Lajmet
Ambasadori francez për formim të qeverisë: Është fatkeqësi që jemi në këtë situatë
Published
4 months agoon
By
UBTnewsAmbasadori i Francës në Kosovës, Oliver Guérot, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe ka vlerësuar ndikimin e vonesave në formimin e institucioneve funksionale të vendit.
Mungesën e institucioneve, Gueret e ka quajtur fatkeqësi. Ai ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo gjykatë është një nga shtyllat kryesore të vendit.
“Dua të them se Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i respektuar jashtë vendit, jashtë Kosovës. Gjykata Kushtetuese është pranuar si anëtare e plotë në Shoqatën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese. Ajo është pranuar gjithashtu si anëtare e plotë në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese që flasin frëngjisht. Do të ftoja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Gjykata është një nga shtyllat e Republikës së Kosovës dhe për këtë kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha ai pas ngjarjes së Qendrë Mediale në Çagllavicë e organizuar me temën “Dezinformimi dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore – si të mbrohen votuesit dhe të ruhet procesi demokratik”.
Sa i përket vonesave në formimin e institucioneve funksionale, Guérot ka vlerësuar se kjo situatë është e pafavorshme për Kosovën dhe ka penguar realizimin e disa projekteve ndërkombëtare.
“Mendoj se është fatkeqësi që jemi në këtë situatë. Kosova nuk është i vetmi vend ku ekziston një qeveri në detyrë. Në vendin tim aktualisht kemi një kryeministër, por jo një qeveri të re të emëruar plotësisht, dhe ka shumë vende në Evropë në një situatë të ngjashme. Nuk është një situatë e mirë për asnjë vend dhe as për Kosovën. Agjencia Franceze për Zhvillim ka zhvilluar projekte të gatshme për të mbështetur Kosovën në tranzicionin energjetik, si dhe për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare, dhe kemi bashkëpunuar për këtë me qeverinë e Albin Kurtit, me qeverinë në detyrë tani, dhe jemi gati të vazhdojmë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga Kuvendi. Por tani jemi pak të bllokuar, sigurisht, sepse Kushtetuta e Kosovës thotë se çdo marrëveshje ndërkombëtare me implikime financiare duhet të ratifikohet nga Kuvendi, dhe ne nuk kemi një Kuvend që mund të funksionojë. Pra, të gjitha përpjekjet tona, jo vetëm të Francës, por duke folur për përpjekjet franceze, janë ngadalësuar nga kjo”, tha ai.
Për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori ka theksuar se kjo është mënyra e vetme për të arritur progres dhe ka vlerësuar rëndësinë e udhëheqjes së këtij procesi nga Bashkimi Evropian. Ai ka theksuar se promovimi i idesë së një dialogu të “vdekur” do të ndalonte progresin dhe nuk është në interes të askujt.
“Mendoj se jo, dialogu nuk është i vdekur. Dialogu është në fakt mënyra e vetme për të bërë progres. Pra, ata që promovojnë idenë e një dialogu të vdekur, promovojnë mungesën e progresit, dhe nuk mendoj se kjo është në interes të askujt. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja mbetet platforma relevante për të trajtuar çështjet, ose BE-ja në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Kur them BE, natyrisht nënkuptoj institucionet në Bruksel, por edhe mbështetjen e shteteve anëtare, dhe Franca është jashtëzakonisht e përfshirë në këto përpjekje. Ashtu si në krizë të tjera ndërkombëtare ne promovojmë dialogun dhe diplomacinë, kështu mendojmë se edhe këtu në Kosovë dialogu i udhëhequr nga BE-ja është platforma relevante”, tha ai.
Sa i përket marrëdhënieve me qeverinë aktuale, Guérot ka thënë se bashkëpunimi tekniko-profesional vazhdon, por ka kufizime për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.
“Ne kemi marrëdhënie pune. Siç thashë, ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë për shkak të kufizimeve institucionale ose kushtetuese. Por për të përmendur përsëri disa shembuj, ajo që Agjencia Franceze për Zhvillim po bën, ne vazhdojmë punën teknike, veçanërisht për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare, por gjithashtu, siç thashë, edhe në energji. Pra, kemi një marrëdhënie pune. Por duam, jo vetëm ne Franca, por duam një partner të plotë për të angazhuar më shumë. Dhe mendoj se kjo është një situatë normale”, tha ai./D.B/EO
Lajmet
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Published
12 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.
Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.
“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.
Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.
Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL
Lajmet
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Published
12 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.
Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.
Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.
Lajmet
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Published
12 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.
Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.
“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.
Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.
Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO
Lajmet
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Published
14 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.
Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.
Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.
BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.
Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.
Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.
Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Disa zona në Prishtinë me reduktime uji
SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare
Evakuohen 15 familje në Mitrovicë
100 qytetet me ushqimin më të mirë në botë
25 divorcet të shtrenjta në histori
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
