Lajmet

Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Published

on

Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.

“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.

Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.

Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL

Continue Reading

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi vazhdon në orën 14:00 seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

Published

on

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot në orën 14:00 seancën konstituive, ndërsa në rend dite është pika për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës ishte ndërprerë të premten, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën, pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut për nënkryetare.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që ajo të mos i merrte votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje PDK-së që të paraqiste një propozim tjetër, por partia nuk e bëri një gjë të tillë.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sot pritet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi dështon sërish të përmbyllë seancën konstituive, PDK lëshon sallën

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet edhe në vazhdimin e sotëm, pasi procesi mbeti te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në votimin e veçantë për nënkryetarët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në këtë pozitë me 101 vota.

Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për nënkryetare. Deputetët e LVV-së abstenuan gjatë votimit për kandidaturën e saj.

Pas këtij votimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja Albulena Haxhiu ndërpreu punimet e seancës.

Haxhiu tha se për vazhdimin e radhës së seancës deputetët do të njoftohen me kohë. Me këtë, Kuvendi ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit.

Seanca e sotme vjen në kuadër të përpjekjeve për përmbylljen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara