

Lajmet
Biseda që shqetësoi Ukrainën, por jo vetëm
Zelenskiy ka biseduar 90 minuta në telefon me Bidenin, më 9 dhjetor.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiTelefonata që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pasur javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, mund të përfundojë si njëra nga më të rëndësishmet e presidencës së tij.
Dhe kjo, sigurisht, nuk ka qenë hera e parë që presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë të ashpër me homologun e tij ukrainas, në lidhje me Rusinë.
Zelenskiy ka biseduar 90 minuta në telefon me Bidenin, më 9 dhjetor.
Qëllimi ishte të diskutohej biseda që Biden ka zhvilluar paraprakisht me njeriun, i cili ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Ukrainën: presidentin rus, Vladimir Putin.
Biden, i cili më herët e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake amerikane në Ukrainë, në rast të ndonjë pushtimi të ri, “ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Publikisht, kërcënimi indirekt i Putinit me luftë ka të bëjë kryesisht me perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Por, paralajmërimet e Putinit kanë të bëjnë edhe me konfliktin në lindje të Ukrainës, që vazhdon tash e shtatë vjet. Zgjidhjen e tij e kanë penguar mosmarrëveshjet për zbatimin e traktatit të propozuar të paqes, i cili njihet gjerësisht si Marrëveshjet e Minskut.
Atëherë, çfarë saktësisht i ka thënë Biden Zelenskiyt? A po kërkon ai lëshime nga Kievi, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport? Dhe, a i ka premtuar ai koncesione Putinit, në kurriz të Ukrainës, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport tjetër?
“Kjo është pyetje e madhe”, thotë Orysia Lutsevych, kryesuese e Forumit ukrainas në Programin e Rusisë dhe Euroazisë pranë institutit kërkimor Chatham House, me seli në Londër.
“Të jem e sinqertë, kjo pyetje ka kuptim të bëhet vetëm nga perspektiva negociuese, të shihet se çfarë lëshimesh legjitime janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjnë ukrainasit. Çfarë lloj kompromisi mund të bëni për të shmangur luftën?”, thotë Lutsevych për Radion Evropa e Lirë.
Publikisht dhe privatisht, Shtëpia e Bardhë sigurt thotë: jo, Biden nuk i ka kërkuar Zelenskiyt të bëjë lëshime; ai është zotuar se Uashingtoni dhe aleatët evropianë do ta godasin Rusinë me sanksione të rënda ekonomike, nëse fillon një ofensivë të re.
“E di se ka pasur shumë zhurmë në shtyp nëse ka pasur ose jo lëshime. Është e qartë se nuk ka pasur”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më 9 dhjetor.
“Mendoj se presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë se ai u qëndron prapa parimeve tona”, ka shtuar ajo.
Biden “e ka bërë të qartë se një shtet nuk mund ta detyrojë tjetrin t’i ndryshojë kufijtë, një shtet nuk mund t’i thotë tjetrit ta ndryshojë politikën dhe shtetet nuk mund t’u tregojnë të tjerave se me kë mund të punojnë”, ka thënë më vonë një zyrtar i lartë i administratës.
Në Kiev, zyrtarët e administratës së Zelenskiyt kanë vlerësuar se Biden është mbështetës i anëtarësimit eventual të Ukrainës në NATO – gjë të cilën Kremlini e ka kundërshtuar publikisht.
“Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë se vendimi i Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO është vendim i popullit ukrainas, i shtetit sovran dhe të pavarur të Ukrainës. Dhe ai as që ka qenë gati të diskutojë për këtë çështje. Kjo varet nga Ukraina dhe anëtarët e NATO-s”, ka thënë shefi i shtabit të Zelenskiyt, Andriy Yermak, në një program televiziv në Ukrainë.
Një nga sinjalet e rrezikshme që ka dalë nga telefonata Biden-Zelenskiy është se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen më shumë në procesin e zgjidhjes së konfliktit në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës, thotë Maria Zolkina, analiste politike në Fondacionin e Nismave Demokratike, me seli në Kiev.
Kjo nënkupton negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, të cilat do ta vinin Ukrainën në rrezik për t’u përjashtuar, shton ajo.
“Nëse nuk jemi në tryezë, jemi jashtë procesit”, thotë Zolkina për Radion Evropa e Lirë.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane ka bërë përpjekje t’i zvogëlojë shqetësimet e tilla, duke thënë se Biden “ia ka bërë të qartë Zelenskiyt…”, se “nëse Ukraina është në agjendë, atëherë Ukraina është në tryezë”.
Zhvillimi i Zelenskiyt
E vetmja rrugë për të përfunduar luftën në Donbas është e përcaktuar me Marrëveshjet e Minskut, përkatësisht armëpushimet e nënshkruara në shtator të vitit 2014 dhe në shkurt të vitit 2015, të cilat ofrojnë kornizë – ndonëse të diskutueshme – për marrëveshje të paqes.
Por, djalli fshihet në detaje: si dhe kur të bëhet tërheqja nga të dyja anët; si dhe kujt do t’i jepte amnisti Kievi; si dhe kur do t’i mbante Ukraina zgjedhjet lokale në rajonet e kontrolluara nga separatistët pro-rusë dhe do t’u jepte atyre status të veçantë; si dhe kur do të rimerrte Kievi kontrollin e plotë në kufirin e tij me Rusinë në ato zona?
Një problem i madh është se as Kievi dhe as Moska nuk besojnë se pala tjetër negocion me qëllime të mira.
Mohimi i vazhdueshëm i Rusisë për përfshirjen në luftimet në lindje të Ukrainës – pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën – nuk ndihmon në këtë situatë.
Vetë Zelenskiy ka shënuar fitore të madhe në zgjedhjet e vitit 2019, duke premtuar edhe përfundimin e luftës.
Në fillim, ai ka pasur disa fitore të vogla. Pesë muaj pasi është zgjedhur president, ai ka siguruar një shkëmbim të të burgosurve me Rusinë. Tridhjetë e pesë ukrainas, që janë mbajtur në Rusi – disa prej tyre me vite – janë kthyer në shtëpi.
Që atëherë, pozicioni i Zelenskiyt ndaj Rusisë është ashpërsuar, gjë që, me sa duket, ka shkaktuar zemërim në Kremlin.
Zelenskiy, i cili ka të drejtë të garojë për mandatin e dytë presidencial në vitin 2024, ka shpeshtuar thirrjet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Një ditë pas video-konferencës me Bidenin, javën e kaluar, Putin ka folur sërish për pozicionin e Rusisë për këtë çështje – edhe pse NATO-ja nuk ka dhënë asnjë shenjë se Ukraina do të ftohet që të anëtarësohet në radhët e saj, gjatë viteve të ardhshme.
“Ne jemi të shqetësuar për perspektivat e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO, pasi kjo do të rezultojë përfundimisht me shpërndarjen e kontingjenteve ushtarake, bazave dhe armëve, që përbëjnë kërcënim për ne”, ka thënë Putin.
Duke vënë në dukje se sistemet e mbrojtjes raketore të SHBA-së janë duke u vendosur në Poloni dhe Rumani, Putin ka thënë se Rusia i ka “të gjitha arsyet për të besuar se e njëjta gjë do të ndodhë nëse Ukraina i bashkohet NATO-s, por në tokën ukrainase”.
“Si mund të mos mendojmë për këtë?”, ka pyetur Putin.
Por, nuk janë vetëm ukrainasit ata që janë nervozuar me bisedën Biden-Putin.
Gjatë telefonatës, sipas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, të dy udhëheqësit kanë rënë dakord që të organizojnë bisedime të reja për një varg çështjesh, përfshirë ankesat ruse për NATO-n.
Biden ka thënë pastaj se shpreson se Shtëpia e Bardhë do të njoftojë së shpejti për takime të nivelit të lartë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me katër aleatët kryesorë të NATO-s.
Kjo ka shqetësuar anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore, të cilët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëvizjeve kërcënuese të Moskës. Biden, pastaj, ka zhvilluar një telefonatë tjetër me grupin e njohur si “Nënta e Bukureshtit”, i cili përfshin shtetet baltike dhe Poloninë.
Një diplomat polak, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se Varshava ka frikë se qasja e SHBA-së ndaj Ukrainës, shkon në dëm të Ukrainës dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Biden dhe Zelenskiy kanë folur së paku dy herë më parë – një herë personalisht – për çështje që kanë përfshirë edhe Rusinë.
Në qershor, Shtëpia e Bardhë e Bidenit ka zgjedhur të mos vendosë sanksione ndaj Rrjedhës së Veriut 2 – një tubacion nën Detin Baltik, që i mundëson Rusisë të dërgojë më shumë gaz në Evropë, duke e anashkaluar rrjetin e tubacioneve të Ukrainës.
Zelenskiy e ka shprehur publikisht zemërimin dhe ka zhvilluar një telefonatë me Bidenin.
Në shtator, pastaj, Zelenskiy është pritur në Shtëpinë e Bardhë, ku Biden dhe zyrtarët e tjerë amerikanë e kanë siguruar për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.
Takimi më vonë ka rezultuar me një “partneritet të ri strategjik”, që përfshin bashkëpunim specifik për çështje të mbrojtjes.
Por, që atëherë, Moska e ka kërcënuar Ukrainën, duke dërguar dhjetëra mijëra trupa – ndoshta më shumë se 100,000 – në rajonet pranë kufijve me Ukrainën dhe në Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Në një raport të publikuar në fillim të këtij viti – shumë kohë përpara grumbullimit të trupave ruse – Qendra Razumkov, një institut i pavarur i Kievit, ka zbuluar se 70 për qind e ukrainasve mbështesin një referendum publik për anëtarësimin në NATO.
Dhe, një tjetër anketë e publikuar javën e kaluar, ka treguar se 54 për qind e të anketuarve besojnë se marrëveshjet e Minskut duhen rishikuar ose rinegociuar.
Anketa ka zbuluar gjithashtu se 56 për qind e të anketuarve favorizojnë negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë; 41 për qind i kundërshtojnë.
Sondazhi i grupit Reiting në Kiev ka anketuar 2,500 ukrainas, në periudhën 6-8 dhjetor./REL
Lajmet
Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja
Published
13 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Seanca e së shtunës u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për dalje nga ngërçi politik.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik në orën 11:00.
Para seancës, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që sot të ndodhë takimi dhe të ketë vullnet poliitk nga Kurti.
“Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë, dhe vulllnet politik nga lideri i LVV-së”, tha ajo për gazetarët.
Sipas Izmakut, partia e saj pret që Limaj të bëhet kryeparlamentar dhe LVV-ja të udhëheqë Qevernë.
Ajo tha se nuk ka ofertë tjerët, por shtoi se kjo është alternativa e vetme që vendi të dalë nga ngërçi dhe shteti të ketë institucione.
Izmaku po ashtu pretendoi se Limaj ka mbështetjen edhe të deputetëve e partive të tjera.
Deputeti nga AAK-ja, Lah Brahimaj, para nisjes së seancës pretendoi se Nisma, LVV-ja dhe Lista Serbe veçse kanë një marrëveshje në parim. Ai tha se kjo mbështetet në sjelljen e tyre, pasi pas çdo dështimi të seancës, deputetët e Nismës, LVV-së dhe Listës Serbe lëshojnë sallën plenare, ndërkaq partitë e tjera jo.
Sipas tij, AAK-ja nuk ka vota për Limajn kryeparlamentar.
Nga PDK-ja kishte qëndrime të ndryshme para nisjes së seancës. Nait Hasanaj tha se nuk do ta votonte Limajn për kryeparlamentar, por Fadil Nura tha se partia e tij ka interes që vendi të ketë institucione sa më shpejt.
“Shpresoj që PDK-ja do t’ia japë voton Fatmir Limajt”, tha ai.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
LVV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve, e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të organit ligjvënës. Megjithatë, Haxhiu është konsideruar si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja që kanë kërkuar nga LVV-ja të ndryshojë propozimin, ndërkaq LDK-ja ka thënë se nuk do të votojë asnjë emër të partisë fituese për këtë post.
Lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka obliguar deputetët që brenda 30 ditësh – deri më 26 korrik – të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit dhe më pas të votojnë nënkryetarët, duke përmbyllur kështu konstituimin e organit ligjvënës.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se partia e saj qëndron në kërkesën që Limaj të zgjidhet kryeparlamentar.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.
“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme”, ka thënë mes tjerash ajo.
Teksa afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese po afrohet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës paralajmëroi se nëse këto ditë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë javën e ardhshme e para e shtetit do t’i drejtohet Kushtetueses.
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë argumentojnë se ndryshimi i votimit nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, për kryeparlamenetarin – nga i hapur në të mbyllur – është jokushtetues. Por, LVV-ja argumenton të kundërtën.
LVV-ja kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Lajmet
Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona
Published
14 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut.
Arrestimi i Popoviqit vjen pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur “organizatë terroriste” dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato në Rripin e Gazës. Fjalimi u mbajt në një ceremoni përkujtimore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ndaj Popoviqit është iniciuar procedurë për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, ndërsa gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, Petar Petkoviq, reagoi duke e cilësuar arrestimin si “të padrejtë” dhe pretendoi se Popoviq “vetëm tha të vërtetën”./BetimipërDrejtësi
Lajmet
14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj
Published
14 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Policia e Kosovës ka ndaluar një të mitur 14-vjeçar në Ferizaj, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sprejit, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas njoftimit zyrtar, reagimi i policisë erdhi pas marrjes së një informacioni se një person i mitur po mbante me vete armë zjarri dhe sprej. Njësia policore ka ndërhyrë menjëherë, ka identifikuar të dyshuarin dhe e ka ndaluar në vendngjarje.
Gjatë kontrollit fizik, tek i mituri janë gjetur një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, 14-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë për të garantuar sigurinë publik.
Lajmet
Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit
Published
14 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj pesë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.

Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja

Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë

Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore