I dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Rusinë u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, me një propozim për paqe që do të përbënte një kthesë të madhe në politikën amerikane: njohjen e pretendimit të Moskës për Krimenë, territor i Ukrainës.
Propozimi, i cili fillimisht ka qarkulluar nga zyrtarë amerikanë pas bisedimeve në Paris javën e kaluar, është një nga disa temat që Steve Witkoff pritet të ngrejë në takimin me Putinin më 25 prill.
Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e katërt, ky plan përfaqëson një përpjekje të madhe të Uashingtonit për të zhbllokuar ngërçin diplomatik dhe për të ndalur luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ky është, gjithashtu, një ndryshim i thellë në politikën amerikane, sidomos sa i përket statusit të Krimesë, të cilën Moska e pushtoi dhe më pas e aneksoi në vitin 2014.
Përveç një numri shumë të vogël shtetesh, aneksimi nuk është njohur ndërkombëtarisht. Që nga ajo kohë — përfshirë edhe gjatë administratës së parë të Trump — politika amerikane ka refuzuar pretendimin rus.
Një diplomat evropian, me njohuri për detajet e planit, e përshkroi atë për Radion Evropa e Lirë. Një ish-diplomat amerikan, gjithashtu, konfirmoi përmbajtjen e propozimit.
Në lidhje me Krimenë, plani amerikan kërkon njohjen “de jure” — pra ligjore — të pretendimit rus mbi gadishullin.
Përveç se përbën një kthesë të madhe për Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme për Putinin, popullariteti i të cilit u rrit ndjeshëm brenda Rusisë pas urdhrit të tij për pushtimin e fshehtë të Krimesë në vitin 2014 dhe më pas aneksimin e saj.
Njohja nga SHBA-ja do të ishte një goditje e rëndë për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe për shumicën e ukrainasve, për të cilët pretendimi rus është pjesë e një fushate më të gjerë për të minuar sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.