Lajmet

“Bandat” zëvendësojnë rregullat në rendin e ri global

Pafuqia kombëtare është duke u provuar të jetë një frenues i dobët në ngritjen e nacionalizmit.

Published

on

Nga Philip Stephens

Epoka e internacionalizmit liberal i ka hapur rrugën rikthimin e rivalitetit të madh për pushtet. Faktet e ndërvarësisë globale janë të njëjta -shihni përçmimin për kufijtë shtetërorë të treguar nga Covid-19 dhe ndryshimin e klimës. Por rishpërndarja e fuqisë globale, e ka ndryshuar “motin” gjeopolitik.

Pafuqia kombëtare është duke u provuar të jetë një frenues i dobët në ngritjen e nacionalizmit. Tani për tani, bota qëndron në pozitën interesante të “tokës së askujt” – ende e lidhur me institucionet e njohura shumëpalëshe, por me fuqitë e mëdha që po përplasen në një betejë rreth kontureve të peizazhit të ri gjeopolitik. Fuqitë jo aq të mëdha do të përballen me një presion në rritje për të marrë anë.

A do të jenë me SHBA-në apo me Kinën? Historianët do të shkruajnë kalimthi se ky ishte një moment vërtetë i çuditshëm që zgjodhi një fuqi mesatare si Britania,për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Një Kinë e guximshme në rritje, dhe një Rusi e zemëruar në rënie, nuk janë të gatshme në thelb që të pranojnë një rend global, të cilin ata e akuzojnë se është llogaritur që të përjetësojë hegjemoninë perëndimore.

Xi Jinping dëshiron ta vendosë Kinën në qendër të skenës globale. Rusia e Vladimir Putin dëshiron të rikthejë sferën e ndikimit në hapësirën ish-sovjetike. Efekti i përgjithshëm është zëvendësimi nga “bandat rivale”i rregullave shumëpalëshe.

Disa kombe do të ulen në gardhin përbri; të tjerët do të përpiqen të mbajnë një marrëdhënie të privilegjuar ekonomike me Kinën, ndërsa do të mbeten ende të fshehur pas mburojës së sigurisë së Uashingtonit. Shumë prej tyre e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre.

Këto kohë është në mode të thuash se autokratët kryesojnë ngado. Dhe është e vërtetë që mungesa e opozitës së brendshme do të thotë që Xi i Kinës dhe Putin i Rusisë mund të veprojnë me një farë mosndëshkimi relativ. Por kur është fjala tek bandat, prioriteti qëndron tek Perëndimi.

Joe Biden ka një karrierë të gjatë politike. Ai e vlerëson rendin e vjetër. Dhe ka shumë arsye të forta për këtë. Periudha midis viteve 1945-2000, solli një rreshtim pothuajse të përsosur midis interesave kombëtare egoiste të Amerikës dhe udhëheqjes së saj ndërkombëtare.

Kjo ishte para se Kina të anëtarësohej në Organizatën Botërore të Tregtisë, para se SHBA-ja në hynte në luftë në Lindjen e Mesme, dhe para se sistemi global financiar të shembej mbi arkitektët e tij perëndimorë. Paraqitjet e Biden gjatë një jave të samiteve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një takim kokë më kokë me Putin në Gjenevë, kishin një synim të vetëm:të bënin bashkë bandën e vjetër për konfrontimin e afërt me Kinën.

Rusia përbën një shqetësim serioz. Kina paraqet një kërcënim sistematik. Këtu miqtë e Amerikës janë aseti i saj më i rëndësishëm. Streset dhe tensionet në aleancën transatlantike nuk do të zhduken. Francezët do t’i shohin gjithmonë me dyshim qëllimet e amerikanëve. Angela Merkel refuzon që të lejojë që angazhimi i saj ndaj rregullave demokratike liberale, të pengojë interesat ekonomike të Gjermanisë. Dhe evropianët kanë “bandën” e tyre. BE-së mund t’i mungojë një prani gjeostrategjike, por ajo është atje në majë me SHBA-në dhe Kinën në përcaktimin e normave ekonomike globale.

Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, ndjekja agresive nga ana e Xi e interesave të Kinës, e ka bërë më të lehtë detyrën e Joe Biden. Rëndësia e arritjes së një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes BE-SHBA mbi subvencionet ndaj kompanive “Boeing” dhe “Airbus”qëndron në njohjen e faktit se kërcënimi i vërtetë për të dy kompanitë do të vijë së shpejti nga Kina.

Emmanuel Macron është Golist si çdo president francez. Ai është gjithashtu po aq i zellshëm sa çdo udhëheqës evropian,që sigurohet që kamerat televizive të kapin sjelljen e tij të afërt me presidentin e SHBA-së. Merkel është në muajt e fundit në detyrë.

Kur presidenti amerikan ta presë atë në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm,ai do të urojë që pasardhësi i saj të përputhë retorikën me veprimet konkrete. Me pak fjalë evropianët kanë nisur të përballen me realitete strategjike të pakëndshme.

Jo aq shpejt sa parashikonin disa në Uashington, por gjithsesi mjaftueshëm që Biden të pretendojë se koha e shpenzuar në Evropë ishte një javë e frytshme. Këtu vendi i çuditshëm është Britania e Madhe. Si mikpritës i samitit të G7-ës në Gjirin Karbis, Boris Johnson mund të ketë shpresuar që të vendosë në qendër të ngjarjeve Britaninë pas Brexit. Në vend të kësaj përpjekja e tij për të hequr dorë nga marrëveshja tregtare e Irlandës së Veriut, mbi të cilën ai ra dakord me BE-në, e la atë të izoluar midis kolegëve të tij.

Irritimi i Macron me anglezin dinak bëri bujë në media, por Biden nuk ishte më pak i ftohtë në bisedat e tij me Johnson. Ndoshta ai ia bëri të qartë së nuk mund ta paraqitë veten si një kampion i rendit të bazuar në rregulla, teksa nga ana tjetër shkel një traktat që sapo kishte nënshkruar me aleatët.

Siç do t’ju thonë diplomatët evropianë dhe amerikanë, Johnson nuk besohet nga askush. Nëse nuk ndryshon kjo gjë, “Britania Globale” e promovuar prej tij do të duket shumë më tepër “Britania e Vetmuar”. / “Financial Times”

Continue Reading

Vendi

Pesë raste të dhunës në familje në raportin e Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.

Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.

Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 05:15 në Prishtinë është gjetur i shtrirë në rrugë një burrë.

Ekipi i emergjencës ka dalë në vendngjarje, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Në lokacion kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Sot me mot me diell dhe temperatura deri në 36 gradë

Published

on

By

Sipas njoftimit më të fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ditën e martë vendi ynë do të përfshihet nga një mot kryesisht me diell dhe me temperatura të larta për këtë periudhë.

Gjatë orëve të mëngjesit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 17 gradë Celsius. Ndërkaq, me vazhdimin e ditës, pritet një ngritje e ndjeshme e temperaturave maksimale, të cilat do të arrijnë nga 30 deri në 36 gradë Celsius në shumicën e vendeve.

Nga IHMK bëjnë të ditur se era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, me një shpejtësi të lehtë deri mesatare prej 1 deri në 5 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

‘Serbia e humbi Kosovën’ – Rama reagon ndaj Gjuriqit për Ibrin

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas debatit të ndezur mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër, duke kundërshtuar ashpër përfshirjen e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në diskutimet për Kosovën.

Në reagimin e tij në rrjetin X, Rama e cilëson si të vjetëruar këtë argument të politikës serbe dhe thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, ndërsa mbështetja e saj për Kosovën lidhet me njohjen e Kosovës si shtet dhe me të drejtën e qytetarëve të saj për të përcaktuar të ardhmen.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk na nevojitet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shprehet ai.

Debati nisi pas diskutimeve për lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, çështje për të cilën ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte shprehur shqetësimin e Tiranës.

Gjuriq reagoi duke akuzuar Shqipërinë se po përpiqej të zhvendoste vëmendjen nga situata dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke deklaruar se “nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe” apo për projekte të bazuara në zgjerim etnik dhe ndryshim kufijsh.

Rama, megjithatë, e kthen debatin te Kosova dhe kundërshton atë që e quan një “pjesë të veçantë të folklorit politik në Beograd”. “Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duhet të thirret menjëherë ‘Shqipëria e Madhe’, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument relevant”, ka shkruar kryeministri shqiptar në X.

Sipas tij, Tirana nuk ka nevojë për një projekt të tillë për të mbështetur Prishtinën. “Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, deklaron Rama.

Kryeministri shqiptar përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë edhe për çështjen e statusit, duke nëlluar se Serbia tashmë e ka humbur Kosovën: “Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë.”

Ai shton se territori dhe burimet natyrore të Kosovës nuk janë burime të Serbisë, një realitet që sipas tij “miqtë tanë serbë e dinë shumë mirë”, madje edhe kur ulen së bashku në tryezat evropiane.

Pavarësisht përplasjes politike, Rama e rikthen vëmendjen te thelbi i diskutimit me fjalët “Prandaj, le të kthehemi te lumi.”

Ai pranon se Serbia ka të drejtë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por kundërshton idenë se pasojat e një ndërhyrjeje mbi një sistem ujor ndërkufitar si Ibri ndalen në kufi. “Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj.

Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, deklaron Rama, duke i treguar të drejtës ndërkombëtare të ujërave dhe duke ironizuar se “lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike.”

Lidhur me komunitetin serb në Kosovë, Rama thekson se mbrojtja e të drejtave të tyre është thelbësore: “Të drejtat e tyre kanë rëndësi. Siguria e tyre ka rëndësi. Prona, gjuha, trashëgimia kulturore dhe fetare e tyre duhet të mbrohen.” Megjithatë, ai e konsideron një “manovër akrobatike” faktin që Shqipëria akuzohet për ekspansionizëm etnik, ndërsa Serbia vazhdon t’i referohet territorit të një shteti sovran si të ishte i saji. Për më tepër, ai nëvizon se për të mbërritur te një rajon ku kufijtë kanë më pak rëndësi, duhen pranuar më parë kufijtë ekzistues: “Gjenialiteti i projektit evropian ishte pikërisht ndarja e përkatësisë kombëtare nga oreksi territorial”.

Në përmbyllje, Rama garanton se nuk ka asgjë të fshehtë, as harta apo kufij të fshehur, dhe se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë e integrim të rajonit në BE.

Por ai e bën të qartë se fqinjësia e mirë nuk nënkupton pranimin e versionit serb të historisë, për të cilin Ballkani ka paguar çmim të lartë në gjak dhe kohë të humbur. “Ndërkohë, Ibri, krejt i pavetëdijshëm për gjithë hartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, përfundon Rama.

 

Continue Reading

Të kërkuara