Bota ndeshet çdo ditë me rrezikun e një humbje, e sidomos në kohë të tilla gati surreale, teksa planeti po vuan gjatë një pandemie.
Të rrezikuar nga ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, shkrirja e akullnajave, por veç këtyre edhe nga zbehja e trashëgimisë shpirtërore. Një humbje e tillë shkatërruese është themeli mbi të cilin ngrihet jeta dhe identitetet ynë: gjuhët e botës sonë.
Sipas një lajmi të publikuar nga CNN, një e pesta e më shumë se 7000 gjuhëve në botë janë të rrezikuara të vdesin deri në fund të shekullit. Këtë paralajmërojnë shkencëtarët, duke theksuar se dhe më shumë se 40% e tyre tashmë janë të rrezikuara. Ndonëse një lajm i tillë mund të duket krejt i parëndësishëm, në fakt gjuha është më thelbësore për mbijetesën tonë si njerëz nga ç’mund të mendojmë.
Kolonializmi dhe pushtimi zhdukën shumë gjuhë
Gjuha është shenjë e identitetit të një populli dhe fuqitë koloniale e dinin këtë mjaft mirë. Shekujt e ashpër të kolonializmit dhe pushtimit nuk kanë lënë asnjë pjesë të botës të paprekur, duke traumatizuar breza të tërë komunitetesh vendase. Në fund të viteve 1800, kolonistët krijuan shkolla me konvikt në SHBA për të “civilizuar” dhe kristianizuar komunitetet autoktone. Një themelues i këtyre shkollave, gjenerali Richard C. Pratt, tha se sistemi kishte për qëllim “të vriste indianin dhe të shpëtonte njeriun”. Fëmijët vendas u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre për të ndjekur shkollat, ku ata u detyruan të adhuronin si të krishterë dhe të flisnin anglisht. Mijëra prej tyre vdiqën nga torturat e shumta, e ndërsa të tjerë të mbijetuar nuk flisnin më gjuhën e tyre amtare përsëri, pasi ndoqën shkollat me konvikt, të cilat vazhduan deri në mes të viteve 1900.
Sistemi i shkollës me konvikte në SHBA ishte jashtëzakonisht brutal, por jo i vetmi. Shkolla të tilla në të gjithë botën, të drejtuara nga qeveria dhe misionarët, ndryshonin në praktikë dhe në qëllime. Por shumica kërkonin të mbizotëronin kulturat vendase përmes gjuhës. Në Amazonën Peruane në vitet 1950, misionarët detyruan popujt vendas Arakmbut të ndiqnin shkolla dhe të mësonin spanjisht. Në Sápmi, pjesët veriore të asaj që tani njihet si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, njerëzit vendas Sami u dërguan në shkolla me konvikt nga shekulli i 19-të deri në mesin e shekullit të 20-të. Norvegjia dhe Suedia miratuan ligje që ndalonin përdorimin e gjuhës Sami në shkolla dhe në shtëpi. Shkollat dhe përpjekjet e tjera të asimilimit të detyruar patën një efekt të ngjashëm edhe te komunitetet Maori në Zelandën e Re. Në vitin 1900, 90% e fëmijëve Maori mund të flisnin Maori, por në vitin 1960, vetëm 26% mund ta flisnin atë.
Kjo gjuhë e Amerikës së Veriut ka më pak se 10 folës amtarë
Komuniteti Potawatomi, që shtrihet në Rrafshnaltat e Mëdha, në lumin e sipërm Misisipi, ende mbart vuajtjet e paraardhësve. Një akt i vitit 1830 dëboi Potawatomi nga vendlindja e tyre që u detyruan, ashtu si grupet e tjera vendase, të ndiqnin shkollat e konviktit të asimilimit brutal.
“Ka një efekt të mbetur”, tha për CNN Justin Neely, drejtor i gjuhës në Qendrën e Trashëgimisë Kulturore, Citizen Potawatomi Nation. “Një lloj ndjenje post-traumatike në vijën e gjakut. Ne jemi në një moment krize me gjuhën dhe mënyrën tonë të jetës. Gjuha është çelësi për të kuptuar kulturën tonë … Historia jonë, vallja jonë, ceremonitë tona, ushqimi ynë – që na bën Potawatomi – por gjuha është ajo që i lidh të gjitha së bashku”, tha ai.
Ndonëse ka më shumë se 56 000 njerëz Potawatomi që jetojnë sot, Neely thotë se më pak se 10 njerëz në botë flasin këtë gjuhë amtare. Vetëm rreth 30, thotë ai, kanë arritur rrjedhshmëri bisede dhe ai është njëri prej tyre. Covid-19, gjithashtu ka thelluar rrezikun e shumë komuniteteve vendase dhe gjuhëve të tyre.
Kriza e identitetit, një faktor rreziku për vetëvrasje
Përkundër një viti humbjesh të paimagjinueshme, përpjekjet për të shpëtuar gjuhët më të rrezikuara në botë vazhdojnë. Këto përpjekje sipas shkencëtarëve duhet të shtohen jo vetëm për mbijetesën afatgjatë të këtyre kulturave, por për arsye më urgjente.
Trauma historike, e bërë përmes zhvendosjes së detyruar, shkollave abuzive me konvikte dhe politikave të asimilimit ka shënjuar jetën e komuniteteve vendase për breza të tërë dhe kjo traumë është një faktor rreziku për vetëvrasje. Midis vitit 1999 dhe 2017, niveli i vetëvrasjeve në SHBA u rrit me 33%. Në të njëjtën kohë, niveli i vetëvrasjeve për burrat e komunitetit vendas të indianëve amerikanë dhe Alaskës u rrit 71%, ndërsa për gratë vendase u rrit me 139%.
Hulumtimet sugjerojnë se ndjenja e përkatësisë në kulturë dhe komunitet është një nga faktorët më të fortë mbrojtës ndaj sjelljes vetëvrasëse. Mësimi dhe përdorimi i gjuhës amtare mund të ndihmojë në lehtësimin e kësaj ndjenje të përkatësisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme janë regjistruar gjashtë raste të ndryshme të dhunës në familje në disa qytete të vendit.
Në Graçanicë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, tre burra janë përleshur mes vete. Ata janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, është arrestuar një grua pasi ka sulmuar fizikisht një grua tjetër. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Në Viti, një grua ka raportuar se pas një fjalosjeje është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Mitrovicë, është arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, një grua ka raportuar se një burrë ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj saj, si dhe e ka kërcënuar përmes telefonit. Pas intervistimit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Deçan, është arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/
Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku pas një mosmarrëveshjeje çasti, tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një sulmi fizik.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur saktësisht rreth orës 02:25 pas mesnate. Tre viktimat, të gjithë burra dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga tre të dyshuar të tjerë.
Përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj viktimave, të dyshuarit u kanë dëmtuar atyre edhe veturën private përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e sulmit, të tre viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar menjëherë tretmanin e nevojshëm mjekësor në institucionet shëndetësore.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tre personat e dyshuar tashmë gjenden në kërkim policor.
Rasti zyrtarisht është iniciuar dhe po hutohet nën cilësimin si “Lëndim i rëndë trupor” dhe dëmtim i pronës, ndërsa njësitet përkatëse po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve. /E.A/
Pavarësisht marrëveshjes së paqes të arritur javën e kaluar me Shtetet e Bashkuara, Irani ka sulmuar me dron një anije në Ngushticën e Hormuzit. Ky incident ka detyruar Organizatën Ndërkombëtare Detare të OKB-së (IMO) të pezullojë menjëherë misionin urgjent për evakuimin e qindra anijeve dhe mbi 11,000 detarëve që mbeten të bllokuar në rajonin e Gjirit Persik që nga shpërthimi i luftës në fund të shkurtit.
Sulmi erdhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se anijet do të lejohen të kalojnë vetëm përmes rrugëve të përcaktuara nga Teherani, duke sfiduar hapur pretendimet e administratës Trump se ngushtica është e lirë dhe e hapur.
Ky aksion shihet si një përpjekje e Iranit për të ruajtur kontrollin mbi këtë rrugë ujore kritike, duke e përdorur atë si pikë kyçe ndikimi në negociatat e vazhdueshme diplomatike.
Ky është incidenti i parë i raportuar që nga nënshkrimi i memorandumit prej 14 pikash midis Uashingtonit dhe Teheranit, i cili synon ndaljen e luftimeve dhe ofrimin e lehtësimit ekonomik për Iranin në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore.
Ngjarja ka shkaktuar menjëherë një rritje të re të çmimeve globale të naftës dhe ka ndërlikuar misionin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili po përpiqet t’u shesë marrëveshjen e paqes vendeve skeptike të Gjirit. Ndërkohë, të gjitha anijet tregtare në rajon janë udhëzuar të lundrojnë me kujdes të shtuar. /CNN/ /E.A/
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë përmes rrënojave në një garë me kohën për të shpëtuar jetë, pasi dy tërmete të fuqishme goditën Venezuelën pranë kryeqytetit, duke vrarë të paktën 235 njerëz dhe duke plagosur të paktën 4,300 të tjerë.
Në Karakas dhe në qytetin bregdetar pranë tij, La Guaira, njerëzit dëgjoheshin duke kërkuar ndihmë nga nën rrënojat e ndërtesave të shembur, siç raporton BBC.
Tërmeti i parë me magnitudë 7.2 u pasua pak sekonda më vonë nga një tjetër edhe më i fuqishëm, me magnitudë 7.5, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS). Të dy tërmetet ndodhën afër sipërfaqes, gjë që e bëri shkatërrimin edhe më të rëndë.
Frikësohet se numri i të vdekurve është shumë më i lartë, ndërsa të tjerë kanë mbetur të pastrehë ose janë shumë të frikësuar për të qëndruar në ndërtesat e dëmtuara dhe të pasigurta, duke fjetur në rrugë pas katastrofës.
Tërmetet goditën në orën 18:04 sipas kohës lokale (22:04 GMT) të mërkurën – një ditë feste kombëtare në Venezuelë, që do të thotë se më shumë njerëz ndodheshin në shtëpi sesa në një ditë të zakonshme pune.
Të dy tërmetet ishin të cekëta – i pari me qendër 20.3 km nën sipërfaqe dhe i dyti në një thellësi prej 10 km, sipas USGS.
Jorge Rodríguez, presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, raportoi të enjten se numri i të vdekurve kishte pësuar rritje, pasi Presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Disa vende kanë premtuar ndihmë për përpjekjet e shpëtimit, ku SHBA-ja ka premtuar 150 milionë dollarë ndihmë. Ushtria e SHBA-së po dërgon anije transporti dhe avionë për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe “operacionet e ndihmës së shpejtë”, thuhet në një deklaratë.
Jorge Rodríguez tha se 250 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, kryesisht në La Guaira, ku BBC verifikoi pamjet e një hoteli 10-katësh të kthyer në gërmadhë. Të enjten, njerëzit po kërkonin të afërmit e tyre atje.
Juan Ortiz tha për BBC se një nga miqtë e tij të ngushtë ishte konfirmuar i vdekur, një tjetër besohej se ndodhej nën rrënoja, dhe rreth 20 persona që ai njihte e që jetonin në zonën bregdetare ishin të zhdukur.
“Jam në shok dhe i konfuzuar, dhe i frustruar që nuk mund të ndihmoj,” tha studenti i mjekësisë në Karakas.
Ndërtesa u shembën gjithashtu edhe në kryeqytet, tha Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, ndërsa u prekën edhe rajonet Trujillo, Yaracuy, Carabobo, Aragua dhe Miranda.
Kryebashkiaku Gustavo Duque i Chacao-s, pjesë e zonës së madhe metropolitane të Karakasit, tha të enjten jashtë një ndërtese të shkatërruar se 11 persona kishin vdekur atje dhe 23 ishin shpëtuar.
Në një video-përditësim të postuar në rrjetet sociale, ai tha se ekipi po përpiqej të pastronte rrënojat në mënyrë që specialistët të mund të hynin “për të arritur te njerëzit që shpresojmë se janë ende gjallë”. /BBC/ /E.A/