Lajmet

“Diskriminuese”, ilaçi i imunoterapisë nuk jepet falas për të gjithë

Published

on

Disa pacientë të prekur me lloje të ndryshme të kancerit detyrohen ta sigurojnë vet ilaçin e imunoterapisë Keytruda – Pembrolizumab. Ky medikament, i cili është pjesë e listës së barnave esenciale, në Kosovë jepet falas vetëm për pacientët e prekur me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

Kjo ishte përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) me përditësimin e listës së barnave esenciale, në vitin 2023.

Këtë vendim, ministria e arsyeton duke thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Pembrolizumabin e ka vlerësuar me efikasitet vetëm për një lloj kanceri.

Por, nga kjo ministri gjithashtu, thonë se edhe mundësitë buxhetore e kufizojnë dhënien falas – për çdo lloj të kancerit – të këtij medikamenti.

Mundësitë buxhetore janë të tilla që nuk mund t’i aprovojmë këta barna të shtrenjta për çdo lloj të kancerit. Përzgjedhja e produkteve bëhet duke u bazuar [dhe jo vetëm] në gamën e efikasitetit të këtyre barnave [do të thotë jo vetëm a është efikas bari por edhe sa është magnituda e efikasitetit] te kanceri i caktuar dhe kosto-efikasitetin në kushtet e Kosovës. Sipas listës model të OBSH-së, e përgatitur nga ekspertët më eminentë të fushës, pembrolizumab është i aprovuar vetëm për një lloj të kancerit, ku edhe e ka treguar efikasitetin më të lartë. Fatkeqësisht, e njëjta gamë e efikasitetit nuk vërehet edhe te disa [lloje të] kancer të tjerë. Kjo është arsyeja pse në listën model të OBSH-së janë refuzuar edhe aplikacionet për imunoterapitë dhe target terapinë tjetër përveç pembrolizumabit [siç është rasti me atezolizumab, cemiplimab, palbociklib]”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë që ky ilaç, i cili mban kosto të lartë të blerjes, në një periudhë afatshkurtër t’u ofrohet edhe pacientëve të prekur me lloje të tjera të kancerit.

Komiteti Kyç për përpilimin e LBE [Listës Esenciale të Barnave] është përgatitur që në çdo revidim të radhës, në rast se plotësohen kushtet, të bëjë intervenime me barna të rinj. Komiteti Kyç ka pasur përkrahjen e plotë të ministrit të MSH-së dhe SHSKUK-së në këtë drejtim, dhe jemi të bindur që në një periudhë afatshkurtër do të kemi lajme të mira në këtë drejtim”, thuhet po ashtu në përgjigjen e MSH-së.

Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi pranon se nga revidimi i fundit i bërë për listën e barnave esenciale është vendosur që Pembrolizumab të jepet vetëm për pacientët që janë të diagnostikuar me kancer të mushkërive dhe lëkurës.

Me revidimin e para një vit e gjysmë, indikacionet për imunoterapi të përcaktuara për dhënien e këtyre ilaçeve për pacientë, është marr vendim dhe është futur në listë esenciale të merren për rastet që kanë kancer të mushkërive me disa karakteristika të veçanta për tumoret me qeliza të mëdha dhe të cilët kanë testim për PDL1 dhe tumoret e lëkurës, konkretisht për melanoma dhe tumor të veshkave si linjë e dytë e trajtimit nëse i plotëson konditat”, theksoi ai.

Kurtishi thotë se pacientët e tjerë të prekur nga lloje të tjera të kancerit të cilëve u përshkruhet ky ilaç nga specialistët onkologjikë, duhet ta sigurojnë këtë bari.

Jo vetëm atë [Pembrolizumab], por kanë edhe disa barna që pacientët i sigurojnë vetë të cilët nuk janë në listë esenciale qoftë për kancer të mëlçisë, kancer të gjirit, të mushkërive disa forma tabletare apo forma të veçanta që kanë impakt në shëndetin e tyre dhe shpresojmë t’i kemi në listë esenciale dhe pacientët t’i marrin tek ne”, theksoi ai.

Ky dallim po konsiderohet diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë marrin trajtime sipas nevojave të tyre.

