Lajmet

Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë kishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.

Published

on

Në Gjykatën Speciale ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka folur për një periudhë kur ai pretendon se në fshatin Bajgorë ka pasur një qendër ndalimi në të cilën sipas tij mbaheshin civilë.

Në gjykatoren ku të pranishëm janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së e ka filluar dëshminë e tij duke folur për disa stërvitje të UÇK-së që sipas tij janë mbajtur në objektin e shkollës në fshatin Bajgorë.

Ai është duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, dhe sipas tij në atë kohë shkolla ka qenë bazë që i takonte Zonës Operative të Llapit.

Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.

“Ne mëngjes kanë qenë stërvitjet fizike, kemi pasur vrapim, sforcim të turpit, deri në orën 10 të mëngjesit, tani ka qenë pauza një orë një orë e gjysme, kur e kemi bërë edhe kohën e mëngjesit, pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike, në përdorim të armëve gjuajtje me armë, si të bëjmë pastrimin e një arme, si ta çmontojmë një armë, nga armët më të thjeshta deri të armët të cilat i kemi pasur më të avancuara. Pastaj ka pasur edhe shpjegime si të bëhet përgatitja e një bunkeri, përdorimi i minave, përdorimi i armëve të kalibrit më të rëndë, nuk kemi pasur rast ti përdorim sepse kemi pasur mungesë që të tyre pro vetëm si të bëhet montimi apo çmontimi i tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Dëshmitari i tetë i cili mban kodin 4323 ka thënë se kishin trajnerë të ndryshëm, në varësi prej ushtrimeve.

Ai nuk i ka kujtuar emrat e tyre por sipas tij komandat ishte personi i njohur si Remi.

“Është prezantuar komandant Remi i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit. Në njërën prej këtyre rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij… Pas kryerjes së obligimeve të mëngjesit, rutinën ditore të cilën e kemi pasur, çdo herë ka qenë një person i cili e ka pasur një proces të cilin është dashur ta ndjek, në njërën prej këtyre ka qenë edhe prezantimi i komandant Remit i cili është shpjeguar se do të vijë dhe do të prezantohet kush është, ka qenë një fjalim përafërsisht 4-5 minuta, ka qenë fjalim falënderues, për kurajën, ka qenë fjalim informues”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se ishte në dijeni për ekzistencën e Zonës Operative të Llapit, edhe para fillimit të stërvitjeve.

Ai ka thënë se ka marrë pjesë në ato stërvitje që sipas tij do të duhej të zgjasnin dy javë por janë ndërprerë për pesë apo shtatë ditë.

Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa me hapjen e saj prokurorja Silvia D’Ascoli ka bërë të ditur se ishin duke folur për një qendër të ndalimit në Bajgorë.

Prokurorja D’Ascoli: A kishit dijeni për ekzistencën e atij burgu që përpara se të merrnit pjesë në stërvitjen në Bajgorë?

Dëshmitari: Isha në dijeni.

Prokurorja D’Ascoli: Çfarë dinit për atë?

Dëshmitari: Jo diçka mirë specifike, vetëm e kemi ditur që ekziston një qendër e ndalimit dhe kjo ka qenë e njohur për gjithë qytetarët.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet afërsisht se kur morët vesh për ekzistencën e qendrës së ndalimit në Bajgorë?

Dëshmitari: Duhet me qenë vera e vitit ’98.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet si e morët vesh?

Dëshmitari: Kryesisht në bazë të gojëdhënave.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet se prej kujt apo me kënd, e keni diskutuar, apo prej kujt e keni marrë vesh?

Dëshmitari: Temat të cilat neve na kanë preokupuar si sidomos në vitin ‘98. Një prej temave që është bërë diskutimi më i madh ka qenë se si të mbijetojmë, si të sigurojmë ushqim apo si të gjendemi në rrethana të ndryshme në situatën të cilën jemi kanë si popullatë, një prej temave ka qenë edhe kjo, se ekziston një qendër e ndalimit në Bajgorë.

Sipas dëshmitarit, objekti në fjalë nuk ka qenë i fshehur për publikun.

“Nuk ka qenë një objekt i fshehur për publikun, ka qenë një objekt i ditur për publikun, në rrugën ku ka qenë objekti, me sa e kujtoj ka qenë e qasshme prej rrugës kryesore, ka kalu andej gjithë popullata civile. Për ne si qytetarë ka qenë e njohur për disidentë, apo edhe për njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar momente të vështira të qytetarëve, plaçkitje, apo vjedhje të ndryshme. Ka qenë kryesisht e njohur për njerëz që kanë bashkëpunuar me armikun, të njohur si kolaboracionistë apo zhanrit popullor spiunë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa i pyetur se kush konsiderohej kolaboracionist, dëshmitari ka thënë se bëhet fjalë për ata që kanë punuar për serbët.

Prokurorja D’Ascoli: Sa i takon burgut, qendrës së ndalimit në Bajgorë, a dini gjë nëse në atë qendër ndalimi mbaheshin të mbyllur civil apo ushtarë?

Dëshmitari: Po, ka pasur civilë.

Pas kësaj, seanca është mbyllur për publikun.

E në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues Charles Smith, ka bërë të ditur se kanë vendosur të ndryshojnë urdhrin e 23 marsit, përmes së cilit kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, tani duke e pranuar vetëm në pjesët përkatëse që do të përdorë mbrojtja e Veselit.

Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

Ndërsa një çështje tjetër që është trajtuar në fillim të seancës ka pasur të bëjë me kërkesën e ZPS-së për riklasifikim të disa dokumenteve.

Ndërsa çështja e tretë ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit.

Trupi gjykues ka vendosur që mbrojtja të përgjigjet për këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor.

Gjithashtu, nëse ZPS ka kundër-përgjigje, duhet të bëjë parashtrime deri në fund të orarit të punës më 16 qershor.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

lajme

Përzgjedhësi i Izraelit, Ben Shimon: Kosova ka ekip të mirë, jemi në nivel të përafërt

Published

on

By

Përzgjedhësi i Kombëtares së Izraelit, Ran Ben Shimon, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës në konferencën për media para përballjes së nesërme ndërmjet dy kombëtareve, duke deklaruar se të dyja ekipet kanë nivel të përafërt.

Tekniku izraelit e cilësoi Kosovën si një kundërshtar cilësor, ndërsa shtoi se bilanci i takimeve të kaluara nuk do të luajë rol përcaktues në këtë sfidë.

“Mendoj që Kosova dhe Izraeli pak a shumë e kanë nivelin e njëjtë. Mund të them që të dyja janë ekipe relativisht të vogla. Sa i përket rezultateve të së kaluarës, nuk bazohemi te historia. Kosova me të vërtetë ka një ekip të mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Ben Shimon.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit zhvillohet nesër, ku të dyja përfaqësueset synojnë rezultat pozitiv. Deri më tani, nga tri përballjet e ndërsjella, Kosova ka arritur të shënojë një fitore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara