Kulturë

“A Silent Scream Is a Yawn”: Ekspozita e Manushaqe Ibrahimit, arti që dekodon emocionet, zëri i mendimeve të pashprehura dhe një alfabet për të gjithë

Published

on

Në një mbrëmje të zakonshme në Galerinë 17, heshtja e zakonshme e hapësirës u prish nga një shpërthim i butë tingujsh të brendshëm, i ngjashëm me një zhurmë të lehtë kur hap një letër të mbyllur prej kohësh. Kështu u hap ekspozita e Manushaqe Ibrahimit, e cila, me titullin e saj provokues “A Silent Scream Is a Yawn- Një ulërimë e heshtur është një përgjumje”, sfidoi çdo perceptim të zakonshëm për artin dhe të pashprehurën.

Duke mishëruar fragmente të jetës së përditshme, artistja ndërton një univers të formuar nga përvojat personale dhe reflektimet mbi izolimin, duke përdorur ngjyrat, format dhe simbolet si mjete për të krijuar një “alfabet personal.”

Ekspozita nuk është thjesht një përmbledhje e veprave artistike, por një kod i përjetimeve të brendshme që kërkon zbërthim. Si një ndërthurje midis intimitetit të Edward Hopper-it dhe simbolizmit të Gustav Klimt-it, Ibrahimi krijon një alfabet të ri, ku çdo vepër është një fragment i një gjuhe që nuk është folur kurrë.

Jastëkët e zi: Platforma e reflektimit… një ftesë për të dekoduar veten!

Shtatë piktura dhe tri video u shfaqën si një ftesë për të hyrë në thellësitë e mendimeve të pathëna, gabimeve të paanalizuara dhe bisedave të lëna pezull brenda vetes.

“Ekspozita është një hapësirë ku çdo gjë është e rastësishme, si jeta vetë. Ato biseda që nuk kemi guxuar t’i themi, ato momente kur kemi dështuar të mësojmë nga gabimet, të gjitha marrin jetë këtu,” tha artistja.

Me një ftesë delikate, ajo shtoi: “Jastëkët nuk janë thjesht për t’u ulur; ata janë një metaforë për një vend ku mund të ndalosh, të përqendrohesh dhe të dëgjosh zërin tënd të brendshëm, Nëse dëshironi, mund të uleni dhe të reflektoni para këtyre pikturave, ose të keni një bisedë të hapur me njëri-tjetrin. E rëndësishme është të mos i lini mendimet brenda, por t’i nxirrni jashtë.”

Lexime të ndryshme mbi një gjuhë unike… një zë që gjen kuptim në vetmi!

Kevin Kqira, artist, e interpreton këtë alfabet si një zë që kërkon vesh nga një monotoni e heshtur, një kontrast të fuqishëm mes dominimit dhe kaosit, një zë të ngritur që përplaset mbi mure të paqarta

“Zëri këtu është monotoni dhe ngritje njëkohësisht. Manushaqja krijon një hartë suksesi përmes figurave të saj. Ka një vale zëri që nuk pushon nga monotonia në ngritje, nga dështimi në triumf, është një hartë suksesi dhe një rrugë që i përket secilit, ku gjithkush gërvisht si macja në një hapësirë që të mban brenda, por edhe të sfidon të dalësh jashtë.” Ai pyet: “Çfarë ndodh nëse figura kthehet mbrapsht? A është ky një gabim, apo një tjetër mënyrë për ta lexuar botën?”

Sadri Çoçaj, dizajner grafik, e përshkruan ekspozitën si një vend ku mendimet e pathëna bien ndesh me njëra-tjetrën, duke na treguar konfliktin midis të shfaqurës dhe të fshehtës. Një gjuhë që refuzon të jetë e qartë, si rrudhat e pikturave të Egon Schiele-s.

“Ka mendime që s’kanë zë, por bien ndesh mes veti. Kjo është forca e artit të Manushaqes, të flet për konfliktin e brendshëm që, në fund, të ndihmon të shohësh më qartë.”

Ndërkohë, Gent Ademaj, dizajner shpalos një melankoli të qetë mbi vështrimin e tij për veprat:
“Ky është një udhëtim nostalgjik – çfarë kemi qenë, çfarë jemi, dhe çfarë kemi për t’u bërë. Veprat e Manushaqes janë si kujtimet e ndërlikuara, të dhimbshme dhe të bukura, që të detyrojnë të mendosh për rrugët që ke ndjekur dhe ato që të presin. Ka një ndjesi të thellë të nostalgjisë në këtë art.”

Në anën tjetër, Dea Berisha, studiuese e politikës i përkufizon veprat si zona të tensionuara ku “je brenda, por ndihesh i përjashtuar.” Për të, këto piktura pasqyrojnë luftën për ekzistencë dhe përpjekjen për t’u bërë “personazh në botën toksike të së përditshmes.” Edhe Dea sikur figurat e Giacometti-t, që humbin formën, por ruajnë një identitet të heshtur.

“Jam, por nuk jam. Si kjo pikturë, që ndihesh pjesë e saj, por je jashtë. Sikur të të përjashtonte dhe të të mirëpriste njëkohësisht. Një luftë e brendshme për të qenë diçka më shumë se një pikë në univers.” 

Në veprat e Ibrahimit, Sara Çafleshi, artiste, sheh një “kaos të bukur,” që i ngjan lëvizjeve surrealiste të Miró-s: “Kombinimi i ngjyrave duket i pamundur, por ato bashkëpunojnë me një harmoni që sfidon logjikën. “Është kaos i bukur. Nuk të shkon në mend se këto ngjyra (e kuqe, e gjelbërt, e verdhë) mund të kombinohen, por ja që funksionojnë. Si një ditë me shi që papritur bëhet diell.”

Yll Avdiu, artist, vlerëson aftësinë e veprave për të krijuar një kaos të kontrolluar: “Elementet abstrakte sfidojnë perceptimet tona, duke nxitur një analizë të hollësishme për të zbërthyer alfabetin si një element të përhershëm të dialogut njerëzor.”

Ai e përshkroi alfabetin e Manushaqes si një enigmë që vazhdon të sfidojë: “Pamja dhe dëgjimi këtu janë dy elemente që bashkëjetojnë. Një alfabet i përsëritur, por që gjithmonë zbulon diçka të re. Është një kod që kërkon durim për t’u deshifruar.”

Por më i habitshëm është këndvështrimi profesorit të sportit, Milaim Berisha, i cili e përjeton artin në mënyrën e tij praktike: “Secili këtu tërheq diçka, sikur të ishin lojtarë në një fushë loje. Vijat e bardha shfaqen kur të këqijat largohen. Ky është arti – një lojë e heshtur, por me rregulla të brendshme që vetëm koha mund t’i shpjegojë. Ngjyrat e bardha ngrihen mbi të zezat kur e keqja zhduket. Ka një optimizëm të heshtur në këtë luftë për t’i dhënë formë kaosit.”

Një alfabet që pret të dekodohet…

Së fundi, artistja dhe ish- profesoresha e Manushaqes, Koja Isufi- Shukriu, përmbledh gjithë filozofinë e këtij universi artistik: “Këtu janë dy bota të brendshme që kërkojnë të komunikojnë. Kufijtë midis realitetit dhe virtualitetit janë të zbehtë, dhe veprat e saj na sfidojnë të mendojmë për dilemat tona si krijues. Ky alfabet, që ngjason me kodet e antikitetit, është një thirrje për të mos pasur frikë nga e panjohura. Ndoshta një ditë, dikush do ta deshifrojë. Por deri atëherë, të jetosh në këtë heshtje të pasigurt është vetë thelbi i krijimtarisë.”

Kur heshtja bëhet urë midis artit dhe shikuesit…

Në këtë univers të krijuar nga Manushaqe Ibrahimi, arti nuk është thjesht një medium, por një ekzistencë e heshtur që kërkon të përftohet, të zbulohet dhe të dialogohet. Çdo pikturë është një përpjekje për të kapur të pashprehshmen, një ftesë për t’i dhënë kuptim heshtjes dhe për t’i kthyer ndjenjat e fshehura në një alfabet të përbashkët njerëzor.

Ekspozita “A Silent Scream Is a Yawn” tejkalon rolin e saj si një ngjarje artistike; ajo bëhet një akt meditimi kolektiv, një hapësirë ku vizitori gjen jo vetëm artin, por edhe vetveten. Në këtë përplasje të mendimeve, ndjenjave dhe ngjyrave, Ibrahimi sjell një reflektim filozofik që prek thellësinë e ekzistencës njerëzore: A është arti një pasqyrë e shpirtit, apo shpirtit i duhen pasqyrat e artit për të parë më qartë?

Heshtja këtu është gjithçka përveç mungesës së zërit; ajo është mbushja e boshllëqeve, një pëshpëritje që rritet në zhurmë, një urë midis artistit dhe shikuesit. Dhe në fund, ndoshta arti nuk kërkon as të deshifrohet, as të kuptohet plotësisht, por vetëm të përjetohet si një fragment i pakohë i asaj që jemi dhe asaj që aspirojmë të bëhemi!

 

Gazetare: Dionesa Ebibi

Continue Reading

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përvjetori i lindjes së akademikut Eqrem Çabejt

Published

on

By

Sot mbushen 118 vjet nga lindja e akademikut të shquar Eqrem Çabej, i cili u lind në Eskishehir të Turqisë. Pasi kreu studimet fillore në Gjirokastër dhe të mesmet në Klagenfurt, ai braktisi mjekësinë në Romë për t’u përkushtuar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit dhe më pas në atë të Vjenës, ku edhe u diplomua.

Me të u kthyer në atdhe, Çabej kontribuoi si arsimtar në gjimnazin e Shkodrës, Shkollën Normale të Elbasanit, Liceun e Tiranës, si dhe shërbeu për një periudhë të shkurtër pranë Ministrisë së Arsimit.

Gjatë karrierës së tij, ai nisi punën madhore për hartimin e Atlasit Gjuhësor të shqipes, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shërbeu si anëtar i Institutit të Shkencave, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Integriteti i tij i lartë intelektual u dëshmua edhe kur dha dorëheqjen nga Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare.

Si studiues poliedrik në leksikologji, gjuhësi historike, dialektologji e etimologji, Çabej mbetet i njohur për botimin kritik të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe. Sot mbushen po ashtu 46 vjet nga ndarja e tij nga jeta, prapa të cilës la një trashëgimi të paçmueshme për kulturën kombëtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga kujtimet e luftës te skena e “Oscarit”

Published

on

Filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, “Dua”, është vepra e dytë e saj që i është dorëzuar Akademisë së Filmit për t’u marrë në konsideratë për çmimet “Oscar 2027”. Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore

Filmi i dytë artistik i regjisores nga Kosova, bazohet në përvojat e saj personale gjatë rritjes në Kosovë në fund të viteve ’90 dhe rrëfen historinë e një vajze adoleshente me të njëjtin emër, e cila jeton nën hijen e luftës dhe tensioneve etnike, ndërsa përballet me sfidat e moshës së adoleshencës.

Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore.

“Gjithmonë jam ndier e vogël duke qenë shqiptare në Kosovë gjatë kohës së okupimit, edhe pse ne ishim shumicë. Gjithmonë ndiheshim më pak të rëndësishëm, sepse shpesh na kërkohej të flisnim serbisht ose nuk kishim shkolla, ose edhe kur i kishim, nuk kishim kabinete të mira, sepse nxënësit serbë kishin marrë pjesët e shkollës ku ndodheshin kabinetet e fizikës dhe biologjisë. Gjithmonë të krijohej ndjenja se vije nga një shtresë më e ulët. Në njëfarë mënyre mendoja: ‘Nuk do të mund të bëj asgjë, nuk do të mund të shkoj askund, nuk do të mund të udhëtoj’, sepse ne nuk mund të udhëtonim lirshëm atëkohë”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se edhe kur dikush shkonte në një koncert, të gjithë mblidheshin rreth tij për ta pyetur si kishte qenë. Ka rrëfyer se vetë nuk kishte qenë kurrë në një koncert para luftës.

“Për mua ishte shumë e rëndësishme të tregoja atë që kemi kaluar, mënyrën se si njerëzit përpiqen të jetojnë edhe në rrethana të tilla dhe si përpiqen ta ndryshojnë realitetin e tyre. Doja t’ia tregoja dhe t’ia rrëfeja këtë botës. Por gjithashtu sepse mendoj se kjo histori lidhet me shumë adoleshentë sot që ende jetojnë në zona konflikti, fatkeqësisht”, ka deklaruar regjisorja për dramën e saj.

Filmi zhvillohet në periudhën e luftës së Kosovës, e cila zgjati nga viti 1998 deri në vitin 1999, kur presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq ia hoqi Kosovës statusin e vetëqeverisjes. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovës u përballën me shtypje të gjerë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi kundër kontrollit jugosllav dhe serb.

Filmi i parë i Bashollit – “Hive” (i lansuar në vitin 2021) – ishte kandidatura e Kosovës për çmimet “Oscar” dhe arriti të futet në listën e ngushtë të Akademisë në vitin 2022. Tani, regjisorja shpreson që historia të përsëritet edhe me filmin “Dua”.

“Është shumë e rëndësishme, sigurisht, kur realizon filmin e parë. ‘Hive’ ishte kandidati i Kosovës për ‘Oscar’ dhe arriti në listën e ngushtë të Akademisë. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe një kënaqësi e madhe. Kur nisa realizimin e filmit të dytë, fillimisht mendova se nuk do të kishte shumë presion dhe se do të punoja si për çdo film tjetër. Por mendoj se ishte një presion shumë i madh, veçanërisht sepse filmi bazohej në jetën time. Kur krijon diçka kaq personale, disa gjëra bëhen më të lehta, por në të njëjtën kohë shumë të vështira, sepse nuk e di nëse je vetëm ti që je kaq e lidhur emocionalisht me të apo nëse publiku do të arrijë të lidhet dhe ta përjetojë historinë. Fakti që ‘Dua’ është sërish kandidatura e Kosovës për ‘Oscars’ është një nder dhe një kënaqësi e madhe. Tani duhet të punojmë fort dhe të zhvillojmë fushatën promovuese”, është shprehur Basholli.

Sipas regjisores, filma të tillë janë gjithashtu një burim frymëzimi për njerëzit dhe kineastët që jetojnë në Kosovë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që historitë tona të tregohen. Kemi shumë histori për të rrëfyer dhe ato kanë rëndësi. Për një vend kaq të vogël dhe për kinematografinë e tij është shumë e rëndësishme të realizohen filma dhe vepra artistike. Tani që po flasim për filmin, është e rëndësishme që këto histori të udhëtojnë, që njerëzit t’i shohin, të informohen dhe, shpresojmë, edhe t’i shijojnë filmat tanë. Por në të njëjtën kohë, kjo është shumë e rëndësishme edhe për kineastët në Kosovë, sepse ndonjëherë ekziston ndjenja se, për shkak se je nga një vend i vogël, nuk mund të bësh shumë. Unë besoj se mundesh, nëse punon fort, e do atë që bën dhe e bën me pasion. Sigurisht, nuk kemi buxhete të mëdha, por kemi histori të mëdha dhe zemra të mëdha. Prandaj besoj se është e mundur. Këta filma, jo vetëm ‘Dua’ dhe ‘Hive’, por edhe shumë filma të tjerë, po frymëzojnë njerëzit dhe kineastët që jetojnë këtu”.

“Dua” e nisi furishëm rrugëtimin me premierë botërore në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes, në majin e sivjetmë. Historia e sinqertë, e përshkruar me sytë dhe ndjesinë e një adoleshenteje të fundviteve të shekullit të kaluar, do të arrinte të merrte vëmendje tek mori çmimin “SACD”. Është çmimi për skenar që ndahet nga seksioni paralel i Festivalit të Cannes, “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest nis edicionin e ri në Kukaj, tradita dhe arti bashkohen në një hapësirë unike

Published

on

Në fshatin Kukaj ka nisur një tjetër edicion i Etno Fest, festivalit që prej vitesh bashkon traditën, artin dhe krijimtarinë bashkëkohore në një ambient të veçantë mes natyrës.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, vlerësoi rëndësinë e festivalit, duke theksuar se Etno Fest vazhdon të krijojë një përvojë unike, ku trashëgimia kulturore prezantohet përmes performancave artistike, muzikës, shfaqjeve teatrore dhe ekspozitave.

Sipas saj, festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, duke promovuar vlerat tradicionale përmes formave bashkëkohore të shprehjes artistike dhe duke afruar publikun me kulturën dhe identitetin e vendit.

Bogujevci përgëzoi organizatorët, artistët dhe gjithë ekipin e festivalit për përkushtimin e tyre në ndërtimin e një ngjarjeje që ruan dhe promovon trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ajo theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin artin dhe iniciativat kulturore që kontribuojnë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave kulturore të vendit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara