Interi po hyn në fazën më delikate të Kampionatit Botëror për Klube 2025 me disa dilema në repartin ofensiv, por edhe me lajme pozitive.
Sulmuesi francez, Markus Turam, ka tejkaluar problemet muskulore të pësuara gjatë ndeshjes me Monterein dhe është rikthyer në stërvitje të plotë, duke respektuar plotësisht programin e rikuperimit të hartuar nga stafi mjekësor i klubit.
Ndërkohë, trajneri Kristian Kivu do të duhet të bëjë pa shërbimet e mesfushorit Davide Fratezi për ndeshjen e sotme. Fratezi vazhdon të vuajë nga problemet fizike dhe nuk është rikuperuar në kohë për këtë sfidë të rëndësishme në fazën e 1/8-ave.
Një tjetër çështje që mban pezull kampin zikaltër është gjendja e sulmuesit të ri, Françesko Pio Espozito. Lajmi i mirë është se ekzaminimet kanë përjashtuar çdo dëmtim të rëndë, bëhet fjalë vetëm për një lodhje muskulore. Espozito u ndal gjatë seancës së fundit stërvitore, por do të përpiqet të jetë të paktën mes të grumbulluarve për ndeshjen. Kështu, Kivu mund të detyrohet të hedhë menjëherë në fushë Markus Turam përkrah kapitenit Lautaro Martinez.
Sa i përket mesfushës, Kivu do të vazhdojë t’i besojë Asllanit regjinë, ndërsa përkrah tij do të jenë Barela dhe Mkhitarian. Në krahë do të vendosen Dumfris e Dimarko, ndërsa treshja para Zomerit do të përbëhet nga Darmian, Açerbi dhe Bastoni.