Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 11 mars, nga viti 1993-1999

Published

on

11 mars 1993

Lajmet kryesore: Papa Gjon Pali II priti dr.Rugovën; Kryetari Rugova u takua me kryeministrin e Italisë D’Amato; Kryetari Rugova u takua me Antonio Karilën; Përvjetori i dymbëdhjetë i kërkesave për status të Republikës së Kosovës; Konferencë për shtyp e Partisë Liberale Shqiptare të Kosovës

Thirrje në gjyq për “rastin e Prekazit”; Edhe më tej trysni policore në Gllogjan dhe Nepole; Rojter: NATO-ja përkrah sigurinë e Shqipërisë; Mbi 4.500 plumba të serbit për një shqiptar fiktiv!; Guverneri i instaluar serb Simoviq paralajmëron “konstituimin e Parlamentit të Kosovës”.

 

11 mars 994

Lajmet kryesore: Konferencë për shtyp e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova; Presidenti i Eucation International kërkoi nga Klintoni dhe Gali të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të arsimit shqip në Kosovë; Komunikatë e KMDLNJ-së lidhur me ndërhyrjen brutale serbe në Institutin Albanologjik; SHBA shtojnë numrin e ushtarëve në Maqedoni; Përfaqësues të shqiptarëve në Nju-Jork do të takohen me kongresmenin Jose Serrano; Gjykata serbe në Suharekë u kërcënohet 24 familjeve shqiptare për marrjen e banesave.

 

Represioni i policisë serbe në Kosovë

Prizren: – Dje, policia serbe për të tretën herë, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi disa familje, dyqane, si dhe mësonjëtoret e shkollës fillore në fshatin Korishë të Prizrenit. Pardje në këtë fshat, nën pretekst të kërkimit të armëve u bastisën familjet e Ferit, Ragip, Hamëz e Tefik Kabashit dhe e Haxhi F.Ahmetajt.

Pas bastisjes, policia arrestoi Ferit, Vetim dhe Fadil Kabashin. Ragipi e Lirimi u liruan pardje, ndërsa Haxhi F.Ahmetaj po mbahet ende në polici, kurse Bali Rexhaj u mor dy herë në pyetje.

Nga arrestimet që ndodhën dy ditë më parë, bëhet me dije se ende po mbahen në polici Gani dhe Avdi Zeka, Zeqir Ukimeri dhe Latif Dakaj, mësues, i cili u arrestua në lokalet e shkollës fillore.

Podujevë: – Pardje, rreth orës 8, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Halil M.Krasniqit në fshatin Majac të Podujevës. Meqë Halil Krasniqi nuk gjendej në shtëpi, policët i lanë ftesën që brenda ditës të paraqitet në stacionin e policisë në Podujevë.

Të njëjtën ditë rreth orës 16, në Majac u bastisën familjet e Behxhet, Faik, Murat e Qemajl Krasniqit dhe të Mustafë Miftarit. Policët pas bastisjes u kërcënuan se nëse nuk i dorëzojnë armët e kërkuara, familjet e bastisura do të ndëshkohen edhe më ashpër.

Pardje, policia serbe bastisi edhe familjet e Fejzë Mustafës dhe Muharrem Hysenit në fshatin Metohi të Podujevës, nga të cilët kërkuan që të dorëzojnë nga një revole.

Po këtë ditë në fshatin Repë të Podujevës, policia serbe bastisi edhe shtëpinë e Zukë Ademit, nga i cili kërkuan një revole. Zukë Ademit iu la ftesa që të paraqitet dje në stacionin e policisë në Podujevë në orën 14.

Pardje, policia serbe bastisi edhe familjen e Bejtush Halimit në fshatin Revuç të Podujevës, tek i cili u gjet një pushkë e vjetër.

Prishtinë: – Pardje, në rrugën “Jabllanica” të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, policia serbe kërkoi në shtëpinë e tij Gani Krasniqin (18), para të cilët policët serbë dëshmuan një fotografi të tij. Se për çfarë arsye policët kërkuan Ganiun nuk arritëm të mësojmë. Po atë ditë, policët kërkuan edhe Islam Krasniqin (16). Mbetet dyshimi se kjo është një formë e re e represionit mbi të rinjtë shqiptarë.

Vushtrri: – Dje, rreth orës 10, tre policë serbë shkuan në shtëpinë e Samedin Islamit në fshatin Bukosh të Vushtrrisë dhe kërkuan Avdi Islamin për të dërguar me dhunë në ushtrinë serbe.

Meqë Avdi Islami nuk gjendej në shtëpi, policët morën me vete Samedin Islamin, i cili në stacionin e policisë në Vushtrri është rrahur brutalisht.

Istog: – Më 3 mars, policia serbe mori me dhunë banesën e Sadri Llullakut, ish-milic nga Istogu. Bëhet me dije se në banesën e Sadri Llullakut u vendos një familje serbe.

Malishevë: Dje, ditën e tregut në Malishevë, shumë policë dhe inspektorë të sigurimit serbë, shtuan kontrollin ndaj tregtarëve dhe qytetarëve shqiptarë.

Njoftohet se policia serbe rrahu shumë qytetarë shqiptarë vetëm pse nuk dinin të flisnin serbisht!

Mitrovicë: – Pardje, rreth orës 10, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Hajzer, Raif e Behram Fekës në Koshtovë të Bobit. Pas bastisjes së këtyre tri familjeve, policët në lagjen e Binakajve bastisën edhe familjet e Dervish Binakut, Bislim Latifit, dhe të Adem Ahmetit.

Njoftohet se gjatë bastisjes, policët u sollën me brutalitet në të gjitha familjet e bastisura.

Pardje, për të tretën herë u bastis familja e Jusuf Lushtës në Mitrovicë, të cilët kërkonin djalin e tij Florent Lushtën, i cil qe tri vite gjendet në Gjermani. Meqë Jusufi nuk ishte në shtëpi, policët i lanë ftesën që të lajmërohet në stacionin e poilicisë në Mitrovicë.

Pejë: – Pardje, policia serbe e postkomandës së Qallapekut, ftoi që të lajmërohen në polici Kurtesh, Zymber, Cenë, Demush, Brahim dhe Sadik Krasniqin, për dje në orën 9.

Pardje, policia e postkomandës në Qallopek, nën pretekst të dorëzimit të armëve ftoi Rexhep Panxhajn nga Kosuriqi i Pejës, i cili u rrah brutalisht. Rexhep Panxhaj u lirua me kusht që të lajmërohet dje në postkomandën e policisë në Qallopek.

Policia serbe në Qallopek, ftoi edhe Musa Rrahmanajn, kryetar i Nëndegës së LDK-së nga Kosuriqi. Për ç’arsye u ftua Musa Rrahmanaj, tash për tash nuk dihet.

Lipjan: – Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, për të katërtën herë nën pretekst të kërkimit të armëve u bastisën familjet e Heset, Azem e Hasan Ollurit dhe të Isë Qiriqit në fshatin Krojmir të Lipjanit.

Obiliq: Në fshatin Mazgit i Poshtëm të Obiliqit, ditë më parë policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Shemë Bllacës, pardje atë të Murat Prestreshit, ndërsa dje u bastis familja e Isak Tërhollit. Gjatë bastisjes, policët në shtëpinë e Isakut shkaktuan dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi. Pas bastisjes, policia mori me vet Isak Tërhollin, i cili në lokalet e policisë në Obiliq u rrah brutalisht.

 

11 mars 1995

Lajmet kryesore:

Vdiq Akademik Gazmend Zajmi; Administrata amerikane pret takim të shpejtë me dr. Rugovën; Gazmend Pula: Britania përkrah rivendosjen e mëvetësisë politike të Kosovës; Shumë të mashtruar rreth ofertës së rrejshme për punësim në Libi; U ngrit aktakuza kundër udhëheqësve të PNDSH; Emin Halimi u dënua me 20 ditë burg; Gjermania nuk i kthen refugjatët shqiptarë; Beogradi kërkon para për kthimin e azilantëve; Dhuna e përditshme në Kosovë; Në Pejë ndahen edhe 30 troje për kolonët serbë; Policia ndërhyri në tregun e Kamenicës; U shkarkuan udhëheqësit e dhunshëm serbë të “Gërmisë”; Tensionet etnike do të vazhdojnë.

 

11 mars 1997

 Lajmet kryesore:

K.Kinkel: Kërkojmë bisedime në prani të palës së tretë për statusin e Kosovës; Elizabet Ren kërkon përcjellje ndërkombëtare gjatë kthimit të shqiptarëve në Kosovë; U shënua 7- vjetori i themelimit të FR të LDK-së; Krijohen komisione pluraliste për zbatimin e marrëveshjes; Partitë shqiptare diskutojnë rreth qeverisë së re; Nikolas Bërns: Në procesin demokratik nuk ka vend për përdorimin e dhunës;  Spekulimet nga Athina për “kujdestarinë” e Greqisë dhe të Italisë në Shqipëri; Në Gjirokastër shpërtheu një depo armësh; Në Korçë mbështetet marrëveshja; Në Berat pesë të plagosur me armë zjarri; Drejtori i Televizionit Shqiptar shqiptar dha dorëheqje; Turqia do t’i dërgojë ndihma humanitare Shqipërisë; Lamberto Dini priti Eliot Engëllin; Nikolas Bonsor: “Shpresoj se rendi do të mund të rivendoset në mënyrë paqësore”; Parlamenti Evropian do të diskutojë urgjentisht problemin e Shqipërisë; Nils Helveg Peterson: Marrëveshja – një lëvizje e rëndësishme; L. Fërçkovski: Shqipëria nuk është Piemont që mund të zgjidhë çështjen globale shqiptare; Shtypi norvegjez për gjendjen në Shqipëri dhe rrezikun e shpërthimit në Kosovë; Kadare kërkon ndërhyrje ndërkombëtare në Shqipëri;

Parlamenti i Maqedonisë mban nesër mbledhje të jashtëzakonshme; Ministri i jashtëm i Maqedonisë kundër largimit të forcave paqeruajtëse; Skema piramidale edhe në Maqedoni; Policia keqtrajtoi fizikisht anëtarët e familjes Berisha nga Dobraja e Vogël; Kërkohet Isuf Shala nga Prapaçani i Deçanit.

 

11 mars 1998

Edicioni i parë (ora 12:00):

Nën kërcënimin e policisë dhe me ekskavator u varrosën veçantë viktimat e masakrës serbe në Prekaz

 

Policia serbe detyroi me dhunë dje pasdreke varrimin e trupave të masakruar nga forcat serbe në Prekaz të Ulët më 5 -7 mars.

Trupat e të 49 të vrarëve dje gjendeshin në një depo të materialit ndërtimor në hyrje të Skënderajt kah drejtimi i Gllogocit.

Anëtarët e familjeve të të vrarëve e të masakruarve që kishin bërë identifikimin e të afërmve të vet refuzuan dje varrimin duke kërkuar një ekspertizë të autorizuar ndërkombëtare për mënyrën e vrasjeve dhe të masakrimit.

Nga trupat e të vrarëve, shumica fëmijë, gra e pleq, shihej se ishin përdorur armë të rënda dhe se njerëzit ishin qëlluar edhe me granata. Disa trupa ishin masakruar, duke përfshirë edhe nxjerrjen e syve. Ndërsa një fëmijë ishte qëlluar me një plumb.

Të afërmit dhe Këshilli i varrimit i thanë dje një delegacioni të LDK-së se nuk mund të bëhej varrimi përderisa ende nuk ishin identifikuar rreth 17 të vrarë e të masakruar dhe për shkak se shumë të afërm të të vrarëve nuk ishin tashmë në Skënderaj, por në vende të tjera të Kosovës. Po ashtu nuk mund të bëhej varrimi në një situatë kur e gjithë Drenica mbahet në gjendjen e shtetrrethimit më të ashpër.

Në përpjekje për të mbuluar gjurmët e krimit, policia serbe dha dje disa herë ultimatume kërcënuese se do të varroste vetë të vrarët, nëse këtë nuk do ta bënin të afërmit e të vrarëve.

Në mbrëmje, policia serbe i detyroi me dhunë njerëzit pak para orës 17,00 që të bartnin arkivolet me trupat e të vrarëve për në Prekaz të Ulët.

Një dëshmitar nga Skënderaj i tha Degës së LDK-së në Vushtrri se varrimi zgjati deri në orën 18:00.

Në varrim kanë marrë pjesë disa qytetarë, të cilët policia i kishte marrë me dhunë në rrugë në cilësinë e dëshmitarëve dhe pak veprimtarë të LDK-së e të KMDLNj-së në Skënderaj si edhe disa anëtarë të familjeve të viktimave. Varrimi u bë nën kërcënimin e policëve e civilëve të armatosur serbë. Në afërsi ishte edhe autoblinda dhe një kamion.

Viktimat u varrosën në varret e hapura më herët, por pa ndjekur asfarë rendi, madje edhe sipas numrave të identifikimit, vetëm duke i futur në varre, gjithnjë nën kërcënimin e policëve e civilëve serbë të armatosur.

Shumica e varreve janë mbuluar mbrëmë me dhe me eskavator, ndërsa të hapura mbetën rreth 10 varre.

Gjatë tërë kohës forcat serbe kanë qëndruar në gjendje gatishmërie, duke kërcënuar të pranishmit se do të shtijnë nëse dikush lëviz.

Një burim nga Skënderaj ka njoftuar sot se policia serbe ka thënë sot se mund të bëhet mbulimi i varreve të tjera, por ka lejuar që këtë ta bëjnë vetëm 60 veta, të cilëve, siç thanë ata, policia do t’ua garantojë sigurinë.

 

Lajme të tjera: Mjekët shqiptarë protestojnë sot para Fakultetit të Mjekësisë; Numri i shqiptarëve të vendosur në Mitrovicë ka arritur 3400; Gjendje e rëndë edhe në Vushtrri; Hebrenjtë e Zvicrës kërkojnë që të ndërpritet riatdhesimi i kosovarëve; Ankara nuk lejon që të përsëritet Bosnja në Kosovë; Ministrat e pesë vendeve ballkanike bëjnë thirrje për dialog; Këshilli i Sigurimit të OKB-së debatoi për Kosovën; Tribunali i OKB-së është duke mbledhur dëshmi lidhur me Kosovën; L. Arbur: Gjyqi i Hagës ka mandat të ndjekë ata që kryen krime në Kosovë; U rrah me pretekst se është ka qenë në Drenicë.

 

Edicioni i dytë (ora 14:45):

Kryetari Rugova mbajti konferencë për gazetarë të huaj; Vazhdon varrimi i të masakruarve në Prekaz; Dyshohet se dy të vrarë nga Prekazi mbahen ende në morgun e Prishtinës; Halil Geci: Ne në Llaushë do të vdesim para dyerve të shtëpive, por jo si terroristë; Mitrovicë: Policia në hyrje-dalje të qytetit keqtrajton qytetarët; Lëvizje të policisë në drejtim të Skënderajt; Policia gjuan me snajperë qytetarët; Mbi 500 punëtorë të Fakultetit të Mjekësisë mbajtën sot një protestë; Medlin Olbrajt: Nuk do të vonohemi për të zgjidhur krizën në Kosovë; Analistët kërkojnë masa më energjike të SHBA-ve për pengimin e konfliktit në Kosovë; Debat për Kosovën në Parlamentin e Belgjikës; Shtypi amerikan i quan të pamjaftueshme masat e Grupit të Kontaktit; Në protestat paqësore në Pejë forcat serbe rrahën 110 veta; Udhëheqësit e UPS të UP u takuan me Gelbardin;

Disa lande në Gjermani stopojnë kthimin e refugjatëve shqiptarë; Policia serbe keqtrajtoi pesë të rinj shqiptarë në postbllokun e Komoranit; Qeveria serbe lavdëron policinë e vet për masakrat dhe fton “pakicën shqiptare” për dialog në kuadër të Serbisë; Qeveria shqiptare angazhohet për përmbushjen e obligimeve të shtruara nga Grupi i Kontaktit; Sllovenia kërkon ndëshkimin e Beogradit; Të shtëna armësh në Cërmjan të Dushkajës së Gjakovës

 

Edicioni i tretë (Ora 18:30):

Gelbard dhe Toni Lojd dënoi masakrimin e fëmijëve, grave e pleqve; Ambasadori amerikan në OKB kërkoi nga komisionerja e lartë të ndërmarrë një mision në Kosovë; Bruksel: Intervenimi ushtarak ndërkombëtar në Kosovë është i hershëm; Vjenë: OSBE kërkon nga Beogradi të pranojë një komision hetimor lidhur me pushkatimet në Kosovë; Organizatat humanitare ndërkombëtare në Kosovë u kërcënuan me likuidim; Paris: Oferta e Beogradit për dialog me shqiptarët – e pamjaftueshme; Demaçi ofertën serbe e quajti hipokrizi; “Dejli Telegraf” angazhohet për intervenim ushtarak në Kosovë; “Fokusi” me shtojcë speciale për ngjarjet në Kosovë – në anglisht e në gjermanisht; Të shtëna sporadike në Turiçec – dy foshnje vdiqën nga acari; Persona të panjohur hodhën një bombë para shtëpisë së pronarit të “Dukagjinit” në Pejë; Në Viti merren në polici shumë pjesëmarrës të protestave; Sot në Gjilan nxënësit iu rikthyen mësimit; Gjilanasit po i përgjigjen me të madhe aksionit: “Në ndihmë Drenicës”; Dy veprimtarë të LDK-së në Gllogoc u mbajtën në arrest dhe u keqtrajtuan rëndë fizikisht; Në Cërmjan u keqtrajtuan 15 shqiptarë; Policia po keqtrajton shqiptarët në hyrje të Istogut; U krye varrimi në Prekaz.

 

Edicioni i katërt (ora 19:30):

Deklaratat e Rugovës, lajm i parë i shumë televizioneve; Xh. Mustafa: Përmes ofertës për dialog, qeveria serbe e arsyeton terrorin e vet në Kosovë; Reagimet serbe lidhur me komentet e sotme të kryetarit Rugova; Solana: NATO po i ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë; Interesim i madh i gazetave të njohura në botë për zhvillimet në Kosovë; Japonia sugjeron dialog të menjëhershëm mes Prishtinës dhe Beogradit; Policia ka plaçkitur fshatin Kopiliq të Skënderajt; Rifilloi mësimi në Ferizaj; Në Shtimje gjobiten autotransportuesit; Federata e Sporteve e Kosovës u bënë apel për ndihmë institucioneve sportive evropiane dhe botërore.

 

 11 mars 1999

Lajmi kryesor: Sot në Lummadh të Vushtrrisë u vra Enver Feka

Prishtinë, 11 mars (QIK) – Sot rreth orës 8.30 të mëngjesit, një person i panjohur vrau me revole në dyqanin e tij në Lummadh të Vushtrrisë, Enver (Skender) Fekën (36).

Vrasësi i panjohur pasi kishte hyrë në dyqanin e Enverit, që ndodhet afër vendbanimit të kolonistëve serbë në Lummadh, e kishte qëlluar të ndjerin me disa plumba. Njoftohet se vrasësi ka ikur në mënyrë të rrufeshme me një veturë të zezë të markës “Golf”, me regjistrim të Mitrovicës.

E njëjta veturë mbrëmë është parë në Lummadh me pesë vetë brenda duke qarkulluar nëpër këtë fshat.

Enver Feka ka qenë kryetar i Aktivit të LDK-së në këtë fshat. Ai la pas vetes katër fëmijë të mitur.

 

Lajme të tjera: Vushtrri: Forcat serbe mbrëmë granatuan fshatrat Pantinë, Oshlan, Okrashticë, Liqej e Balincë; Sot në mëngjes nga Serbia në Kosovë hyri një konvoj me forca serbe;

 

Edicioni i orës 12:00:

Forcat serbe sulmuan sërish 2 fshatra të Mitrovicës dhe 3 fshatra të Vushtrrisë; Prizren: Koncentrim i madh i forcave në fshatrat e Vërrinit; Forca serbe ndërhynë në Rigjevë të Klinës; KMDLNJ: Gjatë shkurtit në Kosova janë vrarë 59 veta;      UÇK: Sjelljet e hyzmeçarëve të pushtuesit serb janë skandaloze; Adem Demaçi priti raportuesin special të KB për të Drejtat e Njeriut z. Jiri Dientsbier;

  1. Gjukanoviq: Regjimi autoritar i Beogradit po e mban klimën e armiqësive me tërë botën demokratike; Prokurori publik i Serbisë mohon se viktimat e fshatit Reçak janë masakruar;

 

Edicioni i orës 14:00:

Kryetari Rugova priti raportuesin special të OKB-së Jizhi Dintsbir; U gjet trupi i pajetë i Fadil Tolajt nga Gjakova; Gjakovë: Në fshatrat e brezit kufitar po dëgjohen detonime të fuqishme; Në Novolan të Vushtrrisë kanë hyrë forcat e policisë serbe; Në Prishtinë dy romë sulmuan një grua shqiptare; Civilë serbë u panë me armë në rrugë të Kamenicës; Nesër në Paris zhvillohet një debat për Kosovën; Ollbrajt kërkoi nga Kongresi që të mos zhvillojë debatin për vendosjen e trupave në Kosovë; Zëdhënësi i Departamentit amerikan mohon se ka ndërrim të planit paqësor për Kosovën; Millosheviqi në bisedë me Hollbrukun kundërshtoi vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë; Familjet shqiptare largohen nga disa fshatra të Klinës; NATO udhëheq forcat ndërkombëtare në Kosovë; Ollbrajt lavdëron qëndrimin e shqiptarëve; Përgatitet një deklaratë për Kosovën e disa shteteve ballkanike

 

Edicioni i orës 14:30:

Afishe të kontrabanduara me shenjën e OSBE-së në Prishtinë; Forcat serbe vazhdojnë t’i granatojnë fshatrat e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë; Prizren: Forcat serbe mbajnë në një rrethim të plotë fshatrat e Vrrinit; KMDLNJ: Disa nga fshatrat e Vushtrrisë në tym e flakë; Forumi Rinor i LDK-së shënoi nëntëvjetorin e themelimit; Raportuesi special i OKB-së bisedoi me drejtuesit e KMDLNJ; Rexhep Boja bisedoi me zëvendësin e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

 

Edicioni i orës 17:00:

Forcat serbe mitraluan dhe granatuan sot fshatrat rreth Vërrinit të Prizrenit; Forcat të shumta serbe kanë rrethuar paralagjën e Prizrenit Hoqa e Qytetit dhe po i keqtrajtojnë banorët shqiptarë; Istog: policia serbe keqtrajtoi dy shqiptarë; Suharekë: Policia serbe keqtrajton edhe veprimtarët e SHHB “Nëna Tereze”; Lëvizje ushtarako-policore në drejtim të Lajthishtës dhe të Hades; Kongresi i Internacionales Liberale në Bruksel aprovoi një rezolutë të veçantë për krizën në Kosovë; KMDLNJ kërkon nga banorët e lagjes Ëmshir që të lajmërojnë rastet e keqtrajtimit nga policia serbe.

Continue Reading

Aktualitet

Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

By

Presidenti ukrainas,  Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.

“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.

Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.

Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.

Continue Reading

Aktualitet

Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin

Published

on

By

Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.

Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.

Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.

“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.

Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.

Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.

Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.

“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”

Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.

Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.

“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”

Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë

Published

on

By

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.

Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.

Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.

“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.

“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”

Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.

Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/

Continue Reading

Aktualitet

Trump: Kemi arritur suksese në Iran, por lufta vazhdon

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi televiziv, deklaroi se ushtria amerikane pothuajse i ka përmbushur qëllimet e saj në Iran. Edhe pse lufta ka hyrë në javën e pestë, ai nuk dha një datë të saktë se kur do të përfundojë ajo, por u zotua se do ta kthejë këtë shtet në “Epokën e Gurit”, raporton Reuters.

Trump tha se forcat amerikane kanë shkatërruar marinën dhe aviacionin e Iranit, si dhe kanë dëmtuar rëndë programet e tyre raketore dhe bërthamore. “Ne i kemi të gjitha letrat në dorë, ata nuk kanë asgjë,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Përkundër këtyre deklaratave, mbeten ende çështje të pazgjidhura si statusi i uranit të pasuruar dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, e cila është pikë kyçe për furnizimin global me naftë. Trump u shpreh se kjo rrugë detare do të hapet “natyrshëm” sapo të përfundojë lufta.

Paralajmërimet për sulme të reja Presidenti njoftoi se SHBA do të godasë fort Iranin edhe për dy apo tri javë të tjera. Nëse udhëheqësit e rinj iranianë nuk pranojnë të bisedojnë, ai paralajmëroi sulme mbi rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e naftës.

Rritja e çmimeve dhe presioni ndërkombëtar Fjalimi i Trump nuk dha shumë shpresë për qytetarët amerikanë dhe aleatët, të cilët po përballen me rritjen e çmimit të derivateve. Trump ia hodhi fajin Iranit për shtrenjtimin e naftës dhe kërkoi nga vendet e tjera që varen nga ky furnizim të marrin drejtimin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Edhe pse u raportua se Trump mund të fliste për raportet me NATO-n, ai nuk e përmendi aleancën në fjalimin e tij 19-minutësh. Ndërkohë, tregjet financiare reaguan me rënie, duke reflektuar frikën se ky konflikt mund të zgjasë ende. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara