Magazinë

Dua fiton çështjen gjyqësore ndaj padisë që i është bërë për ‘vjedhje’ të këngës hit “Levitating”

Published

on

Ka qenë një periudhë e mirë për kantautorët e njohur që po përballen me padi për shkelje të të drejtave të autorit. Fillimisht, Mariah Carey arriti të fitonte një betejë ligjore të gjatë lidhur me akuzat se kishte kopjuar elemente të hitit të saj të përjetshëm “All I Want For Christmas Is You”.

Tjetër lajm pozitiv ka ardhur për Dua Lipën, e cila ka dalë fitimtare në çështje të rëndësishme ligjore që lidhet me “Levitating”, shkruan Music Business Worldwide.

Një gjykatës federal në New York ka rrëzuar një padi për shkelje të të drejtave të autorit ndaj shtëpisë diskografike Warner Records dhe Lipës, duke vendosur që “Levitating”, e publikuar më 2020, nuk ka kopjuar në mënyrë të paligjshme një këngë disko të vitit 1979.

Në një vendim të dhënë me 27 mars, gjykatësja Katherine Polk Failla ka dhënë  vendim përfundimtar në favor të Lipës dhe bashkëpaditurve të saj, duke konstatuar se paditësit nuk arritën të provonin ngjashmëri të konsiderueshme midis elementeve të mbrojtura të veprave.

Ndër bashkëpaditurit ishin kompanitë ‘Sony Music Publishing (US) LLC’, ‘Universal Music Corporation’ dhe ‘Warner Records Inc’, si dhe bashkëautorët e “Levitating”, Clarence Coffee, Jr., Sarah Hudson dhe Stephen Kozmeniuk.

Padia ishte ngritur nga ‘Larball Publishing Company’ e ‘Sandy Linzer Productions’, që pretendonin se “Levitating” kishte shkelur të drejtat e autorit për dy këngë: “Wiggle and Giggle All Night”, këngë disko e vitit 1979 e interpretuar nga Cory Daye, dhe “Don Diablo”, këngë e vitit 1980 nga Miguel Bosé, që paditësit e kishin blerë të drejtat përmes një marrëveshjeje të mëparshme mbi shkeljen e të drejtave të autorit.

Failla arriti në përfundimin se fraza muzikore e përbashkët mes “Levitating” e këngëve të paditësve përbëhej nga “pesë grupe notash të përsëritura në ritëm 16-tësh që zbresin në shkallën e minorit B te ‘Levitating’, në shkallën D major te ‘Don Diablo’”. Gjykata vendosi se shkalla zbritëse e një notë shtesë, që paditësit e cilësuan si “melodi karakteristike”, nuk ishin të mbrojtura nga ligji për të drejtat e autorit.

“Gjykata përfundimisht arrin në përfundimin se nuk mund të ketë ngjashmëri të konsiderueshme (dhe për rrjedhojë as shkelje të të drejtave të autorit) sipas ligjit, sepse ‘ngjashmëria midis veprave ka të bëjë vetëm me elemente që nuk mbrohen nga të drejtat e autorit të veprës së paditësve’”, shkroi gjykatësja Failla.

Vendimi i gjykatës u mbështet në çështjen e fundit ‘Structured Asset Sales, LLC’ kundër Ed Sheeran, që Sheeran e fitoi në nëntor të 2024. Në këtë vendim u përcaktua se “elementët bazë muzikorë si notat, ritmet dhe akordet në përgjithësi nuk janë të mbrojtshme me të drejta autori”, megjithëse një “përzgjedhje dhe renditje origjinale” e këtyre elementeve mund të mbrohet.

Ky precedent ligjor ishte kyç për mbrojtjen e Dua Lipës, pasi gjykatësja Failla e citoi atë drejtpërdrejt për të rrëzuar pretendimet e paditësve se një shkallë zbritëse plus një notë shtesë mund të përbënin një shprehje të mbrojtur.

Paditësit tentuan gjithashtu të argumentonin se elemente të tjera, si stili i interpretimit (“patter style”), tingulli pop me ndikime disko, tempoja dhe karakteristika të tjera, e bënin kombinimin e këtyre elementeve të mbrojtur.

Gjykata e hodhi poshtë këtë, duke theksuar se elementet nuk ishin origjinale në mënyrë të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga ligji për të drejtat e autorit. Gjykatësja Failla vuri në dukje se disa nga elementet e pretenduara ishin pjesë të zakonshme të kompozimit muzikor, duke sjellë si shembull se “stili ‘patter’ është përdorur prej shekujsh në opera të Mozartit dhe Rossinit, si dhe në operetat e Gilbert dhe Sullivan”.

“Më thelbësisht, Gjykata gjen se një stil muzikor, i përcaktuar nga paditësit si ‘pop me ndjesi disko’, dhe një funksion muzikor, i përcaktuar nga paditësit si ‘argëtim dhe vallëzim’, nuk mund të mbrohen kurrë — as veç e veç dhe as së bashku — sepse një vendim i tillë do të bllokonte plotësisht zhvillimin e mëtejshëm të muzikës në atë zhanër apo për atë qëllim”, u theksua në vendim.

Gjykata hodhi poshtë kërkesat e paditësve për deklarim të të drejtave, që paditësit i kishin pranuar se do bëheshin të pavlefshme nëse akuza për shkelje të të drejtave të autorit rrëzohej. Ky vendim shënon përfundimin e një prej disa padive ligjore që Dua është përballur për “Levitating”. Në 2022, grupi Artikal Sound System ngriti padi se “Levitating” ishte “shumë i ngjashëm” me këngën e tyre “Live Your Life”.

Ajo çështje u hodh poshtë nga një gjykatës federal, që vendosi se Artikal Sound System nuk kishte paraqitur prova që krijuesit e “Levitating” kishin pasur akses në këngën e tyre.

Ndërkohë, një padi tjetër është ende në zhvillim. Në 2023, producenti Bosko Kante paditi Dua Lipën, Warner Music Group dhe producentin Stephen Kozmeniuk, duke pretenduar se një regjistrim i talkbox-it të tij ishte përdorur pa leje në tre remikse të “Levitating”.

Në shtator 2024, gjykatësi Hernan D. Vera i Gjykatës së Distriktit të Kalifornisë refuzoi një kërkesë për të rrëzuar këtë çështje, duke e lënë atë të vazhdojë.

 

Magazinë

Tilly Norwood – Aktorja e krijuar nga Inteligjenca Artificiale që po trondit Hollivudin

Published

on

Inteligjenca artificiale ka depërtuar në shumë industri, dhe kinemaja nuk bën përjashtim.

Shembulli më i fundit është rasti i Xicoia, kompani në pronësi të studios Particle 6, e cila ka krijuar nga e para një aktore që nuk ekziston në realitet: Tilly Norwood.

Ky personazh virtual ka ngjallur kuriozitet dhe debat në Hollywood për shkak të pasojave që sjellë në të ardhmen e industrisë së filmit.

“Ajo nuk zëvendëson një qenie njerëzore, është një krijim artistik, një vepër arti”, theksojnë producentët e saj në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur polemikave të shumta.

Një aktore e gjeneruar, me personalitet të plotë

Sipas Eline Van der Velden, producente dhe pronare e Particle 6, Tilly Norwood nuk është krijuar si një fytyrë digjitale. Qëllimi ishte t’i jepnin karakter dhe personalitet, duke e bërë të duket si artiste e vërtetë. “Në fillim askush nuk e mori seriozisht. Në shkurt thanë se nuk do të ndodhte kurrë, por në maj nisën të na kërkonin takime. Tani, jemi gati të njoftojmë agjencinë që përfaqëson”, u shpreh ajo për Deadline.

Aktorë të tillë virtualë kanë potencial të pakufizuar: mund të interpretojnë çdo lloj roli, të punojnë pa pushim 24 orë në ditë dhe të përshtaten menjëherë me kërkesat e çdo skenari ose kompanie.

DeepFame dhe ndërveprimi me publikun

Tilly Norwood, falë motorit DeepFame, mund të jetë aktive edhe në rrjet duke komunikuar me ndjekësit si aktore reale. Karakteri i saj është i ndryshueshëm, pasi në thelb mbetet një produkt i krijuar me kujdes nga teknologjia.

Një epokë e re për industrinë e argëtimit

Ky fenomen nuk është i izoluar. Në gusht 2024 Higgsfield Records prezantoi Kion, i cili nënshkroi kontrata me vlerë miliona dollarëshe.

“Është fillimi i një epoke të re në muzikë”, deklaruan krijuesit e tij.

Nëse projektet si Tilly Norwood do të funksionojnë afatgjatë, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si krijohet dhe perceptohet arti në industrinë e filmit dhe muzikës. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Magazinë

“House of Guinness” – seriali i ri historik i Netflix nga autori i “Peaky Blinders” bëhet hit

Published

on

Netflix ka sjellë premierën e serialit të ri dramatik-historik “House of Guinness”, krijuar nga Steven Knight, autori i “Peaky Blinders”. Që në ditët e para pas lansimit, ai u shndërrua në një nga më të shikuarit.

Historia ndjek katër fëmijët e familjes Guinness, të cilëve jeta u ndryshon pas vdekjes së papritur të babait të tyre, Sir Benjamin Lee Guinness, figura që qëndronte pas ngritjes së perandorisë së famshme të birrës.

Seriali vendoset në vitet 1860 dhe i rikthen shikuesit në atmosferën e Dublinit të asaj kohe, mes rrugicave të fshehta dhe vilave aristokratike, si dhe brenda fabrikës së njohur botërisht të birrës Guinness.

Ngjarja zhvillohet rreth testamentit të Sir Benjamin-it dhe ndikimit në fatin e katër fëmijëve: Arthur, Edward, Anna dhe Ben.

Përveç tyre, shfaqen edhe personazhe nga shtresa të ndryshme të qytetit, duke i dhënë historisë ngjyra dhe tension dramatik.

“House of Guinness” është krahasuar me “Peaky Blinders” për stilin e ngjashëm por dhe me “Succession”, pasi sjell rivalitetin dhe intrigat brenda një familjeje të fuqishme. Pas premierës më 25 shtator, seriali ka hyrë në listën e 10 më të shikuarve në Netflix, ndërsa në “Rotten Tomatoes” ka marrë vlerësime të larta me një rezultat prej 87% pozitiv.

Në kast marrin pjesë aktorë si James Norton, Anthony Boyle, Louis Partridge, Emily Fairn, Fionn O’Shea, Niamh McCormack, Seamus O’Hara, Jack Gleeson, Dervla Kirwan dhe Michael McElhatton.

Ky prodhim synon jo vetëm të sjellë në jetë historinë e një prej familjeve më të njohura irlandeze, por edhe ta shndërrojë në një rrëfim epik për pasionin, pushtetin dhe trashëgiminë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Magazinë

Miley Cyrus drejt rikthimit në shtëpinë e saj të rindërtuar në Malibu

Published

on

Shtatë vite pas shkatërrimit të shtëpisë së saj në Malibu, këngëtarja e njohur Miley Cyrus ka zbuluar se procesi i rindërtimit është pothuajse i përfunduar.

Në një intervistë me Pamela Anderson për CR Fashion Book, 32-vjeçarja tha se brenda pak javësh do të mund të rikthehet të jetojë aty.

“Kam qenë duke punuar për rindërtimin,” rrëfeu Cyrus. “E humba shtëpinë time në zjarrin Woolsey Fire dhe prej pesë vitesh po e ndërtoj nga e para. Tani, duket se do të jetë gati për mua shumë shpejt.”

Banesa që ndante dikur me ish-bashkëshortin Liam Hemsworth, u shkatërrua më 2018, teksa Miley ndodhej në Afrikën e Jugut për xhirimet e serialit Black Mirror. Çifti u martua pak muaj më vonë, por rrugët e tyre u ndanë në vitin 2019.

Megjithëse humbja ishte e dhimbshme, këngëtarja e Flowers e ka quajtur këtë përvojë një “bekim të madh”.

“Kur më dogji shtëpia, në fakt ishte një nga bekimet më të mëdha të jetës sime,” tha ajo në një event në maj. “Më dha mundësinë të rindërtoj gjithçka me qëllim dhe vetëdije – nga sendet në shtëpi deri te njerëzit në jetën time.”

Shtëpia në Malibu ka një domethënie të veçantë për Cyrus, pasi aty regjistroi albumin e saj të parë si artiste solo. Në një video në TikTok gjatë vitit 2023, ajo kujtoi: “Ai vend kishte magji. Ndryshoi jetën time.”

Ngjarja ka lënë gjurmë edhe në artin e saj. Në një intervistë pranoi:“Mund të këndoj më mirë që pas zjarrit. Ishte sikur çliroi diçka tek unë.” /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Magazinë

Victoria Beckham ndez thashethemet për ribashkimin e Spice Girls?

Published

on

Victoria Beckham ka ngjallur emocion dhe spekulime mes fansave të Spice Girls me një koment tërheqës gjatë natës së fundit të turneut të Oasis.

Ajo postoi në Instagram disa fotografi dhe video, duke shkruar vetëm “Tempting…” dhe duke etiketuar shoqet e saj të grupit: Geri Horner, Mel C, Emma Bunton dhe Mel B, shkruan DailyMail.

Ky postim ka ndezur menjëherë reagimet e fansave në rrjetet sociale, të cilët shprehën emocionin dhe shpresën për një ribashkim të mundshëm të grupit legjendar.

Victoria ishte e shoqëruar në koncert nga bashkëshorti David Beckham, vajza Harper, 14 vjeç, dhe djemtë Romeo, 23 vjeç, dhe Cruz, 20 vjeç, së bashku me të dashurën e Cruz, Jackie Apostel.

Megjithëse më parë u përfol për një ribashkim për 30-vjetorin e Spice Girls, Victoria aktualisht nuk po merr pjesë në planet e katër anëtareve të tjera, të cilat po përgatiten për një turne të mundshëm botëror pa të.

Megjithatë, komentet e Victorias dhe entuziazmi i fansave kanë ringjallur spekulimet për një rikthim të mundshëm.

Ky moment ka treguar ndikimin dhe nostalgjinë që grupi vazhdon të ketë në muzikën pop dhe kulturën e fansave të tij. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara