Lajmet

A do të vazhdojë hetimi i kancelarit gjerman Scholz për skandalin e taksave?

Viti i Ri ka nisur me shumë telashe për kancelarin Olaf Scholz.

Published

on

A dha dëshmi të rreme kancelari, Olaf Scholz lidhur me skandalin e taksave “Cum-Ex” prej miliarda eurosh? CDU dëshiron ta vërtetojë këtë dhe paralajmëron aksione të tjera.

Viti i Ri ka nisur me shumë telashe për kancelarin Olaf Scholz. Partitë opozitare CDU dhe CSU duan ta ftojnë Olaf Scholzin përsëri përpara Komisionit të Financave. Akuzat janë shumë të rënda: thuhet se politikani i SPD-së nuk ka thënë të vërtetën në deklarimet e tij për të ashtuquajturin skandal Cum-Ex. Procesverbali i një mbledhjeje të Komisionit të Financave nga korriku i vitit 2020, i cili ka qenë deri tani i klasifikuar, synon ta vërtetojë këtë akuzë, shkruan DW.

Ndërkohë ky procesverbal është zhbllokuar nga kategoria e klasifikimit dhe është bërë publik, parlamentarët kanë akses dhe mund ta citojnë ate. Dokumenti tregon se Scholzit i kujtohej një bisedë në korrik me bankierin Christian Olearius, i cili ishte i përfshirë në mashtrimin tatimor Cum-Ex. Por nga shtatori 2020, Scholz thoshte se “nuk kishte kujtime konkrete” rreth takimeve.

Dëshmitarët duhet të thonë të vërtetën

Ai më pas dy herë tha para Komisionit hetimor parlamentar në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut, se nuk i kujtohet asgjë. Dëshmitarët janë të detyruar të thonë të vërtetën, në të kundërtën ata janë përgjegjës dhe mund të ndiqen penalisht.

“Deklaratat kontradiktore dhe humbja e papritur e kujtesës së kancelarit brenda pak muajsh ngrenë pikëpyetje të konsiderueshme”, tha për DW, Matthias Hauer, deputet i Bundestagut, i cili është përfaqësues i CDU në Komisionin e Financave.

Plaçkitja e shtetit

“Cum-Ex” është sinonimi i mashtrimit më të madh tatimor në historinë e Republikës Federale. Deri më sot janë 1500 të dyshuar, ndërsa janë përfshirë edhe rreth 130 banka. Bëhej fjalë për rimbursimin nga shteti të taksave mbi kapitalin që nuk është paguar kurrë. Kjo funksionoi falë një truku me ndihmën e aksioneve. Një herë në vit, kompanitë e listuara përcaktojnë nivelin e shpërndarjes së fitimit për aksionerët e tyre. Për këto dividende duhet të paguhen taksa, të cilat mund të rikthehen në rrethana të caktuara.

Me ndihmën e bankave, blloqet e aksioneve me (cum) dhe pa (ex) të drejta dividendesh shtyheshin kaq shpesh rreth datës së ndarjes së dividendeve sa që autoritetet tatimore nuk mund të kuptonin më se kush ishte në të vërtetë pronari në datën e ndarjes së tyre. Në fund të gjithë merrnin fatura nga bankat për taksat e paguara, të cilat mund t’i përdornin për të kërkuar rimbursim nga zyra e tatimeve. Ndërsa zyra e taksave ka paguar disa herë para që nuk janë marrë kurrë. Në vitin 2012 legjislatura ndërhyri dhe ndaloi transaksionet e errëta. Vlerësohet se dëmi i taksapaguesve nga Cum-Ex do të jetë mbi dhjetë miliardë euro. Hetimi po vazhdon ndonëse Komisioni i parë hetimor në Bundestag është ngritur në vitin 2016.

Skyline e zonës së bankave në Frankfurt mbi MainSkyline e zonës së bankave në Frankfurt mbi Main

Vizita e kryeministrit

Banka private e Hamburgut M.M. Warburg u përfshi në skandal. Kontrollet dhe hetimet tatimore filluan në vitin 2016. Në këstin e parë banka duhej të shlyente 47 milionë rimbursime të marra gabimisht. Anëtari i bordit dhe bashkëpronari i bankës private të Hamburgut M.M. Warburg, Christian Olearius bëri gjithçka që ishte e mundur për të shmangur shlyerjen.

Thuhet se Olearius ka pasur një ndikim masiv te politikanët dhe autoritetet në Hamburg. Ai gjithashtu iu drejtua Olaf Scholzit për ndihmë politike. Në atë kohë, Scholz ishte kryetari i parë i Hamburgut, pra kreu i qeverisë së qytetit-land. Në fund, autoritetet tatimore të Hamburgut hoqën dorë nga borxhi tatimor. Më vonë, Ministria federale e Financave, e udhëhequr nga CDU, udhëzoi Hamburgun që gjithsesi të kërkojë paratë.

Nuk është premtur asgjë, por…

A ndikuan Scholz dhe politikanë të tjerë kryesorë të SPD-së në Hamburg në trajtimin tatimor të Bankës Warburg? Olaf Scholz e ka mohuar vazhdimisht këtë, si në Komisionin hetimor parlamentar në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut, ashtu edhe në intervistat me Komisionin e Financave të Bundestagut.

Nuk ka asnjë provë për këtë në ditarët e Christian Olearius, të cilët u gjetën gjatë kontrolleve të shtëpive. Në të, bankieri vuri në dukje reagimin e kryetarit të bashkisë: Scholz “dëgjon me kujdes përshkrimet tona dhe bën pyetje të zgjuara”. Dhe më tej: “Nuk na është premtuar asgjë, mos e prisni dhe as mos kërkoni. Unë mund ta kontaktoj në çdo kohë, ai e pret këtë për këtë çështje”.

Një takim i dytë na tregon se Olearius, siç shkruan ai në ditarin e tij, i dha Scholzit një letër me shtatë faqe. Në dokument, Warburg Bank shpjegon pse ka të drejtë për fondet Cum-Ex dhe pse kthimi i parave do të “rrezikonte ekzistencën e bankës”. Olearius vuri në dukje në takim se Scholz “pyet, dëgjon, nuk shpreh një mendim. Nuk zbulon se çfarë mendon dhe nuk zbulon se si ka ndërmend të veprojë. Unë e kuptoj këtë, nuk dua ta shtyj dhe ta komprometoj atë në asnjë mënyrë.”

Boshllëqet e kujtesës së Scholzit janë të lidhura ngushtë me publikimin e të dhënave nga ditari. Nga këto doli se Scholz dhe bankieri ishin takuar jo vetëm një herë, por gjithsej tri herë.

“Ne mendojmë se boshllëqet e kujtesës së kancelarit janë të rreme”, thotë Hauer nga CDU. “Pas zbulimit të takimeve të tjera dhe një telefonate mes të dyve, Olaf Scholz deklaroi se nuk mban mend dhe nuk i kujtohet asgjë”.

Partitë në pushtet mbrojnë kancelarin e tyre

Këtu CDU dhe CSU duan të veprojnë edhe një herë në Komisionin për financa. Por ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse e dëshiron edhe shumica në Komision, e kjo nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e parashikueshme. SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku formojnë qeverinë, qëndrojnë në mbrojtje të kancelarit të tyre. Kjo ishte ndryshe në vitet e mëparshme, kur Scholz sulmohej nga FDP dhe të Gjelbërit.

SPD ka interesin më të vogël që kancelari të merret sërish në pyetje. “Ndërsa Olaf Scholz dhe qeveria federale po luftojnë me sukses krizën, Unioni po vazhdon të kritikojë dhe të nxisë çështjen”, kritikon Michael Schrodi, zëdhënës për politikën financiare për grupin parlamentar të SPD dhe përfaqësues i partisë në Komisionin e Financave. Në procesverbale shihet se Scholz ka deklaruar atë që kishte lexuar në takimet për shtyp. “Por nuk thuhet gjë për takimet apo përmbajtjet e tyre”. Prandaj nuk ka asnjë kundërshtim dhe asnjë arsye për të dëgjuar përsëri kancelarin në Komision, tha Schrodi për DW.

Marrja në pyetje në Hamburg në vend të Berlinit?

As FDP-ja nuk është e interesuar për një intervistim tjetër. Kjo është humbje kohe, tha Markus Herbrand, përfaqësuesit i FDP në Komision. Kancelari ka thënë disa herë se nuk mban mend asgjë. Në këtë drejtim, një ftesë në Komisionin e Financave nuk ka kuptim.

“Zbraztësirat në kujtesë sigurisht që mund të shikohen dhe diskutohen në mënyrë kritike, por nuk mund të priten gjetje të reja nga një marrje e re në pyetje”.

Të Gjelbrit nuk shohin mundësinë e ritrajtimit të çështjes në Berlin, por në Hamburg. Ata mendojnë se Komisioni hetimor në Dhomën e Përfaqësuesve të Hamburgut është “vendi i duhur dhe i përshtatshëm për punë të mëtejshme parlamentare dhe për marrjen në pyetje të kancelarit aktual”, thotë Sascha Müller, anëtar i Bundestagut dhe kryetar i të Gjelbërve në Komisionin për Financa.

Për DW ai shton: “Një tjetër marrje në pyetje në Komisionin e Financave të Bundestagut do të ishte vetëm një spektakël tjetër”.

Vendi

Viktima në Pejë kishte paralajmëruar institucionet tri ditë para ngjarjes

Published

on

By

Tri ditë para se të vritej në fshatin Vitomiricë të Pejës, e ndjera Arlinda Zekaj u kishte dërguar një letër paralajmëruese me karakter urgjent institucioneve të drejtësisë, ku kërkonte mbrojtjen e jetës së saj dhe ekzekutimin e urdhrave gjyqësorë. Së fundmi, ky rast ka nxitur reagime të ashpra nga krerët e partive politike në vend, të cilët kërkojnë hetim të pavarur, llogaridhënie dhe dorëheqje nga zyrtarët përgjegjës.

Kronologjia e ngjarjes dhe paralajmërimi i viktimës

  • Më 22 tetor: Viktima Arlinda Zekaj. i dërgoi një parashtresë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave dhe po e ekspozonin ndaj rrezikut për jetën. Në letrën e cilësuar si “shpresa e saj e fundit”, ajo shkruante: “Urime që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri.”
  • Të dielën, ora 19:00: Viktima raportoi një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë. Pas intervistimit, bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
  • Kthimi në shtëpi: Sipas Policisë së Kosovës, viktima u dërgua në shtëpinë e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj të lirë.
  • Ora 21:10: Policia pranoi njoftimin se e njëjta u gjet pa shenja jete. Sipas të dhënave fillestare, ajo ndërroi jetë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, ndërsa i dyshuar kryesor është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.

Sqarimi i Prokurorisë Themelore në Pejë

Pas publikimit të letrës në media, Prokuroria Themelore në Pejë bëri me dije se parashtresa e datës 22 tetor u regjistrua për trajtim mbi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Dokumenti iu përcjell urgjentisht Policisë, Gjykatës Themelore dhe Qendrës për Punë Sociale për verifikimin e lëshimeve të mundshme. Sa i përket vendimit gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria deklaroi se ai ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Njoftimi për detajet e rastit ka nxitur reagime nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, të cilat kanë kërkuar llogaridhënie institucionale:

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se vrasjet e përsëritura kanë tejkaluar çdo limit njerëzor dhe se drejtësia duhet të ashpërsohet. Haradinaj nësuroi se është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur për çdo veprim apo mosveprim të institucioneve. Ai theksoi se përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër individual, duke shtuar se secili zyrtar që ka trajtuar kërkesën e viktimës duhet të japë llogari për detyrimet e papërmbushura.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po ashtu reagoi lidhur me rastin, duke kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje të menjëhershme nga personat përgjegjës që kishin detyrë ligjore dhe institucionale ta mbronin jetën e viktimës.

 

Continue Reading

Magazinë

Katy Perry feston 42-vjetorin e lindjes, nga hitet botërore te koncerti në Kosovë

Published

on

Këngëtarja amerikane Katy Perry festoi dje, më 25 tetor, 42-vjetorin e lindjes, duke shënuar një tjetër vit në jetën e një prej emrave më të njohur të muzikës pop bashkëkohore. Me këngë që kanë shoqëruar breza të tërë, videoklipe plot ngjyra dhe një identitet artistik të veçantë, Perry ka ndërtuar një karrierë që e ka vendosur ndër figurat më të spikatura të skenës ndërkombëtare.

E lindur si Katheryn Elizabeth Hudson në Santa Barbara të Kalifornisë, ajo e nisi rrugëtimin muzikor me muzikën gospel, përpara se të gjente identitetin e saj artistik në muzikën pop. Albumi One of the Boys, i publikuar në vitin 2008, shënoi kthesën e madhe në karrierën e saj, ndërsa kënga I Kissed a Girl e solli në vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Suksesi i saj vazhdoi edhe në vitet pasuese, veçanërisht me albumin Teenage Dream, të publikuar në vitin 2010. Ky album solli disa nga hitet më të njohura të këngëtares, përfshirë California Gurls, Firework, E.T. dhe Last Friday Night (T.G.I.F.).

Albumi shënoi një moment historik në karrierën e saj, pasi Katy Perry u bë artistja e parë femër që arriti të kishte pesë këngë nga i njëjti album në vendin e parë të listës amerikane Billboard Hot 100. Ky sukses e forcoi edhe më shumë pozitën e saj në industrinë muzikore dhe e shndërroi në një prej emrave dominues të muzikës pop të asaj periudhe.

Në vitin 2013, me albumin Prism, Perry vazhdoi suksesin ndërkombëtar, duke sjellë këngë si Roar dhe Dark Horse, të cilat u kthyen në hite të njohura në shumë vende të botës. Në veçanti, Roar u bë një nga këngët më përfaqësuese të repertorit të saj, duke u lidhur me mesazhe të fuqizimit personal dhe vetëbesimit.

Përtej muzikës, Katy Perry është dalluar edhe për paraqitjet e saj skenike, kostumet shumëngjyrëshe, videoklipet kreative dhe spektaklet që ndërthurin muzikën me elemente vizuale. Stili i saj i veçantë ka ndihmuar në krijimin e një identiteti artistik lehtësisht të dallueshëm në skenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj, këngëtarja ka publikuar edhe albumet Witness në vitin 2017, Smile në vitin 2020 dhe 143 në vitin 2024, duke vazhduar të eksperimentojë me tinguj dhe koncepte të ndryshme muzikore. Ajo gjithashtu u bë e njohur për publikun televiziv përmes angazhimit si anëtare e jurisë në spektaklin amerikan American Idol, ku qëndroi për disa sezone.

Një kapitull i veçantë në karrierën e saj u shkrua edhe në Kosovë. Më 31 korrik 2026, Katy Perry performoi për herë të parë në Prishtinë, si një nga emrat kryesorë të Sunny Hill Festival, duke tërhequr mijëra adhurues të muzikës së saj.

Gjatë koncertit, artistja interpretoi disa nga hitet që kanë shënuar karrierën e saj, ndërsa skenografia me tematikë hapësinore i dha performancës një dimension të veçantë vizual. Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ngritja e flamurit të Kosovës gjatë paraqitjes së saj.

Një tjetër moment emocionues i mbrëmjes ishte takimi me një vajzë të vogël që po festonte ditëlindjen. Perry u afrua pranë saj dhe këndoi së bashku këngën Roar, duke krijuar një kujtim të veçantë për vogëlushen dhe për të pranishmit në festival.

Pas performancës, këngëtarja e përshkroi paraqitjen e saj të parë në Kosovë si një përvojë magjike, duke falënderuar Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për ftesën.

Në 42-vjetorin e lindjes, karriera e Katy Perry-t mbetet dëshmi e ndikimit që muzika pop mund të ketë në kulturën bashkëkohore. Me hite që vazhdojnë të dëgjohen edhe vite pas publikimit, performanca të paharrueshme dhe një identitet artistik të veçantë, ajo ka lënë gjurmë në muzikën ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit.

Nga Firework te Roar, këngët e saj vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të dashur për miliona dëgjues në mbarë botën, ndërsa koncerti në Prishtinë shënoi një moment të rëndësishëm për fansat e saj në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vritet një grua në Pejë: I dyshuar kunati, ngjarjes i parapriu arrestimi i bashkëshortit

Published

on

By

Mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës u vra një grua, ndërsa i dyshuar kryesor për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet se e ka qëlluar për vdekje me sëpatë.

Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë u njoftua për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacion dhe u intervistua, ndërsa bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.

Pas intervistimit, sipas Policisë, viktima me vullnetin e saj kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj në Vitomiricë dhe u dërgua atje.

Rreth orës 21:10, Policia mori informatën se e njëjta u gjet pa shenja jete, e vrarë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, përkatësisht me sëpatë, nga kunati i saj i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes. Prokurori i Shtetit doli në vendin e ngjarjes dhe autoritetet nisën hetimet për kapjen e të dyshuarit.

Në aspektin e veprimeve të mëparshme institucionale, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se më 22 tetor kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., e cila pretendonte se zyrtarët e institucioneve përgjegjëse kishin dështuar në detyrat e tyre lidhur me rastin e saj dhe moszbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.

Kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e parashtresës për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe e kishte përcjellë për trajtim urgjent në Polici, Gjykatë dhe Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vendimi gjyqësor për shtëpinë ishte ekzekutuar paraprakisht nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Lidhur me rastin ka pasur edhe reagime publike, ku avokatja Adelina Hoxha ka akuzuar publikisht institucionet për dështim në mbrojtjen e viktimës, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se të gjitha rrethanat dhe veprimet e ndërmarra do të hetohen me seriozitet të plotë profesional e ligjor. /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën personale me 26 vepra artistike

Published

on

Artistja e njohur kosovare Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën e saj personale në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ekspozita përfshin 14 piktura dhe 12 vizatime të realizuara gjatë periudhës së fundit të krijimtarisë së artistes. Ajo është kuruar nga Arta Agani, ndërsa tekstin e ekspozitës e ka shkruar Eqrem Basha.

Ekspozita do të hapet në orën 18:00 dhe do të shoqërohet me citate që ndërlidhen me konceptin e pikturave, me fokus në thënien: “E djeshmja më tregoi të ardhmen për ta jetuar të sotmen”.

Zake Prelvukaj është një nga artistet më të njohura në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa aktualisht është akademike në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara