Kuriozitete

Dhjetë koncepte japoneze për vetë-përmirësimin dhe për një jetë të ekuilibruar

Nga Hairej Younes.

Published

on

Nga Hairej Younes

Ishte e premte mbrëma, dhe unë po përgatitesha të shkoja në aeroport pas mbarimit të punës. U ndala në farmacinë ku shkoj zakonisht për të blerë një spraj kundër alergjive. Unë mbaj sprej sa herë që udhëtoj. Këtë herë po shkoja në Dubai. M’u duk sikur farmacistja më mbante mend.

Kur kërkova ilaçin tim, ajo më tha se kishte mbaruar. Qëndrova aty për një minutë, duke menduar se çfarë të bëja. Më duhej me patjetër spraji. Isha vonë, dhe duhej të shkoja menjëherë në aeroport. Para se të mund të thosha diçka tjetër, ajo veproi e para.

I telefonoi një farmacie aty pranë, më tha të prisja për disa minuta. Shkoi vetë atje dhe mori sprajin që më duhej. Unë u shtanga dhe u mahnita nga veprimi i saj. Ajo nuk ishte e detyruar që ta bënte atë veprim, por e kuptoi se unë kisha patjetër nevojë për atë spraj.

Nuk do të kisha arritur në kohë tek farmacia tjetër, ndaj ajo përdori kontaktet e saj për të ma zgjidhur këtë problem.

Mënyra se si veproi farmacistja, ishte ajo që në japonisht quhet “omoiyari”, që do të thotë të bësh gjithçka për t’i ofruar një shërbim të përsosur klientit. Ai gjest më kurseu kohë dhe shmangu një situatë stresuese. Unë jetoj në Japoni prej më shumë se 20 vitesh dhe kam histori të panumërta si kjo.

Kultura japoneze është shumë e pasur. Unë kam përpiluar një listë me 10 koncepte japoneze, të cilat mund t’i përdorim për të përmirësuar veten ose për të kuptuar se si funksionojnë gjërat në Japoni, dhe çfarë e bën kaq të veçantë shoqërinë japoneze.

Omoiyari

Në japonisht do të thotë të kujdesesh dhe të tregosh një konsideratë të sinqertë për të tjerët. Tifozët japonezë bënë bujë në mediat botërore në vitin 2018 kur pastruan stadiumin ku luajti ekipi i tyre kombëtar i futbollit gjatë botërorit në Rusi. Thuhet se praktikimi i omoiyari-t ndihmon në ndërtimin e dhembshurisë dhe ndjeshmërisë ndaj të tjerëve.

Ikigai

Sipas psikologut japonez Miçiko Kumano, është një term që përshkruan mirëqenien psiko-fizike të shkaktuar nga përkushtimi ndaj aktiviteteve të këndshme, dhe që të çon në pasjen e një ndjenje të përmbushjes personale. Thuhet se në Japoni, njerëzit që kanë një qëllim në jetë jetojnë më gjatë se të tjerët. Ikigai juaj është ai që ju zgjon çdo mëngjes dhe ju nxit të ecni përpara.

Wabi–sabi

Është një koncept që na inkurajon të përqafojmë papërsosmëritë tona dhe të pranojmë ciklin natyror të jetës. Çdo gjë në jetë, përfshirë edhe vetja jonë, është në një gjendje ndryshimi të vazhdueshëm. Pra ndryshimi është e vetmja konstante. Gjithçka është kalimtare dhe asgjë nuk është kurrë e plotë. Duke praktikuar wabi–sabi, ne mësojmë të jemi mirënjohës dhe pranues të realitetit dhe të përpiqemi të kemi sukses në gjërat që bëjmë por jo të fiksohemi pas përsosmërisë.

Mottainai

Ky koncept na mëson të respektojmë burimet që kemi, të mos i shpërdorojmë ato dhe t’i përdorim ato me një ndjenjë mirënjohjeje. Kompania Uniqlo përdor sloganin “Rroba të vjetra, jetë e re” për të pasur zero mbeturina. Ky koncept na fton të jemi mirënjohës dhe të qëllimshëm në veprimet tona dhe të mendojmë sesi të ndihmojmë që kjo botë të bëhet më e qëndrueshme.

Shin-Gi–Tai

Ky term do të thotë “mendje, teknikë, trup”. Ato janë 3 elementët kryesore për të pasur një performancë maksimale në artet marciale. Por këto koncepte mund të përdoren në çdo fushë. Për shembull, në lojën e shahut performanca juaj nuk varet vetëm nga aftësitë tuaja në këtë lojë.

Po ashtu, fitorja gjithashtu është një mentalitet që mund të përballojë stresin dhe pengesat gjatë orëve të përqendrimit të pandërprerë. Por ky koncept mund të zbatohet gjithashtu për zakonet e ndërtimit. Korniza mund të krahasohet me Modelin e Sjelljes, që shprehet si një formulë e shkurtër: Sjellja = Motivimi (Mendja), Aftësia (Teknika) dhe Modeli (Trupi). Një trup i shëndetshëm dhe një mendje e shëndoshë janë themeli për zhvillimin dhe përsosjen e çdo aftësie.

Shu-Ha-Ri

Përkthehet “ndiqe, shkëputu dhe kapërceje”. Është një mënyrë e të menduarit se si të mësosh dhe zotërosh një teknikë. Përvetësimi i njohurive kalon në 3 faza: Shu do të thotë të mësosh bazat duke ndjekur mësimet e një mjeshtri. Ha: nisni që të eksperimentoni, mësoni nga mjeshtrit dhe e integrojeni mësimin në praktikë. Ri: Faza e tretë fokusohet tek inovacioni dhe përshtatja e të mësuarit në situata të ndryshme.

Kaizen

Është një metodë e përmirësimit të vazhdueshëm, bazuar tek teoria se mund të jenë të rëndësishme ndryshimet e vogla pozitive të vazhdueshme. Kaizen na kujton të heqim dorë nga supozimet dhe përsosmëria. Na mëson të kemi një qasje përsëritëse dhe progresive ndaj ndryshimit.

Mono no aware

Ky koncept përshkruan ndjeshmërinë ndaj gjërave dhe kalimin e tyre të pashmangshëm. Ky koncept na kujton se asgjë në jetë nuk është e përhershme. Ne duhet të heqim dorë me dëshirë dhe me hijeshi nga lidhjet tona me gjërat kalimtare.

Omotenashi

Koncepti ka të bëjë me ofrimin e shërbimit më të mirë pa pritur një shpërblim. Është një pjesë e rëndësishme e kulturës japoneze, dhe e rrënjosur thellë në mënyrën se si funksionon shoqëria japoneze.

Ho-Ren-So

Përkthehet si “raporto, informo dhe konsultohu”. Koncepti formon bazën e të gjithë komunikimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të shëndetshëm të informacionit në një organizatë japoneze. Ai fokusohet tek rrënjët e linjës së komunikimit, duke përmirësuar rrjedhën e informacionit dhe duke parandaluar përsëritjen e problemeve.

Argumenti japonez është se përmes bashkëpunimit dhe komunikimit, Ho-Ren-So forcon marrëdhëniet punonjës-vartës dhe ofron një platformë që vartësi të mësojë nga eprori i tyre. Është praktikë e mirë që të inkurajohen të gjithë të raportojnë menjëherë problemet dhe pengesat. Edhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, kostoja e një problemi që nuk raportohet mund të jetë e lartë./bota.al

Continue Reading

Kuriozitete

Nga strategjia te kreativiteti – përfitimet surprizuese të shahut në jetën tuaj

Published

on

Shahu nuk është vetëm një garë mendore mes dy lojtarësh, por ushtrim i thellë intelektual që ndihmon në formësimin e trurit dhe karakterit. Kjo lojë ka kaluar kohën e kufijtë gjeografikë, duke u bërë pjesë e përditshme e jetës në dhoma pritjeje, biblioteka publike, shkolla e sheshe në të gjithë botën.

Shahu është më shumë se sport intelektual, është mënyrë për të ndërtuar mendje të mprehtë, të qëndrueshme e më të aftë për të përballuar sfidat e jetës.

Pavarësisht moshës apo përvojës, një tabelë shahu është gjithmonë një ftesë për të ushtruar trurin.

Por përse shahu konsiderohet kaq i dobishëm për zhvillimin e trurit?

1. Zhvillon aftësinë për të menduar me empati

Për të qenë një lojtar i suksesshëm, nuk mjafton të mendosh vetëm për lëvizjen tënde – duhet të hysh në mendjen e kundërshtarit. Kjo aftësi për të kuptuar mendimet dhe qëllimet lidhet ngushtë me konceptin psikologjik të “teorisë së mendjes”, që është thelbësor për marrëdhënie sociale të suksesshme.

2. Forcon kujtesën afatshkurtër dhe atë vizuale

Lojtarët e shahut janë të ekspozuar ndaj kombinimeve të mundshme gjatë lojes, i detyron të mbajnë mend pozicione, skema, strategji, sfidë që stërvit kujtesën vizuale dhe atë logjike në të njëjtën kohë. Ata që luajnë hah kanë performancë më të mirë në teste që kërkojnë rikujtim e njohje të shpejtë të modeleve.

3. Nxit mendimin strategjik dhe planifikimin në afatgjatë

Çdo lëvizje në shah është një hap drejt një qëllimi të madh. Loja nxit lojtarin të planifikojë disa hapa para, duke marrë parasysh të gjitha mundësitë dhe kundërveprimet. Kjo formë mendimi është e dobishme jo vetëm në lojë, por edhe në jetë, nga menaxhimi i kohës deri tek marrja e vendimeve të rëndësishme.

4. Rrit fleksibilitetin mendor dhe zgjidhjen e problemeve të reja

Lojtarët përballen me situata të reja që kërkojnë zgjidhje. Kjo përfshin zhvillimin e asaj që quhet inteligjencë fluide, aftësia për të analizuar probleme të panjohura dhe reaguar në mënyrë efikase. Loja përmirëson shpejtësinë e përpunimit të informacionit, duke i bërë lojtarët më të shpejtë në vendimmarrje.

5. Zhvillon kreativitetin dhe mendimin divergent

Në kontrast me idenë se shahu është ogjikë e ftohtë, loja kërkon mendim krijues. Kur situatat në lojë nuk janë të zakonshme, lojtarët gjejnë zgjidhje kreative e dalin jashtë rregullave standarde. Një eksperiment në Indi tregoi se fëmijët që luanin shah kishin rezultate më të mira në teste të kreativitetit krahasuar me ata që nuk luanin.

6. Përmirëson përqendrimin dhe vetëkontrollin

Një ndeshje shahu mund të zgjasë orë të tëra, çdo gabim kushton humbjen e lojës. Kjo kërkon nivel të lartë përqendrimi dhe vetëdisiplinimi. Aftësia për të qëndruar i fokusuar për një kohë të gjatë është e rëndësishme jo vetëm në shah, por edhe në arsim, punë dhe situata të jetës së përditshme.

7. Ndihmon në rregullimin e emocioneve dhe menaxhimin e stresit

Shahu i mëson lojtarët të menaxhojnë presionin emocional e të përballen me humbjen në mënyrë konstruktive. Përmes lojës, individi mëson të ruajë qetësinë, të mendojë para se të veprojë dhe të mësojë nga gabimet pa u zhgënjyer. Këto aftësi janë të rëndësishme për mirëqenien psikologjike.

8. Mbron trurin nga plakja e hershme

Ka shumë dëshmi se aktivitetet mendore komplekse, si shahu, ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve njohëse te të moshuarit. Studime kanë sugjeruar se njerëzit që merren rregullisht me lojëra si shahu, kanë rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri.

Continue Reading

Kuriozitete

Regjistrohet rrufeja 829 kilometra e gjatë

Published

on

Organizata Botërore Meteorologjike ka vendosur rekord të ri botëror për rrufenë më të gjatë një rrufe e jashtëzakonshme prej 829 kilometrash në një zonë të njohur për stuhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit njofton se rrufeja më e gjatë në botë ndodhi në tetor 2017 gjatë një stuhie të madhe në SHBA, duke përshkuar 829 km nga lindja e Teksasit deri afër Kansas City. Do të duheshin rreth 8-9 orë me veturë ose të paktën 90 minuta me avion për ta përshkuar.

“Vetëtimat janë të mrekullueshme, por dhe të rrezikshme, duke marrë shumë jetë çdo vit. Kjo ngjarje tregon sa larg mund të përhapen rrufetë, duke rrezikuar aviacionin dhe shkaktuar zjarre”, tha Celeste Saulo, sekretare e përgjithshme e WMO.

Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit e konfirmoi rekordin me ndihmën e teknologjive të reja satelitore. Ky rekord është 61 kilometra më i gjatë se ai i mëparshmi në SHBA më 29 prill 2020 (768 km). Gabimi i matjes është ±8 km.

Rrufja ndodhi në Rrafshinat e Mëdha të Amerikës së Veriut, një zonë e njohur për stuhitë Mesoskalare Konvektive që mundësojnë “mega-rrufe”.

Ajo u zbulua përmes analizës së përsëritur me ndihmën e satelitit GOES-16.

“Ky rekord tregon fuqinë e natyrës e përparimin shkencor në dokumentimin e ekstremeve. Ka të ngjarë që në të ardhmen të zbulohen më të mëdha”, tha Randall Cerveny nga WMO. Arkivi i WMO ruan të dhënat për ekstreme, përfshirë temperaturat, erën, reshjet, breshrin, rrufetë, tornado e ciklonet tropikale.

Continue Reading

Kuriozitete

Vala e të nxehtit kaplon edhe “tokat e akullta” të Finlandës

Published

on

Laplanda finlandeze është përfshirë nga një valë të nxehti rekord, me temperatura që kanë kaluar 30°C për 14 ditë rresht, një fenomen i paprecedentë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike.

Në qytetin arktik të Rovaniemit, termometri ka shënuar deri në 33°C në diell, duke e bërë të pamundur që ai të dalë jashtë për pjesën më të madhe të ditës.

Sipas Institutit Meteorologjik Finlandez, kjo është vala më e gjatë e të nxehtit që është regjistruar ndonjëherë në Lapland që nga viti 1961. Temperaturat janë rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, me stacione në Ylitornio dhe Sodankylä që regjistruan deri në 31.7°C.

“Herën e fundit që patëm një valë të tillë ishte në vitin 1972, por zgjati më pak”, tha meteorologu Jaakko Savela, duke shtuar se kjo valë tashmë ka thyer çdo rekord në rajon.

Shkencëtarët theksojnë se, ndonëse kjo valë nuk është shkaktuar nga ndryshimet klimatike, ngrohja globale ka ndikuar fuqishëm në intensitetin dhe gjatësinë e saj. Arktiku po ngrohet 4 deri në 5 herë më shpejt se pjesa tjetër e Tokës.

Nxehtësia ka ndikuar edhe te drerët e Laplandës, të cilët tani shihen duke braktisur pyjet në kërkim të freskisë. Mushkonjat që shumohen në vapë i ndjekin, duke i shtyrë të kërkojnë strehim në fshatra dhe përgjatë rrugëve.

Ekspertët paralajmërojnë se, me përkeqësimin e kushteve klimatike, barinjtë mund të detyrohen të ndërtojnë struktura të reja për t’u ofruar hije kafshëve.

Turistët në fshatin e Babagjyshit janë gjithashtu të tronditur nga temperaturat e larta. Ndërkohë, ditët e gjata me diell deri në orën 23:00 po i mbajnë temperaturat lart për më shumë orë, duke e përkeqësuar situatën.

 

Continue Reading

Kuriozitete

Sot shënohet ‘Dita Botërore e Tigrit’

Published

on

‘Dita Botërore e Tigrit’, është një festë vjetore që shënohet çdo 29 korrik,  për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e këtyre kafshëve.

E krijuar në vitin 2010 në ‘Samitin e Tigrit’, në Shën Petersburg, pas raporteve të fundit alarmante, se 97% e të gjitha llojeve të tigrave të egër ishin zhdukur në shekullin e fundit dhe vetëm rreth 3,000 kanë mbetur gjallë.

Ka disa faktorë që kanë shkaktuar rënien e numrit të tigrave, duke përfshirë humbjen e habitateve, ndryshimet klimatike, gjuetinë dhe përdorimin e lëkurës së tyre për përfitime industriale.

Tigrat janë në prag të zhdukjes e data e sotme apo ‘Dita Ndërkombëtare e Tigrit’, synon të sjell vëmendje ndaj këtij fakti e të përpiqet të ndalë zhdukjen e tyre.

Continue Reading

Të kërkuara