Lajmet

Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin

Published

on

Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Komisioni Evropian ia ka kujtuar Beogradit se duhet t’i përshatë më shumë politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Si vend kandidat, nga Serbia pritet që politikat e saj t’i harmonizojë me objektivat e BE-së, përfshirë politikën energjetike dhe atë të jashtme, dhe të jetë një partnere e besueshme që ndjek të njëjtin drejtim strategjik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Ai tha se qëndrimi i BE-së ndaj marrëdhënieve të vendeve kandidate me Rusinë është “gjithmonë plotësisht i qartë”.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur gjithçka të ishte si më parë me regjimin e Putinit, dhe kjo në hijen e luftës agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Mercier.

Deklaratat e tij pasuan bisedën telefonike të 26 shtatorit mes Vuçiqit dhe Putinit.

Biseda u zhvillua një ditë para se Vuçiqi të jepte dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pasi është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit.

Pas bisedës me Putinin, Vuçiq tha se beson se marrëveshja për furnizimin e Serbisë me gaz rus do të zgjatet.

Marrëveshja e tanishme afatshkurtër skadon më 30 shtator.

Serbia e importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të gazit që konsumon.

Beogradi nuk ka arritur marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz që nga skadimi i kontratës së mëparshme trevjeçare, në verën e vitit 2025. Që atëherë, marrëveshjet me Moskën janë zgjatur për periudha të shkurtra. Marrëveshja e tanishme u zgjat në qershor për tre muaj.

Komisioni Evropian tha se është në dijeni të bisedës mes Vuçiqit dhe Putinit.

Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit se presidenti i ardhshëm i Serbisë do të duhet të kujdeset për interesat e vendit dhe ta ruajnë një baraspeshë në raport me aktorët e rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, Mercier rikujtoi detyrimet që Serbia i ka si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas tij, vendimi i Serbisë për të aplikuar për anëtarësim nënkupton zotimin për t’i harmonizuar politikat e saj me BE-në, përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Përputhshmëria e Serbisë me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë vazhdon të jetë dukshëm më e ulët sesa te vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor”, tha Mercier.

Ai shtoi se Serbia duhet, si prioritet, t’i intensifikojë përpjekjet për një nivel “më të qëndrueshëm dhe dukshëm më të lartë” të harmonizimit me politikën e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

“Duam të jemi në gjendje të llogarisim në Serbinë si një partnere të besueshme”, tha ai.

Komisioni Evropian tha se BE-ja po e rrit mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë energjetike, me synim uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.

Sipas Mercier, kjo do t’u mundësonte vendeve të rajonit integrim më të mirë të rrjeteve energjetike dhe qasje në energji nga burime të ndryshme.

“Pas fillimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, pamë se sa e rëndësishme është kjo dhe çfarë problemesh mund të shkaktojë për çdo vend evropian, përfshirë Serbinë”, tha ai.

BE-ja synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të ndërpresë gradualisht dhe në mënyrë efektive importin e gazit dhe naftës ruse, ndërsa nga vendet kandidate pret që t’i përshtatin politikat e tyre me këtë objektiv.

Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE kanë ngecur, ndër të tjera, edhe për shkak se ajo nuk e ka përshtatur mjaftueshëm politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Niveli i saj i përputhshmërisë me politikën e sanksioneve të BE-së është rreth 60 për qind. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara