Lajmet

Avokati i Popullit ka nisur hetimin për rastin e vrasjes së Hamide Magashit

“Pas përfundimit të hetimit do të dalim me raport me rekomandime” tha ai.

Published

on

As gjysma e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, nuk janë zbatuar nga institucionet e vendit. Nga 109 rekomandimeve gjatë këtij viti, janë zbatuar vetëm 22,9 për qind, ndërkaq 69,7 për qind janë në pritje të zbatimit. Në anën tjetër, gjatë këtij viti janë dorëzuar mbi 1500 ankesa, për çka Naim Qelaj tha se gjendja e të drejtave të njeriut nuk është e kënaqshme. Ai në konferencën e fundvitit ka deklaruar se kanë nisur hetimin për rastin e vrasjes nga ish-bashkëshorti të Hamide Magashit nga Lipjani.

Qelaj ka folur edhe për rritjen e çmimeve, ku tha se për të papunët pothuajse askush nuk ka folur.

Në publikimin e statistikave të vitit 2022, Qelaj tha se nuk janë marrë masa të mjaftueshme për zbatim të ligjit lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut.

“Gjendja e drejtave të njeriut përgjatë viteve ka progres, por me gjithë progresin e arritur përgjatë viteve, kjo nuk është e mjaftueshme në përputhje me kërkesat dhe standardet për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, që janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe me instrumentet ndërkombëtare që përmban Kushtetuta jonë. Kjo është si rezultat i masave të pamjaftueshme për zbatimin e plot të ligjit, pra mungesa e zbatimit të ligjit, pastaj janë mungesa e llogaridhënies dhe e papërgjegjësisë për zbatimin e ligjit, jo-efikasiteti i sistemit të drejtësisë dhe një sërë aspektesh”, u shpreh Qelaj.

Avokati i Popullit ka pranuar 77 ankesa nga qytetarët e komunitetit serbë, 27 ankesa të komunitetit boshnjakë, 13 ankesa nga ashkalinjtë, 10 turqë, 10 romë dhe dy nga komuniteti goranë.

“Në vitin 2022, në institucionin e Avokatit të Popullit janë adresuar 1514 ankesa, nga ky numër 645 raste janë hapur për hetim, pra nga numri i tërësishëm të ankesave që janë paraqitur në institucion. Gjithashtu, kemi hapur 39 raste sipas detyrës zyrtare. Në këtë rast vlen të theksohet se 16 prej këtyre rasteve, sipas detyrës zyrtare, janë hapur pikërisht nga informatat që kanë ardhur prej raportimeve tuaja. Mbi bazën e rasteve të paraqitura del që të drejtat që më së shumti janë cenuar dhe janë edhe këtë vit të përafërta në vitet e kaluara, ankesat më të shumta janë për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore. Kjo si cenim i të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka thënë Avokati i Popullit, Naim Qelaj në prezantimin e statistikave vjetore.

Qelaj ka shtuar se gjatë vitit kanë bërë mbi 100 rekomandime për autoritetet përgjegjëse, prej tyre 22.9 janë zbatuar.

“Gjatë këtij viti nga hetimet janë adresuar për autoritetet 109 rekomandime, në këtë statistikë nuk përfshihen të gjitha rekomandimet që do të dalin gjatë këtij viti, sepse është një numër i madh i raporteve dhe rekomandimeve që janë në përpunim e sipër dhe deri në fund të vitit mund të ndryshojë kjo gjendje tabelare… Konsiderojmë se respektimi i rekomandimeve, i cili është monitoruar nga Avokati i Popullit, është me interes të veçantë, sepse rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve kish me qenë një tregues i mjaftueshëm që shteti po reagon për përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut në zbatim të ligjit. Gjendja që pasqyrohet nuk janë në nivel të kënaqshëm, ka një rënie të lehtë edhe në këtë krahasim me vitin e kaluar. Rekomandimet e zbatuara plotësisht 22,9 për qind, pjesërisht të zbatuara janë 4,6 për qind, në pritje të zbatimit janë 69,7 për qind. Ndërsa, ato që nuk janë zbatuar janë 2,8 për qind”, ka shtuar ai.

Sipas tij, zbatimi i këtyre rekomandimeve do të ishte masë parandaluese për cenimin e të drejtave të njeriut në shumë fusha.

Qelaj theksoi se gjatë këtij viti ka pasur rritje të ndjeshme të kostos së jetesës, e cila nuk po përcillet me masa të mjaftueshme mbështetëse nga shteti.

“Ekonomitë familjare janë ballafaquar me rritje të çmimeve që ka ndikuar drejtpërdrejt në vështirësim dhe keqësim të pozitës së tyre sociale në përmbushje të nevojave jetësore. Një kategori e qytetarëve për të cilët pothuajse nuk ka folur askush janë të papunët, të cilët jo vetëm që nuk kanë marrë mbështetje por as që ka pasur përpjekje që të ndihmohen në këtë situatë”, u shpreh ai.

Avokati i Popullit ka folur edhe për rastet e vrasjeve të grave, ku ka njoftuar se ka filluar hetimi për vrasjen e 35-vjecares, Hamide Magashi.

“Ne kemi filluar hetimin për rastin e vrasjes në QKUK. Ka qenë një rast tragjik që ndoshta duke marrë parasysh aspektet në të cilat ka ndodhur, ka detyruar të gjitha autoritet që të reflektojnë mbi politikat dhe masat që po marrin dhe qasjes që kanë në raport me këtë fenomen. Pas përfundimit të hetimit do të dalim me raport me rekomandime, ku në mënyrë të përgjithshme dhe të plotë do të paraqesim qëndrimet tona. Po ashtu, jemi në përfundim të hetimit të rastit të dhunimit të rastit të 11-vjeçares, hetimet preliminare kanë treguar për një sërë lëshimesh dhe të metash që janë evidentuar nga këto hetime”, ka deklaruar Qelaj.

Në konferencën e fundvitit, Qelaj tha se pa fuqizimin e gruas, nuk do të ketë përmirësim të pozitës së saj në shoqëri dhe dhunës në familje.

Ai ka folur edhe për gjendjen e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, ku tha se nuk është e mirë dhe kanë bërë hetime për shëndetin riprodhues dhe seksual. Këtu ka përmendur edhe rastin e foshnjës së vdekur nga Peja, e cila ishte futur në lavatriçe.

“Gjendja është alarmante, është jashtëzakonisht shqetësuese dhe keq duke filluar prej mungesës së informacionit dhe edukim, pastaj trajtimi i padinjitetshëm dhe me paragjykime, mungesa e shërbimeve të përshtatshme, furnizimi jo i rregullt me medikamente dhe lista esenciale, keqmenaxhimi i këtyre medikamenteve deri te mungesa e të dhënave për numrin e aborteve. Kjo ndërlidhet edhe me rastin që është raportuar dje nga mediat për një trajtim të padinjtetshëm të një fëmiu të vdekur, dhe nëse ky rast vërtetohet që ka ndodhur në këto rrethana pa dyshim paraqet jo vetëm shqetësim, brengë të theksuar të Avokatit të Popullit dhe do të reagojmë me kohë duke e hetuar”, ka përfunduar Qelaj.

Avokati i Popullit ka deklaruar se qeveria deri më tani nuk ka reflektuar që në përputhje me kushtetutën të zgjidh çështjen e martesave të personave të gjinisë së njëjtë. Qelaj tha se pret që kjo çështje të merr epilog dhe të njeh të drejtën e martesës për këta persona.

Lajmet

Arrestohet një person në Mitrovicë, sulmoi policët dhe kanosi me vrasje

Published

on

Një person është arrestuar në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet se ka sulmuar një qytetar dhe më pas disa zyrtarë policorë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, në gjendje të dehur kishte goditur një person tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gjatë arrestimit në vendin e ngjarjes, i dyshuari ka sulmuar një zyrtar policor. Sulmet kanë vazhduar edhe në stacionin policor dhe më pas në spital, ku ai dyshohet se ka sulmuar edhe dy zyrtarë të tjerë policorë, ndërsa i ka kanosur verbalisht me vrasje.

Po ashtu, ai ka dëmtuar motoçikletën e viktimës dhe një veturë tjetër.

Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe viktima kanë pranuar trajtim mjekësor. Pas trajtimit mjekësor, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Qendrën Korrektuese të Dubravës, dyshohet se tentoi të fuste drogë për një të burgosur

Published

on

Një person është arrestuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës, pasi dyshohet se ka tentuar të fusë substanca narkotike gjatë një vizite.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, oficerët korrektues kanë vërejtur lëvizje të dyshimta mes një të burgosuri dhe një vizitori, të dy meshkuj kosovarë, në sallën e vizitave.

Gjatë kontrollit të të burgosurit është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë rreth 10 gramë. Dyshohet se substanca i ishte dorëzuar nga vizitori.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme hetimore.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një i burgosur në Burgun e Dubravës, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

Një person që po vuante dënimin në Burgun e Dubravës ka ndërruar jetë gjatë ditës së enjte.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima, mashkull kosovar, fillimisht është dërguar në qendrën mjekësore të burgut dhe më pas në Spitalin e Pejës, ku mjekët kanë konstatuar se ai ishte pa shenja jete.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e vdekjes janë duke vazhduar.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasje e rëndë në tentativë në Prishtinë, dy persona të plagosur

Published

on

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”. Dy viktima meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, pasi dyshohet se janë sulmuar nga një i dyshuar mashkull kosovar me armë zjarri.

Policia ka arritur ta lokalizojë të dyshuarin, i cili kishte pësuar plagë në këmbë dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Nën mbikëqyrje policore në QKUK po qëndrojnë njëri nga të lënduarit dhe i dyshuari.

Sipas mjekëve, njëra nga viktimat ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë konfiskuar veturën në të cilën dyshohet se ka ndodhur rasti.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara