Lajmet

UBT dhe UN Women bashkë për “Luftimin e dhunës me bazë gjinore në epokën e digjitalizimit” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit

Published

on

UBT në bashkëpunim me UN Women Kosova, mbajtën eventin “Dhuna me Bazë Gjinore në Digjitalizim”, i cili u zhvillua me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Ky aktivitet ishte pjesë e një përpjekjeje globale për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar veprime konkrete kundër dhunës që lidhet me gjininë, duke përfshirë aspekte të reja dhe të rëndësishme të dhunës që ndodhin në mjediset digjitale. Ky aktivitet i rëndësishëm u mbajt në UBT, një institucion i njohur për angazhimin e tij në promovimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale, që ka një traditë të fortë në mbështetje të iniciativave që përpiqen të fuqizojnë gratë dhe vajzat, duke ofruar mundësi për zhvillim të karrierës dhe arsimim.

Gjatë ngjarjes, ekspertë të fushave të ndryshme ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me ndikimin e teknologjisë digjitale në jetët e grave, veçanërisht në lidhje me dhunën digjitale dhe sigurinë online.

Disa nga folëset ishin, Teuta Sahatqija një udhëheqëse e shquar me përvojë të gjatë në politikë, diplomaci dhe teknologji. Ajo ka shërbyer si deputete, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork. Aktiviste për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, ajo është bashkëthemeluese e “Women in Tech Kosovo” dhe “Women’s Parliamentary Caucus”.

Flutura Kusari një juriste e specializuar në të drejtën e medias dhe një aktiviste e angazhuar për lirinë e shprehjes. Ajo punon si këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias në Leipzig, Gjermani, ku mbështet gazetarët e rrezikuar dhe monitoron legjislacionin që rregullon sektorin e medias. Në vitin 2024, Flutura Kusari u nderua me Urdhrin e Meritave të Republikës Federale të Gjermanisë nga presidenti Frank-Walter Steinmeier për kontributin e saj të rëndësishëm.

Orkidea Xhaferaj, eksperte e Politikave të Digjitalizimit dhe Inovacionit pranë Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), në Shqipëri, dhe njëkohësisht themeluese e Rrjetit të Grave Shqiptare në STEM.

Ejona Icka, Master në Psikologji Klinike dhe specializim në Mjekësinë Seksuale dhe Terapinë Familjare Sistemike. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit mendor, duke mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale, veçanërisht ata në grupet më të cenueshme, në kuadër të Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (KRCT) në Kosovë dhe profesoreshë në Fakultetin e Psikologjisë dhe Shkencave Mjekësore në UBT.

Ngjarja ishte strukturuar në formën e fjalimeve TEDx, ku çdo folës ndau eksperiencën dhe ekspertizën e tij në lidhje me sfidat që gratë dhe vajzat hasin në internet, si dhe mundësitë për të luftuar dhunën digjitale. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të merrnin pjesë në një sesion pyetje-përgjigje, ku ata mund të diskutonin më thellë me folësit dhe të shprehnin shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

Aktiviteti përfundoi me thirrje për të angazhuar çdo individ, si në nivel institucional ashtu edhe personal, për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm, duke krijuar hapësira digjitale më të sigurta, ku gratë dhe vajzat mund të shprehin lirinë e tyre pa frikë nga dhuna dhe abuzimi.

Në fjalimet e tyre, folëset theksuan disa aspekte kyçe që lidhen me sfidat dhe mundësitë që sjell digjitalizimi për gratë. Së pari, nënvizuan “ana e errët e digjitalizimit”, e cila paraqet rreziqe të mëdha për gratë dhe vajzat, duke përfshirë forma të ndryshme dhune online, që pengojnë mundësinë e tyre për të marrë pjesë plotësisht në hapësirat digjitale. Po ashtu, theksuan se fuqizimi dhe siguria shkojnë dorë për dore, dhe se teknologjitë digjitale mund të jenë mjete të fuqishme për avancimin e grave, por është thelbësore që këto hapësira të jenë të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe pa dhunë. Mbrojtja ligjore dhe avokimi u identifikuan gjithashtu si elementë kyç për të luftuar dhunën online, duke përfshirë nevojën për ligje më të forta, forcim më të mirë të tyre dhe sisteme mbështetëse për viktimat.

Në përfundim të fjalimeve, folëset kërkuan bashkëpunim dhe inovacion për të arritur objektivat e përbashkëta. Ato theksuan se bashkëpunimi dhe inovacioni janë thelbësore për të krijuar hapësira më të sigurta për gratë në internet. Sipas tyre, krijimi i këtyre hapësirave kërkon përpjekje të përbashkëta nga rinia, aktivistët, politikanët dhe ekspertët. Ato inkurajuan të pranishmit të angazhohen për të drejtat digjitale, barazinë gjinore dhe politika më të mira që mbrojnë gratë dhe vajzat në mjediset digjitale.

Përfundimi i ngjarjes ishte një thirrje për veprim, duke inkurajuar pjesëmarrësit që të përdorin atë që kishin mësuar për të bërë një ndryshim të vërtetë. Ata u ftuan të qëndrojnë të informuar për rreziqet që gratë përballen online dhe si mund të mbrojnë veten dhe të tjerët. U kërkua mbështetje për nismat që luftojnë dhunën digjitale dhe avokim për politika që promovojnë sigurinë digjitale dhe barazinë gjinore. Po ashtu, u theksua rëndësia e integrimit të edukatës digjitale në shkolla, krijimit të mekanizmave të qasshëm për raportimin e dhunës dhe përmirësimit të ligjeve që mbrojnë gratë online.

Në këtë drejtim, folëset propozuan disa hapa të tjerë për të krijuar një ambient më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat. Ato kërkuan komunikim të rritur mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve për të sensibilizuar më shumë rreth mundësive dhe rreziqeve të mjediseve digjitale. Përveç kësaj, u kërkua fuqizimi i organizatave jo-qeveritare (OJQ) dhe kampanjave të vetëdijesimit që promovojnë sigurinë online dhe mbështetje për viktimat e dhunës digjitale. Shteti gjithashtu u nxit të marrë përgjegjësi më të madhe në krijimin e politikave që mbrojnë gratë në internet, ndërsa pjesëmarrësit u inkurajuan të educojnë veten dhe të tjerët për t’i bërë hapësirat digjitale më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Në përfundim të ngjarjes, u bë një thirrje e fuqishme për veprim kolektiv, për t’u angazhuar të gjithë në krijimin e një të ardhmeje digjitale ku gratë dhe vajzat mund të zhvillohen pa frikë dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë./UBTNews/

Dionesa Ebibi

Lajmet

Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Published

on

By

Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.

“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.

Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.

Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL

Continue Reading

Lajmet

Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova

Published

on

By

Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.

Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.

Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.

Continue Reading

Lajmet

Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora

Published

on

By

Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.

“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.

Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO

Continue Reading

Lajmet

Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara

Published

on

By

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.

BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL

Continue Reading

Të kërkuara