Muzikë
Ariana Grande dhe Lady Gaga shkëlqejnë në MTV VMA me çmime dhe performanca
Published
8 months agoon
By
UBT NewsKëngëtaret Ariana Grande dhe Lady Gaga ishin dy nga yjet më të përfolura të natës së ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards (VMA).
Grande ka marrë dy çmime, atë për “Videoklipin e vitit” dhe “Videoklipi më i mirë pop”. Ndërkohë që po pranonte trofetë, publiku e duartrokiti shumë kur e falënderoi “psikologun dhe personat homoseksualë”.
Gaga, më e nominuara e natës, ka fituar çmimet “Artistja e vitit” e më pas edhe ka performuar. Ajo ka dalë në skenën e Madison Square Graden pas fjalimit të pranimit të çmimit, gjë që e bëri audiencën të gjallërohej, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Gaga në deklaratat e mëhershme ka folur për kuptimin e thellë që ka arti.
“Të qenit artist është një lloj përpjekje për t’i bashkuar shpirtrat e njerëzve në mbarë botën”, ka thënë Gaga, e cila ka performuar këngët “Abracadabra” dhe “The Dead Dance”. Kjo e fundit u bë pjesë e kolonës zanore të serialit të njohur të plaformës Netflix, “Wednesday”.
Ajo ka thënë se të qenit artist është disiplinë dhe artizanat për të arritur ta prekësh zemrës e njerëzve e të ju rikujtosh të ëndërrojnë.
“Të jesh artist është përgjegjësi për të qeshur, të kërcesh e të qash”, ka thënë këngëtarja. Ajo ia ka dedikuar trofeun fansave si dhe ka nderuar të fejuarin e saj, Michael Polansky, i cili ka qenë pjesë e produksionit të albumit të saj të fundit “Mayhem”.
“Të krijoj me ty ishte diçka e bukur”, ka thënë ajo.
Nderime për Maria Careyn and Ozzy Osbournen
Këngëtarja e mirënjohur, Mariah Carey, pranoi dashurinë që i dhanë fansat si dhe tregoi për historinë e karrierës së saj ndërkohë që pranoi çmimin “Video Vanguard”. Grande e prezantoi atë në skenë duke e quajtur zërin e saj “kolona zanore e gjithë jetës tonë”.
“Si vokaliste, ka vetëm një ‘mbretëreshë’ dhe ajo është Mariah”, ka thënë Grande.
Ndërkohë që po dilte në skenë me veshje vezulluese, Carey ka kënduar hitet që i dhanë kuptim emrit si “Fantasy”, “We Belong Together” e “Obsessed”. Performanca ka përfshirë edhe këngë nga albumi i saj “The Emancipation of Mimi”, i cili ka shënuar 20-vjetorin e publikumit.
“Nuk po mund ta besoj se sonte kam fituar çmimin e parë VMA”, tha Carrey, e cila pyeti me shaka se çfarë ishin duke pritur, e pastaj i falënderoi të gjithë duke iu shprehur dashuri.
Këngëtari i ndjerë, Ozzy Osbourne, u nderua përmes disa performancave të grupeve të njohura. Ne skenë dolën anëtarët e “Aerosmith” Steven Tyler dhe Joe Perry, grupi britanik “YOUNGBLUD” dhe Nuno Bettencourt për të përformuar hitet më të njohura të Osbournes përfshirë “Crazy Train”, “Changes” dhe “Mama, I’m Coming Home”. Djali i Osbournes, Jack dhe diska nga fëmijët e tij, kanë ndarë një videomesazh për shikuesit për muzikantin e dashur.
“E di me siguri që ai do të gëzohej shumë t’i shihte këta muzikantë të mëdhenj që vazhdojnë trashëgiminë e tij dhe ndihmojnë ‘t’i inspirojnë gjeneratat e reja të rokerëve”, ka thënë Jack Osbourne.
Busta Rhymes dhe Rickey Martin nderuan historinë e MTV-së
Ylli i njohur, Busta Rhymes u nderua me çmimin e parë “MTV VMA Rock the Bells Visionary Award” dhe ka performuar disa nga hitet e tij përfshirë “Gimme Some More”, “Scenario”, “Put Your Hans Where my Eyes Could See” dhe “Pass the Courvoisier, Part II”. Atij iu bashkuan në skenë artistë të tjerë si Lucas, Papoose dhe GloRilla ndërkohë që i ndihmonin t’i performonte këngët bashkë me ta.
Përgjatë fjalimit, Rhymes ka nderuar prezantuesen e ndjerë të MTV-së, Ananda Lewis, e cila u bë personalitet televiziv shumë i dashur për publikun gjatë viteve ’90.
“Grua e jashtëzakonshme që më donte mua dhe të gjithë ne. Ajo e donte kulturën shumë. Më mungon shumë e ndjera, e madhja, e jashtëzakonshmja, perandorja, Ananda Lewis”, tha për prezantuesen, e cila ka vdekur në qershor pasi u diagnostikua me kancer të gjirit.
Ricky Martin mori për herë të parë çmimin “Ikona Latine” dhe performoi në skenën kryesore të spektaklit. Ai ka folur për 40 vjetet e karrierës, duke ia dedikuar shpërblimin katër fëmijëve të tij.
“Fillova të punoj që kur isha fëmijë dhe jemi ende këtu. Në vetëm duam t’i bashkojmë vendet, vetëm duam të thyejmë barriera dhe vetëm duam ta mbajmë gjallë muzikën”, ka thënë Martin.
Doja Cat elektrizon MTV-në
Këngëtari LL Cool J, i cili ishte udhëheqësi i spektaklit, po jepte fjalimin e hapjes, u ndërpre nga Doja Cat e cila, me dukjen e saj, po emitonte personalitetin e MTV-së nga vitet ’80, Max Headrom. Mesazhi u transformua në një lloj performance me daljen në skenë të yllit Kenny G. Doja Cat, e cila, në tepihun e kuq të ngjarjes u shfaq duke përtypur buzëkuqin në vend të çamçakëzit, bëri shaka në skenë me performimin e këngës “Jelous Type”.
Ndërkohë, historia po vazhdonte me Taylor Swift dhe Beyonce që garonin për t’u bërë artistet më të shpërblyera në historinë e VMA-ve.
Secila kishte nga 30 çmime dhe ishin të nominuara vetëm në kategorinë “Artisti i vitit”, kështu që fitorja e Gagas do t’i lërë të barabarta edhe për një vit. Performues të tjerë ishin Conan Gray, Tate McRae, Jelly Roll, Post Malone, Alex Warren, J Balvin, Sabrina Carpenter dhe Sombr. MTV VMA 2025 u transmetua për herë të parë nga CBS.
Aktualitet
UBT shënon International Jazz Day me koncert artistik në Parkun Shkencor
Published
1 week agoon
April 30, 2026By
UBTNews
Me rastin e International Jazz Day, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një koncert i veçantë në UBT Concert Hall, duke sjellë një atmosferë artistike dhe një përvojë unike për studentët dhe dashamirësit e muzikës.
Ky aktivitet u realizua nga klasa e profesorit Dukagjin Muhaxheri, duke vënë në pah talentin dhe përkushtimin e studentëve në interpretimin e veprave të njohura dhe improvizimeve jazz. Programi i koncertit përfshiu performanca të ndryshme, ku Ledian Shala interpretoi në piano solo vepra të Chopin dhe improvizime, Sunaj Qerimi solli “Summertime” në klarinetë dhe piano, ndërsa Leon Shehu performoi “Habanera” për flautë dhe bend.
Në vazhdim, profesori Dukagjin Muhaxheri u prezantua me “Tico Tico” në saksofon, i shoqëruar nga bendi, ndërsa pjesa përmbyllëse përfshiu performanca të përbashkëta si “Caravan” dhe “Mo Better Blues”, të interpretuara nga Bendi i UBT-së me pjesëmarrjen e studentëve Shend Xhini, Rinor Hysemi, Sunaj Qerimi, Ledian Shala dhe vetë profesori Muhaxheri.
Ky koncert është një dëshmi e qartë e angazhimit të UBT-së për të promovuar artin dhe kulturën brenda komunitetit akademik, duke u ofruar studentëve hapësira konkrete për të shfaqur talentin e tyre dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale në skenë.
Përmes programeve të tij në fushën e muzikës dhe arteve, UBT vazhdon të ndërthurë teorinë me praktikën, duke organizuar aktivitete të rregullta si koncerte, performanca live dhe projekte artistike që i përgatisin studentët për sfidat reale të industrisë kreative.
Ngjarje të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën studentore, por gjithashtu dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar një mjedis dinamik, inovativ dhe ndërdisiplinor, ku talenti zhvillohet dhe promovohet në mënyrë të vazhdueshme.
Muzikë
Sonte nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK
Published
6 months agoon
November 6, 2025By
UBT News
Sonte, në orën 21:00, në Prishtinë, do të ngrihet perdja për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje që do të zgjasë tri net dhe do të sjellë në skenë artistë të njohur e talente të reja.
Në garë do të jenë 20 këngë, nga artistë brenda e jashtë Kosovës, duke dëshmuar interesimin e madh për këtë ngjarje të rëndësishme.
Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, ka bërë të ditur se përgatitjet janë realizuar nga punëtorët e RTK-së, nga dizajni dhe grafika, te skenografia e ndriçimi. Ai tha se skenografia ndërthur elemente tradicionale me moderne, duke reflektuar frymën e bashkimit të brezave.
“Sivjet kemi zbatuar një qasje të re organizuese: gjithçka që do të shfaqet në skenë është prodhim i drejtpërdrejtë i RTK-së. Në tri netët festive do të dëgjojmë zërat e të rinjve, që lindin nga tradita por shkojnë drejt së ardhmes”, deklaroi Gërvalla.
Ai shtoi se Organizata Evropiane e Transmetuesve po ndjek përgatitjet, duke vlerësuar përpjekjet e Kosovës për pjesëmarrjen e saj të ardhshme në garën evropiane të këngës, Euro Song.
“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Pavarësisht sfidave rajonale, EBU na ka ndjekur me interes dhe e ka vlerësuar progresin tonë, sidomos duke pasur parasysh kushtet e kufizuara financiare me të cilat punon televizioni publik”, shtoi ai.
Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, u shpreh se ky festival është shndërruar në platformë të fortë artistike dhe teknike për artistët vendorë.
“Festivali i Këngës është bërë institucion dhe përbën një arritje të jashtëzakonshme për vendin tonë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij rrugëtimi”, tha Boshnjaku.
Skenaristi i edicionit të tretë, Genc Salihu, bëri të ditur se fokusi do të jetë më shumë te muzika, duke reduktuar elementet dramaturgjike.
Ai paralajmëroi edhe një retrospektivë për historinë e këngës në Kosovë, si dhe ndarjen për herë të parë të Çmimit për Vepër Jetësore “Okarina e Artë”, që do t’i jepet një artisti me kontribut të gjatë në muzikë.
Festivali do të moderohet nga Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj, ndërsa do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë.
Gjatë këtyre netëve, 20 artistë do të garojnë për pesë çmimet kryesore, ndërsa publiku do të ketë mundësi ta ndjekë spektaklin drejtpërdrejt në RTK dhe nga salla, pasi rezervimet për biletat tashmë kanë nisur.
Këngët dhe artistët garues në ‘Fest 3’:
Almir Kraba – “Nuk ka si ti”
Arjeta Palushaj – “Andrra”
Arsi Bako – “Rreze Zjarr”
Art Lokaj – “Ty”
Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”
Dea Berisha – “Afër”
Egzon Pireci – “Kënga Jonë”
Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”
Florent Abrashi – “Unë dhe ti”
Kiara Juba – “Nirvana”
Klea Dina – “At”
Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”
Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”
Santino de Bartolo – “Naze Naze”
Semi Tafaj – “Vazhdoj”
Teutë Halili – “Amin”
Vlera Kastrati – “Nanë”
Vjosa Shehu – “Alo”
Xuxi – “Identitet”
Zergjina Hasanaj – “Pres”
Rajoni
Profesori i UBT-së, Blerim Emerllahu bëhet Ambasador Artist i kompanisë prestigjioze “Henri Selmer Paris”
Published
6 months agoon
November 1, 2025By
ubtnews
Klarinetisti dhe profesori i UBT-së, Blerim Emerllahu ka arritur një nga kulmet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike — ai është përzgjedhur Ambasador Artist i kompanisë botërisht të njohur “Henri Selmer Paris”, e cila prej më shumë se një shekulli simbolizon cilësinë dhe ekselencën në prodhimin e instrumenteve frymore.
Ky është një moment historik, pasi për herë të parë një artist nga Kosova dhe shtetet e rajonit përfshihet në rrjetin global të artistëve të “Henri Selmer Paris”, që përfaqësojnë nivelin më të lartë të muzikës botërore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, aktiviteti dhe zhvillimi artistik i Emerllahut do të menaxhohet drejtpërdrejt nga kompania franceze, duke e renditur atë përkrah emrave të njohur të muzikës klasike dhe xhazit ndërkombëtar.
“Kjo përfaqëson një arritje të madhe jo vetëm për karrierën time personale, por edhe për Kosovën dhe institucionin tonë, pasi është hera e parë që një artist nga rajoni përzgjidhet si ambasador i ‘Henri Selmer Paris’”, u shpreh profesori Emerllahu.
Ai falënderoi UBT-në, drejtuesit dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme, duke shtuar se kjo arritje është një frymëzim për studentët dhe kontribuon në afirmimin ndërkombëtar të Fakultetit të Muzikës dhe të UBT-së në tërësi.
Muzikë
Spotify heq masivisht përmbajtjen e krijuar nga AI
Published
7 months agoon
September 30, 2025By
UBT News
Spotify ka njoftuar një operacion të gjerë kundër keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, duke bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar ka hequr më shumë se 75 milionë këngë “spam”.
Sipas kompanisë, ky hap synon të mbrojë artistët nga paraqitjet e rreme, mashtrimet dhe përmbajtja e dobët e gjeneruar nga AI. Spotify ka prezantuar gjithashtu rregulla dhe mjete të reja që synojnë të mbrojnë identitetin e artistëve dhe të rrisin transparencën për dëgjuesit.
Këto masa vijnë në një kohë kur teknologjia gjenerative e AI po ndryshon rrënjësisht industrinë e muzikës, duke sjellë shqetësime për përmbajtje të padëshiruar, vokale “deepfake” dhe publikime mashtruese.
Spotify ka miratuar politikë të re që ndalon klonimin e zërit të artistëve dhe incizimet “deepfake”, përveç rasteve kur ato janë të licencuara zyrtarisht. Kompania po merr masa për të ndaluar publikimet e rreme që paraqiten si krijime të artistëve të tjerë.
Për të parandaluar manipulimet, këtë vjeshtë Spotify prezanton një sistem të ri që identifikon përmbajtjen e padëshiruar.
Ky filtër do të zbulojë llogaritë që përdorin taktika të tilla si duplikimet, këngët shumë të shkurtra dhe strategjitë mashtruese, duke i ndaluar këto materiale nga rekomandimet e platformës. Gjithashtu, Spotify mbështet standardin e ri për etiketimin e përmbajtjes së krijuar me AI, që u lejon artistëve dhe shtëpive botuese të tregojnë se si është përdorur gjatë krijimit të një kënge, qoftë tek vokalet apo instrumentalet.
Etiketat do të shfaqen direkt në aplikacion, sipas informacionit të dhënë nga distributorët dhe partnerët.
Që nga qershori, përdoruesit e Spotify vunë re një grup të ri të quajtur The Velvet Sundown, dhe shumë dyshuan se ishte i krijuar nga AI.
Megjithëse grupi e mohoi këtë në rrjetet sociale, më vonë u zbulua se këngët ishin vërtet të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke treguar se publiku nuk është gjithmonë i lehtë për t’u mashtruar. /A.Z/UBT News/
MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën
Irani paralajmëron tensione në Ngushticën e Hormuzit ndaj vendeve që mbështesin sanksionet
Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike
Irani akuzon SHBA-në për “aventurë ushtarake të pakujdesshme”
MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë
Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë me BE-në: Plotësohen 27 piketa kyçe
Rashica kërkohet nga Bashakshehiri: Detajet e ofertës turke
Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Vitit” te Sunderland, mes zërave për një kalim te Manchester United
Dekretohen ligjet e seancave të fundit: Kosova zyrtarizon anëtarësimin në Bordin e Paqes
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
