Lajmet

Asnjë lidhje me Transilvaninë dhe princin rumun, e vërteta si lindi Drakula

Historia ishte “frymëzuar nga ideja e dikujt që u varros para se të vdiste plotësisht”

Published

on

Nga Ronan O’Connell

Një erë e fortë fryn pasdite në rrugën e shkretë të Tregut të Vjetër, pranë dyqaneve të mbyllura dhe restoranteve të zhytura në errësirë. Qyteti studentor irlandez Sligo duket sikur ka ngrirë. Ai kaloi 2 muaj në një bllokim të rreptë mbarëkombëtar të zbatuar nga qeveria irlandeze për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri, i cili në Irlandë vrau më shumë njerëz për frymë sesa në SHBA.

Herën e fundit që Sligo ishte kaq i boshatisur ishte 188 vjet më parë. Dhe në atë kohë fajtore ishte kolera. Epidemia e saj solli jo vetëm vdekje, varfëri, uri, kaos dhe dezertime, por edhe një vampir legjendar. Megjithatë, vetëm në fund të vitit 2018, studiuesit irlandezë arritën të bëjnë zbulimin befasues: në të vërtetë Drakula lindi në Sligo.

Në vitin 1832, në Old Market Street, një vajzë 14-vjeçare irlandeze ishte strukur në shtëpinë e saj gjatë shpërthimit të kolerës, e cila vrau më shumë se 10 për qind të popullsisë së qytetit. Skenat e kobshme rreth saj – varre masive, kufoma në rrugë, viktima të varrosura për së gjalli – ajo ia tregoi më vonë djalit të saj.

Emri i vogëlushit ishte Bram Stoker, dhe ato histori të zymta ishin një burim frymëzimi për të shkruar “Drakulën”, një nga romanet më me ndikim në historinë e njerëzimit. I botuar për herë të parë në vitin 1897, kjo përrallë me protagonist një vampir ka prodhuar dhjetëra filma, shfaqje, shfaqje televizive dhe libra.

Në romanin e Stoker, një avokat anglez shkon në vargmalet e Transilvanisë në Rumani, ku viziton një vend të izoluar të quajtur Kalaja e Drakulës. Atje ai sulmohet dhe burgoset nga vampiri që pi gjak, Konti Drakula. Pjesa tjetër është shumë e njohur.

Midis shumë teorive të kahershme rreth frymëzimit të Stoker mbi Drakulën, më popullorja është ajo sipas së cilës autori u motivua nga Vlad Hungulësi, një udhëheqës sadist rumun i famshëm për torturimin e armiqve të tij osmanë. Ky princ i shekullit XV-të quhej gjithashtu Drakulea.

Megjithatë, këtu duket se përfundojnë lidhjet midis Drakulës dhe Drakuleas. Pavarësisht nga mjedisi transilvanian – dhe fakti që Kështjella Bran e atij rajoni quhet sot edhe Kështjella e Drakulës – dëshmitë historike tregojnë se Vladi kishte pak lidhje me atë zonë dhe për më tepër nuk ka jetuar kurrë në atë kështjellë.

Pra përtej titullit të librit, ku i lindi Stoker ideja për Drakulën, një vampir që kishte vdekur por ishte ngjallur dhe që i infekton ata që kafshon, duke i shndërruar në vampirë? Përgjigja qëndron në Sligo, një qytet piktoresk që sot banohet nga 20.000 njerëz dhe që ndodhet në bregun perëndimor të Irlandës, i rrethuar nga pyje të dendura, male të gjelbër, plazhe ku fryn gjithmonë erë dhe lumenj të pasur me salmon.

Kështu pretendon historiania irlandez Merion Mekgeri, anëtare e Shoqërisë Sligo Stoker, e cila ka bërë kërkime të përpikta mbi lidhjet midis Drakulës dhe epidemisë së kolerës në këtë qytet të vogël. Mekgeri thotë se Stoker u frymëzua nga një rrëfim i frikshëm i asaj epidemie të shkruar nga nëna e tij, Sharlot Tornlej, e cila u izolua në shtëpinë e saj përpara se të ikte nga Sligo me familjen e saj.

Eseja e Tornlej mbeti e pabotuar dhe e ruajtur në një arkiv në Dublin, derisa Shoqëria Sligo Stoker e studioi tekstin dhe vitin e kaluar e shpërndau gjerësisht. “Kur u rrit Bram i kërkoi nënës së tij t’i shkruante kujtimet e saj mbi epideminë dhe ai e plotësoi rrëfimin duke përdorur hulumtimin e tij historik mbi epideminë e Sligos. Duke hulumtuar unë gjeta disa paralele me Drakulën.

Për shembull, Sharlot thotë se kolera hyn në qytetet portuale pasi ka udhëtuar me anije, dhe se ajo mund të udhëtojë në tokë si një mjegull. Pra njëlloj si Drakula, që i infekton njerëzit”– thotë historiania.

Megjithatë, lidhja më e fortë që gjeti ajo, ishte midis gjendjes së ndërmjetme të Drakulës – të qenit njëkohësisht i vdekur dhe i vetëdijshëm – dhe përshkrimit të Tornlej mbi viktimat e kolerës që u varrosën të gjallë. Stoker u magjeps shumë nga ky detaj. Aq sa titulli i parë i romanit qe “The Undead”, përpara se botuesi i tij ta ndryshonte më vonë atë në “Drakula”.

Historitë e kolerës që i rrëfeu Tornlej Stokerit ishin realiste, thotë Fiona Galager, historiane irlandeze që është marrë me studimin e asaj epidemie. Përhapja vrau deri në 1000 banorë të Sligos dhe shkaktoi kaos. Për t’i ndaluar banorët të arratiseshin nga qyteti i prekur nga sëmundjet (dhe më pas përhapja e saj në vende të tjera), rreth Sligos u hapën llogore dhe u ngrit një bllokadë rrugësh.

Kolera e sulmoi Sligon aq fort dhe shpejt saqë kufomat shtriheshin në rrugë, dhe 20 marangozët e qytetit nuk mundeshin të përballonin dot kërkesën për arkivole. “Shumë trupa mbetën pa arkivole” thotë Galager. Ndaj rreth 500 viktima u mbështollën me çarçafë dhe u varrosën në një varr masiv.

Shumica e mjekëve dhe infermierëve në Sligo vdiqën nga sëmundja. Shumica e klerikëve u larguan dhe banorët e bllokuar në qytet u rebeluan. Banorëve të Sligos siç ishte edhe nëna e Stoker, po u dukej se bota po merrte fund. Sligo, shkroi Tornlej në dëshminë e kërkuar nga djali i saj ishte bërë “si një qytet i të vdekurve”.

Sharlot thotë se ndërsa epidemia përshkallëzohej, personeli infermieror i tmerruar do t’i merrte pacientët, që më parë ishin trullosur me laudan ose opium, dhe do t’i vendoste të gjallë në varrezat masive. Përshkrime të tilla, pohon shkrimtari, e ndezën imagjinatën e tij.

Edhe pse ishte një figurë shumë e rezervuar, autori e pranoi në një intervistë të rrallë mbi romanin “Drakula”, se historia ishte “frymëzuar nga ideja e dikujt që u varros para se të vdiste plotësisht”. Vitin e kaluar, Sligo e ka përqafuar këtë lidhje të sapo zbuluar me  Drakulën dhe shpreson ta përdorë atë për të tërhequr turistët.

Një nga pasardhësit e Stoker, shkrimtari kanadez Dakre Stoker, e vizitoi qytetin vitin e kaluar për të marrë pjesë në një ngjarje që festonte lidhjet e Sligos me Drakulën. Pra Drakula nuk ka asnjë lidhje me Transilvaninë. Ai lindi në Sligo, dhe ishte produkt letrar i një epidemie./bota.al

Continue Reading

Lajmet

REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.

Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.

Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.

Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.

“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.

Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.

Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Fushë Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një vdekje të dyshimtë që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fushë Kosovë.

Sipas raportit 24- orësh, ngjarja është raportuar rreth orës 19:00, me ç’rast në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor.

Pas ekzaminimit fillestar, mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës burrë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti aktualisht po trajtohet si “Hetim mbi vdekjen” deri në pranimin e rezultateve mjeko-ligjore.

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara