Lajmet

A mund t’ju bëjë humori një udhëheqës më të mirë?

Shumë prej komedianëve, besojnë se hobi i tyre do t’i bëjë ata liderë më të mirë.

Published

on

Nga Emilia Bunea

Unë kryej kërkime mbi udhëheqësit që kanë hobi të ndryshëm, dhe së fundmi jam ndalur tek kategoria e “komedianëve”: menaxherët e biznesit që bëjnë komedi të formatit “standup”, ose një teatër improvizues në kohën e tyre të lirë. Ata besojnë se hobi i tyre do t’i bëjë ata liderë më të mirë.

Dhe në këtë aspekt nuk janë një rast i veçantë. Të gjithë drejtuesit e kompanive me të cilët kam biseduar më thanë të njëjtën gjë. Humori po njihet tashmë si një aftësi thelbësore për një lidership të suksesshëm. Një varg kërkimesh të reja e pranojnë se megjithëse humori mund të jetë i rrezikshëm, udhëheqësit duhet që ta përdorin atë.

Kjo pasi menaxherëve-komedianë u besohet më shumë, dhe shihen si udhëheqës më të mirë. Ata nxisin aftësitë krijuese të punonjësve dhe e forcojnë angazhimin e tyre në punë, dhe e bëjnë që çdo lloj ndryshimi të perceptohet si më i menaxhueshëm, dhe të porsaardhurit në një punë të ndihen më të mirëpritur.

Por të bësh humorin e duhur, kërkon që të dish se si ta krijosh atë, të zgjedhësh stilin tënd, dhe të dish kur ta përdorësh. Ja çfarë këshillash japin ekspertët

1. Si krijohet humori

Merreni këtë çështje seriozisht, ashtu si çdo aftësi tjetër të rëndësishme. Ndiqni një kurs, lexoni libra, bëni praktikë. Për shembull mund të praktikoheni në formatin e komedisë “stand–up”. Ajo do t’iu mësojë se si të lexoni audiencën tuaj, si të qëndroni origjinalë dhe si ta shihni me një interes të ri botën përreth jush.

Nga improvizimi, ju do të mësoni se si ta dëgjoni realisht bashkëbiseduesin tuaj, në vend që të planifikoni fjalinë tuaj të ardhshme; si ta vini veten në situatat e njerëzve të tjerë, përpara se të vendosni nëse jeni dakord me ta apo jo; si të shijoni kreativitetin e ekipit tuaj, në vend që të diktoni idetë tuaja. Të gjitha këto leksione janë të dobishme për udhëheqjen në përgjithësi, dhe nuk shërbejnë vetëm për të qeshur.

2. Krijoni stilin tuaj

Studimet i ndajnë në 4 kategori stilet e humorit. I pari është stili afiliativ ose shoqërues, pra humori që përfshin edhe të tjerët (Ne e shpërndamë projektin. Ja këto janë për ‘mamitë’ më të mira të kompanisë!). Së dyti është stili vetë-përmirësues, kur gjërat janë të vështira duke gjetur kënaqësinë në të gjitha (Dreqin, e humba këtë klient. Epo, dikush do ta gjejë atë në fund). Së treti, është stili vetë-shkatërrues, pra poshtërimi i vetes (Unë jap leksione të paçmueshme për udhëheqjen e keqe).

Së katërti është stili agresiv (Çfarë lloj trajnimi keni bërë? Një trajnim sa për të thënë?). Si rregull, ju duhet ta përdorni humor shoqërues dhe vetë-përmirësues, dhe të qëndroni larg stileve vetë–shkatërruese dhe agresive. Por humori vetë-përçmues? Ndërsa humori vetë-shkatërrues është negativ, versioni i tij, humori vetë-përçmues është shumë efektiv. Madje disa thonë se ai duhet të jetë i detyrueshëm për liderët.

A është humori agresiv gjithmonë i keq për udhëheqjen? Disa kompani apo ekipe kanë një kulturë në të cilën goditja me grushte është një sport, dhe të gjithë janë pjesë e lojës. Kjo ndodh më shpesh në ekipe më pak hierarkike dhe më kreative.

Si një udhëheqës, ju duhet të kultivoni pikërisht një kulturë të tillë. Mjafton të njihni forcën tuaj, pasi roli i liderit vjen me njëfarë fuqie shtesë: mos goditni askënd që nuk e ka mendjen. Në të kundërt, nëse keni në kompani një kulturë shumë hierarkike, pra me një “kulturë të “kontrollit”, nuk është pothuajse kurrë një ide e mirë të përdorni stilin tuaj të humorit agresiv, pasi kjo mund të shkaktojë dëme të pariparueshme.

3. Kur duhet përdorur humori?

Nëse jeni rishtar në përdorimin e humorit si një lider, do të dëshironi që të filloni gradualisht. Për shembull do ta provoni këtë qasje gjatë shakave dhe batutave që shkëmbeni para mbledhjes, dhe jo gjatë takimit ku do të diskutohet mbi shitjet e dobëta.

Ju nuk do ta përdorni plotësisht këtë qasje, përpara se të keni fituar njëfarë besimi nga ekipi juaj.

Por humori më efektiv dhe transformues i një lideri, ndodh shpeshherë në situatat më të rrezikshme. Po ju tregoj një rast kur isha përgjegjëse e zyrës së financave të një kompanie të kujdesit shëndetësor. Gjatë një takimi ku po diskutohej për ndërtimin e një pavioni të ri spitalor, menaxheri i projektit na dha një lajm të tmerrshëm: kalimi midis pavionit të ri dhe atij të vjetër ishte 1 centimetër më i ulët ndaj ambulancat nuk mund të kalonin dot.

Unë fillova të ndërmend shifrat e reja, pasi kjo nënkuptonte një ripunim serioz të projektit dhe një tejkalim të buxhetit fillestar. Pati një moment të gjatë heshtjeje, ndërsa të gjithë ishin kapluar nga paniku, derisa drejtori i operacioneve tha: “A keni provuar t’i lyeni ambulancat me vazelinë?”.

E qeshura e madhe që pasoi në sallë e reduktoi tensionin, dhe i dha mundësi ekipit të fillonte të mendonte për mënyrat krijuese për të zgjidhur problemin, në vend se të niste debatin toksik se kush e kishte fajin. Ajo shaka u bë legjendare në kompaninë tonë.

Por nëse shefi i madh, që ishte gjithashtu i pranishëm në mbledhje, do të ishte vrenjtur në fytyrë në vend se të qeshte edhe ai me batutën e gjetur, atëherë drejtori i operacioneve në kompani do ta kishte punën pisk.

Ndërkaq një studim i kohëve të fundit, zbuloi se mënyra se si bëhet humor varet shumë më tepër nga audienca sesa nga cilësia e tij. Nëse askush nuk e kupton se po bënit shaka, dhe pushoni nga puna pjesëtarin më të ngurtë të ekipit; atëherë do të habiteni se sa shpejt do të përmirësohet sensi i humorit i anëtarëve të mbetur të stafit. / “Psychology Today” – Bota.al

Vendi

Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin

Published

on

By

Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.

“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.

Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.

“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.

 

Continue Reading

Vendi

Arian Gashi zgjidhet kryesues i ri i KPK-së

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur sot udhëheqjen e tij të re. Pas përfundimit të procesit të votimit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, njoftoi se Arian Gashi ka marrë besimin e 4 anëtarëve, ndërsa kundërkandidati i tij, Milot Krasniqi, siguroi 2 vota.

Me këtë rezultat, Gashi do të jetë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, duke pasuar udhëheqjen e deritanishme.

Mandati i tij si kryesues i KPK-së nis zyrtarisht këtë të premte, më 13 mars 2026, dhe do të zgjasë deri në përfundim të funksionit të tij si anëtar i Këshillit.

Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, kryesuesi i sapozgjedhur theksoi rëndësinë e kësaj pozite si një mision për forcimin e ligjit:

“Këtë besim nuk do ta marr si privilegj por si përgjegjësi, andaj me besim në Zot dhe dashuri ndaj atdheut, do të realizojmë çdo plan të përbashkët”, deklaroi Gashi.

Menjëherë pas emërimit, ai ka bërë të ditur dorëheqjen nga pozita e tij e mëparshme si kryetar i Komisionit për Çështje Normative, për t’u fokusuar plotësisht në drejtimin e KPK-së.

Krahas tij, Këshilli ka zgjedhur edhe Dardan Vunqin në pozitën e zëvendëskryesuesit, duke kompletuar kështu ekipin drejtues të këtij institucioni.

 

Continue Reading

Rajoni

Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve

Published

on

By

Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.

Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.

Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Uashingtoni tërhiqet përkohësisht nga sanksionet ndaj Moskës për të ulur çmimet

Published

on

By

Uashingtoni ka marrë këtë vendim emergjent për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë tronditur rëndë nga lufta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një leje të posaçme 30-ditore, e cila u mundëson vendeve të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht kanë mbetur të bllokuara në det për shkak të sanksioneve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për të stabilizuar tregun energjetik, i cili po përballet me pasiguri të mëdha pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç raporton Reuters.

Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë mëngjesin e së premtes në tregjet aziatike. Sipas përfaqësuesit rus, Kirill Dmitriev, ky vendim do të lirojë rreth 100 milionë fuçi naftë bruto ruse, sasi kjo që barazohet pothuajse me prodhimin ditor global.

Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që administrata e Presidentit Donald Trump tërhiqet nga sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë. Ky veprim shihet si një përpjekje për të zbutur çmimet e energjisë, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë paralizuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi të enjten se kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori.

Leja vlen deri më 11 prill

Dokumenti i lëshuar nga Uashingtoni autorizon shitjen dhe dërgesat e naftës ruse që është ngarkuar në anije para datës 12 mars dhe vlen deri në mesnatën e 11 prillit 2026. Ky vendim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve (mbi 100 dollarë për fuçi) do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sekretari Bessent u shpreh se masa është “afatshkurtër” dhe nuk do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare qeverisë ruse. “Rritja e çmimeve është një ndërprerje e përkohshme, por veprimet tona do të sjellin përfitime masive për ekonominë tonë në afatgjatë,” tha ai, duke përsëritur qëndrimin e Presidentit Trump.

Përplasje me aleatët evropianë

Ndryshe nga Uashingtoni, aleatët evropianë janë shprehur kundër zbutjes së sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “tani nuk është koha për të liruar presionin ndaj Rusisë”. Po ashtu, qeveria britanike konfirmoi se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke e quajtur këtë një “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.

Pezullimi i sanksioneve vjen pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe Putinit më 9 mars, dhe një vizite të mëvonshme të delegacionit rus në SHBA, ku morën pjesë edhe emisarët e afërt të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara