosjen e policisë, me shkërdhimin e organeve të drejtësisë së re si SPAK, me paratë e koncesioneve e aeroporteve pa tender, gjithçka ishte e mbyllur që pa filluar hedhja e votës në kuti. Për ta, Basha nuk është fajtor se humbi si një alternativë më e keqe, por se nuk mbajti premtimin për të garantuar dhe ruajtur votën e një shumice anti Ramë. 

Duke e qenë se pretendimi i grupit të parë niset nga premisa fallco, është mirë të lihet mënjëanë dhe analiza të fokusohet tek të dytët, tek ata që janë të interesuar për vazhdimin e betejës me autokracinë dhe për ringritjen e një opozite të gatshme për ta përballuar këtë mision.

Fatkeqësisht, Lulzim Basha nuk e luan dot më këtë rol. Mjafton të shohësh fjalimin e tij të parë pas humbjes, për ta kuptuar. Pa bosht, pa një qëndrim thelbësor politik, duke patur frikë të prononcohet nëse i njeh apo nuk i njeh këto zgjedhje, nëse do rihyjë apo jo në parlament, nëse do nisë apo jo protesta, nëse do të dorëhiqet apo do të qëndrojë, ai u tregua po aq hemafrodit sa në drejtimin 8 vjeçar të opozitës. 

Në atë pakumptimësi prej pelivani, ai dukej sikur donte të mashtronte njëkohësisht edhe Xhelal Mziun edhe Juri Kimin, edhe ata që donin revoltë edhe ata që kishin pranuar ndërkohë nënshtrimin edhe ata që ishin për luftë edhe ata që përkundnin në mendje ëndrrat e çartura të një bashkëqeverisje me Ramën.

Mjafton ky fakt për të provuar se ikja e Bashës është një klithmë që duhet të burojë nga pjesa më e virgjër e shpirtit opozitar. Me fjalën e fundit tek shkallët e PD-së, ai na provoi edhe njëherë se, nëse qëndron, do të jetë po aq i pavendosur dhe po aq i lëkundur sa këto tetë vite në drejtimin e opozitës. Se ai do të vazhdojë të mbetet një manovrator dhe teknicien meskin, i pa brumosur dhe i pa aftë për të mbajtur mbi supe beteja të mëdha. 

Lulzim Basha u tregua i pa zoti për të vendosur nëse regjimi duhej përballuar me molotovë apo në tryeza negociatash me Damianin; nëse pushteti merrej duke sulmuar oligarkët e Ramës apo duke flirtuar me financimet e tyre; duke denoncuar mediat e propogandës, apo duke darkuar mbrëmjeve në vilat e pronarëve të tyre; duke u thënë ndal diplomatëve të korruptuar, apo duke qenë kukulla që poston përkrah me ta në rrjetet sociale. 

Duke mbetur përjetësisht as mish as peshk, Lulzim Basha e la të çarmatosur dhe veten dhe opozitën përballë betejës finale, asaj të përballimit të një makinerie monstruoze manipulimi. 

Natyrisht thënë këtë duhet bërë një diferencë e qartë mes hajdutit dhe të vjedhurit, mes përdhunuesit dhe viktimës. Në këtë këndvështrim, me gjithë mëkatet e mëdha, Basha është shumë më i bardhë se sa rivali i tij. Por në rastin më të mirë kjo mund të shërbejë vetëm si një ngushëllim moral. Politikisht ai ka dështuar dhe kjo është pa kthim. Ai ka dështuar se nuk qe në gjendje të ngrihej në nivelin e mjetit që u duhej shqiptarëve për përmbysjen e regjimit. As e mori dot përsipër dhe as e luajti dot këtë rol. Dhe e keqja është se edhe me qëndrimin që mbajti pas 25 prillit ai nuk propozoi dot diçka të ndryshme, ai u soll sërish si kalkulator dhe jo si prijës i popullit të vjedhur. 

Prandaj ai duhet të ikë duke dëgjuar jo ata që i bëjnë apel në emër të Rsmës, por ata që i përgjërohen të shqetësuar për fatin e opozitës.

PD pas kësaj traume ka nevojë për një lider thellësisht radikal dhe farmaceutikisht të pastër. Basha është i paaftë dhe për njërën dhe për tjetrën.

©Lapsi.al

Vazhdo të lexosh

Kolumnë

Jeta jonë do të ndryshojë nga kjo luftë/ Nga Ben Blushi

Çfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?

Publikuar

nga

Foto: Reuters/Një objekt i punuar nga artisti Jacques Tilly, që ngjan në presidentin rus, Vladimir Putin, shihet në protestat në Berlin. Afër tij shihet një mbishkrim me ngjyra të Ukrainës kinse po e ha Putini. Në të thuhet: Mbytu në të!

Nga Ben Blushi

Sa më shumë lexoj shtypin perëndimor, aq më shumë besoj se bota jeton në të shkuarën. Nuk lexon dot asgjë për të ardhmen. Ka qindra pyetje për sot dhe asnjë përgjigje për nesër.

Çfarë ndodh nesër?
Çfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?
Çfarë ndodh kur lufta të përfundojë?
A do jete bota njëlloj?

A do kthehet lufta në një perpetum, pra nga një luftë, shkojmë në një tjetër dhe nga aty në një tjetër dhe prapë në një tjetër ?
Apo, pas kësaj lufte, do mbizoterojë një paqe e gjatë në të cilën, vendet e mëdha vendosin që vendet e vogla duhet të binden dhe kur nuk binden, nuk mund të rezistojnë, sepse askush nuk i mbron sic po ndodh në Ukrainë?

Pervec rendit ndërkombëtar, a do ndryshojnë dhe rendet kombëtare?

Pra nëse do ndryshojnë kufinjtë si ne Ukrainë, a do ndryshojë edhe kapitalizmi bashkë me demokracinë si rend, duke u shndërruar në diçka tjetër që nuk e kemi njohur?

Shumica prej nesh, kanë jetuar në një botë përgjithësisht të rregullt, deri sa ndodhi Ukraina. Rregull do të thotë, që kufinjtë nuk ndryshohen me dhunë dhe se popujt vendosin, çfarë sistemi do të ndjekin, kapitalist, komunist apo hibrid.

Sot kemi dy Kore dhe dy sisteme. Nëse një ditë ato bashkohen, njëri nga dy sistemet do bjerë. Deri dje, do vija bast se në çdo rast, Koreja kapitaliste do triumfonte mbi Korenë komuniste. Por sot, apo më saktë nesër, nëse Kina dhe Rusia përmbysin balancën e rendit ndërkombëtar, nuk vë më bast për Korenë e Jugut. Ky kalë nuk e ka të sigurt fitoren në hipodromin e Azise.

Njëlloj si dy Koretë, është bota sot. Mund të shkojë edhe andej edhe këndej.

Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para, ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.

Po pse Gjermania e Hitlerit a nuk ishte Perendim? A nuk kishte aty demokraci, zgjedhje, shtyp të lirë dhe prandaj shumë shpikje dhe zhvillim?
A nuk e solli zhvillimi nazizmin dhe dhunën e Gjermanisë ndaj botës?
Historia e Gjermanisë naziste ka treguar se e drejta nuk është gjithmonë në Perëndim dhe se demokracia nuk pengon dot gjithmonë dhunën dhe luftën e popujve, me popujt e tjerë.

Prandaj pyetja si mbrohet Perëndimi nga vetë Perëndimi mbetet ende një pikëpyetje. A është demokracia e Perëndimit e pakthyeshme? A na mbron ajo nga vetë Perëndimi?

Historia nuk na ndihmon të parashikojmë çfarë ndodh pas Ukrainës.Ne po shohim cfarë po ndodh në Lindje, por nuk e dimë ende se çfarë mund të ndodhë në Perëndim,aty ku jemi dhe ne. Dhe kush lexon të djeshmen natyrisht është pesimist për të ardhmen.

Një nga përfundimet e luftës në Ukrainë mund të jetë një botë e ndarë mes të mëdhenjve. Një botë me perde.Ku të mëdhenjtë merren vesh për tu bërë më të mëdhenj dhe të vegjëlit pranojnë fatin që iu është caktuar nga të parët.

Ben Blushi

Këtë lloj bote e kemi parë.

Kështu u ndanë gjithë vendet e Evropës në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Të mëdhenjtë hodhën një perde mbi hartë. Gjermania u fut përgjysëm në perde.Austriakët dolën. Cekët u futen. Ne hymë, grekët dolën.
Ne jetuam shumë keq për 50 vjet nën perde, por bota jetoi shumë mirë.
Nuk pati pothuajse asnjë luftë. Jetëgjatësia u rrit dhe njeriu shkoi në Hënë.

Por edhe nëse rehatohesh brenda perdes që të caktojnë dhe ne jetojmë me shpresë se këtë rradhë jemi nën perden e duhur, sërish pyetjet nuk mbarojnë.

Nëse sic pritet, Rusia do jetojë në izolim dhe sanksione, pavaresisht nga rezutati i luftës, sa do na kushtojë jeta e përditshme dhe mbrojtja nga rusët dhe armët e tyre nukleare.

Ku do ti gjejmë burimet e energjisë elektrike, gazin, drurin, qymyrin, karburantet.

Po grurin, miellin,hekurin sterilzantët për bujqësinë, aluminin, platinin dhe bakrin.

Të gjitha këto lëndë të para natyrisht do duhet ti blejmë diku tjetër, por nëse do ti gjejmë në masën që na duhen, në çdo rast do ti blejmë disa herë më shtrenjtë.

Mjafton vetëm të lexosh në mënyrë ekonomike pasojat e kësaj lufte, për të kuptuar se jeta jonë do ndryshojë rrënjësisht.

Nuk e di a do jemi më të lirë në fund të luftës, por sigurisht që do jemi shumë më të varfër dhe mund të jetojmë shumë vjet në krizë ekonomike që mund të shoqërohet me luftëra të reja për tregje. Për gaz, për naftë, për ushqim.

Pushtohesh se ke gaz për të mbushur sobat.Pushtohesh se ke litium që ju duhet celularëve të botës. Pushtohesh se ke fusha për të mbjellë drithëra. Pushtohesh se ke shumë ujë. Pushtohesh se ke plazh. Pushtohesh pra për dicka, që dikujt tjetër i duhet.

Por nëse ke fat dhe nuk pushtohesh, sërish nuk mbaron këtu.

Rënia ekonomike mund të çojë në ndryshime qeverish në shumë vende apo në një tendencë për anarshi. Forca ende te panjohura politike, radikale mund të lindin për te marrë pushtetin. Nuk do jenë të majtë apo të djathtë si ata që njohim.

Mund të jenë ekstremistë,njerëz që besojnë se liberalizmi ka qenë një shkatërrim, mund të jenë prorusë putinistë, mund të jenë sovranistë trumpistë dhe natyrisht do jenë nacionalistë. Kundër të vegjëlve dhe kundër të huajve.

Ndoshta edhe kundër të pasurve. Siç po ndodh sot në Evropë me oligarkët rusë. Histeria e moralshme për tu marrë pronat është kthyer në garë mes shteteve. Shtetet kanë dalë në det të hapur dhe po ndjekin jahtet.
Por ky ushtrim nuk dihet ku çon. Gjysma e Evropës, përfshi edhe ne, e ka parë këtë gjë, 70 vjet më parë, kur njerëzve ju morrën pronat dhe pasuritë në emër të barazisë.

Kush na garanton që kjo nuk ndodh sërish?

Nëse dje sekuestroheshe se je hebre, sot zhvishesh nga pasuritë se je rus, nesër mund të të merret prona se je francez,apo se ke votuar kundër Brexit, apo se ke furnizuar me pastë dhëmbesh ushtritë e NATOs.

Ka shumë gjasa që këto të mos ndodhin më kurrë, në formën që i kemi parë, por në Evropë, kurrë mos thuaj kurrë.

Këtu nazizmi dhe komunizmi përgjojnë pas dere. Evropa fle me këto dy skelete në dollap. I pari ushqen luften, i dyti lind nga lufta.

Lufta e fundit në Evropë vrau 100 milion njerëz. Komunizmi robëroi më shumë se 2 miliardë.

Lufta e Dytë Botërore përhapi komunizmin dhe një mbeturinë e komunizmit sovjetik sot po shkon në luftë në Ukrainë.

A do ishte Shqipëria një vend komunist nëse nuk do ishim pushtuar nga Gjermania naziste?
Unë mendoj se jo. Me shumë gjasë, do ishim një vend i varfër, por normal, ku prona nuk merrej nga shteti dhe ku mund të votoje kundër qeverië, siç edhe kishte ndodhur këtu, para Luftës së Dytë.

Fatkeqësisht ne kemi qenë dy herë, nën perden e gabuar. Dëmin më të madh në histori, pas turqve, na e kane bërë gjermanët. Kush mund ta mendonte këtë para 100 vitesh? Por kush na garanton se Gjermania nuk kthehet aty ku ishte dhe nga nevoja për tregje dhe lëndë të para, nuk e ndan gjysmen e Evropës me Rusinë?

Gjermania po armatoset, duke shkelur traktatin e Versajes 1919, që e kufizon ushtrinë e saj deri në 100 mije njerez dhe me një numër të limituar luftanijesh dhe flote ajrore. Një javë më parë, ajo vendosi të shpenzojë 100 miliard euro për tu armatosur, një shumë e barabartë me buxhetet e të gjithë vendeve te Ballkanit të marra bashkë, përfshi edhe Greqinë.

Duket sikur të gjithë po marrin armët dhe po shkojnë në takimin e pasdites në klubin Europa.

Çfarë ndodh me Bashkimin Evropian nëse, sovranistët dhe nacionalisët fitojë në disa vende, si pasojë e krizës ekonomike,rritjes së çmimeve dhe anarshisë sociale?

Nëse, Bashkimi Evropian shpërbëhet, kush na mbron ne nga aveturierët, nga anarshistët, nga radikalët e rrugës,nga injorantët, nga pucistët, nga juntat, nga të deshpëruarit, nga barazitistët e uritur, nga kanibalët e kapitalizmit apo nga ç’rregullime patollogjike që i kemi provuar?

Askush nuk na mbrojti nga komunizmi për 50 vjet. Evropa na braktisi. Rusia na braktisi. Kina na braktisi. Amerika as u morr me ne. Na lanë nën meshirën e një njeriu që rendin e tij, e quante diktatura e proletariatit.

Po sot kush na mbron ne?
Kush i mbron popujt e vegjel?

Ne dekadat e fundit demokracia krijoi bindjen, bashke me iluzionin, se te vegjelit mund te jene te barabarte me te medhenjte duke u ulur ne tavolinat e tyre dhe duke marre dhe te drejten e vetos, sic ndodh ne Bashkimin Evropian. Nese do kerkonte te antaresohej ne BE,nje vendi me 140 milion banore si Rusia do i duhej patjeter vota e nje vendi me 1.4 milion banore, si Estonia. Ky ka qene rregulli deri para Ukraines, se pas saj nuk dihet me cfare ndodh. Rusia mund te shkoje ne takimin e klubit Europa me nje bombe nukleare ne xhep dhe Estonia, bashke me gjithe te tjeret, do ngrene duart per te votuar.

Viktima e pare e luftës në Ukrainë është besimi ynë demode, se demokracia të mbron jo vetem nga vetja, por edhe nga të tjerët.

Kjo nuk është më e vertetë.

E megjithatë demokracia, mbetet e vetmja mënyrë për të na mbrojtur nga vetja, që në rastin e Shqipërisë, është armiku ynë më i madh.

MARRE NGA FACEBOOK I AUTORIT BEN BLUSHI

Vazhdo të lexosh

Kolumnë

PD në rreth vicioz

Publikuar

nga

FATOS LUBONJA

Debati nëpër media, i shpërthyer edhe nga fjalimi i Mark Markut në Kongresin e fundit të PD-së, nuk mund të mos lidhet me pyetjen se si po sillen shqiptarët në këtë fazë të re të regjimit, që personalisht e konsideroj fazë hopi të rrezikshëm të politikës “krimi ndjell krimin”. Duke e thjeshtëzuar, do t’i ndaja bashkatdhetarët në katër kategori:

– në kategorinë e atyre që ndihen pjesë e regjimit dhe përfitimeve që ai u sjell dhe që, në një mënyrë apo tjetër, janë bërë pjesë e politikave “krimi ndjell krimin”,

– në kategorinë e të nënshtruarve që thonë se duhet të përshtatemi se s’ke çfarë bën;

– në atë të atyre që thonë se duhet të ikim për të ruajtur dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve;

– në kategorinë e atyre që mendojnë se duhet të rezistojmë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Brenda kategorisë së fundit meriton të analizohen në mënyrë të veçantë aktorët që pretendohet të sjellin ndryshimin, ku do të dalloja:

– partitë që i kam quajtur “të sistemit”,
– partitë apo lëvizjet “antisistem”,
– shoqërinë civile

Në këtë shkrim, duke u nisur edhe nga debatet pas Kongresit, do të analizoj gjendjen e PD-së.

* * *

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, brenda PD-së janë shfaqur dy rryma kryesore. Njëra përfaqësohet nga kryetari Basha dhe mbështetësit e tij që i mëshojnë tezës se zgjedhjet u manipuluan nga Rama me të vetët, se po të kishin qenë të lira opozita do të dilte fituese, pa mbajtur ndonjë përgjegjësi për humbjen. Tjetra është e ndarë midis atyre që fajësojnë Bashën, pa përmendur masakrën zgjedhore, dhe atyre që, gjithë duke theksuar masakrën zgjedhore, e akuzojnë kryetarin se nuk arriti të bashkojë, mobilizojë e frymëzojë sa duhet njerëzit për të votuar dhe për të mbrojtur votën.

Ajo që vihet re është se në këtë debat grupi i parë e përqendron diskursin tek individi Edi Rama si shkaktar i humbjes së PD-së, kurse i dyti tek individi Lulzim Basha, duke mos prekur thuajse fare një çështje, sipas meje themelore, që kërkon thellim dhe analizë serioze nëse vërtet PD synon të ndryshojë veten për të ndryshuar Shqipërinë. Duke rimarrë një metaforë që e kam përdorur më herët – ku e krahasoj sistemin/regjimin me një ndërtesë trekatëshe dhe bodrumin – gjykoj se sot kemi hyrë në një fazë të re që e bën thuajse të pamundur atë që ka ndodhur deri më 2013: rrotacionin në katin e tretë të ndërtesës së regjimit pa prekur katet e mëposhtme të saj. Kjo sepse katet e mëposhtme, d.m.th., ai i mediave të oligarkëve në katin e dytë, ai i oligarkisë në katin e parë si dhe “krimi i organizuar” në bodrum, janë bërë thuajse një me partinë e vetme në pushtet, kështu që nëse loja e zgjedhjeve luhet me dhe për lojtarët brenda kësaj ndërtese, shanset e opozitës për të arritur rrotacion janë afër zeros.

P Template

Vazhdo të lexosh

Kolumnë

Franca në pragun e një krize të rëndë kombëtare

Franca po vuan nga një lloj “Lepenizmi atmosferik” – një gjendje ankthi e përhershme.

Publikuar

nga

Nga John Lichfield

Në dy dekada që mbuloj ngjarjet në Francë si korrespodent, nuk kam qenë asnjëherë dëshmitar i një histerie të tillë politike. Dhe kjo nuk ta ka të bëjë vetëm me shuplakën në fytyrë që mori javën e kaluar presidentit Emmanuel Macron.

Por edhe me qesen me miell që u derdh të shtunën mbi kokën e liderit të së majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon; apo edhe me letrën absurde të muajit të kaluar nga gjeneralët në pension, që paralajmëronin shpërthimin e luftës civile.

Vendi duket se po shkon drejt një ezaurimi nervor teksa të dielën mbahen zgjedhjet rajonale, ndërsa 10 muaj më pas ato presidenciale. Në këtë situatë lind një pyetje. A është kjo histeri spontane, apo të paktën pjesërisht e organizuar?

Të gjitha incidentet e përshkruara më sipër, ishin vepër e njerëzve që janë aktivistë të së djathtës ekstreme (edhe pse jo domosdoshmërisht të lidhur drejtpërdrejt me Marine Le Pen, apo partinë e saj të ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar).

Eksperti francez mbi botën arabe, Gilles Kepel, ka folur për atë që ai e quan “xhihadizëm atmosferik” – një gjendje e përgjithshme mendore që promovon radikalizmin e dhunshëm islamik.

Franca po vuan nga një lloj “Lepenizmi atmosferik” – një gjendje ankthi e përhershme, e cila favorizon përparimin e së djathtës ultra-nacionaliste dhe anti-evropiane. Kjo promovohet nga një strategji denigrimi dhe ekzagjerimi (dhe gënjeshtrash të shpeshta), që promovohen nga portalet e ekstremit të djathtë, si dhe nga Le Pen dhe mbështetësit e saj.

Damien Tarel, i riu i papunë që goditi më shuplakë presidentin, tha në gjyqin që u bë ndaj tij se Macron e ka përshpejtuar “dekadencën” e Francës. Analisti më popullor i ekstremit të djathtë në vend, Eric Zemmour, i tha audiencës së tij televizive se Macron “mori atë që meritonte”, pasi e ka “përdhosur” presidencën.

Politikanët dhe analistët e së majtës dhe të djathtës tradicionale, po kontribuojnë me komente të ngjashme. Macron jo vetëm po vepron gabim, thonë ata, por ai është “i dhunshëm” apo “shkatërrues”. Sondazhet sugjerojnë se opozita tradicionale përfiton shumë pak nga kjo retorikë e ekzagjeruar, ndërsa Le Pen po.

Por jo të gjithë francezët i janë nënshtruar këtij anti-makronizmi histerik. Vlerësimet e presidentit në sondazhe mbeten çuditërisht të larta. Javën e kaluar, ai kishte një vlerësim në masën 50 për qind në një sondazh të përmuajshëm që organizon për politikanët kompania ‘Paris-Match-Ifop’.

E megjithatë, teksa Franca po del në fillim të sezonit veror nga një bllokim i tretë për shkak të Covid-19, është një komb i trazuar dhe i përçarë. Nga njëra anë, ekziston një dëshirë e zjarrtë për t’u rikthyer në normalitet. Nga ana tjetër, ekziston një dëshirë po aq e zjarrtë për ta siluruar politikën tradicionale.

Shumë njerëz, sidomos të rinjtë dhe të moshuarit, kanë një besim të përtërirë tek presidenti Macron, që kur ai i sfidoi “ekspertët” muajin e kaluar, duke e nxjerrë Francën më herët nga bllokimi. Të tjerët e fajësojnë Macron për gjithçka që shkoi keq në Francë gjatë pandemisë.

Ata refuzojnë ta pranojnë se disa gjëra shkuan mirë, si për shembull mbështetja bujare e shtetit për bizneset dhe individët, dhe pas një fillimi të dobët, fushata relativisht e mirë e vaksinimeve.

Kampet kapërcejnë ndarjet e vjetra e majtë- e djathtë, ndërsa linja kryesore e ndarjes (por jo e vetmja) është kryesisht e natyrës gjeografike. Ekziston një hendek midis Francës së suksesshme, me mentalitet të hapur, ku përshihen një numër zonash metropolitane të suksesshme, dhe Francës me mentalitet të mbyllur që shtrihet në zonat rurale, qytetet e vogla dhe disa periferive të qyteteve të mëdha.

Struktura majtas-djathtas që formon opinionin politik francez është shembur. Macron i dha asaj goditjen e fundit 4 vjet më parë. Dhe ai korri përfitimet me fitoren e tij në vitin 2017. Por që atëherë, ai nuk ka arritur të krijojë një narrativë të qëllimit apo drejtimit për reformat e tij.

Ai cilësohet ende si një arrogant nga politikanët dhe media, si nga qendra e majtë ashtu edhe ajo e djathtë. Një nga dështimet e mëdha të presidentit ka qenë paaftësia e tij për të krijuar një lëvizje qendrore bazë. Dhe për shkak të kësaj, popullariteti në sondazhe nuk do ta ndihmojë shumë të dielën, kur Franca mban raundin e parë të zgjedhjeve rajonale.

Partia e tij, La République en Marche, nuk do të kryesojë dot në asnjë rajon, madje do të renditet e treta ose e katërta në disa zona. Partia e Le Pen, që nuk ka fituar kurrë një rajon më parë, mund të kryesojë raundin e parë në 6 nga 13 rajone. Gjithashtu ajo ka shanse të mira për të fituar të paktën një rajon – Marseille-Nice-Avignon – balotazhin e 27 qershorit, dhe njëfarë shprese për të fituar rajonin lindor, Le Grand Est.

Ndërtimi i aleancave para çdo raundi zgjedhor, është bërë jashtëzakonisht i vështirë për të. Pasi zor se kalon një ditë pa u ekspozuar një kandidat rajonal i Le Pen si një neo-nazist, antisemit apo islamofob.  E megjithatë, pjesa më e madhe e fushatave rajonale nga e majta dhe e djathta tradicionale, kanë të bëjnë me sulmin ndaj Macron, dhe jo Le Pen.

Me sa duket disa politikanë, do të preferonin që Le Pen të fitonte ndonjë rajon, sesa të bien dakord për një marrëveshje me partinë e Macron. Por nëse Le Pen fiton rajonin Nice-Marsejë-Avignon, do të ishte një lloj “tërmeti” i vogël, dhe ndoshta edhe i madh.

Një listë me 3 ose 4 parti mund të garojë në raundin e dytë, gjë që do të thotë se Le Pen mund të ketë nevojë vetëm për 40 për qind të votave, ose më pak, për të fituar një rajon. Kjo është larg nga fitimi i më shumë se 50 për qind në raundin e dytë me 2 kandidatë gjatë zgjedhjeve presidenciale, dhe me një pjesëmarrje shumë më të lartë të votuesve vitin e ardhshëm.

Gjithsesi vrulli do të ishte i rëndësishëm.

Fitimi i një rajoni do të rriste besueshmërinë e saj. Nëse Le Pen do të fitonte më shumë se sa një rajon, niveli i histerisë në politikën franceze do të mbërrinte kulmin. A parathotë përçarja e fortë e politikës franceze, suksesin e Le Pen vitin e ardhshëm? Unë mendoj se jo, por me situatën aktuale që po dominon në Francë, një rezultat i tillë i pabesueshëm nuk është më tërësisht i pamundur. / “Politico.eu”

Vazhdo të lexosh

Kolumnë

Katër kriza dhe një përgjigje shqiptare

Publikuar

Nga Veton Surroi

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptari si kryeministër nuk është më temë tabu: një storie suksesi që mund të jetë prijëse në tolerancë, madje jo vetëm në Ballkan Perëndimor
1.

Ç’kanë të përbashkët bisedat për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Maqedoni, protestat në Bjellorusi, marrëveshja mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe takimi mes kryeministrit Hoti e presidentit Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në fillim-shtator?

Çdonjëra prej tyre është zhvillim më vete dhe ndikon në vendin ku zhvillohet, por si do të zhvillohet, do të ketë ndikim më të gjerë dhe nuk është pra çudi që do t’i prekë shqiptarët. Dhe mënyra se si reagojnë shqiptarët flet shumë për ta vetë.

Ja si.

2.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar.

Formulimi i kësaj fjalie tingëllonte si një pikë e lartë e fushatës zgjedhore, ndërsa tash pas zgjedhjeve dhe ndërsa zhvillohen bisedat për koalicione me mandatarin, kryeministrin e deritanishëm Zaev, duket si një pozicion i fortë negociator. Në rrethana të bashkimit politik të shqiptarëve, gjasat nuk do të ishin të vogla, në fakt, që Maqedonia e Veriut të kishte një kryeministër shqiptar dhe jodomodoshmërisht nga partitë shqiptare. Në bisedimet mes Z.Zaev dhe A.Ahmetit, dhe përkundër mosbashkimit të faktorit shqiptar, megjithatë, u gjet një formulë që në njëqind ditët e fundit të Qeverisë që po formohet, kryeministri të jetë i propozuar nga BDI-ja, pra nëse propozohet si i tillë, të jetë shqiptar.

Është një ngjarje e madhe për t’u shënuar. Para dyzet vjetësh, kushdo të kishte folur publikisht për nevojën që kryeministri i Maqedonisë të ishte shqiptar, do të shkonte drejt në burg si nxitës i nacionalizmit shqiptar. Para tridhjetë vjetësh, do të akuzohej se po do t’ia fusë thikën Maqedonisë në kohën kur po zhbëhet Jugosllavia. Para njëzet vjetësh, do të merrte përgjigje se Maqedonia duhet të ndahet në pjesë shqiptare e maqedonase dhe pastaj shqiptarët le ta bëjnë kryeministrin në territorin e vet mes Tetovës e Gostivarit, e maqedonasit do ta kishin të vetin. Para dhjetë vjetësh, nga partitë me shumicë maqedonase sërish do të ngrihej zëri për ‘projektin shqiptaromadh’. Sivjet ishte temë bisede mes partive politike dhe objekt marrëveshjeje.

Formulimi i fjalisë se ‘Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar’ ka gjetur kundërshtarë të natyrshëm. Kundërshtari i njërit pol është logjika e thjeshtë: pse jo të jetë një person i aftë, pse duhet të përcaktohet nacionaliteti? Kundërshtari i polit krejtësisht tjetër pastaj është: pse duhet të jetë shqiptar, kur shumica në shtet nuk është shqiptare?

Pyetjet janë identitare dhe janë zhvilluar në shoqëri të tjera, madje me traditë të gjatë demokratike. Në SHBA dilema e sotme e Maqedonisë së Veriut- por nëpërmjet të një sistemi tjetër zgjedhor – u vendos me presidentin Obama. Me të u vendos një standard i ri në barazi racore kur edhe zezaku, si pjesë e një pakice tradicionalisht të shtypur, merr përkrahjen e shumicës. Një trend i këtillë po vazhdohet edhe në zgjedhjet e tanishme amerikane, me përfshirjen e Kamala Harris, si kandidate demokrate për nënkryetare të SHBA-ve. Në zgjedhjet e kaluara, të njëjtën gjë u përpoq ta bënte Hillary Clinton, në atë që konsiderohet ‘pakicë politike’, pozicioni i grave.

3.

Nëse dikur rishfaqet e njëjta dilemë – për kryeministër shqiptar – zgjedhja e presidentit Obama mund të ndihmojë në dhënien e përgjigjeve ndaj kundërshtarëve në Maqedoninë e Veriut. Pra, me zgjedhjen e tij u vendos një standard i ri i barazisë në Amerikë; po, s’do mend se u zgjodh një njeri i aftë, por në mesin e shumë të aftëve, ishte mu zgjedhja e Obamës që tregoi tejkalimin e barrierave tradicionale racore në këtë vend. Dhe, po, mund të zgjidhet president edhe një person që nuk i përket shumicës.

S’do mend, analogjia nuk do të mund të jetë e plotë, nëse jo për faktin se një personalitet si Obama ende nuk është paraqitur as ndër shqiptarë e as maqedonas. Por, më me rëndësi se analogjia është rëndësia e momentit të pjekurisë së një shoqërie, siç është ajo e Maqedonisë së Veriut, në të cilën çështja e zgjedhjes a jo të një kryeministri shqiptar nuk është problem tabuje, por pjesë e debatit të sajimit të numrave për një shumicë qeverisëse.

Dhe, ky moment nuk ka ardhur vetvetiu.

Është produkt i një fitoreje të një koncepti të stabilizimit të Evropës me besim në vlerat liberale.

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që ndërpreu luftën në atë që atëherë quhej Republika e Maqedonisë, u hartua me idenë e një procesi evolutiv që do të krijojë mundësinë për afirmim të barazisë në kushte demokracie. Qe një proces i cili hodhi poshtë, në masë të madhe në sajë të vetë shqiptarëve, ndarjen territoriale të vendit në baza etnike. Qe një proces i cili integroi palët që deri dje kishin luftuar në një ecje të paprecedent: gjatë misionit të NATO-s në Afganistan, në mesin e përfaqësuesve të shtetit maqedonas kishte dhe ish-kryengritës shqiptarë. Njëri prej tyre qe kryetar i Kuvendit të shtetit. Një rrjedhë normale nesër do ta prodhojë edhe një kryeministër shqiptar.

Kisha nderin në atë kohë të bashkëpunoja me Arben Xhaferin dhe Ali Ahmetin, të cilët u bashkuan në Prizren dhe vazhduan së bashku për në marrëveshjen politike në Ohër. Ata kishin parasysh dimensionin e gjerë, implikimet gjithëshqiptare dhe regjionale që përmbanin vendimet e tyre. Dhe, si pjesë e vetëdijshme e vendimeve të tyre ishte ndërlidhja ‘M-M’, pra Maqedonia dhe Mitrovica. Ndarja e Maqedonisë do të hapte rrugën për ndarjen e Kosovës mu në urën e Mitrovicës dhe anasjelltas, një politikë integrimi në Maqedoni do të integronte edhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Për Ali Ahmetin, që sot zhvillon negociata për Qeverinë e re dhe që ka inicuar idenë e kryeministrit eventual shqiptar, ky duhet të jetë një moment krenarie, nëntëmbëdhjetë vjet pas, se si një proces evolutiv, përkundër të gjitha pengesave, po jep rezultatet e veta.

4.

Maqedonia ka qenë pikë kritike që nga Marrëveshja e Ohrit. Janë disa faktorë që nuk e duan suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe që të gjithë përbashkohen te një pikë: ideja e prishjes së modelit të demokracisë liberale, posaçërisht në një shtet multietnik i cili e ka gjetur rrugën e vet të ndërtimit të kohezionit.

Maqedonia e Veriut ka treguar dhe ka mundësi të dëshmojë edhe më tej se është model pozitiv i konsolidimit demokratik shtetëror, pjesë e shtrirjes euro-atlantike, përballë modelit të pengimit të kësaj shtrirjeje, që e bën në radhë të parë Rusia me veprimet operative të Serbisë në Kosovë, e të udhëheqjes serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

Në atë model konsolidimi demokratik shtetëror, Maqedonia e Veriut vendosi edhe një presedencë pa bërë shumë bujë. E la si të legjitimuar marrëveshjen që një ditë, qoftë edhe në njëqinditëshin e fundit të mandatit qeverisës, Maqedonia e Veriut ta ketë një kryeministër i cili jodomosdoshmërisht i përket shumicës etnike të vendit, gjegjësisht një kryeministër që është shqiptar.

Ndërsa të gjithë atyre që avokojnë ndarje territoresh në baza etnike, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, u la një mësim se integrimi funksionon./koha.net

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara