Magazinë

E papritur! Charlie Sheen zbulon sekrete nga jeta private

Published

on

Aktori i njohur Charlie Sheen ka rrëfyer se ka qenë i varur dhe se shpesh është shantazhuar nga partnerët e tij gjatë periudhës kur abuzonte rëndë me drogë, kohën që bëri tituj të shumtë dhe rrezikoi t’ia shkatërronte karrierën.

Në një intervistë për Michael Strahan në “Good Morning America”, Sheen, ka treguar se në atë periudhë kishte marrëdhënie edhe me burra, por e mbante sekret për shkak të shantazheve, ka raportuar ABC News.

 “Kjo solli sasi të jashtëzakonshme shantazhesh. Dhe atëherë mendova: ‘Në rregull, më mirë t’i paguaj që të heshtin. Të shpresoj se do të zhduket si fakt, të zhduket, e dini? Të zhduket”, ka thënë ai.

Sheen, 60 vjeç, ka thënë se ndihej sikur “po mbahej peng”, sepse zgjidhte të paguante në vend që të rrezikonte ekspozimin publik.

“Unë thjesht kisha nevojë të lirohesha nga kjo… dhe pastaj të shoh si do të ndihej bota nëse do ta dinte këtë”, ka shtuar ai.

Sheen, fitues i çmimit “Golden Globe” dhe yll i filmave e serialeve si “Platoon” dhe “Two and a Half Men”, ka shkruar për jetën e tij në librin e ri “The Book of Sheen”, i cili del më 9 shtator. Ai flet jo vetëm për marrëdhëniet dhe skandalet, por dhe për diagnozën me HIV dhe vendimin për të ndaluar përdorimin e drogës në vitin 2015, kur e bëri publike gjendjen e tij.

Ai ka treguar gjithashtu se e la alkoolin në vitin 2017 dhe prej asaj kohe është plotësisht i pastër.

“Trupi nisi ta refuzonte. Fjalë për fjalë, si të përmbysej nga brenda. Ishte rrëmujë”, ka thënë ai për vendimin për të hequr dorë nga alkool. Sot, aktori thotë se ndihet “mjaft mirë”. Duke kujtuar periudhën e vitit 2011, kur “Two and a Half Men” ishte në kulmin e suksesit, Sheen ka thënë se nuk e njeh atë version të vetes. Seriali u ndërpre që të futej në rehabilitim, u përjashtua nga xhirimet dhe u pushua nga roli.

“Nuk e di kush ishte ai person. Nuk është justifikim, por nuk e di nga cila pjesë e imja doli ajo gjë”, ka thënë ai, duke iu referuar deklaratave të bujshme për “gjak tigri” e “ADN të Adonisit”.

“Është e çuditshme. Është si një lloj posedimi. I lutem atij versioni të vetes: ‘Njeri, ndalu. Tërhiqu’”, ka thënë ai.

Ai ka pranuar se ndien pendesë për atë periudhë.

“E vetmja mënyrë për t’u përballur është të mos e përsëris kurrë e të mos lejoj të bie më në situata të tilla. Shumë njerëz më kujtojnë vetëm nga klipet virale, një tip që bërtiste ‘gjak tigri’. Por, ishte një çast në karrierën time të gjatë, kur gjërat dolën nga binarët”, ka thënë aktori.

Përveç karrierës si aktor, Sheen është biri i aktorit Martin Sheen, është baba i pesë fëmijëve dhe gjysh. Ai ka theksuar se, me kalimin e kohës dhe forcimin e qëllimit për të qëndruar i kthjellët, edhe marrëdhëniet me fëmijët e tij janë përmirësuar.

Lajmet

Rita Ora mahnit në tapetin e kuq në Londër me stil gotik

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr vëmendjen në tapetin e kuq të Festivalit të 70-të të Filmit në Londër, me një paraqitje elegante në stilin gotik.

Artistja mori pjesë në premierën e filmit të ri “Klara and the Sun”, me regji të bashkëshortit të saj, Taika Waititi. Çifti pozoi së bashku para fotografëve, duke shkëmbyer momente afërsie.

Rita zgjodhi një fustan të zi, të ngushtë pas trupit dhe të mbuluar me dantellë. Fundi i strukturuar në formë rrethi i jepte veshjes një siluetë të veçantë, ndërsa aksesorët në kokë, me forma që ngjanin me brirë dhe spirale, e plotësonin stilin e saj gotik.

Pamjen e kombinoi me grim me nuanca të argjendta dhe shkëlqim, flokë të mbledhur lart dhe këpucë të zeza me taka të larta, të lidhura përpara në stilin e korseit.

Ndërkohë, regjisori Taika Waititi u paraqit me një kostum klasik të errët dhe kravatë, duke plotësuar paraqitjen elegante të çiftit në tapetin e kuq./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Netflix” synon të ulë kostot, shkurton rreth 1000 vende pune

Published

on

Gjiganti i transmetimit të filmave dhe serialeve, Netflix, planifikon të shkurtojë rreth 6 për qind të vendeve të punës, në një kohë kur po përballet me ngadalësimin e rritjes së biznesit, raporton revista “Variety”.

Lajmi u bë i ditur nga bashkëdrejtuesit ekzekutivë të kompanisë, Greg Peters dhe Ted Sarandos.

Në fund të vitit të kaluar, Netflix kishte rreth 16 mijë punonjës, çka do të thotë se shkurtimet mund të prekin afërsisht 1.000 vende pune. Sipas raportimeve, masat do të përfshijnë disa sektorë, mes tyre burimet njerëzore, shërbimet ligjore dhe teknologjinë.

Disa javë më parë, Sarandos kishte pranuar se kompania po rritej më ngadalë sesa do të dëshironte.

Megjithatë, Netflix vazhdon të jetë një nga platformat kryesore globale të transmetimit. Sipas të dhënave të kompanisë, në fund të vitit 2025 shërbimi kishte më shumë se 325 milionë familje abonente.

Ndërkohë, gara në industrinë e transmetimit po intensifikohet. Pasi oferta e Netflix për të blerë aktivitetet e prodhimit të filmave dhe serialeve të Warner Bros u tejkalua nga Skydance, kjo e fundit synon të bashkojë platformën Paramount+ me HBO Max, duke krijuar një konkurrent më të fuqishëm në treg.

Pavarësisht shkurtimeve të planifikuara, drejtuesit e Netflix kanë theksuar se kompania do të vazhdojë të investojë në fushat me potencial të lartë rritjeje. Rezultatet e ardhshme financiare tremujore pritet të japin më shumë detaje për ecurinë e biznesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Tupac Shakur: Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot dënimin

Published

on

Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.

Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.

Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.

Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etiketat “shkruar nga njeriu”, nisma për të dalluar librat e krijuar pa inteligjencë artificiale

Published

on

Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas disa rasteve të bujshme ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.

Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botërore të librit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.

Një nga rastet që ka nxitur debat është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i akuzuar se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze “Librinova”, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të librit.

“Librinova” u mundëson autorëve të paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe, kundrejt një tarife, të marrin etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me auditorin, i cili e shqyrton veprën.

Në Britaninë e Madhe, kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”. Ky standard kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të inteligjencës artificiale për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 6 mijë e 500 tituj.

Shqetësimet për përdorimin e IA-së në letërsi janë shtuar edhe pas rastit të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard. Shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe e tërhoqi nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur inteligjencën artificiale.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet në mesin e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të përballen me dyshime të padrejta për përdorimin e IA-së. Nismat e certifikimit synojnë të rrisin transparencën dhe të krijojnë standarde më të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara