Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 10 mars, nga viti 1993-1999

Published

on

10 mars 1993

Lajmet kryesore: Vazhdojnë telegramet e ngushëllimit për viktimat e Shkupit; Ambasada e Gjermanisë ngushëlloi Shoqatën Shqiptaro-Gjermane; Milicia e armatosur serbe intervenoi dhe hoqi flamujt shqiptarë në Preshevë; U themelua Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë në Zvicër; Ministri i Mbrojtjes Italiane paralajmëron masa për të parandaluar konfliktin në Kosovë; Amerika në rrugë për forcimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi; Gjermania merr pjesë në hedhjen e ndihmave mbi Bosnjë-Hercegovinë;

 

Opinion: Viktimat e tragjedisë ajrore në Shkup dhe fashizmi i pushtetit dhe vetëdijes serbe

“Fashizimi i pushtetit dhe i vetëdijes serbe, është evident dhe për këtë tashmë ka dëshmi të shumta. Njëra prej këtyre dëshmive gjithësesi është edhe e dhëna se komisioni i ashtuquajtur republikan i Serbisë, për identifikimin e viktimave të tragjedisë ajrore në Shkup, siç njoftojnë mjetet serbe të informimit, prej dje mori edhe një detyrë të re. Ky komision, është autorizuar të “bëjë evidencimin dhe të gjejë pronarët e shumave të mëdha të valutave të huaja, të arit dhe të stolive, që i kishin me vete udhëtarët që vdiqën” në këtë tragjedi ajrore.

“Tanjug”-u, bën me dije se jozyrtarisht gjoja se pothuaj të gjithë udhëtarët që gjendeshin në aeroplanin e kompanisë ajrore “Foker”, kishin me vete “ari, marka gjermane, franka zvicerane dhe shuma të tjera të mëdha devizash”. Me një fjalë, shtypi serb dhe jo vetëm ai, sikur duan të përgatisin opinionin që viktimat e tragjedisë ajrore në Shkup, t’i shpallin kontrabandistë të arit dhe të devizave.

Se vetëdija e fashizuar nuk njehë kurrfarë normash morale dhe etike, është punë që dihet. Mirëpo, vërtetë është e pakuptueshme se si mund të fajësohen për kontrabandë edhe viktimat e kësaj tragjedie ajrore dhe atë ende pa u varrosur. Këtë vërtetë mund ta bëjë vetëm një pushtet që tashmë është fashizuar në të gjitha segmentet dhe raportet me njerëz, apo me ngjarje të caktuar”.

 

10 mars 1994

 Lajmet kryesore: Rezoluta për Kosovën e Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut; Rezoluta për ish-Jugosllavinë e Komisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut; Kumtesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës; Ambasadori i Shqipërisë në OKB kërkon angazhimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën; Ndërhyrja në Institutin Albanologjik – dëshmi për politikën e agresionit serb në Kosovë; Si njoftojmë masmediumet serbe për ndërhyrjet në Institut?; U kidnapua Abdyl Kadolli; Represioni i policisë serbe në Kosovë; Lëvizjet e ushtrisë serbe në Kosovë; Vdiq aktori Abdurrahman Shala.

 

10 mars 1995

 Lajmet kryesore: Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova; Policia serbe konfiskoi një sasi malli në tregun e automobilave në Prishtinë; Punëtorët shqiptarë vetëm me konkurs mund të kthehen në Fabrikën e Mobileve në Deçan; Në Maqedoni mund të dërgohen trupat e NATO-s?; “Associated Press” njofton për fushatën serbe të rekrutimit të të rinjve shqiptarë në Kosovë; Në komunën e Malishevës 231 të rinjve shqiptarë iu dërguan thirrjet për rekrutim; Dhuna e përditshme në Kosovë; Në Dermjak të Hanit të Elezit ushtarët dhe policët arrestuan l3 shqiptarë; Një i ri u dërgua në Gjykatën ushtarake në Nish; U hap procedura penale kundër një ish-drejtori në Vushtrri; Në Han të Elezit brenda një muaji policia plaçkiti mbi 46 mijë DM; Gjatë muajit shkurt në komunën e Malishevës policia mori në pyetje 71 veta dhe plaçkiti rreth 100 mijë DM; Në Bajnicë të Kaçanikut policia keqtrajtoi disa qytetarë; Në SHM “Kuvendi i Lezhës” në Pozhoran policia mori një profesor; Arben Rusi mbrohet në liri; Në Zagreb promovohet libri i dr. A. Stipçeviçit “Interpretime Albanologjike”; Këshilltarët shqiptarë nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit të KK të Kumanovës; Në Kumanovë filluan “Takimet poetike të Karadakut”;

 

 

10 mars 1997

Lajmet kryesore: Kryetari Rugova përgëzoi dr. Sali Berishën; F. Agani: “Trazirat në Shqipëri nuk do të na shtyjnë në përqafim të Millosheviqit”; Filloi punimet sesioni 53 i Komisionit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së; Reagim i SHSHK-së ndaj keqtrajtimit brutal të Bedri Halimit nga policia serbe; Në Pejë inspektorët serbë morën në pyetje bashkëshortët Kastrati; Dhuna e përditshme në Kosovë; Shqiptarët kundërshtojnë ngritjen e kishës serbe në Leshan; Në Gjykatën supreme serbe sot fillon shqyrtimi i ankesave të ish- policëve të Kosovës;

 

10 mars 1998

 Edicioni i orës 12:00:

Në Skënderaj u dërguan edhe trupat e dy të vrarëve

Numri i të vrarëve në Skënderaj nga 47 sa ishte njoftuar dje, u shtua edhe për dy. Policia serbe dërgoi dje trupat e Shaban Jasharit dhe të djalit të tij Hamzë Jasharit.

Duke përfshirë edhe gjashtë viktimat në Llaushë, tash numri i të vrarëve që dihen është 55 të vrarë.

Disa ditë më parë në Qirez dhe në Likoshan ishin vrarë 25 shqiptarë.

Gjatë një jave në fshatrat e Drenicës (Skënderaj e Gllogoc) u vranë të paktën 80 shqiptarë civilë.

Lajme të tjera: Një ekip i mjekëve nuk u lejua të shkonte në Skënderaj; Familjet e të vrarëve nuk lejohen të shkojnë në Skënderaj; Llausha mbahet e rrethuar; Sot në orën 17, qirinj për Drenicën në sheshin “Nëna Tereze”; Në Istog 18 protestues të plagosur; Sipas një ankete të CNN 84% e të anketuarve përkrahin intervenimin e NATO-s në Kosovë; Robert Gelbard arrin sot në Prishtinë; Parlamenti Evropian paralajmëron një rezolutë për Kosovën; Shqipëria kërkon që Greqia të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së Kosovës; Klark: “NATO-ja do të marrë një qëndrim më të qartë rreth Kosovës”; Haveli: “Konflikti në Kosovë duhet të ndalet që në fillim”; Geremek: Kosova nuk është vetëm çështje “jugosllave”; NATO-ja nuk don t’i “ikën treni” në Kosovë; U shtri për mjekim në Mitrovicë vajza e plagosur 12- vjeçare; Tre autobusë me gra dhe fëmijë erdhën dje nga Skënderaj në Mitrovicë; Organet e instaluara serbe dhe individët përkrahin aksionet dhe masakrat policore në Drenicë;

 

Edicioni i orës 14:50:

Lajmet kryesore:  Kryetari Rugova priti Ambasadorin Robert Gelbard; Deklarata e kryetarit Rugova dhe e ambasadorit Gellbard pas takimit të sotëm në Prishtinë; Në Brojë 110 veta mbahen të bllokuar nga policia në një shtëpi; Nga Gjakova u nisën 57 arkivole për viktimat e terrorit shtetëror serb në Skënderaj; 600 të ikur nga Drenica janë vendosur në Istog; Istog: Në protestën e djeshme 82 të lënduar; Policia e Kijevës ndaloi dhe i keqtrajtoi protestuesit nga Bubaveci; F. Sejdiu: Deklarata e Grupit të Kontaktit – përkushtim i bashkësisë ndërkombëtare për problemin e Kosovës; Policia pengoi shqiptarët e Bujanocit për të ardhur në protestë në Gjilan; Në Kosovë kanë ardhur edhe mercenarë serbë nga Bosnja; Natasha Kandiq: Forcat serbe në Qirez dhe në Likoshan kanë vrarë njerëzit e pafajshëm; Antonio Bellushi i drejtohet popullit të Kosovës;

 

Edicioni i orës 16:30:

Lajmet kryesore:  Pas takimit të Londrës për Kosovën – Kanadaja e para zbaton masat ndëshkuese ndaj Beogradit; Delegacioni i Republikës së Kosovës u takua dje me zëvendëskryeministrin e Turqisë Bylent Exhevit; Mësimi në komunën e Prishtinës rifillon nesër; 143 të rrahur gjatë protestave në Pejë; NATO-ja dhe Shqipëria pritet të debatojnë për Kosovën; Llausha përpara krimit të paralajmëruar; Papa Gjon Pali i Dytë priti imzot Mark Sopin.

 

Shpalohet tmerri që ndodhi në Prekaz

Në një reportazh nga disa fshatra të Drenicës me titull “Shpalohet tmerri”, të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Bujku” sillen dëshmi të njerëzve që kanë përjetuar masakrën e forcave policore e ushtarake serbe në Prekaz të Ulët. Po japim një pjesë të këtij reportazhi.

“E reja Syleme Jashari e përshkroi ngjarjen e atij mëngjesi të ditës së enjte, kur forca të mëdha policore e ushtarake, nga një largësi nisën të hedhin granata drejt shtëpive të tyre. Të gjendur në atë breshër, mundësia e vetme për t’i ruajtur kokat ishte zbritja në katin e parë dhe futja e fëmijëve nën shkallët e ndërtesës.

– Ishim të gjithë së bashku, vazhdon ajo, kurse vëllau Halili doli të shikonte se ç’po ndodhte. Brenda ishim tridhjetë vetë, prej moshës një deri në gjashtëdhjetëvjeçar. Ne më kot pritëm të kthehej Halili, por ai nuk u kthye. Në atë moment të vetmen lidhje e kishim me LDK-në, të cilët në një moment na thanë ‘Vetëm Zoti mund t’ju ndihmojë’, pastaj humbën edhe këto lidhje. Kur ranë granatat mbi ndërtesë, atëherë askush s’ka menduar se do të dalë i gjallë. Granata rrënoi gjysmën e shkallëve, ndërkaq nën shkallë i kishim fëmijët. Në këtë moment nga dritarja e banjës hodhën lotësjellës dhe ne tani e kishim shumë vështirë të shihnim që të dilnim jashtë. E pamë se edhe me ne do të ndodhë njësoj si në Likoshan, u bindëm se vinin të na masakronin. Sana jashtë digjej, shtëpia me të gjitha të tjerat në oborr u bombarduan dhe, ashtu duke i mbajtur fëmijët, dolëm në oborr ku pritnin kordone policësh. Në kordonin e parë na urdhëruan të shkonim te kordoni i dytë i policëve, të cilët i kishin fytyrat të ngjyrosura me të zezë. Ata bënë gati automatikët të na pushkatonin. Ne vazhduam të largohemi nga oborri, – thotë e tmerruara Sylemja – kurse Nazmiun njëzeteshtatëvjeçar, i cili po e mbante nënën e sëmurë për krahu, e rrëmbyen dy policë, të cilët aty për aty, në prani të nënës, e shtrinë përtokë dhe nga afërsia ia lëshuan rafalet mbi trup. Pasi që e pushkatuan Nazmiun ne na thanë se pas meshkujve do të na pushkatojnë që të gjithëve dhe ne ikëm arave… kurse policët vraponin t’i zinin fëmijët meshkuj për t’i vrarë, siç bërtitnin ata. Me këtë rast u plagos një tetëmbëdhjetëvjeçar. Tani hasëm në rrethin e tretë të policisë, të cilët Zukën, tetëdhjetëvjeçar, filluan ta godasin me kundakë automatikësh. Afër një prrocke, – vazhdon të rrëfejë motra, – policët e plagosën rëndë vëllanë tim, Beqirin. Ne provuam t’i ndihmojmë, por ai na lutej që të iknim e ta linim dhe thërriste t’ia ruanim fëmijët… Në atë rrëmujë u plagosën edhe dy vajza me nënën e vet, vritet djali i axhës tim, Qazimi dhe djali i vëllait, Faiku. Gjatë ikjes pashë edhe një plak të vrarë, një tjetër të plagosur…”

Këto shënime, në të vërtetë, paraqesin vetëm një dromcë nga gjithë ajo tragjedi e terrorit serb mbi popullatën e pambrojtur. Vetëm në Shipol, siç thanë, ka edhe shumë familje të tjera, gra e fëmijë që s’dinë ende për meshkujt, pos për ata që vetë i kanë parë të vdekur para dyerve të shtëpive, nëpër oborre, nëpër rrugë dhe në ara”, përfundon reportazhi i “Bujkut”.

 

 

Edicioni i orës 18:00:

Lajmet kryesore: Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë

Në hyrje të Skënderajt, në një servis të materialit ndërtimor “Servisi i Lahut” gjenden trupat e masakruar të 53 shqiptarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët dhe Skënderaj përgjithësisht.

Pamja e kufomave të paluara ngjitas njëra tjetrës, në dy radhë tmerrësisht të gjatë, është e llahtarshme. Afër njëri tjetrit janë trupat e anëtarëve të familjeve të tëra. Nga një familje janë masakruar ose vrarë edhe 19 anëtarë, nga një tjetër pesë.

Pamja e trupave të vrarë është dëshmi për aksionin terroristik me qëllim të masakrimit të popullsisë. Dy trupa janë të goditur nga granatat, njëri në gjoks, tjetri në fyt. Trupi i Shaban Jasharit është masakruar me thikë. Në trup ka një xhep të hapur me thikë, njëra dorë i është këputur, ndërsa sytë i janë nxjerrë. Një të riu i është çarë koka përgjysmë.

Shihet se njerëzit janë vrarë me armë të rënda. Disave u është marrë shpirti dalëngadala me torturë. Adem Jashari, kundër të cilit thotë policia se e ka organizuar aksionin, ka vetëm një vrimë plumbi në fyt.

Të llahtarshme duken pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë.

Zenë Jasharit, një 48 vjeçari, i janë vrarë Blerimi 5-vjeçar, Bujari 12-vjeçar, Abdullahu 15-vjeçar dhe gruaja Bahtie 43-vjeçare, e cila ishte shtatzënë. Gruaja me tre fënmijët e tij kishin shkuar për t’u strehuar te axha Haliti. Mirëpo, pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej. Nga bombardimet ishin vrarë në vend gruaja dhe djali Avdullahu. Ndërsa, dy fëmijët e vegjël policia i kishte marrë me vete dhe i kishte dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit.

– Mendoja se janë gjallë, por u tmerrova kur i pash trupat e tyre të vrarë që i solli policia! – thotë ai.

Trupat e dy fëmijëve kanë plot shenja të goditjeve me mjete të forta. Blerimi ka shenja në anën e djathtë të kokës, ndërsa Bujari është qëlluar edhe me një plumb në tamth në anën e majtë.

– Qe dy ditë e dy net qëndroj këtu. Nuk mund të ndahem nga trupat e vrarë të fëmijëve të mi!- thotë Zena.

Tronditës ishte momenti i identifikimit të të vrarëve gjatë ditës së sotme. Shumë anëtarë të familjeve, për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, nuk e kanë bërë ende identifikimin e të vrarëve.

Abaz Jashari, 22-vjeçar, nuk mund ta përballonte sot tmerrin kur i pa trupat e babait e gjyshes së vrarë për të cilët shpresonte se ishin gjallë. Dhembja e tij ishte edhe më e madhe nga frika se mund t’i jetë vrarë edhe i vëllai i tij në moshë të re, trupin e të cilit e kërkonte.

Në këtë morg të improvizuar, aktivistët e LDK-së dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut përpiqeshin të kryenin identifikimin e të vrarëve. Deri më tash ata kanë arritur të identifikojnë 37 të vrarë. Katër kufoma vështirë se do të mund të identifikohen, pasi janë të karbonizuara. Identifikimi bëhet vështirë edhe për shkak se banorët e Prekazit të Ulët mbahen ende në një rrethim të fortë.

Të gjithë janë të sigurtë se numri i shqiptarëve të vrarë është më i madh se ky që njihet deri më tash. Askush deri më tash nuk e ka kontrolluar terenin e Prekazit të Ulët as shtëpitë që janë sulmuar.

Për të humbur gjurmët e krimit, policia ka bërë presion gjatë gjithë ditës ndaj aktivistëve të LDK-së dhe anëtarëve të familjeve me qëllim që të kryhet brenda ditës varrimi i të vrarëve. Përgjegjësit e policisë serbe në Skënderaj janë kërcënuar disa herë gjatë ditës se do t’i varrosin vetë të vrarët, nëse këtë nuk e bëjnë familjet e tyre.

Varrimi do të jetë i vështirë edhe për shkak të numrit të pakët të njerëzve që do të përgatisnin ceremoninë e varrimit. Nga disa familje nuk ka mbetur askush në Prekaz ose në Skënderaj, pasi, ose janë vrarë, ose janë larguar në vende të tjera.

Në Skënderaj gjatë ditës së sotme kanë qëndruar përfaqësues të disa organizatave humanitare ndërkombëtare dhe ekipe televizive të disa qendrave të njohura në botë. Mirëpo, policia serbe nuk ia lejoi hyrjen në Skënderaj as sot një delegacioni të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Hënës së Kuqe.

Skënderajn sot e vizitoi një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përbërje Anton Noka, nënkryetar, mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm, dr. Rexhep Gjergji, Basri Musmurati, Abdyl Ramaj, Ramë Buja, anëtarë të Kryesisë, dr. Edi Shukriu, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Naim Jerliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe Enver Maloku, përgjegjës i Qendrës për Informim të Kosovës.

Delegacioni nuk mundi të bisedonte me udhëheqjen e Degës së LDK-së, pasi shumica prej tyre janë të bllokuar në Llaushë, ose në fshatrat tjera.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Skënderaj që mundën të bisedonin me këtë delegacion thanë se gjendja në Skënderaj është dramatike në të gjitha planet. Në planin e sigurisë fizike, janë të kërcënuar të gjithë banorët e Drenicës. Forcat serbe në gjendje të gatishmërisë më të lartë kërcënojnë praktikisht secilin. Në kodrat për rreth Skënderajt shiheshin snajperistët serbë, të cilët mbajnë në rrethim të plotë qe disa ditë fshatrat dhe vetë qytezën e Skënderajt.

Gjendja dramatike është edhe në shëndetësi dhe në ushqime. Nga frika ose mungesa e mallrave, në Skënderaj pothuaj nuk rri hapur asnjë shitore. Si në qytet, ashtu edhe në fshatrat e Drenicës përskaj udhës Komoran – Gllogoc – Skënderaj sundojnë pamje të tmerrit që vazhdon. Këto pamje japin pamjen e një jete të shkretëruar. Gjatë shkuarjes dhe kthimit në rrugën që përshkon disa fshatra të Drenicës nuk shihet njeri të lëvizë as tym në oxhaqet e shtëpive. Në Komaran, për një orë, nuk u pa qoftë një njeri në rrugë, ose në shtëpitë për rreth.

Aktivisti i LDK-së Rifat Bejta i tha QIK-ut se nga të vrarët, janë identifikuar deri më tash këta persona:

  1. Qazim Jashari
  2. Nazmi Zukë Jashari
  3. Sinan Ramadan Jashari
  4. Zarife Bahtir Jashari
  5. Zaha Jashari
  6. Kushtrim Adem Jashari
  7. Ali Ramdan Jashari
  8. Osman Shaban Geci
  9. Faik Tahir Jashari
  10. Adem Shaban Jashari
  11. Beqir Bajram Jashari
  12. Sherif Brahim Jashari
  13. Hajrez Zymer Jashari
  14. Halit Imer Jashari
  15. Halil Bajram Jashari
  16. Bahtie Muharrem Jashari
  17. Isak Feriz Halili
  18. Feride Ramadan Jashari
  19. Besim Hamzë Jashari
  20. Blerim Zenë Jashari
  21. Bujar Zenë Jashari
  22. Abdullah Zenë Jashari
  23. Elhame Jashari
  24. Murtez Zymer Jashari
  25. Fatime Gashi
  26. Makfirete Gashi
  27. Gazmend Gashi
  28. Sadik Miran Kaçkini
  29. Miftar Rreci
  30. Hamzë Shaban Jashari
  31. Shaban Jashari
  32. Qerim Hamzë Jashari
  33. Blerim Hamzë Jashari
  34. Igball Rifat Jashari
  35. Fatushe Hamzë Jashari
  36. Elfete Hamzë Jashari
  37. Adile Jashari

 

Lajmet e tjera: Prishtinë: Homazh për viktimat e terrorit serb në Drenicë; Policia pengoi shkuarjen e gazetarëve në Skënderaj e Prekaz; Lëvizje të policisë në drejtimin Skënderaj-Mitrovicë.

Edicioni i orës 19:45:

Gelbard: Poblemit në Kosovë, qeveria serbe qe dhjetë vite i është qasur vetëm me dhunë e represion; Konferencë për gazetarë e drejtuesve të LDK-së pas vizitës në Skënderaj; Felipe Gonzalesi i dërguar i posaçëm i OSBE-së për Kosovën; Veprimtarëve të LDK-së në Vushtrri u merren letërnjoftimet dhe urdhërohen të paraqiten në polici.

 

10 mars 1999

Lajmet kryesore të edicionit të paradites:

Vushtrri: Një shqiptar u vra dhe dy të tjerë u plagosën gjatë ofensivës së djeshme; Forcat serbe granatuan fshatrat e Llapit; Edhe mbrëmë u granatuan fshatrat e Mitrovicës e të Vushtrrisë; Huliganët serbë sulmuan nxënësit shqiptarë; Forcat serbe plaçkitën e dogjën Shtrazhën, Kotlinën, Ivajën; Istog: Një shqiptar u mor në pyetje në sigurimin serb.

 

Edicioni i orës 13:30:

Gjakovë: Në pullazin e shtëpisë së një shqiptari u hodh një mjet shpërthyes; U identifikua trupi i pajetë që ndodhet në spitalin e Gjakovës; Prizren: Tre shqiptarë u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg; Prizren: Persona të panjohur plagosën një shqiptar; Hysen Suma u varros në Bllacë të Maqedonisë; Policia e Serbisë shpalli fletarrest për 8 udhëheqës të UÇK-së; Forcat ushtarake serbe qëlluan një automjet të OSBE-së; Ushtarët serbë bastisin shtëpitë e boshatisura në Batushë të Gjakovës; Podujevë: Një i ri shqiptar u arrestua nga policia serbe; Nuk dihet për fatin e Ragip Shalës nga Oktashtica; Prej dje nuk dihet për Fadil Tolajn nga Gjakova; Kërkohet Sabri S. Morina; Uiliam Uoker vizitoi Gjilanin; Në kazermën ushtarake serbe të Prishtinës ka arritur një tren special me ushtarë; Riçard Hollbruk arriti në Beograd; Joshka Fisher qëndroi dje në Tiranë; Tajmz: Bleri kërcënon Millosheviqin se mund të akuzohet për krime lufte në Kosovë; Jirzhi Dinstbir u takua me Uilliëm Uokerin; KNKK solli tri autoambulanca në Kosovë; Igor Ivanov më 11 e 12 mars viziton Beogradin e Tiranën; Dhoma përfaqësuese e Kongresit amerikan debaton për dërgimin e trupave në Kosovë; Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës nuk ka shtyrje të bisedimeve shqiptaro-serbe.

 

Edicioni i orës 14:00:

Vushtrri: Në mesditë filloi përsëri granatimi i fshatrave rrëzë Qyqavicës; Shpërthim i fuqishëm në Rahovec; Të shtëna drejt fshatrave të Malishevës; Pejë: Edhe dy shqiptarë u dënuan me burg; Shtime: Një konvoj i forcave serbe shkoi në drejtim të Grykës së Carralevës; Forcat serbe arrestuan sot në afërsi të Shtimës një mësues shqiptar.

 

Edicioni i orës 15:30:

Vushtrri: Në afërsi të fshatit Druar forcat serbe plagosën tre të rinj shqiptarë; Pothuaj i tërë fshati Shallc i Vushtrrisë u dogj sot nga forcat serbe; Policia ka bllokuar spitalin e Mitrovicës; Ferizaj: Lëvizje të forcave serbe; U arrestuan dy veprimtarë të SHHB “Nëna Tereze” në Suharekë; Në Krilevë të Kamenicës policia serbe arrestoi një shqiptar.

 

Edicioni i orës 17:00:

Forcat serbe dogjën fshatrat Shallc, Druar e Mihaliq të Vushtrrisë; Podujevë: Sot forcat serbe granatuan sërish fshatin Godishnjak; Hani i Elezit po mbahet i bllokuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë serbe; Në Prishtinë tre persona të maskuar tentuan të kidnapojnë një fëmijë shqiptar;

Gllogoc: Nga Llapushniku forcat serbe po shtijnë me armë zjarri; Kaçanik: Banorët e Kërbliqit u urdhëruan nga ushtarët serbë që t’ua bartin armatimin.

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara