Bota

​Zelensky shpreh mirënjohje për SHBA: Na duhet paqja

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky edhe një herë ka sqaruar se janë mirënjohës për të gjithë mbështetjen që kanë marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Volodymyr Zelensky edhe një herë ka theksuar se garantimi I sigurisë, është çelësi për paqe.

“Si rezultat i këtyre ditëve, ne shohim një mbështetje të qartë nga Evropa. Edhe më shumë unitet, edhe më shumë vullnet për bashkëpunim. Të gjithë janë të bashkuar për çështjen kryesore – që paqja të jetë reale, ne kemi nevojë për garanci reale të sigurisë. Dhe ky është pozicioni i gjithë Evropës – i gjithë kontinentit. Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Turqia. Sigurisht, ne e kuptojmë rëndësinë e Amerikës dhe jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara. Nuk ka pasur ditë që të mos kemi ndjerë mirënjohje. Është mirënjohje për ruajtjen e pavarësisë sonë – qëndrueshmëria jonë në Ukrainë bazohet në atë që partnerët tanë po bëjnë për ne – dhe për sigurinë e tyre. Ajo që na duhet është paqja, jo lufta e pafund. Dhe kjo është arsyeja pse ne themi se garancitë e sigurisë janë çelësi për këtë”, ka shkruar ai në X.

Bota

Irani u kërkon evropianëve të heqin dorë nga kërcënimet për rikthimin e sanksioneve

Published

on

By

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u ka bërë thirrje fuqive evropiane t’i ndalin kërcënimet ndaj Teheranit, përfshirë paralajmërimet për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Diplomati kryesor i Teheranit shkroi të premten në X se u tha homologëve të vet nga Britania, Franca, Gjermania, si dhe shefes së politikës së jashtme të BE-së, gjatë një bisede të përbashkët telefonike se Evropa “duhet të veprojë me përgjegjësi” dhe të heqë dorë nga “politikat e shteruara kërcënuese dhe të trysnisë”.

Ai tha se BE-ja dhe grupi evropian i quajtur E3 nuk kanë “asnjë bazë morale apo ligjore” për të aktivizuar “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, u tha ministrave të tjerë të BE-së se E3-ja është e gatshme t’i rivendosë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk shpreh “angazhim të fortë, të dukshëm dhe të qartë”.

Evropianët përsëritën të njëjtin qëndrim gjatë bisedës me Araqchin, sipas një burimi diplomatik francez të cituar nga Reuters, i cili tha se Irani nuk u përball me trysni për të arritur një marrëveshje “të verifikueshme dhe të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) – kufizimet e afatgjatë të OKB-së ndaj shitjes së armëve, ndaj bankave dhe teknologjisë bërthamore, u hoqën 10 vjet më parë.

Qeveritë evropiane mund ta përdorin akoma mekanizmin e marrëveshjes për “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve para afatit të 15 tetorit.

Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i bombarduan objektet e tij bërthamore muajin e kaluar.

Evropianët po ushtrojnë trysni për të rikthyer punën e inspektorëve bërthamorë të OKB-së në Iran, duke synuar ta parandalojnë Teheranin nga riorganizimi i programit të tij bërthamor pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Kina dhe Rusia – mbështetës të kamotshëm të Iranit në këto negociata – nuk mund të vënë veto për rikthimin e sanksioneve.

Megjithëse dritarja formale për aktivizimin e mekanizmit mbyllet në tetor, qeveritë evropiane mund të zgjedhin ta shtyjnë këtë hap pas këtij afati për të mbajtur derën hapur për bisedime të mëtejshme.

Negociatorët iranianë dhe amerikanë ishin planifikuar të takoheshin në Oslo javën e kaluar, por takimi u shty, dhe duket se nuk është caktuar një datë e re.

Çdo rund i ri bisedimesh është i mundur vetëm kur pala tjetër është e gatshme për një marrëveshje të drejtë, të balancuar dhe të dobishme bërthamore për të dyja palët”, shkroi Araqchi në X.

Gjatë një konference për shtyp këtë javë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndërsa Irani dëshiron të angazhohet në bisedime, ai nuk është “për ngut” për t’u takuar, duke theksuar se “ne i shkatërruam objektet e tyre” në sulmet e 22 qershorit mbi objektet bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz./REL

Continue Reading

Bota

Zelensky: Sanksionet e reja kundër Rusisë të mirëpritura

Published

on

By

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mirëpriti paketën e 18-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë duke e quajtur atë “një vendim thelbësor dhe në kohë, veçanërisht tani që Rusia ka përshkallëzuar brutalitetin e sulmeve të saj ndaj qyteteve dhe fshatrave tona”.

Do të doja të shprehja mirënjohjen time për presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së për unitetin dhe qëndrimin e tyre parimor”, shkroi ai në X.

Zelensky falënderoi gjithashtu presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe “Danimarkën për një fillim vërtet pozitiv të presidencës së saj të BE-së”.

Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë të 18-të sanksionesh që synon Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës, thanë sot disa diplomatë.

Paketa e sanksioneve synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë dhe vjen në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte në Ukrainë.

Sllovakia e kishte bllokuar paketën, duke përmendur shqetësime në lidhje me importet e saj të gazit. Dje, kryeministri Robert Fico tha se kishte udhëzuar përfaqësuesit e Sllovakisë të miratonin masat.

Sllovakia, e cila më parë kishte bllokuar miratimin e kësaj pakete të re sanksionesh, e 18-ta që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, më në fund pranoi të hiqte veton e saj pasi mori garanci./atsh

Continue Reading

Bota

Forcat siriane përgatiten për t’u kthyer në qytetin e druzëve, pavarësisht paralajmërimeve nga Izraeli

Published

on

By

Forcat siriane janë duke u përgatitur për t’u kthyer në qytetin e pakicës fetare druze, Suveida, për t’iu dhënë fund luftimeve me fiset beduine, tha të premten një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, duke e vënë në rrezik një armëpushim të brishtë në jug të vendit.

Luftimet e përgjakshme disaditore që shpërthyen kur luftëtarët beduinë dhe druzë u përplasën në provincën Suveida u ndalën përkohësisht pas shpalljes së armëpushimit të mërkurën.

Luftimet kishin shtyrë Qeverinë siriane t’i zhvendoste trupat e saj atje, duke përshkallëzuar më tej dhunën.

Në këto përleshje u përfshi edhe Izraeli, i cili tha se nuk do ta lejojë Qeverinë siriane, e drejtuar nga islamistët, të vendosë trupa në jug të Sirisë dhe goditi forcat siriane në Suveida, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe pranë Pallatit Presidencial në Damask.

Trupat siriane u tërhoqën nga Suveida pasi u shpall armëpushimi, por përplasjet shpërthyen sërish të enjten në mbrëmje mes luftëtarëve beduinë fisnorë dhe druzëve, të cilët janë pjesë e një pakice fetare që ka ndjekës edhe në Liban dhe Izrael.

Ushtria izraelite kreu sulme të reja ajrore në provincën Suveida gjatë natës.

Duke i përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar, Izraeli është zotuar se do ta mbrojë pakicën druze në Siri nga sulmet, pasi është nxitur edhe nga vetë druzët në Izrael.

Mosbesimi i thellë i Izraelit ndaj udhëheqjes së re islamiste të Sirisë duket se bie ndesh me Shtetet e Bashkuara, të cilat thanë se nuk e mbështesin sulmin e fundit izraelit në Siri.

SHBA-ja ndërhyri për të ndihmuar në arritjen e armëpushimit të mëparshëm mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve druzi, dhe Shtëpia e Bardhë tha të enjten se dukej se armëpushimi po zbatohej.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka punuar për të krijuar marrëdhënie më të ngrohta me SHBA-në, e akuzoi Izraelin se po përpiqet ta përçajë Sirinë dhe premtoi se do ta mbrojë pakicën druze./REL

Continue Reading

Bota

BE-ja arrin pajtueshmëri për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

Published

on

By

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse.

Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.

BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më tani”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën”, shtoi ajo.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i njohur për qëndrimet e tij proruse, hoqi dorë nga kundërshtimi pasi mori “garancitë” e kërkuara nga Brukseli në lidhje me çmimet e gazit, ndërkohë që blloku synon t’i ndërpresë plotësisht importet ruse deri në fund të vitit 2027.

Si pjesë e sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se BE-ja është pajtuar ta ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta 15 për qind nën vlerën e tregut.

Kjo ndodh pavarësisht se aleatët e BE-së nuk arritën ta bindin presidentin amerikan, Donald Trump, ta mbështesë planin.

Tavani i çmimit është një nismë e G7-ës që synon ta kufizojë shumën e parave që Rusia fiton nga eksporti i naftës në vende si Kina dhe India.

Çmimi tavan për naftën, i vendosur në 60 dollarë nga G7 në vitin 2022, synon ta kufizojë çmimin me të cilin Moska mund të shesë naftë nëpër botë, duke ua ndaluar kompanive të transportit dhe atyre të sigurimeve që të merren me eksportet ruse mbi këtë shumë.

Sipas skemës së re të BE-së – që pritet të mbështetet nga aleatë të G7-ës si Britania dhe Kanadaja – niveli i ri do të nisë me 47.6 dollarë dhe mund të rregullohet në të ardhmen në përputhje me ndryshimet në çmimet e naftës.

Gjithashtu, zyrtarët thanë se BE-ja do të vendosë në listën e zezë mbi 100 anije të tjera të ashtuquajturës “flotë në hije”, që janë cisterna të vjetra të përdorura nga Rusia për t’i anashkaluar kufizimet për eksportin e naftës.

Po ashtu, parashikohen masa për t’ua pamundësuar tubacioneve të gazit në Detin Baltik, Nord Stream 1 dhe 2, të bëhen sërish në punë.

Sanksione do të vendosen edhe ndaj një rafinerie nafte në Indi që është në pronësi ruse dhe ndaj dy bankave kineze, pasi BE-ja po përpiqet të kufizojë lidhjet e Moskës me partnerët ndërkombëtarë.

Sanksionet e reja pritet të miratohen zyrtarisht nga ministrat e BE-së më vonë gjatë ditës së premte./REL

Continue Reading

Të kërkuara