Lajmet

​Gjatë 2024 qytetarët adresuan 1410 ankesa, Avokati i Popullit dorëzoi raportin në Kuvend

Published

on

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka dorëzuar sot raportin vjetor për vitin 2024 në Kuvendin e Kosovës.

Raporti paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe punën e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe ofron një analizë dhe vlerësim të situatës në lidhje me forma të caktuara të shkeljes së të drejtave të individëve apo të grupeve të caktuara shoqërore.

Gjatë vitit 2024, qytetarët kanë adresuar 1410 ankesa, prej të cilave 110 janë adresuar nga qytetarë të nacionalitetit serb dhe 104 nga qytetarë të komuniteteve të tjera jo-shumicë. Nga hetimi i ankesave dhe hetimet sipas detyrës zyrtare, janë adresuar gjithsej 176 rekomandime.

Në përgjithësi nga analiza e rasteve të hetuara del se vazhdon të mbetet shqetësues fakti i pamundësisë që institucionet e drejtësisë të garantojnë gjykim të drejtë, për shkak të kohëzgjatjes dhe zvarritjeve të procedurave gjyqësore.

Numri i madh i ankesave të qytetarëve, për shkak të mos përgjigjeve nga ana e autoriteteve publike, është tregues i mosfunksionimit të mekanizmave të përgjegjësisë për zbatim të ligjit, mungesës së efikasitetit dhe neglizhencës së administratës publike në shqyrtim të ankesave të qytetarëve, gjë që ndikon edhe në rritjen e numrit të rasteve në gjykata.

Raporti po ashtu ka konstatuar se në disa raste ka pasur mungesë të trajtimit me dinjitet të disa kategorive të ndjeshme që janë përballur me sfida gjatë realizimit të të drejtave të tyre.

Raporti thekson mungesën e mbulimit të trajtimit mjekësor për persona me status të invalidit të luftës; pengesat që kanë hasur viktimat e dhunës seksuale gjatë realizimit të statusit të tyre, si në fazën e aplikimit, ashtu edhe gjatë marrjes së shërbimeve që u takojnë; detyrimi i personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë që të paraqiten për rivlerësim në komisionet mjekësore janë disa nga shqetësimet që Avokati i Popullit i ka ngritur këtë vit.

Avokati i Popullit thekson se mbrojtja e të drejtave të njeriut është një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të gjerë për të garantuar sundimin e ligjit dhe respektimin e standardeve demokratike të garantuara me Kushtetutë.

Lajmet

33 të lënduar e tre të arrestuar gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë

Published

on

By

Të paktën 20 zyrtarë policorë, 12 protestues dhe një gazetar kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të pësuara gjatë përplasjeve të së hënës para Kuvendit të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar tre persona për mosrespektim të urdhrave të forcave të rendit. Me vendim të prokurorit, dy prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas policisë, ndërhyrja me mjete të ligjshme përfshirë sprejin, gazin lotsjellës dhe topat e ujit, erdhi pasi disa protestues hodhën në vazhdimësi mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe sende të forta drejt zyrtarëve policorë dhe objekteve shtetërore. Organet e rendit theksuan se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i domosdoshëm për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës.

Policia e Kosovës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve në terren. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

AAK: Ejani ta votojmë Ligjin për Specialen

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen urgjentisht për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një konference për media të mbajtur në ambientet e Kuvendit, Tahiri theksoi se kanë mbetur vetëm edhe 13 orë nga afati për të votuar këtë ligj dhe për të përmbyllur procesin.

“Jemi në Kuvend kur kanë mbetur edhe 13 orë deri te mundësia e votimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara dhe konstituimit të plotë të vendit. Nga këtu, në emër të GP të Aleancës, u bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani menjëherë në Kuvend ta votojmë Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, të bashkohemi sot gjithmonë në anën e drejtë të historisë rreth UÇK-së, vlerës më të lartë kombëtare. Kosova na thërret”, deklaroi Tahiri. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon sqarim nga Kushtetuesja për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Continue Reading

Lajmet

Gjeneral Jashari pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.

Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/

Continue Reading

Të kërkuara