Lajmet

​Pak persona të dënuar për krime lufte në Kosovë

Vetëm 15 aktakuza të ngritura.

Published

on

“Gjatë këtij viti, Zyra e PSRK-së (Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës) ka ngritur 15 aktakuza në drejtim të veprës penale ‘krim i luftës kundër popullatës civile’. Prej 15 aktakuzave të ngritura, tetë prej tyre janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të cilët ndodhen në paraburgim”, kështu është bërë e ditur nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në tryezën e rrumbullakët të organizuar sot me temën “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës – 25 vite më pas”.

Përmes titullit të raportit “Fillimi i një Faze të Re në Gjykimin e Krimeve te Luftës”, FDHK ka transmetuar mesazh drejt publikut dhe institucioneve përgjegjëse rreth gjendjes aktuale të rasteve të krimeve të luftës.

Në këtë takim është kërkuar edhe bashkëpunim më i madh në mes instancave më të larta shtetërore të Kosovës, teksa theks të veçantë iu dha edhe mungesës së relacioneve me shtetin e Serbisë duke e bërë të vështirë kërkimin për dënimin e dorasëve të këtyre krimeve.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka theksuar se Kosova është një storie suksesi për gjithë botën me arritjet që ka shënuar, porse ka shtuar se nuk duhet harruar e kaluara e saj. Ai është zotuar se përmes politikave të saj, do të marrin masat e duhura për gjithë ata që kanë shkaktuar krime në këtë vend.

“Kosova është një storie suksesi për të gjithë botën për luftën e drejtë për çlirim dhe Republika jonë po avancon me ritëm dinamik për familjen euro atlantike dhe duke i dëshmuar botës suksese të larta me arritjen e qytetarëve të saj, megjithatë Kosova nuk mund dhe nuk duhet të shkeputët nga e kaluara e saj, Kosova nuk mund të harroj sakrificën që ka bërë ky populli ynë. Si rrjedhojë, Kosova duhet të avancojë edhe më tej, të avancojë në forcimin e drejtësisë dhe të angazhohet për dënimin e të gjithë atyre të krimineleve të luftës që fatkeqësisht shumica ata ende lëvizin lirshëm nëpër Serbi dhe jo vetëm. Ministria Drejtësisë në këtë drejtim është angazhuar për adresimin e shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut, krimeve të luftës krimeve kundër njerëzimit duke zhvilluar bazën ligjore e cila kishte munguar për shumë vite njëkohësisht duke rritur kapacitetin e institucioneve për adresimin efikas të këtyre çështjeve me propozimin e qeverisë si rrjedhojë e kësaj është miratuar ligji për institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka thënë se implementimi i rekomandimeve do të rrisë performancën dhe do të përforcojë institucionet e përfshira.

“Çdo gjykim i suksesshëm, jo që e sjell të vërtetën në dritë por tregon që krimet e luftës nuk do të harrohen dhe kryesit do të jenë përgjegjës. Implementimi këtyre rekomandimeve pa dyshim që do të rrisë performancën dhe do t’i përforcojë këto institucione të përfshira”, tha Fuchs.

Koordinatori i projektit pranë FDHK, Amer Alija, derisa ka prezantuar raportin, ka theksuar se fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës. Ai tha se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile.

“Fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës, duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë. Kjo fazë do të jetë një test i rëndësishëm për aftësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit kosovar për të ofruar drejtësi në raste të tilla të ndjeshme. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile. Gjatë vitit 2023 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 26 lëndë kundër 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një pjesëtar të UÇK-së”, tha ai.

Ndërsa, Alija gjatë prezantimit të raportit ka rekomanduar që krijimi i bashkëpunimit afatgjatë mes gjyqësorit të Kosovës dhe gjyqësorin ndërkombëtar dhe rajonal me qëllim të shkëmbimit të përvijave dhe aftësimit sa më profesional në fushën e krimeve të luftës. Po ashtu një prej rekomandimeve ka qenë edhe që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t’i përzgjedh edhe katër prokurorë të tjerë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës të PSRK-së, për të cilët që nga viti 2022 është ndarë buxheti nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka thënë se kjo gjykatë iu ka dhënë prioritet absolut trajtimit të rasteve të krimeve të luftës në raport me gjitha rastet tjera.

“Gjykata Themelore e Prishtinës, trajtimit të rasteve të krimeve të luftës ju ka dhënë prioritet absolut në raport me gjitha rastet që nga momenti i krijimit të njejtit. Viteve të fundit është bërë një progres i jashtëzakonshëm, fakti që ka pas një efikasitet në trajtimin e këtyre rasteve, konsideroj se gjitha rastet që janë trajtuar kanë qenë në një afat të arsyeshëm. Fakti që prej vitit të kaluar kanë filluar të ngriten aktakuzat në mungesë është një prioritet për viktimat që të trajtohen rastet që kanë pritur me vite të tëra e që për gjykatën ka qenë sfidë, por falë bashkëpunimit janë caktuar seancat e para dhe shumë shpejt do të kemi edhe aktgjykimet e para në mungesë”, tha ajo.

Lajmet

Karriera e suksesshme nis me UBT-në – Përmbyllet Akademia Verore e Qendrës së Karrierës

Published

on

Pas dy ditësh të mbushura me ligjërata, punëtori dhe sesione frymëzuese, Akademia Verore e Karrierës, e organizuar nga Qendra e Karrierës në UBT, ka përmbyllur edicionin e saj të radhës me sukses të plotë.

Ky program, i cili bashkoi studentë, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive lidere në Kosovë, u kthye në një platformë reale për zhvillim personal dhe profesional, duke ofruar mundësi konkrete për orientim në karrierë dhe ndërtim të rrjetit profesional.

Gjatë ditëve të Akademisë:

Studentët morën pjesë në ligjërata mbi zhvillimin e karrierës dhe shkathtësitë e buta, si dhe në sesione interaktive me ekspertë të fushës së HR dhe sipërmarrjes.

Kompani si Automita, e përfaqësuar nga Qendresa Shala dhe Tenton, e përfaqësuar nga Alban Sahiti – alumnus i UBT-së, ndanë rrugëtimet e tyre frymëzuese dhe mundësitë për të rinjtë.

Ndërkohë, përfaqësues nga Gjirafa, IPKO, KosovaJobs dhe kompani të tjera ndanë përvoja të drejtpërdrejta dhe këshilla për hyrjen e suksesshme në tregun e punës.

Në përmbyllje të këtij edicioni, u theksua roli kyç që Qendra e Karrierës në UBT luan në ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme dhe inovative.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Në maj morëm informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim e ka bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.

Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë./REL

Continue Reading

Lajmet

Osmani priti në takim Anu Prattipatin

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe situatën me ngërçin politik.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ka diskutuar me diplomaten amerikane edhe rreth vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara si dhe takimet që presidentja i ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, bëri të ditur institucioni i Presidencës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata e Prishtinës e dënon në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte një ish-pjesëtar të sigurimit serb

Published

on

By

Në një njoftim për media, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se e gjeti fajtor të pandehurin, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.F., për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria e akuzoi atë se, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.Sh në vitin 1998 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku e kishin rrahur e torturuar”.

Nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, sipas aktakuzës.

S.F., ka të drejtë të ankohet ndaj aktgjykimit të Themelores në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99 u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Continue Reading

Të kërkuara