Ana Barbara Bur Buldrini (31), një këngëtare, modele dhe influencuese braziliane, vdiq pas një operacioni në Stamboll, dhe burri i saj pretendon se nuk ishte përgatitur si duhet për procedurat.
Sipas një raporti nga media lokale O Tempo, Ana Barbara dhe burri Elgar Sueia udhëtuan nga Mozambiku për në Stamboll, ku ajo iu nënshtrua liposuksionit, zmadhimit të gjoksit dhe operacionit të hundës të dielën, më 15 qershor.
Sueia pretendon se Buldrini cila kishte 797,000 ndjekës në Instagram kishte një marrëveshje me Spitalin Tusa për të marrë operacione në këmbim të promovimit të spitalit në mediat sociale.
Burri i saj i tha O Tempo se Buldrini vdiq vetëm disa orë pas procedurës, për shkak të arrestit kardiorespirator.
Ai gjithashtu deklaroi se gruaja e tij nuk ishte përgatitur siç duhet për operacionet.
“Ajo donte t’i nënshtrohej këtyre procedurave për të përmirësuar pamjen fizike. Ishte ëndrra e saj. Ndërhyrja kirurgjikale fillimisht ishte planifikuar për të mërkurën, por për shkak të problemeve me orarin, kirurgu vendosi ta shtynte për të dielën. Ne shkuam në klinikë të dielën vetëm për të parë hapësirën, por mjeku donte ta bënte ndërhyrjen kirurgjikale menjëherë, edhe pse Ana nuk ishte e përgatitur”, tha Sueia për median braziliane.
Sipas G1, ndërhyrja kirurgjikale përfundoi rreth orës 23:00 më 15 qershor. Sueias iu tha se mund ta shihte gruan e tij, e cila ishte ende nën anestezi, por do të zgjohej së shpejti.
“Më thanë të shkoja në dhomë, asistentët po silleshin çuditshëm. Prita një orë e 15 minuta për ta parë. Zbrita poshtë dhe një mjek më tha se zemra e saj po rrihte ngadalë dhe një tjetër se ajo kishte ndërruar jetë.”
Sueia ndau hidhërimin e tij për vdekjen e gruas së tij në Instagram.
“Sot flas jo vetëm si një bashkëshort që humbi dashurinë e jetës së tij, Ana Barbara, por edhe si një qenie njerëzore që kërkon të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë”, shkroi në postim, me raport nga stacioni televiziv EKOL TV mbi rastin.
“Më 16 qershor 2025, Ana humbi jetën tragjikisht në një klinikë private në Pendik, Stamboll. Ajo erdhi në këtë vend me shpresë dhe besim. Ky besim u tradhtua nga një sistem që lejoi që kjo të ndodhte pa mbikëqyrje.”
Në një deklaratë për Turkiye Today, Spitali Tusa pretendoi se pacientes iu dha i gjithë informacioni ligjor dhe mjekësor, se një “komplikacion i papritur” ndodhi gjatë shërimit të saj. Gjithashtu tha se u bë përpjekje për ringjallje për 90 minuta.
“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ekipit të ekspertëve të anesteziologjisë, pacientja nuk mundi të ringjallej”, përfundoi deklarata.