Lajmet

​Abdixhiku: Shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i Bashkimit Evropian

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se këtë verë është goditur shtetësia e Kosovës. Sipas tij, vendimi i Bashkimit Evropian për njohjen pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës tregon për gjendjen fatale të vendit. Ai në seancë plenare foli edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për çka tha se LDK është kundër përplasjes me NATO-n, teksa shtoi se Kosova po rrezikon përjashtimin nga procesi i Berlinit si shkak i populizmave.

Kreu i LDK-së u shpreh se Kosova ka zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve.

“Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tanë, i sulmojmë ata, i godasim ata për të marrë në fund asnjë rezultat, veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend evropian. Prandaj për katër vjet nuk kemi as edhe një njohje. Prandaj për katër vjet nuk kemi asnjë anëtarësim. Prandaj ne Republika e Kosovës jemi nën masa e nën sanksione. Një politikë e tillë disfasiste e njohim shumë qartë. E kemi mundur 25 vjet më parë, ne njerëzit e lirë të Republikës së Kosovës. veçse ne ishim vet e u bëmë me aleat, ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve. Ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve, e kundërshtarët tanë i lamë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike. Duket se koha ka rrotulluar tavolinat. Kështu ndodhë kur në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të pa përgjegjshme, populliste e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithësecilit”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së shtoi se Kosova është në prag të përjashtimit nga procesi i Berlinit si shkak i politikave populliste.

“Në këtë rrotullim të tavolinash, shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i Bashkimit Evropian i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën. BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës, 17 vjet pas pavarësisë, 25 vjet pas lirisë. Si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë, ku qenka suksesi i sjelljes sonë diplomatike e sovrane. Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga procesi i Berlinit për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë pasoja serioze të kësaj politike populiste, kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historik, rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar mirë”, shtoi ai.

Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Abdixhiku u shpreh se janë kundër përplasjes me NATO-n dhe se ky është orientimi popullor i Kosovës.

“Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. Për ta thënë shkurt, shqip, qartë sepse ka një vijë që se kalojmë dot, NATO dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosovës dhe qytetarëve tanë dhe ju garantojë se në asnjë dëshirë sado e errët dhe ekstremiste që është nuk mund e as do ta testojë e më pak ta ndryshojë këtë orientim pro-perëndimor të Kosovës. Por ja që përveç Urës së Ibrit, ka edhe një urë tjetër këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite mijëra vetura në ditë kapërcejnë nëpër rrugën që nuk ka urë, por qeverinë nuk e ke aty. As duke lyer, as duke testuar, e aq më pak duke ndërtuar atë. Dhe kjo është zgjedhja jonë sot qytetarë, zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat, përkundrazi me ngulfatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, shtoi ai.

Në deklarimin e tij gjatë seancës së sotme, Abdixhiku tha se lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon, e siç shtoi ai, edhe politika e zymtë e përplasëse.

“Lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon dhe me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse brenda shqiptarëve. Një që na ka mbytur e na ka mbyllur në mes vete. Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë. Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme”, përfundoi Abdixhiku.

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara