Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, i cili vlerëson futbollistin më të dalluar të javës në Superligë.
Për javën e 22-të, ky çmim i është ndarë për herë të dytë Mario Ilievski nga FC Prishtina, pas një eurogoli spektakolar nga mbi 40 metra në ndeshjen kundër FC Drita, që përfundoi 1:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili vlerësoi kontributin dhe paraqitjen e jashtëzakonshme të Ilievskit.
Pas marrjes së çmimit, Ilievski tha:
“Fillimisht, faleminderit për vlerësimin. Kam shënuar një gol të çmendur dhe nuk dija as si të veproja; vetëm kam vrapuar tek fansat që të festojmë bashkë. Është një gol që nuk shënohet çdo herë.
Kemi edhe 14 ndeshje dhe çdo ndeshje është një finale për ne. Nuk jemi të lumtur me rezultatet, sepse e dimë që mund të bëjmë më mirë, por do të luftojmë në çdo ndeshje që të dalim në vendin e parë.
Dua këtë çmim t’ua dedikoj tifozëve Plisat, të cilët na dhuruan një atmosferë të zjarrtë dje dhe shpresoj që do të jenë në çdo ndeshje për të na dhuruar një atmosferë të tillë.”
Ky çmim thekson paraqitjet më të mira të futbollistëve në Superligën e Kosovës dhe mbetet një motiv shtesë për lojtarët që të japin më të mirën në fushë.