Lajmet

Shpalosja e hartave me kufij të ndryshuar

Published

on

Ballkani: Nonpaper shqetësim dhe panik sipas ritualit.

Dokumentet jozyrtare për Ballkanin, që pretendohet se po qarkullojnë, bëhen të rëndësishme dhe reale, vetëm sepse flitet për to. Pyetja kryesore është, në favor të kujt shkon kjo, thotë gazetari i DW Nemanja Rujeviç.

Nganjëherë janë të çuditshme rrugët e lajmeve. Në shkurt 2019 bëri jehonë teksti i gazetës Frankfurter Rundschau, ku thuhej se ekzistonte një plan i përfunduar për shkëmbimin e territoreve të Serbisë dhe Kosovës në 17 pika – kishte mbetur vetëm për t’u nënshkruar në qershor të atij viti. Por “plani” në fakt erdhi nga një portal maqedonas në shqip, që nuk ka as redaktor dhe as impresum. Qe shumë zhurmë për asgjë. Edhe ky ishte një “non-paper”, vetëm atëherë ne nuk e dinim me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo.

Tani e dimë

Akoma nuk ishte qetësuar zhurma lidhur me gjoja një non-paper të pretenduar se është shkruar nga Janez Jansa, kur gazeta e Prishtinës Koha Ditore botoi të hënën (26 prill) një gjoja non-paper të pretenduar se është përpiluar nga Berlini dhe Parisi. Megjithëse vetë gazeta shkruan se “nuk ka mundur ta konfirmojë vërtetësinë” – një pyetje e mirë për redaktorin do të ishte, pse e ka publikuar atëherë? – dhe megjithëse ambasadorët e Gjermanisëdhe Francës e kanë mohuar, që plani ishte i tyre, gjëja ka marrë rrugën e vet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është “i shqetësuar”, thotë se do të analizojë çdo detaj të dokumentit, që parashikon vitin e ardhshëm njohjen e Kosovës, me autonomi për serbët në veri dhe status special për kishën ortodokse serbe. Vuçiç, me syrin e Sauronit që sheh gjithçka, di se e kujt është kaligrafia: “Dyshoj në një person, në një grua terribël të zgjuar, sepse askush përveç saj nuk do të mund ta përpilonte këtë. Në botë ka rreth 50 njerëz, që merren me çështjen e Kosovës, dhe unë i njoh të gjithë. Duhet të shohim se kush e ka bërë dhe cilat janë motivet politike”.

I ashtuquajturi non-paper për Kosovën do të thotë se i ka ardhur rradha Beogradit për të rënë në “hall”, gjë që shprehet nga mediat, ashtu siç “ranë në hall” në Sarajevë nga i ashtuquajturii non-paperi slloven.

Thelbi i këtyre “dokumenteve” është, se nuk dihet se kush i ka përpiluar dhe se kalojnë nëpër kanale diplomatike. Prandaj është e lehtë të hamendësosh, të mohosh, t’ia atribuosh ato dikujt, apo thjesht të shpikësh një non-paper të tërë për të bërë sensacion apo llogari politike. Kjo është tautologji: pa ndërprerje flitet për non-paper, që janë reale dhe të rëndësishme, në atë masë sa ç’flitet për to.

Nxitim për shpalosje hartash

Gatishmëria e çarshive politike, gazetareske dhe analitike nga Brukseli deri në Ballkan për të hyrë pa hezitim në beteja retorike të kalibrit të rëndë, e gjitha mbi një bazë aq të brishtë, siç është ky apo ai non-paper që ndoshta ekziston e ndoshta edhe jo, është e habitshme. Sa hap e mbyll sytë arrihet te shpalosja e hartave me kufij të ndryshuar, luftërat e reja dhe leksionet morale nga Evropa.

Baza e të ashtuquajturave plane në prapaskenë, kuptohet se nuk ka rënë nga Marsi. Madje edhe kur ne, si ne rastin e non-paperit, nuk e dimë përgjigjen e pesë pyetjeve themelore gazetareske – kush, çfarë, ku, kur, si – duhet të bëjmë edhe një pyetje shtesë: Cui bono? Kujt i shkon në favor kjo?

Le të marrim historitë e „shpërbërjes të paqtë” të Bosnjës dhe Hercegovinës, me tregim armësh. Në nëntor 2017 Milorad Dodik gjatë një interviste me DW vizatoi gati të njëjtën hartë, që ekziston në non-paperin e pretenduar se vjen nga Jansa. Bakir Izetbegović po ashtu ka thënë për DW, se në rastin e shkëputjes së Republikës Srpska, do të ishte i gatshëm për luftë. Jo para shumë kohësh marrja e armëve dhe dalja në “pyll” i është dukur edhe Milo Gjukanoviçit ide e mrekullueshme për mbrojtjen e Malit të Zi.

Siç e shohim, nuk janë të nevojshëm non-paper, që gjërat të ziejnë. Përfituesit janë gjithmonë të njëjtët: politikanët, që ia hedhin topin njëri-tjetrit, gjithmonë duke qëlluar instinktet më të ulëta të elektoratit. Dodik servis, Izetbegoviç return, Vuçiç forehand, Thaçi backhand, meçi luhet pambarim, vetëm që popullit të mos i kujtohet se nuk e lyejnë dot bukën me kufij, që fabrikat me kabllot që rrotullohen nuk simbolizojnë tigra ekonomikë dhe që ajrit nuk ka përse t’i vijë era qymyr.

Ideja e atyre që mbajnë pushtetin është që t’i largojnë qytetarët nga mendimet meskine, problemet e vogla, të cilat fillojnë te portofolet e tyre dhe t’u drejtohen mendimeve gjeopolitike dhe psikozave nacionale. Ne jemi aq të mëdhenj, saqë asnjë problem i yni nuk bën të jetë i vogël.

Perëndimi kënaqet me stabilokraci

Pjesë e lojës janë leksionet morale, që mbërrijnë nga Bashkimi Evropian. Rajonit i thuhet që ndryshimet e kufijve janë relike e viteve nëntëdhjetë, që do të çonin në gjak dhe varre masive, që perspektiva e ndritshme evropiane është një gjendje, për të cilën nuk ka rëndësi, nëse jeton ne këtë anë apo në anën tjetër të kufirit.

Ani ç’ka se kjo perspektiva evropiane shtyhet në një të ardhme të paparashikueshme. Perëndimi kënaqet me stabilokraci. As për to nuk është e padurueshme, kur përmes zhurmës rreth non-paperit marrin konfirmimin për stereotipin e tyre, se Ballkani është fuçi baruti dhe gjithçka është në rregull, përderisa nuk pëlcet. Kundër kësaj rrëmuje nuk janë as në lindje, sa më të parregulluara gjërat, aq më e madhe hapësira për të përfituar.

Në vallen e pafund të përfitimeve politike me histori kufijsh dhe lufte kontribuon çdo i ashtuquajtur non paper dhe rituali i irritacioneve, që pason. Ka për të pasur ende.

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara