Lajmet

Trendafilova cakton panelin e Apelit që do të vendosë mbi ankesën e Thaçit dhe Veselit

Në panel janë caktuar gjyqtari Michèle Picard, gjyqtari Emilio Gatti dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.

Published

on

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar kolegjin e Apelit që do të vendosë mbi ankesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak, me anë të së cilit ia kishte lejuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të bëjë disa ndryshime në aktakuzën e konfirmuar.

Këtë e ka bërë të ditur, përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kryetarja Ekaterina Trendafilova sot caktoi Kolegjin e Gjykatës së Apelit, pas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 8 shkurt, ku pjesërisht pranoi kërkesat e z. Thaçi dhe z. Veseli për ankesë ndaj vendimit të tij të 23 dhjetorit. Në atë vendim, gjyqtari i procedurës paraprake, ndër të tjera, i lejoi ZPS-së që të bëjë disa ndryshime në aktakuzën e konfirmuar në këtë rast”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në panel janë caktuar gjyqtari Michèle Picard, gjyqtari Emilio Gatti dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.

Në konferencën për medie, të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës, duke u bazuar në tre raportet e ekspertëve, ka arritur në përfundim se gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë reale për viktimat për të kërkuar dëmshpërblim.

“Prandaj, Paneli vendosi që në rast të dënimit në këtë rast, viktimat të mos i referojë në gjykatat civile në Kosovë, por të lëshojë urdhër dëmshpërblimi. Paneli gjithashtu urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë që t’u përgjigjet pyetjeve deri më 16 mars 2022, në lidhje me mënyrën se si mund të zbatohej urdhri për dëmshpërblim i lëshuar nga Trupi Gjykues”, ka bërë të ditur ajo.

Griep ka thënë se më 4 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur rastin e saj në procedurën kundër Salih Mustafës.

“Të njëjtën ditë, mbrojtja informoi se synon të paraqesë një mocion për të hedhur poshtë një ose të gjitha akuzat në aktakuzë (Rregulla 130). Ky mocion do të dorëzohet më 15 shkurt 2022, ndërsa përgjigjet e ZPS-së dhe avokatit të viktimave do të pritet më 21 shkurt 2022. Paneli synon të nxjerrë një vendim për një mocion të tillë ndërmjet datës 23 dhe 25 shkurt 2022”, ka thënë ajo.

Kurse, shtoi se derisa të vendoset për një mocion të tillë, gjykimi nuk mund të vazhdojë në fazën tjetër, e cila do të kishte të bënte me paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave dhe nga mbrojtja.

Lidhur me rastin Gucati dhe Haradinaj, ajo tha se trupi gjykues II e ka mbyllur fazën e provave të procedurës më 3 shkurt, pas mbylljes së çështjes të mbrojtjes më 2 shkurt.

“Trupi Gjykues më tej urdhëroi Mbrojtjen dhe Prokurorinë që të dorëzojnë dosjen e tyre përfundimtare të gjykimit deri më 3 mars dhe caktoi që deklaratat përfundimtare të mbahen ndërmjet 14 dhe 18 marsit 2022”, ka thënë Griep.

Ajo ka thënë se pasditen e 4 shkurtit u mbajt seanca paraprake në rastin e Thaçit, Veselit dhe Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, gjatë të cilës janë diskutuar çështjet lidhur me vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, procesin e zbulimit dhe statusin e hetimeve.

Gjithashtu, bëri të ditur se seanca e radhës paraprake për këtë lëndë është caktuar për datën 24 mars në ora 14:30.

Ndërkaq, konferenca e radhës për statusin për rastin e Pjetër Shalës, tha se është caktuar për 4 mars, në ora 14:30.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor, ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Lajmet

Karriera e suksesshme nis me UBT-në – Përmbyllet Akademia Verore e Qendrës së Karrierës

Published

on

Pas dy ditësh të mbushura me ligjërata, punëtori dhe sesione frymëzuese, Akademia Verore e Karrierës, e organizuar nga Qendra e Karrierës në UBT, ka përmbyllur edicionin e saj të radhës me sukses të plotë.

Ky program, i cili bashkoi studentë, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive lidere në Kosovë, u kthye në një platformë reale për zhvillim personal dhe profesional, duke ofruar mundësi konkrete për orientim në karrierë dhe ndërtim të rrjetit profesional.

Gjatë ditëve të Akademisë:

Studentët morën pjesë në ligjërata mbi zhvillimin e karrierës dhe shkathtësitë e buta, si dhe në sesione interaktive me ekspertë të fushës së HR dhe sipërmarrjes.

Kompani si Automita, e përfaqësuar nga Qendresa Shala dhe Tenton, e përfaqësuar nga Alban Sahiti – alumnus i UBT-së, ndanë rrugëtimet e tyre frymëzuese dhe mundësitë për të rinjtë.

Ndërkohë, përfaqësues nga Gjirafa, IPKO, KosovaJobs dhe kompani të tjera ndanë përvoja të drejtpërdrejta dhe këshilla për hyrjen e suksesshme në tregun e punës.

Në përmbyllje të këtij edicioni, u theksua roli kyç që Qendra e Karrierës në UBT luan në ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme dhe inovative.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Në maj morëm informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim e ka bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.

Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë./REL

Continue Reading

Lajmet

Osmani priti në takim Anu Prattipatin

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe situatën me ngërçin politik.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ka diskutuar me diplomaten amerikane edhe rreth vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara si dhe takimet që presidentja i ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, bëri të ditur institucioni i Presidencës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata e Prishtinës e dënon në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte një ish-pjesëtar të sigurimit serb

Published

on

By

Në një njoftim për media, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se e gjeti fajtor të pandehurin, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.F., për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria e akuzoi atë se, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.Sh në vitin 1998 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku e kishin rrahur e torturuar”.

Nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, sipas aktakuzës.

S.F., ka të drejtë të ankohet ndaj aktgjykimit të Themelores në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99 u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Continue Reading

Të kërkuara