Lajmet

Disa zona në Prishtinë me reduktime uji

Published

on

Për shkak të turbullirave të larta në kanalin Ibër-Lepenc, si pasojë e reshjeve të dendura, Impianti i Trajtimit të Ujit Shkabaj është jashtë funksionit.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për reduktime në disa zona.

“Si rrjedhojë, priten reduktime në furnizimin me ujë nga ora 11:00 – 17:00 në këto zona: Fushë Kosovë, Obiliq, Një pjesë e lagjes Kalabria – Prishtinë. Zonat e lartcekura do të furnizohen me ujë nga ora 17:00 deri në 22:00”, njoftoi KRU.

Megjithatë, ndikime mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, sipas kompanisë.

“Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat. Me ITU Albanik dhe Badoc po trajtohet ujë me kapacitet maksimal”, thuhet tutje në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Diddy përballet me një padi të re për sulm seksual, ndërsa ndaj tij vazhdojnë hetimet

Published

on

Producenti dhe reperi, Sean “Diddy” Combs, po përballet me një padi të re për sulm seksual, vetëm pak ditë pasi autoritetet amerikane nisën një hetim tjetër lidhur me akuza të reja kundër tij.

Sipas padisë, një ish-aktor fëmijë pretendon se është sulmuar seksualisht nga Combs gjatë një feste në Hollywood Hills në vitin 2007, pasi ishte ftuar për të diskutuar mundësi karriere.

Paditësi pretendon se pasi mbetën vetëm, Combs kreu veprime të papërshtatshme seksuale ndaj tij. Pas incidentit, sipas dokumenteve gjyqësore, reperi i kishte premtuar mbështetje për projekte të ardhshme profesionale.

Përfaqësuesit e Combs i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të rreme dhe duke paralajmëruar se do t’i kundërshtojnë në gjykatë.

Padia e re vjen në një kohë kur Combs po vuan dënimin me burg për transportim të personave me qëllim prostitucioni. Ai ishte përballur edhe me akuza për trafikim qeniesh njerëzore dhe shantazh, por i kishte mohuar të gjitha pretendimet.

Ndërkohë, autoritetet në Los Anxhelos po shqyrtojnë edhe materiale të reja hetimore që lidhen me akuza të tjera për sulm seksual ndaj reperit.

Continue Reading

Lajmet

Prishtina hap muzeun e kujtesës për eksodin e vitit ’99

Published

on

Që nga dita e djeshme, në Stacionin e Trenit në Prishtinë është i hapur Muzeu i Eksodit ’99, i cili sjell rrëfime dhe dëshmi mbi dëbimin masiv të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.

Brenda një vagoni treni janë vendosur 48 intervista të refugjatëve që përjetuan eksodin, duke dokumentuar një nga periudhat më të rënda të historisë së vendit.

Drejtoresha e Reporting House, Jeta Xharra, ka thënë se muzeu ka rëndësi të veçantë historike dhe edukative, pasi kujton dëbimin e qindra mijëra qytetarëve nga Kosova përmes linjës hekurudhore.

Gjatë luftës, familje të tëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë qytetarë u grumbulluan në Stacionin Hekurudhor të Prishtinës dhe u larguan me trena jashtë Kosovës. Muzeu synon që këto rrëfime të mos harrohen dhe të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Numërimi drejt fundit: Kush janë kandidatët më të votuar në Kosovë

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e fundit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës. Sipas përditësimit të fundit të realizuar sot më 11.06.2026 në ora 08:01, deri më tani janë procesuar 2,117 nga 2,498 vendvotime në nivel vendi, apo 84.75% e tyre.

Më poshtë sjellim listën e top-10 kandidatëve më të votuar për katër subjektet kryesore politike në vend, të rreshtuar sipas numrit të votave të grumbulluara deri në këtë fazë.

Lëvizja VETËVENDOSJE

Kreu i listës, Albin Kurti, udhëheq bindshëm brenda subjektit të tij, i ndjekur nga Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu.

  1. Albin Kurti 202,448 Vota

  2. Glauk Konjufca 159,156 Vota

  3. Albulena Haxhiu 92,727 Vota

  4. Hekuran Murati 80,160 Vota

  5. Donika Gërvalla-Schwarz 75,476 Vota

  6. Xhelal Sveçla 61,136 Vota

  7. Avni Dehari 55,785 Vota

  8. Hajrulla Çeku 51,367 Vota

  9. Mimoza Kusari-Lila 50,279 Vota

  10. Ejup Maqedonci 46,552 Vota

 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Bedri Hamza kryeson listën e PDK-së duke kaluar pragun e 100 mijë votave, i pasuar nga Përparim Gruda dhe Arian Tahiri.

  1. Bedri Hamza 100,885 Vota

  2. Përparim Gruda 62,064 Vota

  3. Arian Tahiri 54,089 Vota

  4. Uran Ismaili 48,533 Vota

  5. Sala Jashari 33,702 Vota

  6. Vlora Çitaku 33,405 Vota

  7. Ganimete Musliu 25,499 Vota

  8. Arben Mustafa 23,354 Vota

  9. Enver Hoxhaj 22,996 Vota

  10. Mërgim Lushtaku 22,944 Vota

 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Në radhët e LDK-së, Vjosa Osmani-Sadriu mban primatin si më e votuara, e ndjekur ngushtë nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

  1. Vjosa Osmani Sadriu 67,208 Vota

  2. Lumir Abdixhiku 61,058 Vota

  3. Doarsa Kica Xhelili 47,472 Vota

  4. Hykmete Bajrami 37,646 Vota

  5. Avdullah Hoti 34,337 Vota

  6. Kujtim Shala 29,379 Vota

  7. Ukë Rugova 28,975 Vota

  8. Anton Quni 22,696 Vota

  9. Armend Zemaj 20,718 Vota

  10. Lutfi Haziri 20,459 Vota

 

AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Te partia e AAK-së, listës i prin Ardian Gjini, i cili gjendet para kryetarit të subjektit, Ramush Haradinaj, dhe Daut Haradinajt.

  1. Ardian Gjini 35,289 Vota

  2. Ramush Haradinaj 31,889 Vota

  3. Daut Haradinaj 24,107 Vota

  4. Besnik Tahiri 20,733 Vota

  5. Bekë Berisha 17,327 Vota

  6. Burim Ramadani 15,086 Vota

  7. Time Kadrijaj 14,654 Vota

  8. Agim Çeku 13,533 Vota

  9. Arbër Tolaj 12,789 Vota

  10. Albana Bytyqi 8,505 Vota

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Dosja e Prokurorisë: Si operonte rrjeti i dyshuar kosovar i trafikimit të drogës

Published

on

By

Pesë personat e arrestuar më 9 qershor në Kosovë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar policor, dyshohen se kanë qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, drejt Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Hetimet për rastin nisën nga mesazhet e dekoduara në aplikacionin Sky ECC. Radio Evropa e Lirë ka siguruar detajet nga hetimet e Prokurorisë.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe autoritete policore evropiane, bëri pesë arrestime në një aksion të shpërndarë në pesë qytete kosovare.

Aksioni filloi në përndjekje të një grupi të dyshuar për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.

I quajtur “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.

Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut; heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia; si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.

“Në Kosovë, pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion dhe narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër produkte të ndryshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, droga transportohej më pas përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Përveç trafikimit të narkotikëve, pesë të arrestuarit dyshohen edhe për pastrim parash.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se “fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal i transferonin në biznese të ndryshme, të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta”.

Një pjesë e mjeteve, sipas dokumentit, konvertohej në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.

Arrestimi i të dyshuarve u mbështet nga agjencia e zbatimit të ligjit e BE-së, Europol, dhe nga autoritetet e Francës, Belgjikës dhe Holandës.

Sipas Europolit, grupi kriminal operonte nga Kosova, ndërsa anëtarët e tij koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës, dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme në disa shtete evropiane.

Në njoftimin për aksionin për kapjen e të dyshuarve, Europoli tha se nga fillimi i hetimeve (të lidhura me platformën Sky ECC) janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, aktiviteti i të arrestuarve të djeshëm është i ndërlidhur me një rast të hetuar paraprakisht gjatë vitit 2025, në aksionin e quajtur “Qielli i Thyer”.

Në një njoftim të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria kishte njoftuar se 33 persona ndodheshin në paraburgim, nën dyshime për trafikim me drogë, shpëlarje parash e vepra të tjera ilegale.

Prokurori special, Fatos Ajvazi, i tha Radios Evropa e Lirë se pesë të arrestuarit më 9 qershor nuk konsiderohen udhëheqës të strukturës së dyshuar kriminale.

“Të paktën, deri më tani, nuk ka rezultuar një gjë e tillë. Këta janë anëtarë të grupeve që veç i kemi në paraburgim”, bëri të ditur Ajvazi.

Sipas tij, provat kryesore në këtë rast kanë qenë komunikimet e siguruara nga platforma e dekriptuar Sky ECC.

“[Komunikimet në Sky ECC] kanë qenë provat kryesore, mirëpo i kemi ndërlidhur edhe me prova tjera”, tha ai.

Ajvazi sqaroi se mesazhet fillimisht janë pranuar nga Europoli, dhe më pas janë siguruar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar nga autoritetet franceze.

Ai shtoi se nga hetimet e deritanishme, përfshirë rastet e vitit të kaluar, është vënë masë ndaluese për pasurinë prej 80 milionë eurosh.

Sipas prokurorit, personat e arrestuar në Kosovë e kanë zhvilluar aktivitetin kryesisht brenda vendit, por kanë pasur veprimtari edhe jashtë.

Rasti ndaj pesë të arrestuarve të fundit, dhe ai ndaj të dyshuarve të arrestuar më herët, vazhdon të jetë në fazën e hetimeve.

Ndërsa ende nuk ka aktakuzë për pesë të dyshuarit e kapur të martën, gjykata pritet të vendosë të mërkurën nëse do t’i dërgojë në paraburgim. /REL/

/E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara