Lajmet

“Procedurat ligjore të Iranit kundër protestuesve janë më të këqija sesa gjykimet publike”

Protestuesit nuk gjykohen në një gjykatë të zakonshme penale, por në Gjykatën Revolucionare.

Published

on

Nga Jason Rezaian

Në Iran, Republika Islamike ka një politikë të njohur dhe të dokumentuar mirë të përdorimit të dhunës si një mjet represioni politik. Protestat mbarëkombëtare kundër regjimit, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit, një gruaje kurde 22-vjeçare që mbahej në paraburgim nga policia, u pritën me goditje të ashpra dhe arrestime të shumta, që u përcollëh nga ato që njihen si gjykime publike. Në të vërtetë, edhe t’i quash ata kështu do të thotë t’u japësh atyre një rimeso legjitimiteti që ata nuk e meritojnë.

Këto rituale makabre, që kulmojnë me ekzekutime të pashmangshme, por arbitrare, janë produkt i një aparati shtetëror vrasës i ngarkuar me ruajtjen e regjimit në vend. Ligji, madje edhe versioni i shtrembëruar islamik i regjimit, nuk ka asnjë lidhje me të.

Në fillim të këtij muaji, dy burra iranianë u varën për gjoja “luftë kundër Zotit, eufemizmi i shtetit aktual iranian për praktikimin e mospajtimit. Asnjërit prej tyre nuk iu ofrua një gjykim legjitim apo nuk iu lejua përfaqësimi i duhur ligjor. Sipas të gjitha gjasave, ata u mbajtën në izolim dhe u rrahën për të rrëfyer për veprime që nuk i kishin kryer. Më pas ata u ekzekutuan me nxitim si një pengesë për protestuesit e tjerë të mundshëm.

Ka edhe të tjerë që janë ende të dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protesta, fati i të cilëve varet nga teket e liderëve kapriçioz dhe kriminelë të Iranit, jeta e tyre do të ndërpritet kur është më e dobishme politikisht për regjimin. Së fundi, Amnesty International lëshoi një deklaratë duke bërë thirrje që tre prej të akuzuarve t’u anulohej dënimi me vdekje, duke thënë se kuptohej se ata ishin torturuar ndërsa ishin në paraburgim. E paraburgosura e katërt, 21-vjeçarja Armita Abbasi, e cila u arrestua vitin e kaluar pasi shkroi kritika në rrjete sociale ndaj regjimit dhe thuhet se është përdhunuar disa herë në burg, doli në gjyq fundjavën e kaluar dhe mund të dënohet me vdekje.

Siç raportoi The Post gjatë javës së kaluar, protestuesit nuk gjykohen në një gjykatë të zakonshme penale, por në Gjykatën Revolucionare. Vendimet e kësaj gjykate politike janë të paracaktuara. Si një i mbijetuar i sistemit iranian të “drejtësisë”, mund të them me siguri një gjë: Nëse ndonjëherë e gjeni veten në gjyq në një gjykatë “revolucionare”, mos prisni të fitoni.

Të burgosurit politikë në Iran kushtëzohen që në momentet e para të paraburgimit të presin që të vriten nga shteti, sepse e dinë shumë mirë që mund të vriten.

Në ditët dhe javët pas arrestimit tim, më dërguan nga qelia e izolimit në një dhomë ku më morën në pyetje, dhe gjithmonë me sy të lidhur. Në ato seanca më njoftuan se sipas të gjitha gjasave do të ma prisnin kokën. Më shumë se një herë, ai mesazh u dërgua drejtpërdrejt nga Hossein Taeb, i cili ishte kreu i shërbimit të organizatës së inteligjencës të Gardës Revolucionare. Taeb në hije dihet se është një nga arkitektët e politikës së Iranit për marrjen peng të shtetasve të huaj, si dhe shfarosjen e të gjithë kundërshtarëve të mundshëm politikë të regjimit.

Ky lloj trajtimi nuk ishte i kufizuar vetëm në dhomën e marrjes në pyetje. Në paraqitjen time të parë në degën 15 të Gjykatës Revolucionare të Teheranit (një nga selitë e saj më famëkeqe të teprimeve jashtëgjyqësore), Abolqasem Salavati, i quajtur shpesh si “gjykatësi i vdekjes” për shkak të braktisjes me të cilën i dërgon të pandehurit në trekëmbësh, më pyeti pse ia humbisja kohën kur e dija se do të më dënonin me vdekje.

Terrori është thelbi. Këto “gjyqe” kanë për qëllim t’i dërgojnë një mesazh të dënuarve dhe kujtdo tjetër që mund t’i kushtojë vëmendje, nga burokratët bashkëpunëtorë të ngarkuar me zbatimin e urdhrave, te publiku në përgjithësi – dhe jashtë vendit.

Tashmë edhe pse shumë vite kanë kaluar nga përvoja ime me këtë proces moralisht bosh, ajo që më ka mbetur është absurditeti i përpjekjes së shtetit iranian për të fyer njerëzit e zakonshëm. Për këtë arsye, sado serioze të jetë kjo çështje, bota e jashtme duhet të fillojë t’i referohet këtyre ushtrimeve farsë dhe finaleve të tyre të parashikueshme si asgjë më shumë se teatri i tmerrshëm që janë. Trajtimi i këtyre manifestimeve të hakmarrjes dhe frikësimit ideologjik dhe politik si të ishin procese gjyqësore legjitime i shërben vetëm normalizimit të rezultateve të tyre të tmerrshme. Referimi ndaj tyre si të tillë shërben vetëm për të përjetësuar ekzistencën e tyre.

Dhe fshirja e tyre si një “çështje e brendshme”, sado e frikshme, të çon në keqkuptimin e regjimit që përjetëson këto monstruozitete. Represioni vrastar i qëllimshëm është mjeti i një qeverie kaq të tmerruar nga populli i saj, saqë duhet t’i tmerrojë ata me radhë. Një regjim i tillë paranojak nuk njeh kufij. Dhe siç po e shohim tashmë, një regjim represiv siç është vullneti i Iranit me kalimin e kohës e kthen dhunën e tij jashtë vendit./UBTNews/

Lajmet

Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Published

on

By

Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.

“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.

Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.

Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL

Continue Reading

Lajmet

Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova

Published

on

By

Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.

Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.

Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.

Continue Reading

Lajmet

Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora

Published

on

By

Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.

“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.

Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO

Continue Reading

Lajmet

Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara

Published

on

By

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.

BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL

Continue Reading

Të kërkuara