Lajmet

Kuvendi nuk konstituohet përsëri, megjithëse po soset afati i dhënë nga Kushtetuesja

Published

on

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës do të mbahet më 19 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.

Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.

Ngërçi vjen pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9./REL

 

Lajmet

Kurti pjesë e një paneli në “USA House” në Davos, ZKM jep detaje për diskutimin

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është ftuar për të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.

Zyra e Kryeministrit tha se Kurti në përgjigjet ndaj pyetjeve të adresuara në kuadër të panelit, shprehu se “besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit, në etapa të ndryshme shoqërore dhe shtetërore”.

Ai shtoi se optimizmi edhe për të ardhmen rrjedh nga përpjekjet dhe aktivizim ynë i vazhdueshëm.

Ky panel është pjesë e iniciativës së lansuar nga Forumi Ekonomik Botëror i quajtur “Komuniteti i Besimit në Veprim”, i cili synon të reflektojë mbi mënyrën se si udhëheqës anekënd botës mund të ndërtojnë partneritete inovative mbi mjedisin, ekonominë dhe teknologjinë, duke shqyrtuar mënyrat se si liderët mund të përshpejtojnë bashkëpunimin në aktualitetin shoqëror”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Continue Reading

Aktualitet

Safet Zejnullahu: Një libër i domosdoshëm për gazetarinë hulumtuese në epokën e teknologjisë

Published

on

By

Gjilan – Në një epokë kur shpejtësia e informacionit po e zëvendëson thellësinë e analizës, dhe teknologjia po e sfidon vetë thelbin e gazetarisë profesionale, nevoja për gazetari hulumtuese të mirëfilltë bëhet më urgjente se kurrë. Pikërisht në këtë kontekst kritik, libri “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” i Musa Sabedinit pozicionohet si një vepër referuese, që rikthen vëmendjen te misioni, përgjegjësia dhe standardet themelore të gazetarisë hulumtuese, duke nxitur reflektim të thellë mbi të tashmen dhe të ardhmen e këtij profesioni.

Recensenti i librit, profesori Safet Zejnullahu, ka vlerësuar se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një moment kritik për gazetarinë bashkëkohore, në një kohë kur themelet e saj po lëkunden ndjeshëm nën ndikimin e zhvillimeve të shpejta teknologjike.

“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur, është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas tij, libri i Sabedinit është ndërtuar mbi një strukturë të qartë dhe funksionale, ku materia është ndarë me të drejtë në tri pjesë themelore, duke reflektuar një qasje metodologjike dhe analitike ndaj gazetarisë hulumtuese.

“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesor Zejnullahu.

Ai ka theksuar se libri përfaqëson një burim të rëndësishëm didaktik dhe profesional për studentët e gazetarisë, veçanërisht në një periudhë sfiduese për median, të karakterizuar nga transformime të shpejta teknologjike dhe ndryshime strukturore në mënyrën e prodhimit të lajmit.

“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.

Duke e veçuar sërish rëndësinë e 101 pyetjeve dhe udhëzimeve për gazetarinë hulumtuese, recensenti ka theksuar se këto përbëjnë një komponent thelbësor të librit, të ndërtuar mbi literaturë profesionale dhe raste konkrete nga praktika.

“Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, në gjithë historinë e gazetarisë hulumtuese, me analizën e kornizave ligjore e dilemave etike, me sugjerimet se si t’i dilet me gazetarinë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka përfunduar Zejnullahu./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Rinumërohen 687 vendvotime nga 2557 gjithsej

Published

on

By

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendimin që të rinumërohen 2557 vendvotimet.

Deri më tash, bazuar në përditësimin e fundit (07:40), janë rinumëruar 687 vendvotime, ku po vazhdon të ketë lëvizje te votat e kandidatëve për deputetë.

Nga përditësimi i fundit i KQZ-së, LVV del t’i ketë marrë 47.45% të votave, PDK 27.35%, LDK 10.32% dhe AAK 3.51%.

Continue Reading

Lajmet

Mblidhet sot Këshilli Prokurorial i Kosovës

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) sot mban mbledhjen e parë për këtë vit, në të cilin në rend dite është vendimi për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për kryesues dhe zëvendëskryesues të KPK-së.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ky takim pritet të fillojë nga ora 14:00.

Continue Reading

Të kërkuara