Lajmet
Edmond Hajrizi: Kur dija, biznesi dhe etika ndërthuren në vendimmarrje
Published
11 months agoon
By
ubtnewsNjë dialog mbi rolin e drejtuesit në shndërrimin e dijes në modele funksionale që integrojnë arsimin, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin
Fundviti është periudha kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen dhe kur suksesi pushon së qeni një kategori numerike. Në këtë moment kohor, vlera e veprimit matet më pak me rezultate të menjëhershme dhe më shumë me drejtimin që ka marrë mendimi, me përgjegjësinë që mbart vendimmarrja dhe me ndikimin afatgjatë që ajo ushtron mbi shoqërinë.
Në këtë kontekst reflektiv, Edmond Hajrizi shfaqet jo vetëm si drejtues institucional, por si përfaqësues i një qasjeje sistemore që e koncepton dijen si instrument veprimi shoqëror dhe zhvillimi, jo si qëllim në vetvete. Rrugëtimi i tij ndërthur arsimin, sipërmarrjen, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin në një model funksional, ku teoria dhe praktika bashkëjetojnë dhe prodhojnë impakt të matshëm shoqëror.
Për Hajrizin, dija nuk mbetet koncept abstrakt apo kapital simbolik, por shndërrohet në strukturë veprimi, në sistem dhe në arkitekturë vendimmarrjeje. Kjo qasje reflektohet në mënyrën se si ndërtohen institucionet, si projektohen politikat arsimore dhe si kuptohet roli i lidershipit akademik në një realitet gjithnjë e më kompleks dhe ndërdisiplinar.
Biseda që vijon nuk synon të rendisë arritje individuale, por të hapë pyetje thelbësore mbi arsimin, etikën, inteligjencën artificiale, tregun dhe përgjegjësinë publike. Janë pyetje që nuk i përkasin vetëm një viti që mbyllet, por kohës që po ndërtohet.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova
Pyetja akademike si motor i dijes bashkëkohore
Duke iu referuar mendimit të Henrik Ibsen se detyrë e krijuesit është njëkohësisht të pyesë dhe të përgjigjet, si e shihni sot këtë “tension” ndërmjet pyetjes dhe përgjigjes në rolin e akademikut bashkëkohor?
Prof. E. Hajrizi: Duke marrë parasysh se si shoqëri ne zhvillohemi vazhdimisht dhe përballemi me gjëra të reja e të papritura, mendoj se është përgjegjësi e akademikut që të shtrojë pyetje problemore, të cilat çojnë drejt ecurive kreative për krijimin dhe studimin e dijeve të reja, që më pas, në të ardhmen, kanë potencial të përmirësojnë çështje të ndryshme jetësore. Pra, këto pyetje nuk duhet të trajtojnë çështjet thjesht në aspektin filozofik: “çka?” dhe “pse?”, por duhet të shërbejnë si tendencë dhe metodologji për t’i gjetur zgjidhje një problemi – “si?”.
Në anën tjetër, dhënia e një përgjigjeje, edhe pse mund të mendohet si proces i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, sot është proces mjaft kompleks, për shkak të dinamikës, perspektivave dhe ndryshimeve të shpejta. Sigurisht, për shkak të dijes dhe përvojës që posedon, akademiku ka përgjegjësi të gjejë dhe të japë një përgjigje apo konkluzion, mirëpo, sidomos sot, jo si autoritet final dhe si përgjigje absolute, por thjesht si rrugëtim, nxitje e mendimit dhe kreativitetit për zgjidhjen e problemeve të universit.
Ju nuk keni ndërtuar vetëm një institucion arsimor, por një sistem funksional në një mjedis konkurrues dhe kompleks. Në cilin moment e kuptuat se kjo përpjekje po tejkalonte kufijtë institucionalë dhe po artikulohej si një model me domethënie më të gjerë shoqërore?
Prof. E. Hajrizi: Vërtet, sistemi që është ndërtuar është kompleks, konkurrues (ndërmarrës) dhe përfaqëson një ekosistem me një shumëllojshmëri mijëra funksionesh dhe komponentesh, të cilat krijojnë vlerë bashkërisht në shoqëri. Mendoj se pikërisht në momentin kur në UBT u arrit një llojllojshmëri e fushave të studimit që përfshijnë shumicën e fushave të jetës, dhe këto fusha zhvilluan një interaktivitet të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, si një reprezentim i jetës reale, atëherë u krijuan parakushtet për të kaluar në një model shoqëror.
Atëherë u krijua baza dhe mundësia që, përveç edukimit, të shtoheshin edhe komponentë të tjerë, si hulumtimi i mirëfilltë me praktikë, bashkëveprimet me industrinë, kulturën dhe artin, impakti në to, bashkëpunimet e ndryshme, ndërmarrësia dhe inovacioni. Pra, realisht, në UBT filloi krijimi i një qyteti të tërë që përfshin jo vetëm edukimin, por gjithë spektrin e jetës.
Modeli “UBT Smart Self-Sustain System” synon ta shoqërojë individin nga edukimi i hershëm deri në jetën profesionale. A mendoni se institucionet e arsimit të lartë të së ardhmes do të evoluojnë nga struktura klasike arsimore drejt rolit të arkitektëve të jetës shoqërore?
Prof. E. Hajrizi: Transformimet që po ndodhin sot kërkojnë edhe kompetenca dhe atribute të reja të njerëzve, të cilat në vete janë komplekse dhe kanë ngjyrime të ndryshme, pra vijnë nga aspekti teknik, social, psikologjik dhe ambiental. Për t’i përfshirë këto dhe për t’i rritur gjasat e suksesit, formati klasik i edukimit nuk mjafton.
Duhet të ekzistojë një sistem i së ardhmes, i cili përbëhet nga një ndërlidhje dhe harmoni e vazhdueshme mes jetës, komunitetit, edukimit, teknologjisë dhe ambientit, ku në njërën anë shfrytëzohen arritjet e fundit tekniko-teknologjike, si inteligjenca artificiale, dhe në anën tjetër ruhet me ngulm komponenti njerëzor. Pra, tashmë nuk mjafton vetëm shkolla, por nevojitet një qytet i tërë në miniaturë për t’i përgatitur individët që të kenë sukses.
Këtë qytet ne e kemi ndërtuar, tashmë e quajmë UBT 5S apo Smart City, dhe e kemi testuar, duke parë rezultate të vazhdueshme në zhvillimin e atributeve që kërkojmë për njeriun e së ardhmes.
Në procesin e ndërtimit të një institucioni nga themeli, në rrethana të resurseve të kufizuara, cila ka qenë sfida më e madhe që nuk shihet nga jashtë? Gjithashtu, a ka ekzistuar një pikë kthese kur kompromisi, megjithëse funksional, nuk përputhej më me vizionin tuaj strategjik?
Prof. E. Hajrizi: Realisht, ndërtimi i institucionit për mua është një rrugëtim, ku gjatë gjithë ciklit të jetës kërkoj të gjej përgjigjen e një pyetjeje thelbësore që ia kam parashtruar vetes në fillim të karrierës sime, sa mund të ndikojë një individ në shoqëri duke kontribuar me një qasje proaktive, të bazuar vetëm në dije, në standardet më të mira dhe në pasion, pa asnjë parakusht financiar.
Kosova ishte një vend në tranzicion, me nevoja shumë të mëdha për kapacitete dhe zhvillime, pa parakushte të tjera mbështetëse, prandaj ishte vendi perfekt për të gjetur këtë përgjigje. Është e rëndësishme të theksohet se pyetja që i kam shtruar vetes kishte si hipotezë besimin se, kur diçka zhvillohet dhe gjeneron një vlerë, përmbajtje që dikush e përdor dhe e zhvillon tutje, ky impakt nuk kërkon kompromis, por mision, vizion dhe arsye për të qenë proaktiv.
Çfarëdo përfitimi lokal, momental apo më i lehtë nuk ka qenë alternativë e saktë, nëse nuk është përputhur me vizionin tim, i cili është bazuar në cilësi, ekselencë, inovacion, impakt dhe rritje të vazhdueshme. Pra, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë alternativë tjetër, përveç një rrugëtimi të qëndrueshëm të bazuar në vlerë.
Sigurisht që ky rrugëtim ka pasur sfida të mëdha dhe, përveç nevojës për të ndërtuar kapacitetet nga zero, sfida më e madhe ka qenë rezistenca dhe skepticizmi i rrethit dhe i shoqërisë kosovare ndaj besimit se ne mund të bënim diçka të madhe dhe të ishim pjesë e zhvillimeve të fundit të botës. Mendoj se ndoshta arritjet do të kishin ardhur më shpejt sikur të gjithë të kishim besuar dhe të ishim angazhuar së bashku, pasi është dashur punë shtesë, shtytje e vazhdueshme individuale, zhvillim dhe krijim i impakteve për të tejkaluar barrierat e këtij mentaliteti kufizues.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova
Edhe pse në planin strategjik arsimi konsiderohet shtyllë vertebrale e një kombi, në praktikë vërehen ngecje të ndjeshme. Ku mendoni se qëndron burimi kryesor i këtij hendeku?
Prof. E. Hajrizi: Thashë më herët se modelet klasike të edukimit nuk janë të qëndrueshme dhe mjaftueshëm produktive për kërkesat dhe nevojat që njerëzimi i ka sot dhe do t’i ketë nesër. Kërkesat janë shumë të mëdha dhe evoluojnë shpejt, ndërsa sistemi arsimor është i ngadalshëm dhe jo aq i adaptueshëm sa kërkohet.
Përkundër faktit se asnjëherë nuk kemi pasur financim më të madh, më shumë mësimdhënës dhe infrastrukturë më të mirë se sot, transformimet dhe kompleksiteti janë të shpejta dhe kërkojnë qasje tjetër, një qytet të tërë ku ndërlidhen shoqëria, teknologjia, ambienti, psikologjia, kultura dhe arti, të cilat krijojnë një strukturë të një “laboratori të jetës”, ku mund të arrihen atributet dhe kompetencat e nevojshme.
Ky fakt nuk vlen vetëm për Kosovën, por kudo. Mirëpo, në Kosovë mungon prioritizimi i arsimit në mënyrë serioze, dhe kjo jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe te qytetarët, industritë dhe institucionet. Shihen dukshëm arritjet dhe rezultatet në vendet që kanë reaguar me kohë dhe kanë integruar arsimin si pjesë kyçe të zhvillimit.
Zhvillimi i arsimit është një model shumë kompleks që nuk mund të zgjidhet me një formulë klasike; kërkon modelim të ri, i cili ka për bazë edhe gjendjen aktuale të shoqërisë. Për këtë arsye kam dashur të krijoj një prototip apo model të ri, i cili mund të implementohet në gjithë sistemin e Kosovës e më gjerë. Ky model është aprovuar dhe vlerësuar në botë, për çka edhe jam ftuar të flas në universitete, kompani dhe institucione më prestigjioze botërore, dhe për të cilin janë zhvilluar edhe hulumtime të shumta globalisht.
Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka një rol jo vetëm akademik, por edhe shoqëror e kombëtar. A duhet ai të fokusohet në mbajtjen e të rinjve në vend, apo në përgatitjen e tyre për lëvizje të lirë dhe për një rikthim të mundshëm me dije dhe përvojë të reja?
Prof. E. Hajrizi: Sistemi i arsimit është i lidhur drejtpërdrejt me aspektet shoqërore dhe kombëtare, pa dyshim; ky është parakusht në të gjitha vendet, por në mënyrë të theksuar për ne, sepse në Kosovë strukturat e tjera nuk janë mjaftueshëm të stabilizuara dhe të zhvilluara për të ndihmuar një individ pa edukim cilësor. Një edukim cilësor për qytetarin e Kosovës është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një jetë cilësore, ndërsa në vendet e tjera janë krijuar struktura dhe alternativa të tjera, përveç edukimit.
Për shkak se ne jemi një vend i vogël dhe i përkasim shoqërisë globale, duhet t’i pajisim të rinjtë me praktikat më të fundit të mundshme, në mënyrë që të kenë sukses kudo që jetojnë dhe veprojnë. Mirëpo, unë besoj thellësisht dhe jam vetë dëshmi se, nëse je i përgatitur dhe kompetent, perspektivat më të mëdha janë në vendin tënd sesa në një vend të huaj, për shkak të mbështetjes, harmonisë, qetësisë shpirtërore dhe ndjenjës së përkatësisë, të cilat shtojnë aktivitetin dhe kreativitetin e individit si pjesë e shoqërisë.
E gjithë kjo krijon mundësinë që të rinjtë tanë të qëndrojnë në vend, por ata kurrsesi nuk duhet të jenë të izoluar. Dija në vetvete nuk është e izoluar; ajo duhet të lëvizë, të bartet, të shkëmbehet dhe të krijohet si bashkëpunim i perspektivave të ndryshme, sepse vetëm kështu krijohen vlera të reja për një jetesë më të mirë, dhe jo një nevojë e thellë për të lëvizur jashtë vendit. Cilësia dhe kuadrot e përgatitura madje do ta bëjnë edhe vendin tonë një destinacion të kërkuar për jetë më të mirë, gjë që më pas çon edhe në diversitet kulturor dhe mundësi më të mëdha për vlera të shtuara.
Studentët shpesh theksojnë se modeli aktual i formimit intelektual favorizon përshtatjen, por jo gjithmonë guximin për iniciativa të reja. A pasqyron kjo një hezitim institucional ndaj ndryshimit?
Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, frika nga ndryshimet, apo rezistenca ndaj tyre, ekziston si te individët ashtu edhe te institucionet. Në aspektin individual, njeriu synon stabilitet dhe siguri në standardin e jetesës, mirëpo jeta na mëson se përshtatja ndaj ndryshimeve është kusht për suksesin. Ndërmarrja e riskut është thelbësore për realizimin e ambicieve dhe këtë jam përpjekur ta dëshmoj edhe vetë. Përkundër faktit se, pas arritjeve akademike dhe një stabiliteti të konsoliduar jetësor, mund të vazhdoja të punoja si profesor gjatë gjithë jetës sime, vendosa të dal nga ai cikël dhe, duke nisur nga zero, pa mbështetje dhe pa siguri të garantuar, të ndërtoj një institucion, duke arritur kështu një impakt shumë më të madh shoqëror.
Duhet kuptuar se arsimi na prezanton me dijet ekzistuese, ndërsa jeta lidhet me veprimin drejt së ardhmes; dhe jo domosdoshmërisht e ardhmja është vazhdimësi lineare e së kaluarës. Studentët duhet të jenë vetë proaktivë, si në parashikim ashtu edhe në planifikim.
Nga ana tjetër, kjo frikë ekziston edhe te institucionet dhe shpesh bartet pa nevojë, pasi ndryshimet po ndodhin pavarësisht hezitimit. Nëse institucionet nuk arrijnë të krijojnë kuadro më të mira se vetvetja, ato rrezikojnë të shuhen. Te ne ende mbizotëron tendenca për të ruajtur formatin klasik, thuajse autoritativ, jo vetëm në nivel institucional, por edhe në nivel shtetëror ndaj institucioneve, përmes një byrokratizimi që nuk nxit iniciativën, as zhvillimin e sistemeve të reja. Kultura e ndryshimit nuk është tipike as për shoqërinë tonë, e as për Evropën në tërësi, por fleksibiliteti dhe guximi për të shtruar pyetje jashtë kornizave ekzistuese tashmë janë domosdoshmëri.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova
A mendoni se inteligjenca artificiale do ta forcojë rolin e institucioneve të arsimit të lartë, apo do ta sfidojë vetë modelin universitar tradicional?
Prof. E. Hajrizi: Mendoj se janë të vërteta të dy alternativat. I gjithë zhvillimi tekniko-teknologjik, pa dyshim, ka sfiduar modelin tradicional që nuk i plotëson nevojat e shoqërisë. Në anën tjetër, nëse përdoret në mënyrë të duhur dhe profesionale, inteligjenca artificiale e rrit kreativitetin, efikasitetin, produktivitetin dhe impaktin në arritjen e rezultateve të pritshme apo të objektivave që paraqiten në mësimdhënie, hulumtim etj.
Ne po e vërtetojmë këtë çdo ditë përmes mënyrës se si inteligjenca artificiale, tashmë si pjesë përbërëse e ekosistemit të UBT-së në çdo funksion, nuk po e pengon zhvillimin, por përkundrazi po jep rezultate të mira në zhvillimin e kompetencave.
Autonomia akademike përtej renditjeve dhe ekspozimit global
Në kushtet e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe renditjeve si SCImago, si mund të ruhet bërthama akademike dhe autonomia intelektuale përtej numrave, klasifikimeve dhe ekspozimit global?
Prof. E. Hajrizi: Institucioni apo individi është një sistem në vetvete, por konsiderohet unik pikërisht për shkak se jeton në një vend dhe kohë të caktuar, me kushte dhe kulturë të caktuar, dhe kjo e dallon nga një tjetër që jeton në një vend apo kohë tjetër, ose në kushte e kulturë të ndryshme. Për të pasur një zë në skenën akademike globale, ne patjetër duhet të ruajmë identitetin tonë dhe të jemi kontribues aktivë.
Megjithatë, na nevojitet edhe shkëmbimi i përvojave, dijes, mundësive dhe praktikave, si dhe një krahasim që konfirmon se jemi në përputhje me parimet e arritjeve globale dhe që na mundëson një vizibilitet më të madh, i cili çon edhe në bashkëpunime ndërkombëtare më të shumta.
Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, si e shihni përgjegjësinë e elitës akademike për të qenë zë jo vetëm i dijes shkencore, por edhe i reflektimit etik, drejtësisë shoqërore dhe orientimit publik?
Prof. E. Hajrizi: Mendoj se kompetencat e akademisë dhe pyetjet që shtrohen prej saj lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e kualitetit të jetës, për rritje, progres dhe prosperitet, ku ndërlidhen edhe etika dhe vlerat njerëzore në përgjithësi. Ky mision është element kyç i përgjegjësisë që kemi ne.
Gjenerimi i njohurive të reja, të cilat lidhen me parimet njerëzore që i koncipuojmë si etike, të drejta dhe zhvillimore, është vetë arsyeja pse shkenca dhe akademitë e tilla ekzistojnë; prandaj, përveç akademisë dhe hulumtimit, nga këndvështrimi im, nevojitet edhe pjesa e ndërmarrësisë për impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova
Formimi intelektual, burimet e mendimit dhe etika personale
A ka një autor ose vepër që ka ndikuar thellësisht në formimin tuaj si mendimtar dhe së cilës i riktheheni ende në momentet e reflektimit?
Prof. E. Hajrizi: Ndërtimi im, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë profesional, nuk ka qenë i një drejtimi të vetëm, por është realizuar nga drejtime, fusha dhe perspektiva të ndryshme. Literatura të shumta rreth qasjes sistemore, ndërmarrësisë, administrimit, psikologjisë, robotikës, cilësisë, projektet praktike në këto tema, shkëmbimet e ideve dhe kulturave me profesionistë dhe universitete partnere në mbarë botën, të gjitha këto aktivitete më kanë ndihmuar në formësimin e mendimeve të mia sot.
Mirëpo, mund të veçoj se shpesh u rikthehem këshillave të prindërve, thënies së John F. Kennedy-t: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty – pyet çfarë ti mund të bësh për vendin tënd”, si dhe thënies së Sir Henry Royce-it: “Gjërat e vogla bëjnë perfeksionin, por perfeksioni nuk është gjë e vogël”. Shpesh, me thjeshtësinë e këtyre thënieve, vendimmarrja bëhet po aq e thjeshtë.
E nëse më duhet të veçoj një libër, ai është Progresi Njerëzor nga Steven Pinker, ku, bazuar në statistika dhe të dhëna aktuale, autori dëshmon se jeta është duke u përmirësuar dukshëm. Sot, ky lloj optimizmi i bazuar në fakte është shumë i çmuar, sidomos duke pasur parasysh se jemi të ekspozuar kryesisht ndaj lajmeve dhe hapësirave negative.
Cila ide, thënie ose mendim ju shërben si pikë referimi në momentet kur, pavarësisht arritjeve, shfaqen dyshimi ose skepsa?
Prof. E. Hajrizi: Kryesisht, dyshimet më shfaqen kur has në prirjen e njerëzimit për të mos vepruar në mënyrë konsistente drejt një qëllimi të përbashkët, pavarësisht mundësive, kushteve të plotësuara dhe përfitimeve. Një kulturë e tillë nuk është aspak e dobishme.
Mirëpo, thënë të drejtën, qasja sistemore që e ndjek vjen me një realizëm të bazuar në një optimizëm të thellë: se, nëse të gjitha komponentet trajtohen në mënyrat e duhura, çdo sistem do të triumfojë. Në fund, gjithmonë i rikthehem këtij mendimi.
Koha, dija dhe kuptimi i arritjes akademike
Martin Heidegger shkruante se “koha nuk është ajo që matet, por ajo në të cilën jetojmë”. Në këtë kontekst reflektiv të fundvitit, si do t’i përkufizonit arritjet akademike: si një renditje kronologjike suksesesh, apo si shprehje të një procesi të thelluar të formimit intelektual dhe etik?
Prof. E. Hajrizi: Unë mendoj se jetëgjatësia bazohet në vëllimin dhe përmbajtjen që njeriu realizon gjatë jetës, e jo vetëm në formatin klasik të kohës. Vlera e jetës rritet kur ka diversitet dhe një sasi të madhe aktivitetesh.
Nga qasja sistemore, në të cilën bazohem unë, arritjet e këtij viti kanë plotësuar vëllimin e nevojshëm për të krijuar një ndjenjë përmbushjeje, por gjithashtu kanë krijuar edhe një parakusht të mirë që e ardhmja të përjetohet dhe të shfrytëzohet sa më mirë. Pra, për mua, ky vit nuk shënon vetëm një kalendar suksesesh, por një vazhdimësi të realizimit të misionit dhe vizionit tim.
Thënia sokratike “E di një gjë që s’di asgjë” shpesh interpretohet si një qëndrim epistemologjik i pjekurisë intelektuale. A e shihni atë si shprehje të kufirit të dijes, apo si pikënisje të saj më autentike?
Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, edhe dija, edhe ne si njerëz, jemi të kufizuar. Ne jemi të kufizuar fizikisht, sepse, pavarësisht avancimeve teknologjike, nuk mund të përmbajmë dijen e gjithë botës dhe të gjithë kohërave në vetvete, ndërsa dija është në zhvillim, transformim dhe rritje të vazhdueshme.
Meqë e ardhmja bazohet në dije të reja, ku dijet aktuale mund të mos jenë më të dobishme dhe ku ekzistojnë papritshmëri, ky realitet na kufizon dhe nuk na lejon të jemi të gjithëdijshëm. Mirëpo, dija e akumuluar shërben njëkohësisht si pikënisje për zhvillimin e mëtejmë; ajo nuk na kufizon aspak për të qenë kontribuues dhe proaktivë për një jetë më të mirë për njerëzimin, sidomos kur shkëmbehet, koordinohet dhe ndërlidhet mes njerëzve.
Nga laboratori i ideve drejt mbylljes së ciklit vjetor
Thuhet se në laboratorin e shkencëtarit nuk ka asnjë ditë bosh. Me çka po merreni aktualisht, intelektualisht apo shkencërisht, që ende nuk është bërë publike?
Prof. E. Hajrizi: Ka vërtet aq shumë potencial për zhvillim, sa që koha shpesh është e pamjaftueshme, pasi çdo moment mund të shfrytëzohet për të rritur kureshtjen dhe angazhimin për të hulumtuar e realizuar diçka të re. Angazhimet e mia kanë ngjyra të shumëfishta.
Në aspektin shkencor, po vazhdojmë të konfirmojmë modelin UBT 5S dhe Smart City përmes testimeve dhe prototipeve të ndryshme, me qëllim që t’u japim përgjigje të shumta mënyrës së jetesës në të ardhmen. Në aspektin e ndërmarrësisë, po vazhdoj me krijimin e strukturave të reja globale të UBT-së, në mënyrë që të kemi një impakt global.
Po ashtu, viti 2026 do të shënojë për ne një çerek shekulli angazhim. Kjo nënkupton reflektime mbi të gjitha projektet dhe programet që kemi realizuar, të cilat do të manifestohen si vëllim i shtuar i publikimeve dhe si përpjekje e vazhdueshme për impakt në shoqëri, përmes dizajnimit të politikave, krijimit të kapaciteteve të nevojshme dhe angazhimit në sfera të tjera, drejtpërdrejt me qytetarët.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova
Në përmbyllje të këtij viti, kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen, me cilin parim ose mendim e përmbyllni këtë periudhë dhe cilën vlerë do të dëshironit të mbetej përtej shënjimit kalendarik?
Prof. E. Hajrizi: Mendoj se një angazhim akademik mbi 30-vjeçar dhe një angazhim ndërmarrësor prej një çerek shekulli, si dhe kulmimi i këtij angazhimi në një vit shumë pozitiv dhe të suksesshëm, krijojnë një segment kohor përmbajtësor, ku mund të reflektoj mbi punën dhe mbi pyetjen e parashtruar në fillim të iniciativave.
Vlera kryesore që e bart nga ky reflektim është konfirmimi se edhe për ne arritjet e mëdha janë të mundshme dhe se edhe ne mund të jemi pjesë e elitës ndërkombëtare. Angazhimi proaktiv për të ndërtuar një sistem të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, pa kompromis në cilësi dhe vlera humane, është i mundur, ia vlen plotësisht dhe ky është një besim që dua ta përcjell sa më fuqishëm te gjeneratat e reja. (Yes, we can!) /Telegrafi/
Kujtesë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 nëntor 1992-1998?
Published
11 hours agoon
November 15, 2026By
UBTNews
15 nëntor 1992
Bill Klinton: Kosova problem potencial
Në një koferencë për shtyp në Litel Rok, kryetari i porsazgjedhur amerikan, Bill Klinton, tha: “Mendoj se para se t’i dërgojmë trupat, kemi në disponim disa opsione për zgjidhjen e situatës në Bosnë dhe për problemin potencial në Kosovë. Nuk dëshiroj me këtë rast të përjashtojë me kurrfarë deklarate asnjërin nga këto opsione. Më 20 janar do të bëhem kryetar dhe dua që në atë moment të disponojë me të gjitha opsionet”, theksoi Bill Klinton.
Ndërkaq, senatori demokrat Sem Nan, i cili përmendet si kandidat për sekretar të shtetit apo sekretar amerikan i Mbrojtjes në administratën e Klintonit, tërhoqi gjithashtu vërejtjen për gjendjen në Kosovë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet së pari të bëjnë çmos që të pengohet zgjerimi dhe shpërthimi i vatrave të reja të krizave në truallin e ish Jugosllavisë, posaçërisht në Kosovë. Sem Nan deklaroi se SHBA-të duhet të revidojnë politikën e vet ndaj ish-Jugosllavisë, pasi që situata mund të paraqesë problem për NATO-n dhe në luftë do të mund të futeshin Greqia, Turqia, Shqipëria e vende të tjera. Unë kam disa ide të tjera për ish-Jugosllavinë, por sido që të jetë, ajo paraqet një provokim të madh, tha Nan.
15 nëntor 1993
Ndihmohen shkollat shqipe kudo në Kosovë
Solidariteti i punëtorëve tanë të punësuar përkohësisht në botën e jashtme dhe i qytetarëve për ndihmë shkollës shqipe nuk mungon, veçanërisht këto ditë kur është në pyetje sigurimi i lëndëve djegëse për nxënës.
Kështu fshatarët e Koshares së Ferizajt, këto ditë dhanë mbi 1.000 marka gjermane për sigurimin e ngrohjes dhe për të ardhurat personale të arsimtarëve. Bëhet me dije se me vetëkontribut u zgjerua lokali i kësaj shkolle për 120 metra katrorë, ndërsa punëtorët e këtij fshati të punësuar përkohësisht në botën e jashtme, vendosën këto ditë që tash e tutje t’i dërgojnë për çdo muaj nga 100 marka gjermane.
Aksioni për grumbullimin e ndihmave është shtuar edhe në komunën e Suharekës. Këto ditë, Ragip Begaj nga Banja, Këshillit për Financim të Malishevës ia ofroi 1.000 marka gjermane, ndërsda ndihma ofruan edhe disa qytetarë të tjerë të kësaj komune.
Edhe në Suharekë, bën me dije “Bujku” i sotëm se punëtorët e fshatit Vraniq, krahas përmbushjes së obligimeve ndaj Qeverisë së Kosovës, ndihmesë të madhe po japin e për mbarëvajtjen e arsimit shqip. U dalluan për kontribut veçanërisht qytetarët e Vraniqit, të cilët për nevojat e shkollës së tyre, grumbulluan 4.850 franka zvicerane dhe 100 marka gjermane.
Ndërkaq edhe në komunën e Rahovecit angazhimi i prindërve në këtë drejtim ishte i lartë. Gati në të gjitha fshatrat e kësaj komune janë siguruar lëndët djegëse.
15 nëntor 1994
Eliot Engel: Mbështetje për pavarësinë e Kosovës
TVSH në bashkëpunim me ekipin televiziv amerikan “USA” zhvilloi intervistë ekskluzive me kongresistin e rizgjedhur demokrat, Eliot Engël, i cili njihet jo vetëm si njohës i rrethanave në Ballkan, por edhe si mik i çështjes shqiptare.
Gazeta e sotme “Bujku” e boton intervistën e transmetuar para disa ditësh në TVSH.
- Engel tha se marrëdhëniet amerikano-shqiptare janë shumë të mira dhe se do të bëhen më të mira me kohë. Ai tha se është shumë i kënaqur që populli shqiptar në Kosovë e në Shqipëri ka shprehur një ndjenjë miqësie me Shtetet e Bashkuara. Ai tha se është e rëndësishme të vihet në dukje se propaganda e Enver Hoxhës nuk mundi të ndikojë tek populli shqiptar, prandaj sot ndjehet miësia e thellë midis shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë, Mitrovicë e Shkup.
Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me çështjen e Kosovës, z. Engel tha se është shumë e rëndësishme që populli i Kosovës të vetëvendosë. Shqiptarë u deklaruan dhe unë i mbështes ata, tha z. Engel.
Duke folur për situatën aktuale në në Kosovë, ai tha se “situata është e tmerrshme, ngase 90 për qind e popullsisë jeton në varfëri dhe trajtohet si minoritet i vogël.
Jam shumë i shqetësuar nga presioni serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Shprehje e këtij presioni janë faktet se shqiptarët nuk lejohen të përdorin gjuhën e tyre amtare në shkollë; që shumica e popullsisë së aftë janë pa punë; që profesorët e Universitetit ndiqen, që doktorët ndiqen. Mendoj se Perëndimi dhe bota duhet të bëjnë presion në regjimin e Beogradit, duke ia bërë atij të qartë se populli shqiptar në Kosovë nuk duhet të jetojë nën presion e okupacion”.
Duke u përgjigjur në një pyetje rreth presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës, kongresisti Eliot Engel tha se është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të jetë i angazhuar për situatën në Kosovë. “Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara të dinë se ç’po ndodh në Kosovë, prandaj janë të vendosura që vëzhguesit e KSBE-së të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që në Kosovë të ndihet dukshëm prezenca amerikane”.
Pasi përmendi kërcënimet e Bushit dhe Klintonit dërguar Serbisë për çështjen e Kosovës, z. Engel tha se autonomia nuk është zgjidhje për Kosovën. “Këtë e kanë kundërshtuar edhe shumë shqiptarë këtu në Amerikë. Ngase një autonomi të tillë rajonale e kanë pasur, dhe autoritetet e Beogradit ua ndaluan. Arsyeja që nuk miratohet një ide e tillë qëndron në atë se konfiguracioni jashtë Jugosllavisë ka ndryshuar: Kroacia jashtë saj, Sllovenia jashtë. Maqedonia jashtë. Atëherë si do të pranonte Kosova që edhe më tej të ngelë brenda saj, pra edhe Kosova kërkon model në konfiguracionin e ri”, tha ai.
Ai tha më tutje se Serbia përpiqet të evitojë praninë ndërkombëtare në Kosovë, porse presioni shumë i fortë që do të bëhet ndaj saj, si nga ana e misionit të KSBE-së, e hapjes së Zyrës amerikane në Prishtinë nga SHBA-të, do të bëjë që të vihet nën kontroll situata në Kosovë. “Sa më shumë të ketë vëzhgues ndërkombëtarë në Kosovë, aq më pak qeveria terroriste e Beogradit do t’i bëjë të njëjtat gjëra si në Bosnjë edhe në Kosovë. Presioni ndërkombëtar do t’i detyrojë serbët gjithashtu që të bisedojnë me përfaqësuesit legjitimë të popullit të Kosovës. Dialogu do të jetë e vetmja zgjidhje”, tha ai.
Duke u përgjigjur në një pyetje rreth hapjes eventuale të Zyrës Amerikane në Prishtinë, z. Engel tha se ajo mund të bëhet realitet. “Unë do të vazhdoj të punoj që kjo të bëhet realitet. Kam disa autorizime për hapjen e disa zyrave në Prishtinë. Nuk i kemi hapur akoma, pasi disa mendonin se ajo do të paraqiste rrezik. Ne do të vazhdojmë që të hapet zyra amerikane në Prishtinë. Me hapjen e Agjencisë së Informacionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë synohet që shqiptarët në Kosovë të ndjejnë prezencën amerikane”, tha ai.
Ndërsa duke u përgjigjur edhe në një pyetje reth efekteve të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë, z. Engel tha se presioni do ta detyrojë Beogradin e regjimin serb që të ulet në bisedime me shqiptarët. “Unë, kryetarin Rugova, e shikoj si një Gandi shqiptar që e ka situatën nën kontroll. Mendoj se kjo është çështje kohe, por derisa të hartohen disa rezoluta. Ne realisht jemi duke biseduar për atë se populli shqiptar nuk mund të jetojë.
15 nëntor 1995
Një serb u vendos me dhunë në banesën e një ish-minatori
Ditëve të fundit, një komision serb për çështje banesore i “Trepçës” po hulumton banesat e pronarëve shqiptarë, në të cilat momentalisht nuk është duke banuar askush dhe duke i thyer po vendosë në to punëtorë serbë të këtij kombinati.
Në një njoftim të KI të Degës së LDK-së në Mitrovicë bëhet me dije se ditë më parë nga ky komision u thye banesa e Haki A. Xhemajlit, ish-minator, dhe në të u vendos serbi Sllavisha Mllagjenoviq.
Z.Xhemajli, i cili këtë banesë e ka marrë në shfrytëzim para 17 viteve, pas largimit me dhunë nga puna në minierën e Stantërgut, bashkë me familjen e tij shkoi në Suedi.
15 nëntor 1996
Disa helikopterë fluturuan ulët mbi Prekaz të Skënderajt
Dje rreth orës 17:00, gjashtë helikopterë fluturuan ulët mbi Prekaz të Ulët, njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Helikopterët fluturonin kryesisht mbi lagjet e Jasharajve, Mehajve dhe të Kodrajve.
Vëzhgimi i helikopterëve zgjati rreth 15 minuta, ndërsa ata përcilleshin edhe nga dy vetura të policisë serbe.
15 nëntor 1997
Kinkel: “Së bashku me amerikanët kemi drejtuar reflektorët mbi Kosovë”
Prishtinë, 15 nëntor (QIK)
Pas takimit me homologun shqiptar Paskal Milo, ministri gjerman Klaus Kinkel i dha një intervistë Dojçe Veles.
I pyetur si e vlerëson qëndrimin e Qeverisë së re shqiptare përballë problemit të Kosovës, për të cilin edhe u bisedua në takim, Kinkel u përgjigj: “Qëndrimi ynë është i qartë, ne duam një autonomi sa më të gjerë për Kosovën. Ne nuk duam një shkëputje të Kosovës, ne nuk duam ndryshimin e kufijve, ne nuk duam të vazhdojë shtypja e një popullsie shumicë prej 90 për qind nga një minoritet prej 10 për qindësh. Ne gjermanët jemi shumë të interesuar për këtë, pasi kemi 140 mijë azilkërkues shqiptarë të Kosovës që janë refuzuar prej 400 mijë shqiptarësh të Kosovës sa jetojnë në Gjermani. Nëse këta do t’i përmbaheshin pak më shumë rendit dhe sigurisë në Gjermani, do të ishte mirë. Së shpejti Gjermania së bashku me amerikanët do t’i drejtojë më fort reflektorët drejt Kosovës.
Ministri im politik Ishinger së bashku me përfaqësuesin amerikan Gelbart do të shkojnë së shpejti në Beograd për t’i treguar Milosheviqit, por njëkohësisht edhe shqiptarëve të Kosovës vëmendjen tonë për këtë vend”.
15 nëntor 1998
Policia serbe shtiu me armë automatike në tre banorë të fshatit Dush të komunës së Klinës
Dje, rreth orës 15.00, në fshatin Dush të komunës së Klinës, policia serbe shtiu me armë automatike në drejtim të Shaban (Hisen) Marmullakut (60), Jashar (Sejdi) Marmullakut (51) dhe Shaip (Shaban) Berishës (32), të tre nga fshati Dush, të strehuar në Mitrovicë. Ata ishin nisur të shkonin në fshatin e tyre të dëmtuar gjatë ofensivave të forcave ushtarake e policore serbe, por të shtënat e policisë i kishin detyruar të ktheheshin përsëri në Mitrovicë.
lajme
“Solidariteti” dhe shtypshkronjat ilegale në Poloni (1981-1989): kur media e fshehtë sfidoi një regjim komunist
Published
12 hours agoon
November 15, 2026By
UBTNews
Shumë studiues e konsiderojnë Poloninë e viteve 1980 si vendin me sistemin më të zhvilluar të medias ilegale në gjithë bllokun sovjetik
Historia e lëvizjes polake Solidariteti (Solidarność) dhe e shtypit ilegal gjatë viteve 1980 konsiderohet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e medias në Evropën Lindore komuniste. Ajo dëshmoi se, edhe në kushtet e censurës së plotë shtetërore, qytetarët mund të ndërtonin rrjete alternative komunikimi dhe informacioni. Në fakt, shumë studiues e konsiderojnë Poloninë e viteve 1980 si vendin me sistemin më të zhvilluar të medias ilegale në gjithë bllokun sovjetik.
Për gati një dekadë, mijëra gazetarë amatorë, shtypshkronjës, intelektualë, studentë, punëtorë dhe priftërinj katolikë krijuan një rrjet të fshehtë gazetash, revistash, librash dhe radiostacionesh që sfidonin monopolin informativ të Partisë Komuniste Polake. Ky rrjet nuk kishte mbështetjen e shtetit, nuk dispononte teknologji moderne dhe vepronte nën kërcënimin e arrestimit. Megjithatë, ai arriti të informonte miliona polakë dhe të luante rol të rëndësishëm në procesin që çoi drejt rrëzimit të komunizmit.
Lindja e “Solidaritetit”
Në fund të viteve 1970, Polonia po përballej me krizë ekonomike, mungesa ushqimore dhe pakënaqësi të përgjithshme shoqërore. Qeveria komuniste kontrollonte të gjitha gazetat, radion dhe televizionin. Çdo informacion që mund të dëmtonte imazhin e partisë censurohej para publikimit.
Në gusht të vitit 1980, shpërthyen greva të mëdha në kantierin detar “Lenin” në Gdanjsk. Në krye të punëtorëve doli elektricisti Leh Valensa, i cili do të bëhej më vonë simbol i rezistencës demokratike polake.
Pas javësh negociatash, autoritetet u detyruan të pranonin krijimin e një sindikate të pavarur nga shteti. Kështu lindi Solidariteti, organizata e parë masive independente në një vend komunist të Evropës Lindore.
Brenda pak muajsh, sindikata numëroi rreth 10 milionë anëtarë. Për regjimin, kjo përbënte një kërcënim të madh politik. Nëse partia komuniste kontrollonte shtetin, “Solidariteti” po fitonte mbështetjen e shoqërisë.

| Në gusht të vitit 1980, shpërthyen greva të mëdha në kantierin detar “Lenin” në Gdanjsk. Në krye të punëtorëve doli elektricisti Leh Valensa, i cili do të bëhej më vonë simbol i rezistencës demokratike polake. |
Lufta për informacionin
Një nga sfidat më të mëdha ishte komunikimi me publikun. Televizioni shtetëror dhe gazetat zyrtare paraqisnin “Solidaritetin” si një lëvizje destabilizuese dhe të rrezikshme. Prandaj aktivistët kuptuan se duhej të krijonin kanalet e tyre të informacionit.
Në fillim u shtypën buletine të thjeshta informative. Këto përmbanin lajme mbi grevat, kërkesat e punëtorëve dhe aktivitetet e sindikatës. Materialet shumëzoheshin me makina shkrimi, kopjues të improvizuar ose me shtypshkronja primitive të fshehura në bodrume, banesa private dhe objekte kishtare.
Brenda një kohe të shkurtër, këto botime u shndërruan në një sistem mediatik paralel.
| Shumë studiues e konsiderojnë Poloninë e viteve 1980 si vendin me sistemin më të zhvilluar të medias ilegale në gjithë bllokun sovjetik. |
Gjendja ushtarake dhe kalimi në ilegalitet
Më 13 dhjetor 1981, gjenerali Vojçeh Jaruzelski shpalli gjendjen ushtarake në Poloni. U vendosën patrulla ushtarake në rrugë, mijëra aktivistë u arrestuan dhe “Solidariteti” u ndalua.
Regjimi besonte se me arrestimin e udhëheqësve mund ta shkatërronte lëvizjen. Por ndodhi e kundërta.
Pasi humbi mundësinë për të vepruar ligjërisht, “Solidariteti” u organizua në fshehtësi dhe investoi edhe më shumë te komunikimi ilegal. Qindra grupe filluan të prodhonin materiale informative pa miratimin e shtetit.
Në shumë raste, shtypshkronjat ilegale montoheshin gjatë natës dhe çmontoheshin para agimit. Pajisjet transportoheshin vazhdimisht nga një vend në tjetrin për të shmangur zbulimin nga policia sekrete.
Fenomeni i “Shtypit të Dytë”
Polakët e quanin këtë botim të fshehtë, “Qarkullimi i Dytë”. Termi përdorej për të dalluar botimet ilegale nga shtypi zyrtar i kontrolluar nga shteti.
| Në shumë raste, shtypshkronjat ilegale montoheshin gjatë natës dhe çmontoheshin para agimit. |
“Qarkullimi i dytë” nuk përfshinte vetëm gazeta politike. Aty botoheshin libra, ese filozofike, studime historike, vepra letrare dhe materiale fetare që censura komuniste i ndalonte.
Autorë të njohur polakë dhe të huaj, veprat e të cilëve nuk lejoheshin nga regjimi, u bënë të qasshme falë këtyre rrjeteve ilegale.
Deri në mesin e viteve 1980, qindra tituj gazetash dhe revistash qarkullonin në mënyrë të fshehtë në të gjithë vendin. Tirazhet e disa botimeve arrinin dhjetëra mijëra kopje, një shifër e jashtëzakonshme për aktivitet ilegal.
Kisha Katolike si strehë e informacionit
Një rol vendimtar luajti Kisha Katolike Polake. Ndryshe nga shtetet e tjera komuniste, Kisha në Poloni gëzonte ndikim të madh shoqëror dhe nuk mund të kontrollohej plotësisht nga pushteti.
Shumë famulli u përdorën si qendra shpërndarjeje për botimet ilegale. Priftërinjtë ndihmonin në fshehjen e materialeve dhe sigurimin e kontakteve midis aktivistëve.
Zgjedhja e kardinalit polak Karol Vojtilla si Papa Gjon Pali II në vitin 1978 i dha edhe më shumë forcë morale lëvizjes. Vizitat e tij në Poloni mobilizuan miliona njerëz dhe krijuan hapësira të reja për rezistencën civile.
Radio ilegale
Përveç shtypit, opozita krijoi edhe radio të fshehta.
Aktivistët ndërtonin transmetues të vegjël që funksiononin për periudha të shkurtra kohore. Emisionet zgjasnin vetëm disa minuta para se transmetuesi të çmontohej dhe të zhvendosej në një vend tjetër.
| Deri në mesin e viteve 1980, qindra tituj gazetash dhe revistash qarkullonin në mënyrë të fshehtë në të gjithë vendin. Tirazhet e disa botimeve arrinin dhjetëra mijëra kopje, një shifër e jashtëzakonshme për aktivitet ilegal. |
Këto radio jepnin lajme mbi arrestimet, protestat dhe aktivitetet e opozitës. Për shërbimet e sigurisë ishte tepër e vështirë të lokalizonin transmetuesit përpara se ata të zhdukeshin.
Megjithëse teknikisht modeste, këto transmetime kishin vlerë të madhe simbolike. Ato tregonin se monopoli shtetëror mbi informacionin mund të sfidohej.
Një rrjet i mbështetur nga mijëra njerëz
Forca e sistemit ilegal polak nuk qëndronte vetëm te teknologjia, por te pjesëmarrja masive e qytetarëve. Mijëra persona ndihmonin në shtypje, transport, ruajtje dhe shpërndarje.
Gazetat kalonin dorë më dorë. Një kopje mund të lexohej nga dhjetëra persona. Materialet shpesh kopjoheshin përsëri dhe vazhdonin qarkullimin në qytete të ndryshme.
Në këtë mënyrë u krijua një “hapësirë publike paralele”, e pavarur nga shteti. Për herë të parë pas dekadash, një pjesë e madhe e shoqërisë polake po informohej jashtë kontrollit të partisë komuniste.
Nga shtyp ilegal në fitore politike
Gjatë viteve 1988-1989, kriza ekonomike dhe politike u thellua. Regjimi nuk ishte më në gjendje të ndalonte ndikimin e “Solidaritetit”.
Negociatat e njohura si Bisedimet e Tryezës së Rrumbullakët çuan në legalizimin e sindikatës dhe në mbajtjen e zgjedhjeve gjysmë të lira në vitin 1989.
“Solidariteti” fitoi në mënyrë dërrmuese. Brenda pak muajsh, Polonia u bë vendi i parë i bllokut lindor që nisi tranzicionin paqësor drejt demokracisë.
Trashëgimia historike
Historia e “Solidaritetit” dhe shtypshkronjave ilegale dëshmon se media nuk është vetëm një institucion profesional, por edhe një mjet rezistence qytetare. Në kushtet kur gazetat, radioja dhe televizioni kontrolloheshin nga shteti, polakët krijuan një sistem alternativ informacioni që sfidoi censurën dhe propagandën.
Për studiuesit e historisë së medias, Polonia e viteve 1980 mbetet shembulli më i suksesshëm i një sfide të organizuar kundër monopolit shtetëror të informacionit në Evropën komuniste. Ajo tregoi se kontrolli i mediave mund të kufizojë qarkullimin e informacionit, por nuk mund ta shuajë plotësisht nevojën e njerëzve për të ditur të vërtetën. Në fund, pikërisht kjo etje për informacion të lirë u bë një nga faktorët që kontribuoi në rënien e sistemit komunist në Poloni dhe më pas në gjithë Evropën Lindore.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 nëntor 1992-1998?
Published
1 day agoon
November 14, 2026By
UBTNews
14 nëntor 1992
Dr.Ibrahim Rugova nuk pranoi të takohet me kryeministrin e Serbisë
Lidhur me propozimin se kryetari i Qeverisë serbe z. Bozhoviq dëshiron të takohet me zotëri Rugovën me rastin e vizitës së tij në Prizren më 17 nëntor dhe në kuadër të bisedave me përfaqësuesit e partive politike, shoqatave dhe asociacioneve “të cilat veprojnë në territorin e Kosovës e Metohisë”, e ku do të bisedohej për realizimin “e të drejtave të minoriteteve”, kam nderin t’ua bëj me dije se problemi i shqiptarëve në Kosovë nuk mund të zgjidhet me biseda të rastit dhe pa praninë e institucioneve ndërkombëtare (siç është vendosur në Konferencën për ishJugosllavinë në Londër), e aq më pak në kuadër të të “drejtave minoritare”.
Shpresojmë se trajtimi i çështjeve të këtilla të rënda të problemit të Kosovës në të ardhmen do të fillojnë të zgjidhen me dialog serioz, për çka kemi qenë gjithnjë të gatshëm, thuhet në përgjigjen e shefit të kabinetit të kryetarit të Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, lidhur me ftesën e palës serbe për takimin me kryeministrin e Serbisë.
14 nëntor 1994
Ish-presidenti Bush vizitoi Shqipërinë
Dje në Shqipëri në një vizitë private qëndroi ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush me bashkëshorten Barbara, dhe me këtë rast presidenti i Republikës së Shqipërisë dr.Sali Berisha i bëri atij pritje madhështore në aeroportin e Rinasit.
Në pritjen që i bëri në presidencën e Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha i tha ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush se pas presidentit Vilson ju jeni miku më i madh dhe i shquar i shqiptarëve. Shqiptarët u janë mirënjohës juve dhe administratës suaj për ndihmën që dhatë për çlirimin e tyre nga diktatura, si dhe për vendosjen e demokracisë.
Presidenti Berisha me këtë rast po ashtu i tha ish-presidentit amerikan se qëndrimi juaj dhe tërheqja e vijës së kuqe prej jush rreth Kosovës ka pasur një rëndësi decidive në dekurajimin e agresorit.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi ish-presidentin amerikan Bush me Urdhrin e Artë të Skënderbeut.
Duke u falënderuar për këtë nderim të madh, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush tha se kjo është për mua një suprizë e madhe dhe jam shumë mirënjohës që sot më jepet kjo dekoratë nga një person, i cili është i lidhur me angazhimet për liri e demokraci, siç është presidenti Juaj. Jam mirënjohës jo vetëm atij por gjithë popullit të Shqipërisë që tani synon lirinë, e ndjen se ç’është demokracia dhe punon jetën e tij.
Në ceremoninë e dekorimit të ish-presidentit të SHBA-ve Xhorxh Bush mori pjesë edhe z.Adem Demaçi, kryetar i Këshllit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë. Presidenti Berisha i tha Bushit se Adem Demaçi ka vuajtur nëpër burgje të ish-Jugsollavisë mëse 28 vjet dhe ai me të drejtë konsiderohet simbol i rezistencës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri Xhorxh Bush ishte për një vizitë të shkurtër në Kështjellën e Krujës, kurse dje pasdite ai u largua nga Shqipëria.
14 nëntor 1995
“Tages Anzeiger”: Refugjatët serbë kanë frikë nga dërgimi në Kosovë
Gazeta e Cyrihut “Tages Anzeiger” botoi ditë më parë një artikull rreth gjendjes së refugjatëve serbë të ikur nga Kroacia, të cilët janë vendosur në Nova Pazovë të Serbisë.
Pasi përshkruan kushtet e rënda në të clat jetojnë këta refugjatë, autori i këtij shkrimi paraqet opinionet e tyre lidhur me pozitën aktuale dhe perspektivën e tyre. Shumë nga këta refugjatë ankohen për kushtet e këqija të jetës dhe shprehin dyshimin se po manipulohet me mjetet që ndahen për ta. Në ndërkohë, në kryqin e kuq serb mohojnë të gjitha këto dhe fajin ia lënë bashkësisë ndërkombëtare, e cila gjoja pa jep pak ndihma për refugjatët.
Përgjegjesit e këtij institucioni sikur harrojnë se fajtorë për fatkeqësinë dhe ikjen e këtyre njerëzve nuk është bashkësia ndërkombëtare, por pikërisht pushteti aktual në Serbi, i cili i nxiti serbët e Kroacisë në luftë dhe tash ata i trajton si mysafirë të paftuar.
Në vazhdim të këtij shkrimi theksohet gjithashtu se nuk janë raste të rralla kur refugjatët e aftë për luftë mobilizohen dhe dërgohen me dhunë në Sllavoninë Lindore.
Krahas zemërimit dhe zhgënjimit, në qendrën e refugjatëve në Nova Pazovë mbretëron edhe frika. Refugjatët kanë frikë se do t’i dërgojnë në Kosovë, ku, pas shuarjes së autonomisë nga ana e Millosheviqit, shqiptarët nuk kanë disponim të mirë ndaj serbëve, thuhet në vazhdim të artikullit.
Se në çfarë gjendje janë sjellë refugjatët serbë, të cilët, filimthi kujtuan se në Serbi do të priten si “hyjnorë”, tregon më së miri fakti se një numër i tyre tashmë janë deklaruar se dëshirojnë të kthehen në vendlindje. Vetëm pranë Komitetit të Helsinkit deri tash janë paraqitur mbi 10.000 persona që dëshirojnë të kthehen përsëri prapa.
Gazeta “Tages-Anzeiger” citon në fund një grua nga Knini e cila thotë:” Ndoshta, megjithatë, do të ishte më mirë të kthehemi sërish te Tugjmani”.
14 nëntor 1996
Ekonomistët gjermanë kërkuan hapjen e përfaqësisë së Unionit Evropian në Kosovë
Në një takim të ekonomistëve serbë me kolegët e tyre gjermanë, përfaqësuesit e gjermanë prekën edhe çështjen e Kosovës, shkruan “Nasha borba”.
“Zgjidhja e çështjes së Kosovës, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pakicave, marrja e përgjegjësive ndërkombëtare dhe politika e brendshme makroekonomike për Gjermaninë do të jenë tregues se a do të hyjë në një bashkëpunim serioz me Serbinë e Malin e Zi”, u tha në këtë takim.
Siç deklaroi dr. Albreht fon ser Dejeden, kryeshef i Referatit për Evropën e Mesme dhe Lindore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, nga Beogradi do të kërkohet hapja e përfaqësisë së Unionit Evropian në Kosovë dhe kthimi i refugjatëve.
Gazeta shkruan se në kontakt me njerëzit nga Instituti Gjerman për Evropën Lindore dhe për bashkëpunim ndërkombëtar në Këln mysafirit nga Serbia iu bë me dije për lidhjen e Palës me Kosovën. Atë që merr “republika srpska” në Bosnjë e Hercegovinë do të marrë Kosova në “RFJ”.
14 nëntor 1997
Gjakovë: Provokatori i mesnatës – udhëheqës i operativës nga Peja!
Prishtinë, 14 nëntor (QIK)
Më 6 nëntor rreth orës 23:40, në shtëpinë e Prek Mark Kocës (36) në fshatin Bishtazhin të Gjakovës kishin shkuar persona të maskuar, të cilët pa u prezentuar se kush janë, filluan ta provokojnë atë, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Preka kërkoi nga ata që të largoheshin, por ata këtë nuk e bënin.
Pas një ore, në vendin e ngjarjes arrijnë forca policore (rreth 30 policë), të cilët i thanë se ishin në “grupin e parë”!
Pas bisedave dhe kërkimit të armës, ata u larguan dhe e thirrën Prekën me dy vëllezërit e tij të paraqiten në polici.
Sipas pohimve të Prekës, personi i cili deklaroi vetë se kishte qenë herën e parë i maskuar (ishte në rroba civile), dhe që ia vuri tytën e automatikut, sapo doli në derë i tha Prekës: “Pse deshe të na vrasësh”? Ky person ishte udhëheqësi i operativës nga Peja Bato Bullatoviq.
14 nëntor 1998
Malishevë: Prani e madhe e forcave serbe – keqtrajtime të qytetarëve shqiptarë
Në komunën e Malishevës, as ka shenja përmirësimi të situatës, as siguri si pasojë e koncentrimit të madh të forcave të policisë e paramilitarëve serbë në qytezën e Malishevës, pastaj në fshatrat Carrallukë, Smonicë, Tërpezë, Llazicë, Balinc e Mleçan, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Derisa para dy ditësh defilimet e shpeshta të policisë serbe nga Malisheva për në Rahovec e anasjelltas dhe nga Malisheva në drejtim të Suharekës shoqëroheshin nga vëzhguesit ndërkombëtarë, tashmë policia nuk përcillet dhe kështu asaj po i lihen duart e lira që të shtojë dhunën kundër civilëve shqiptarë në këtë komunë.
Rasti i para pak ditëve kur në afërsi të Malishevës forcat serbe plagosën 4 shqiptarë dhe ai pardje, kur në oborrin e tij në fshatin Mleçan u vra Xhafer Sefë Gashi (50) dhe u plagos rëndë Rexhep Shala, është sinjal i mjaftueshëm për bashkësinë ndërkombëtare se gjendja e këtillë nuk mund të tolerohet dhe njerëzit nuk kanë kurrfarë sigurie për kthim në vatrat e tyre.
Njoftohet se si pasojë e kësaj gjendjeje, procesi mësimor ende nuk ka filluar në disa lokalitete si Kijevë, Llazicë, Bubavec, Dragobil, Carrallukë e Malishevë.
Edhe gjatë dy ditëve të fundit, policia serbe ka keqtrajtuar dhjetëra qytetarë shqiptarë në këtë komunë, siç ndodhi me Agim Berishën (22) nga Gurbardhi dhe me disa shqiptarë të tjerë.
Vendi
Katastrofa e Çernobilit dhe censura sovjetike: kur radioaktiviteti zbuloi krizën e informacionit në Bashkimin Sovjetik
Published
2 days agoon
November 14, 2026By
UBTNews
Ngjarja tregoi se një shtet mund të kontrollonte gazetat, radion dhe televizionin, por nuk mund të kontrollonte realitetin fizik. Retë radioaktive që u përhapën mbi Evropë do ta detyronin Kremlinin të pranonte një katastrofë që fillimisht ishte përpjekur ta fshihte
Më 26 prill 1986, në orën 01:23 të mëngjesit, ndodhi një shpërthim katastrofik në reaktorin numër katër të Centralit Bërthamor të Çernobilit, pranë qytetit Pripjat në Ukrainën e atëhershme sovjetike. Ajo që fillimisht dukej si një aksident industrial do të shndërrohej shpejt në katastrofën më të madhe bërthamore në histori. Mirëpo, përveç pasojave mjedisore dhe njerëzore, Çernobili u bë edhe një simbol i dështimit të sistemit sovjetik të informimit, censurës shtetërore dhe propagandës komuniste.
Ngjarja tregoi se një shtet mund të kontrollonte gazetat, radion dhe televizionin, por nuk mund të kontrollonte realitetin fizik. Retë radioaktive që u përhapën mbi Evropë do ta detyronin Kremlinin të pranonte një katastrofë që fillimisht ishte përpjekur ta fshihte.
Shpërthimi dhe heshtja zyrtare
Pas shpërthimit të reaktorit, autoritetet lokale dhe qendrore sovjetike u përballën me një situatë të paprecedentë. Sasi të mëdha materialesh radioaktive u hodhën në atmosferë, ndërsa zjarrfikësit, teknikët dhe banorët e zonës nuk kishin informacion të plotë për rrezikun që po i kërcënonte.
Megjithatë, reagimi i parë i aparatit shtetëror nuk ishte informimi i publikut, por ruajtja e sekretit. Në traditën e sistemit sovjetik, katastrofat konsideroheshin çështje që mund të dëmtonin prestigjin e shtetit socialist dhe për këtë arsye duhej të minimizoheshin ose të fshiheshin.
Banorët e qytetit Pripjat, i cili ndodhej vetëm disa kilometra larg centralit, vazhduan jetën normale për më shumë se 36 orë pas shpërthimit. Fëmijët luanin nëpër parqe, njerëzit shëtisnin në rrugë, ndërsa nivelet e radioaktivitetit po rriteshin në mënyrë alarmante.
Evakuimi filloi vetëm pasditen e 27 prillit. Edhe atëherë, banorëve u tha se do të largoheshin vetëm për disa ditë dhe se mund të ktheheshin shpejt në shtëpitë e tyre. Në realitet, shumica nuk do të ktheheshin kurrë më.
Bota e mëson aksidentin nga Suedia
Ajo që e bëri të pamundur fshehjen e katastrofës ishte natyra e vetë radioaktivitetit. Mëngjesin e 28 prillit 1986, punonjësit e centralit bërthamor Forsmark në Suedi zbuluan nivele të pazakonta radioaktiviteti në rrobat dhe këpucët e tyre. Fillimisht u dyshua për një rrjedhje në centralin suedez, por kontrollet treguan se burimi ishte jashtë vendit.
Ekspertët suedezë analizuan drejtimin e erërave dhe arritën në përfundimin se ndotja vinte nga territori sovjetik. Qeveria suedeze kërkoi zyrtarisht shpjegime nga Moska.
Vetëm pasi presioni ndërkombëtar u bë i pashmangshëm, agjencia sovjetike e lajmeve TASS publikoi një deklaratë të shkurtër ku pranohej se kishte ndodhur një aksident në centralin e Çernobilit. Njoftimi përmbante shumë pak detaje dhe përpiqej ta minimizonte seriozitetin e situatës.
Në këtë mënyrë, miliona qytetarë sovjetikë dhe evropianë mësuan për katastrofën jo nga mediat sovjetike, por nga qeveritë dhe mediat perëndimore.
| Harta e shpërndarjes së reve të tymit, pas shpërthimit në Çernobil…
Më Rusia nuk mundi ta fshihte ngjarjen. |
Propaganda kundër realitetit
Në ditët dhe javët pas aksidentit, televizioni dhe gazetat sovjetike vazhduan të jepnin informacione të kufizuara. Raportimet theksonin “kontrollin e situatës” dhe përpjekjet heroike të ekipeve të shpëtimit, ndërsa shmangnin diskutimin e plotë të rreziqeve.
Në të njëjtën kohë, stacionet ndërkombëtare si BBC, Deutsche Welle, Voice of America dhe Radio Free Europe raportonin vazhdimisht mbi zhvillimet. Shumë qytetarë sovjetikë i dëgjonin këto transmetime për të marrë informacion që nuk e gjenin në mediat vendore.
Kjo krijoi një hendek të madh besueshmërie. Për herë të parë, një numër i madh qytetarësh kuptuan se informacioni i ofruar nga shteti ishte jo vetëm i paplotë, por në disa raste edhe mashtrues.
Një prej problemeve kryesore ishte se mediat zyrtare nuk kishin traditë të gazetarisë investigative. Gazetarët nuk ishin mësuar të sfidonin institucionet ose të kërkonin transparencë nga pushteti. Për dekada me radhë, funksioni kryesor i medias kishte qenë të mbështeste politikat e partisë dhe jo të kontrollonte veprimet e qeverisë.
Pasojat për njerëzit
Mijëra “likuidatorë”, siç u quajtën punëtorët dhe ushtarët që morën pjesë në pastrimin e zonës, u ekspozuan ndaj niveleve të larta të rrezatimit. Shumë prej tyre zhvilluan më vonë sëmundje të rënda.
Qindra mijëra njerëz u detyruan të zhvendoseshin nga zonat e ndotura. Fshatra të tëra u braktisën përgjithmonë, ndërsa zona përreth centralit u shndërrua në një territor të izoluar.
Për vite me radhë, autoritetet sovjetike publikuan të dhëna të kufizuara mbi numrin e viktimave dhe pasojat afatgjata. Kjo vetëm sa forcoi perceptimin se shteti po përpiqej të fshehte të vërtetën.
Çernobili dhe Glasnost-i
Kur ndodhi aksidenti, Bashkimi Sovjetik drejtohej nga Mikhail Gorbaçovi, i cili kishte filluar programet e reformave të njohura si Perestroika (ristrukturim) dhe Glasnost (hapje dhe transparencë).
Fillimisht, edhe udhëheqja sovjetike reagoi sipas modeleve tradicionale të fshehtësisë. Megjithatë, pasojat e Çernobilit e bindën Gorbaçovin se sistemi nuk mund të vazhdonte të funksiononte me të njëjtin nivel kontrolli mbi informacionin.
Vite më vonë, vetë Gorbaçovi do të deklaronte se Çernobili kishte qenë një nga faktorët që kontribuoi në transformimin e Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, katastrofa tregoi dobësitë e thella të burokracisë, kulturës së sekretit dhe mungesës së transparencës.
Pas vitit 1986, mediat sovjetike filluan gradualisht të trajtonin tema që më parë konsideroheshin tabu. Gazetat filluan të publikonin materiale mbi korrupsionin, problemet ekonomike dhe gabimet e administratës shtetërore. Për herë të parë pas shumë dekadash, kritika publike ndaj institucioneve u bë pjesë e debatit publik.
Një pikë kthese në historinë e medias
Historianët e medias e konsiderojnë Çernobilin si një nga momentet më domethënëse në historinë e komunikimit në shekullin XX. Aksidenti tregoi kufijtë e censurës në një epokë ku informacioni mund të kalonte përtej kufijve shtetërorë.
Regjimi sovjetik kishte kontroll absolut mbi gazetat, radion dhe televizionin brenda vendit, por nuk mund të kontrollonte stacionet matëse në Suedi, raportimet e mediave ndërkombëtare apo rrjedhjen e informacionit jashtë kufijve të tij. Për herë të parë, miliona qytetarë panë qartë kontrastin midis propagandës zyrtare dhe realitetit.
Në këtë kuptim, Çernobili nuk ishte vetëm një katastrofë bërthamore. Ai ishte edhe një katastrofë e sistemit sovjetik të informacionit. Ngjarja ekspozoi dobësinë e një modeli mediatik të ndërtuar mbi censurën dhe sekretin shtetëror dhe dëshmoi se, në momente krizash të mëdha, e vërteta është shumë më e vështirë të kontrollohet sesa vetë lajmet. Për këtë arsye, Çernobili mbetet një nga shembujt më të fuqishëm në historinë e medias për mënyrën se si mungesa e transparencës mund ta thellojë një katastrofë dhe të minojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit.
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 15 nëntor 1992-1998?
“Solidariteti” dhe shtypshkronjat ilegale në Poloni (1981-1989): kur media e fshehtë sfidoi një regjim komunist
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 nëntor 1992-1998?
Katastrofa e Çernobilit dhe censura sovjetike: kur radioaktiviteti zbuloi krizën e informacionit në Bashkimin Sovjetik
United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi
Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme
UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?
AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte
Të kërkuara
-
Vendi2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
-
Vendi1 month agoVotohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen
-
Lajmet2 months ago15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026
-
Lajmet2 months agoUBT në IOFOS 2026: Profesoresha Miranda Sejdiu Abazi prezanton hulumtimin në Portugali