Absolutisht është diskriminuese dhe e papranueshme që imunoterapia apo terapi të tjera të ndahen për kategori të caktuara dhe të mos ndahen për të gjitha kategoritë. Për neve është e papranueshme dhe në njëjtën kohë diskriminuese që pacientët të përjashtohen nga tretmanet të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për gjendjen e tyre shëndetësore. Për neve si monitorues të të drejtave të njeriut është e domosdoshme dhe patjetër e rëndësisë të parë që të gjithë personat, pavarësisht sëmundjeve, të marrin tretmanin në raport me gjendjen dhe diagnozën që ata kanë. Për neve nuk është me rëndësi a është e përcaktuar në listën esenciale qoftë një bari ose një trajtim. Për neve është absolutisht me rëndësi që të gjithë ata të trajtohen në bazë të specifikave që ata kanë“, thotë Demolli.

Edhe anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu i konsideron diskriminuese këto dallime.

Terapia është për të përmirësuar shëndetin dhe nuk duhet të ketë diskriminim nëse mjekët onkologë parashohin që pacientit duhet t’i jepet imunoterapia, atëherë këtë nuk mund t’ia ndaloj Ministria e Shëndetësisë, është në kundërshtim me të drejtat e pacientit, gjithmonë beteja bëhet për të shpëtuar jetën, mirëpo edhe për të përmirësuar shëndetin e pacientëve këtë rast ky kufizim të cilin e ka bërë Ministria e Shëndetësisë është në kundërshtim me ligjin e shëndetësisë dhe të drejtat e pacientëve”, thotë Haxhiu.

Në Kosovë, aplikimi i imunoterapisë kundër kancerit ka nisur në vitin 2021. Bëhet fjalë për një trajtim të sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.

Sipas Klinikës së Onkologjisë vetëm këtë vit në Kosovë janë identifikuar mbi 1 mijë raste të reja me kancer.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Jeta në male, 1998/1999

11 gusht 1993

 Valë e shtuar e represionit serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë

Dje, në Prizren, policia serbe prej orës 10.30 deri në ora 11.55, bastisi familjet e prof.Masar Shportës, i cili gjendet në paraburgim nga 7 gushti, të Safet Dorambarit, veprimtar i Sindikatës së Pavarur dhe të Agron Shportës, përkthyes nga anglishtja i Misionit të KSBE-së në Prizren.

Gjithashtu nga Prizreni merret vesh se asnjëri nga veprimtarët, të cilët më parë janë arrestuar nga policia serbe, siç janë Selajdin Braha, Skënder Berisha, Kadri Kryeziu, Behajdin Hallaqi, Masar Shporta dhe Sylejman Sylejmani, nuk janë liruar. Disa nga të arrestuarit, si Masar Shporta, Agron Shporta dhe Selajdin Braha, ishin në kontakt të vazhdueshëm me Misionin e KSBE-së në Prizren, prandaj dyshohet me të drejtë se policia i bastisi dhe i arrestoi këta persona, pikërisht për shkak të këtij bashkëpunimi.

Merret vesh se ndaj Skënder Berishës ka filluar procedura penale.

Gjithashtu dje rreth orës 9 në Prizren, policia serbe arrestoi mjekun e ambulancës popullore “Humanisti I”, Arsim Çavdarbashën.

Vlen të theksohet se ambulanca popullore “Humanisti I” në Prizren ofronte shërbime mjekësore dhe barna gratis për rastet sociale.

Sot, rreth orës 12, policia serbe rrethoi familjet e Hasan, Xhevat, Imer e Shahin Jasharit dhe Sadik Prekoragjës në fshatin Batllavë të Podujevës. Policia bllokoi këto familje dhe u kërcënua se ose duhet t’i dorëzojnë të gjitha armët, ose policia do t’i bastisë ato. Deri në orën 14, këto familje po mbahen të bllokuara.

Gjithashtu sot rreth orës 11, në zyrën e LDK-së në Prizren, erdhën organet e sigurimit shtetëror të policisë serbe dhe kërkuan Qazim Kabashin. Me këtë rast policët legjitimuan kujdestarët që ishin në lokalet e Degës së LDK-së në Prizren.

Represioni policor mbi veprimtarët e LDK-së u shtri edhe në komunën e Lipjanit. Sot në fshatin Poturovc të Lipjanit u bastis shtëpia e Heset Sahitit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Lipjan. Heseti prej dje gjendet në arrest në organet e policisë serbe.

Në këtë bastisje morën pjesë 16 policë dhe civilë serbë, të cilët demoluan dhe thyen mobilet si dhe gjësende të tjera në këtë shtëpi. Pas bastisjes, policia arrestoi edhe vëllain e Hesetit, Daut Sahitin (1974). Edhe Dauti po mbahet në arrest, për gjoja ikjen nga obligimi ushtarak.

Siç njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri, dje u bastis sërish familja e Islam Pllanës nga fshati Shtitaricë i Vushtrrisë. Policia arrestoi të birin e Islamit, Hasim Pllanën, me ç’rast u gjet një revole dhe një pushkë. Hasimi u lirua, por me kusht që të paraqitet sot në organet policore serbe.

Gjithashtu nga Vushtrria merret vesh se Ramadan Pllana, anëtar i Kryesisë së LDK-së Dega në Vushtrri dhe ish i burgosur politik, vazhdon të mbahet në paraburgim në Mitrovicë.

Komisioni për Informim i LDK-së nga Suhareka bën të ditur se sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Bllacë të Suharekës u bastisën tri familje shqiptare nga një ekspeditë prej afro 50 policësh serbë, të cilët gjatë bastisjes bënë rrëmujë në familjet e tyre. U bastis familja e Deli Sukës, të cilit iu arrestuan dy djemtë, Nazmiun (23) dhe Fehmiun (21); ata u dërguan në organet e policisë në Suharekë. Fehmi Sukën policia serbe e rrahu deri në alivanosje në prani të anëtarëve të familjes. Policia konfiskoi një sasi të konsiderueshme librash. Ajo bastisi edhe familjen e Ferat Sukës (70), i cili u rrah në prani të anëtarëve të familjes dhe pastaj u arrestua. Pas bastisjes, është hetuar se mungon një medaljon dhe një zingjir ari, me vlerë prej 1.500 markash gjermane. Policia serbe në këtë fshat bastisi edhe familjen e Milaim Sukës (55), të cilin e arrestuan së bashku me të birin, Fatmirin.

Në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, rreth orës 6 të mëngjesit, u bastis familja e Shefket R.Bashës. Sipas Komisionit për Informim të LDK-së së Suharekës, Shefketi u arrestua për shkak se ishte mysafir në familjen e Fehim Sukës nga Bllaca.

Dje, rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Ramadan Bajrakliut, me ç’rast kërkoi vajzën e tij, Sevdien, e cila nuk gjendej në shtëpi.

Anëtarëve të kësaj familjeje policët i thanë se Sevdie Bajrakliu duhej të lajmërohej sa më parë në stacionin e policisë në Ferizaj.

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjet e vëllezërve Enver dhe Musli Paçarrizi në Dragobil të Malishevës. Merret vesh se para se policët të fillonin bastisjen, shtinë disa herë me rafale automatikësh.

Pas kësaj bastisjeje, e njëjta ekspeditë ndërmori edhe një aksion të ri ndaj pronarëve të lokaleve zejtare dhe dilerëve të devizave në Malishevë. Policët thyen lokalin e Halil Kryeziut nga Pagarusha, pastaj bastisën dyqanet e Enver Paçarrizit, Faton e Mustafë Krasniqit, të Sali Kryeziut, si dhe të Muhamet e Idriz Zogajt, ndërsa në lokalin e Behxhet Bytyçit, përveç bastisjes, policia kontrolloi të gjithë qytetarët që gjendeshin në lokalin e tij.

 

 11 gusht 1994

Represioni në Kosovë

Gjilan: – Pardje prej orës 9:00 deri rreth orës 12:00, inspektorët serbë morën në pyetje, Mexhid Canin, aktivist i LDK-së në fshatin Llashticë të Gjilanit. Inspektorët serbë nga Mexhid Cani u interesuan të dinë rreth aktivitetit të LDK-së. Atij i thanë se nëse nuk i dorëzon armët kundër tij do të përdoret dhuna.

Dje në fshatin Stanishor, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Xhemail Ahmetit. Meqë policia nuk gjeti asgjë, ata shkuan edhe tek axha i tij, Hysen Ahmeti nga i cili po ashtu kërkuan armë. Policia iu kërcënua Hysen Ahmetit se nëse nuk dorëzon armën, do t’i mirret pasaporta.

Hysen Ahmeti u urdhërua që për shkak të marrjes së pasaportës, në polici të paraqitet më 1 shtator.

Vlenë të theksohet se Hysen Ahmeti punon përkohësisht në Gjermani tash 25 vjet.

Viti: – Pardje, policia serbe rrethoi dhe bastisi gjashtë familje në Remnik të Vitisë. Njoftohet se policia serbe e stacionit të policisë së Ferizajt, gjatë bastisjes u soll me vandalizëm, me ç’rast keqtrajtuan kryefamiljarët.

Pas bastisjes, policia mori me vete Pajush Pajazitin, Isak Hajdarin, i cili dorëzoi një revole, Xhavit Sejdiun, i cili po ashtu dorëzoi një revole, Sabit Rexhepin, Enver Aliun, i cili dorëzoi një automatik, dhe Ali Aliun, i cili po ashtu dorëzoi një revole.

Enver Aliu u ndal në polici, ndërsa personat tjerë u liruan me kusht që të paraqiten sërish në polici.

Skënderaj: – Dje, policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, rreth katër orë mori në pyetje dhe e keqtrajtoi fizikisht Xheladin Abdullahun nga fshati Açarevë i Skënderajt. Në fillim, policia nga Xheladin Abdullahu kërkoi një automatik, ndërsa më vonë policia nga ai kërkoi që të dorëzojë një revole.

Vlenë të theksohet se Xheladin Abdullahu prej datës 26 deri më 29 korrik të këtij viti, nën pretekst të kërkimit të armëve qe keqtrajtuar brutalisht në polici, ndaj të  cilit qe përdorur edhe elektroshoku. Gjatë kësaj kohe, policia pat keqtrajtuar edhe babain e tij, Hajdin Abdullahun.

 

 11 gusht 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Ferizaj: – Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policia mori në shtëpinë e tij Ruzhdi Bytyçin (1968) nga fshati Mirosalë i Ferizajt. Në stacionin e policisë në Ferizaj ai u keqtrajtua fizikisht deri sa u alivanos. Ai është liruar me kërcënimin se do të mirret prapë në polici.

Mitrovicë: – Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të një revolje, tre policë ishin në shtëpinë e Shukri Sh. Begut (46) në fshatin Vllahi të Shalës dhe e urdhëruan atë që të nesërmen të paraqitet në stacionin e policisë në Stantërg. Më 10 gusht ai u mbajt rreth tri orë në polici dhe u keqtrajtua fizikisht.

Të njëjtit policë shkuan edhe në shtëpinë e Sokol R. Miftarit në të njëjtin fshat dhe kërkuan prej tij të dorëzojë një revole dhe një pushkë. Edhe ai të nesërmen, në stacionin e policisë në Stantërg u mbajt rreth tri orë. Ai është liruar, por policia ka kërkuar prej tij të paraqitet në polici sa herë që ta thërrasin.

Në të njëjtin fshat, policët ishin edhe në shtëpitë e Halim I. Kurtit (43) dhe Pajazit B. Feratit (60) dhe prej tyre kërkuan të dinë se ku gjenden disa bashkëfshatarë të tyre.

Më 9 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policët bastisën shtëpinë e Bujar M. Mujës (26) në lagjen Tavnik të Mitrovicës. Një pushkë dhe një revole, të cilat i kërkonte policia, babai i Bujarit, i ndjeri Muja, i kishte dorëzuar para tri vitesh.

Viti: – Më 9 gusht, tre policë të stacionit të policisë në Viti, shkuan në shtëpinë e Jakup Sahitit në fshatin Gjylekar, i cili ndodhet përkohësisht në botën e jashtme dhe nga bashkëshortja e tij morën një revole. Një armë policët e morën edhe në shtëpinë e Ilmi Sahitit, ndërsa kërkuan edhe Reshat e Ismet Sahitin, të cilët ndodhen në punë në botën e jashtme.

Malishevë: – Më 8 gusht, policia serbe e postkomandës së Kijevës, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjet e vëllezërve Adem e Feriz B.Krasniqi në fshatin Drenoc të Malishevës. Policia kërkoi edhe vëllain e tyre, Zenun Krasniqin i cili është i punësuar përkohësisht në botën e jashtme. Adem e Feriz B.Krasniqi në postkomandën e Kijevës u maltretuan psikikisht.

 

11 gusht 1997

U bllokua kontrabanda drejt Malit të Zi

Burimet policore shqiptare, të cilave u referohet AFP, bëjnë të ditur se ka filluar një luftë kundër kriminalitetit dhe bandave në gati gjithë Shqipërinë. Po këto burime policore thonë se gjatë javës së kaluar në mbarë Shqipërinë u vranë 45 veta ose 15 më pak se një javë më parë. Sa i përket luftës kundër kontrabandës, sipas këtyre burimeve, dje janë bllokuar 20 kamionë me cigare kontrabandë që vinin nga Greqia, ndërsa është bllokuar edhe pjesa kufitare në Malin e Zi për të penguar kalimin e mallit të kontrabanduar si dhe një sasi e madhe e hekurinave për në shkritoren e Nikshiqit.

Me vendim të ministrit Ceka, është krijuar edhe një drejtorat, i cili do t’i mbrojë të huajt të cilët vijnë të investojnë në Shqipëri.

 

11 gusht 1998

Pesë të vrarë u dërguan mbrëmë në morgun e spitalit të Gjakovës

Burimet e lDK-së nga Gjakova njoftuan mbrëmë vonë se në morgun e spitalit janë dërguar trupat e pajetë të pesë shqiptarëve të vrarë.

Thuhej se gjatë ditës së djeshme kanë qarkulluar shpesh veturat e ndihmës së shpejtë dhe helikopteri, çka nënkupton se kishte të vrarë edhe në mesin e pjesëtarëve të forcave serbe.

 

Pas ofensivës së forcave serbe në Drenicë, dihet për së paku 13 të vrarë

Gjatë ofensivës së forcave serbe në Drenicë janë vrarë Sami Xhemajl Veliqi (16) nga Polaci, Elmi Veli Kadiru (51) nga Likoci, me të meta psiqike, Sokol Gashi (60) nga Rezalla, Havë Zabeli nga Rezalla, plakë e paralizuar, një plakë me emrin Rabë nga Llusha, plakë, e mbytur në Rezallë të Re, ku u varros mbrëmë, shtatë ditë pas vrasjes, Zekë Durmishi (52) nga Rakinica dhe Dibran Idrizi (70) Kopiliq i Ulët, njofton NMDLNJ në SKënderaj.

Sipas dëshmitarëve në familjen e Jakup Gecit në Llaushë të vrarë janë nëna e tij, motra, një mikateshë me vajzën nga Vitaku që ishin mysafirë.

Po ky burim bën të ditur se janë edhe dy trupa të pajetë, njëri te Lutanët e Turiqecit, i pa identifikuar dhe i pavarrosur, ndërsa tjetri në Rakinicë, gjithashtu i paidentifikuar dhe i pavarrosur.

Të humbur, që dyshohet se i ka marrë policia, janë: Sadri Tafë Geci (67) nga Llausha, Sami Rrahim Geci (25) nga Llausha, Mustafë Hazir Geci (28) nga Llausha.

Bëhet e ditur se gjendja sot në Drenicë është e qetë dhe nuk ka të shtëna. Policia është tërhequr nga shumë pozicione si nga Likoci, Makërmali, Rezalla. Ka infomracione se ajo është tërhequr edhe nga kryqi i rrugëve në Rakinicë, prej ku ditëve të fundit është granatuar tërë Drenica.

 

Gllogoc: Rreth 20 mijë shqiptarë po qëndrojnë nën qiellin e hapur

Edhe më tej po vazhdon gjendje e rëndë dhe dramatike në komunën e Gllogocit, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Bëhet e ditur se në Grykën e Vuçakut dhe të Tërdecit janë vendosur mijëra banorë, të cilët nga dhuna serbe ia kanë braktisur vatrat e tyre.

Njoftohet se vetëm në fshatrat Negroc, Vuçak, Tërdec e Abri e Epërme, janë vendosur afro 20 mijë banorë shqiptarë që kanë braktisur vatrat e tyre. Ata janë strehuar pjesërisht në shtëpitë shqiptare, ndërsa shumica e tyre po qëndron edhe më tej nën qiellin e hapur. Në këto fshatra të Drenicës ka edhe shumë banorë të zhvendosur nga fshatrat e komunës së Klinës, si nga fshati Gllarevë, Stapanicë, Rigjevë, Mleçan, Kijevë, Balinc, Jellovc, Kërnicë, Jashanicë, Ujmir, Dobërdol, Siçevë, Shtaricë, Cerovik dhe fshatra të tjerë.

Në këtë hapësirë ku po qëndrojnë banorët e zhvendosur shqiptarë, nga vatrat e tyre po ndjehet një nevojë për artikuj elementar ushqimorë e ilaçe, ndërsa situata në çdo çast po bëhet alarmante.

Njoftohet se banorët shqiptarë të Drenicës që nuk janë prekur drejtpërdrejtë nga lufta, po i ndihmojnë të ardhurit me gjithçka që kanë duke ndarë madje edhe kafshatën e fundit.

Bëhet e ditur se sot që nga orët e hershme të mëngjesit, nga objekti i “Ferronikelit” po del një numër i konsiderueshëm i forcave serbe, të cilat me mjete të motorizuara po shkojnë për të luftuar në drejtime të ndryshme.

Edhe sot ka patur të shtëna me armë në drejtim të fshatrave Sankoc e Fushticë, ndërsa në qytezën e Gllogocit policët serbë kanë paralajmëruar se do të kthehen me shërbime administrative në këtë komunë.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mjet i pashpërthyer në Rahovec, deminohet nga KFOR-i dhe FSK-ja

Published

on

By

Një mjet i pashpërthyer është gjetur gjatë punimeve me ekskavator nga një punëtor në Rahovec.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet e deminimit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

Nga ky rast nuk është raportuar për ndonjë incident. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë specializime në programin e Muzikës Moderne në UBT, studio në nivelin Bachelor në programin e parë të këtij lloji në Kosovë

Published

on

By

Interesimi i të rinjve për të ndërtuar karrierë në industrinë moderne të muzikës po rritet çdo ditë, deri sa gjithnjë e më shumë prej tyre po kërkojnë mundësi akademike që talentin dhe pasionin për muzikën ta shndërrojnë në profesion. Në këtë drejtim, programi Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT po tërheq interesim të madh, duke ofruar një qasje ku muzika është në linjë me teknologjinë, krijimtarinë dhe menaxhimin.

Programi është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është i ideuar në përshtatje me zhvillimet e industrisë moderne të muzikës, e cila sot përfshin jo vetëm performancën artistike, por edhe produksionin digjital, teknologjinë e zërit, platformat online, menaxhimin e artistëve, organizimin e ngjarjeve, festivalet, televizionin, radion, filmin dhe teatrin.

Një nga veçoritë kryesore të programit është mundësia që studentët të orientohen në fusha specifike të industrisë përmes pesë specializimeve kryesore: Audio Produksion, Performancë Instrumentale, Performancë Vokale, Kompozim dhe Menaxhim në Muzikë.

Këto specializime u mundësojnë studentëve të ndërtojnë profilin e tyre profesional në përputhje me talentin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës. Në këtë mënyrë, një student mund të fokusohet në krijimin dhe produksionin muzikor, një tjetër në performancën vokale ose instrumentale, ndërsa të tjerë mund të zhvillohen në kompozim apo në menaxhimin e artistëve dhe projekteve muzikore.

Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive praktike dhe krijuese, duke i përgatitur studentët jo vetëm për të kuptuar muzikën, por edhe për ta krijuar, prodhuar, interpretuar dhe menaxhuar atë në mënyrë profesionale. Përmes kombinimit të njohurive teorike, praktikës aplikative, projekteve reale, punëtorive dhe bashkëpunimit me industrinë, studentët krijojnë përvojën e duhur për të hyrë lehtësisht në tregun global të muzikës sot.

Në veçanti, Audio Produksioni i orienton studentët drejt botës së produksionit muzikor dhe teknologjisë së zërit, ndërsa Performanca Instrumentale dhe Performanca Vokale synojnë zhvillimin e interpretuesve të aftë për skena dhe formate të ndryshme profesionale.

Në fushën e Kompozimit, studentët zhvillojnë krijimtarinë muzikore dhe aftësinë për të krijuar vepra që mund të gjejnë aplikim në produksionin muzikor, film, teatër, animacion dhe projekte të tjera artistike. Ndërkaq, Menaxhimi në Muzikë fokusohet në dimensionin profesional dhe organizativ të industrisë, duke përfshirë menaxhimin e artistëve, projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Një element i rëndësishëm i programit është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet studimeve dhe praktikës profesionale. Studentët kanë mundësi të zhvillojnë përvojë në studio, festivale dhe institucione muzikore, si dhe të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë të industrisë.

Përmes kësaj qasjeje, UBT synon të përgatisë profesionistë që mund të angazhohen në një gamë të gjerë rolesh, nga producentë dhe inxhinierë të tingullit, kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë, deri te menaxherë artistësh, agjentë të marrëdhënieve me publikun dhe profesionistë të organizimit të projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Programi i përgjigjet gjithashtu transformimit të industrisë muzikore, ku zhvillimi i teknologjisë dhe platformave digjitale ka ndryshuar mënyrën se si muzika krijohet, prodhohet, shpërndahet dhe menaxhohet. Për këtë arsye, studentët pajisen me njohuri dhe shkathtësi që u mundësojnë të jenë pjesë aktive e këtij transformimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje në raportin e Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.

Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.

Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara