Lajmet

Safet Zejnullahu: Një libër i domosdoshëm për gazetarinë hulumtuese në epokën e teknologjisë

Published

on

Gjilan – Në një epokë kur shpejtësia e informacionit po e zëvendëson thellësinë e analizës, dhe teknologjia po e sfidon vetë thelbin e gazetarisë profesionale, nevoja për gazetari hulumtuese të mirëfilltë bëhet më urgjente se kurrë. Pikërisht në këtë kontekst kritik, libri “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” i Musa Sabedinit pozicionohet si një vepër referuese, që rikthen vëmendjen te misioni, përgjegjësia dhe standardet themelore të gazetarisë hulumtuese, duke nxitur reflektim të thellë mbi të tashmen dhe të ardhmen e këtij profesioni.

Recensenti i librit, profesori Safet Zejnullahu, ka vlerësuar se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një moment kritik për gazetarinë bashkëkohore, në një kohë kur themelet e saj po lëkunden ndjeshëm nën ndikimin e zhvillimeve të shpejta teknologjike.

“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur, është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas tij, libri i Sabedinit është ndërtuar mbi një strukturë të qartë dhe funksionale, ku materia është ndarë me të drejtë në tri pjesë themelore, duke reflektuar një qasje metodologjike dhe analitike ndaj gazetarisë hulumtuese.

“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka vlerësuar profesor Zejnullahu.

Ai ka theksuar se libri përfaqëson një burim të rëndësishëm didaktik dhe profesional për studentët e gazetarisë, veçanërisht në një periudhë sfiduese për median, të karakterizuar nga transformime të shpejta teknologjike dhe ndryshime strukturore në mënyrën e prodhimit të lajmit.

“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.

Duke e veçuar sërish rëndësinë e 101 pyetjeve dhe udhëzimeve për gazetarinë hulumtuese, recensenti ka theksuar se këto përbëjnë një komponent thelbësor të librit, të ndërtuar mbi literaturë profesionale dhe raste konkrete nga praktika.

“Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, në gjithë historinë e gazetarisë hulumtuese, me analizën e kornizave ligjore e dilemave etike, me sugjerimet se si t’i dilet me gazetarinë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias”, ka përfunduar Zejnullahu./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takohet me zyrtarët francezë, diskutojnë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” nga organizata France Sport Expertise.

Në takim është diskutuar për përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke përfshirë bashkërendimin institucional dhe infrastrukturën e nevojshme.

Kurti ka thënë se nga përfaqësuesit francezë kanë marrë këshilla lidhur me veprimet që duhet të kenë përparësi në këtë proces, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin e projekteve.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të afateve, ndarjes së përgjegjësive, kostove dhe burimeve të financimit.

Kurti ka rikujtuar se në fund të muajit korrik është nënshkruar marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklarata e Synimit për themelimin e Komitetit të Përbashkët për këto lojëra.

Sipas tij, këto marrëveshje e bëjnë Francën një partnere të rëndësishme në organizimin e “Prishtina 2030”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara