Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 25 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
7 months agoon
By
UBTNews25 prill 1994
Lajm i plotë:
Forcat serbe vranë Naim Bajramin në Miratoc të Preshevës
Naim Bajrami (1969) nga fshati Llashticë i komunës së Gjilanit, u vra mbrëmë nga forcat serbe në afërsi të fshatit Miratoc të Preshevës.
Tash për tash nuk dihen detaje të tjera rreth vrasjes.
Në Komisionin për Informim të Degës së LDK-së në Gjilan thonë se Naim Bajrami para disa ditësh kishte dorëzuar një revole në policinë serbe për të shpëtuar babain e tij, Rrahmanin, i cili po torturohej nga policia.
Javën që shkoi policia sërish e bastisi shtëpinë e të ndjerit, mirëpo nuk gjeti kurrëfarë arme.
Në fshatin Llashticë gjatë aksionit të bastisjeve e torturimeve nën pretekst të mbajtjes së armëve pa leje, janë rrahur shumë persona.
Besohet se Naim Bajrami deshi të ikte nga Kosova nga frika e arrestimit dhe e torturimit në polici.
I ndjeri nuk kishte pasaportë.
Supozohet se ai u vra në përpjekje për ta kaluar kufirin e Serbisë me Maqedoninë.
Kufoma e të ndjerit është dërguar mbrëmë vonë në Qendrën Mjekësore në Gjilan, e cila po mbahet nën kontroll të rreptë nga policia.
Naim Bajrami ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Kjo është viktima e dytë në këtë vendkalim kufitar në dy vitet e fundit. Më 1992 ishte gjetur i vrarë Nazim Hajdari nga fshati Stubëll e Ultë i Vitisë, ndërsa rrethanat e vrasjes së tij nuk janë sqaruar ende.
Lajm i plotë:
Klinton: Na brengos statusi i shqiptarëve në Kosovë
Me rastin e vizitës së kryeministrit grek, Andreas Papandreu, në Uashington, në një knferencë për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, një gazetar grek i shtroi pyetjen presidentit të SHBA, Bill Klinton, për pozitën e minoritarëve grekë në Shqipëri, përkatësisht të tensionit midis Shqipërisë dhe Greqisë që u ngrit pas vrasjes kriminale të dy ushtarëve shqiptarë nga komandosët që hyn nga territori i Greqisë.
“Çfarë mendoni për çështjen e tensionit midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe a keni diskutuar (gazetari grek mendon për takimin me Papandreun – v.j.), çështjen e statusit të minoritarëve grekë në Shqipëri dhe, siç po thuhet, shkeljen e të drejtave të njeriut?”.
Megjithëse pyetja ishte për minoritarët grekë në jug të Shqipërisë, presidenti amerikan tërhoqi vëmendjen për statusin e shqiptarëve në Kosovë. Duke iu përgjigjur pyetjes, presidenti Klinton tha:
“Së pari mendoj se Greqia po tregon një vetëpërmbajtje dhe një gjykim të arsyeshëm. Natyrisht se përcjellim pozitën e minoritetit grek, por jemi të brengosur për statusin e shqiptarëve në Kosovë”, njofton “Bujku” i sotëm.
Presidenti i SHBA më tej tërhoqi vërejtjen për rrezikun e shpërthimit të një konflikti në rjaonin e tensionuar dhe theksoi se në përputhje me situatën janë ndërmarrë masa nga mekanizmat ndërkombëtare për izolimin e konfliktit aktual në Bosnjë, që ai të mos zgjerohet. Ai po ashtu bëri thirrje që të ulen tensionet dhe të ketë një mbikëqyrje të të drejtave të minoritaëve.
“I gjithë ky rajon është një bombë e kurdisur për ç’arsye ia kemi kushtuar kujdesin e deritashëm brenda autorizimeve të Kombeve të BAshkuara dhe të NATO-s në mënyrë që ta izolojmë konfliktin. Mendoj se duhet që të ftohen gjakrat dhe retorika e nxehtë dhe të vëgzhgohen të drejtat e minoritetit në mënyrë që të mos lejohet që lufta që po zhvillohet në Bosnjë të bartet në rajonet përreth ku tensionet po thellohen”, tha presidenti Klinton.
Lajme të tjera:
Planifikohet regjistrimi i 25 000 nxënësve në shkollën e mesme
Në Prishtinë ndiqen të rinjtë për rekrutim
U meremetua rruga dhe u hap një ambulancë në lagjen “Emshiri” të Prishtinës
Një ish-inspektor shqiptar i sigurimit u rrah në SPB-në e Pejës
Policia serbe u largua nga objekti në Bellaqevc të Madh
U ngrit akuza kundër Ramiz Alisë
Bashkësia Shqiptare protestoi përballë ambasadës greke në Bruksel
U përurua fusha e futbollit në lagjen Kodra e Trimave
Në Prizren policia plaçkiti tregun e plaçkave
Shkatërrim total gjyqeve serbe në Kosovë
25 prill 1995
Lajmet kryesore:
Gjyqi penal ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi njofton për hetimet ndaj Karaxhiqit, Mlladiqit dhe Stanishiqit
Klaus Kinkel: Nuk bën ta harrojmë Kosovën dhe Maqedoninë
Arrin në Kosovë një delegacion i Kongresit Amerikan
Suzane Auer vizitoi PFK-në
Mësimi u pengua në disa shkolla në Prizren, Pejë dhe Prishtinë
Policia pengoi një manifestim në Përlepnicë të Gjilanit
Policia kërcënoi pronarin e shtëpisë-shkollë
Udhëheqësit e Kaçanikut vazhdojnë të mbahen në paraburgim
Në Tetovë mbahet nesër protestë kundër procesit të montuar ndaj rektorit Sylejmani
“Bujku” nuk u botua as sot për shkak të shantazheve të serbëve
Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe të Akusherisë shtohet numri i vdekjeve
Dhuna e përditshme në Kosovë
Bashkëfshatarët e Vrapçanit në Prishtinë përkrahin protestën në Tetovë
NATO u propozua për çmimin Nobel
Lajm i plotë:
Në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi u vra edhe një shtetas shqiptar
Në zonën kufitare mes Shqipërisë e Malit të Zi, gjegjësisht në rajonin e quajtur Brigje (Malësi e Madhe), më 23 prill 1995, rreth orës 03,05, patrulla e ushtrisë së Jugosllavisë së vetëshpallur, vrau shtetasin shqiptar Kolë Lekë Ivanaj (27) nga fshati Vrrakë i rrethit të Shkodrës.
Komisioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Malit të Zi për zgjidhjen e incidenteve kufitare, nga vendi i ngjarjes konstatoi se tre shtetas shqiptarë paskan kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në këtë sektor dhe se rojet kufitare paskan shtirë në ta, derisa po tentonin të ktheheshin në territorin shqiptar, më ç’rast u vra Kolë Ivanaj, njofton TVSH.
25 prill 1997
Lajmet kryesore:
Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova
Dr. Zejnullah Rrahmani: Vonesat e pagave pasojë edhe e përplasjeve politike
Adem Demaçi bisedoi me diplomatin gjerman Prygel
Sali Berisha: Grupet rebele dhe aleanca e PS me to – pengesë kryesore për zgjedhje
Azem Hajdari: Ministri Vukaj të distancohet nga “komitetet e shpëtimit”
Banda e armatosur sulmoi komesariatin e policisë në Elbasan
Leka Zogu vizitoi Vlorën
Abaz Ermenji: “S’mund të ketë zgjedhje kur jehojnë armët”
Për armëmbajtje u dënua me 5 muaj burg
U lirua nga burgu Muhamet Latifi
Dhuna e përditshme në Kosovë
Kërkohet Afrim Mustafa nga Gjilani
Lajm i plotë:
Dy të vrarë në Përmet
Prishtinë, 25 prill (QIK)
Dje në mengjes në qytetin e Përmetit u gjetën të vrarë nga armë zjarri dy persona, at e bir, 60 dhe 40 vjeç.
Burime të komisariatit të policisë së rrethit, konfirmuan se personat në fjalë janë qëlluar me armë zjarri. Ende nuk dihen motivet dhe autorët e këtij krimi.
Nga fillimi i trazirave në këtë reth janë vrarë 16 vetë dhe janë plagosur 75 të tjerë.
Ndërkaq, disa kilometra larg pikës kufitare të Kakavijës, një grup personash të armatosur kanë sulmuar një autobus që udhëtonte në drejtim të Tiranës dhe kanë vrarë një banor të fshatit Selenicë të rrethit të Vlorës, njofton ATSH.
Lajm i plotë:
U maltretua në polici pse u gjet në kafenenë ku u vra zv/ministri serb i policisë
Prishtinë, 25 prill (QIK)
E pajisur me autoblinda, një ekspeditë e policisë serbe ndërhyri më 22 prill në shtëpinë e Rexhep Rexhepit në fshatin Peran, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.
- Rexhepi u dërgua në stacionin e policisë në Podujevë dhe u maltretua rreth tri orë. Pretekst për këtë ishte se ai kishte qenë rastësisht në lokalin “Mama mia” në Beograd në momentin kur u vra zëvendësministri serb i policisë Radovan Stojiçiq.
Policia e urdhëroi atë të mos largohej nga shtëpia, sepse do ta marrë sërish në pyetje.
25 prill 1998
Edicioni i parë (Ora 12:30)
Lajm i plotë:
Rifilloi sulmi kundër Baballoqit
Gjendja në territorin e komunës së Deçanit po rëndohet nga dita në ditë. Mbrëmë forcat ushtarko-policore kanë shtëna nga armët e lehta edhe nga artileria e rëndë. Si pasojë e kësaj, prej dje edhe fshati Baballoç ka mbetur pa rrymë elektrike nga se forcat serbe kanë granatuar trafon e këtij fshati. Pas prishjes së trafos, është dëmtuar dukshëm edhe rrjeti i tensionit të lartë të rrymës elektrike. Kjo ka futur shqetsim tek qytetarët që kanë mbetur në mbrojtje të fshatit, e po ashtu të njëjtit kanë mbetur edhe pa informim.
Nga disa persona që kanë dalë nga shtetrrethimi i fortë ushtarako-policor, njoftohet se deri dje janë dëmtuar pjesërisht rreth 20 shtëpi të fshatit. Ata kanë treguar se në bregoren e fshatit që konsiderohet si pikë strategjike, vazhdimisht po gjuajnë snajpersitët serbë, ndërsa në Sukën e Baballoçit është vendosur një top me tytë të kthyer në drejtim të fshatit dhe 4 kamionë ushtarakë.
Gjatë ditës së djeshme në këtë anë kanë shkuar përforcime ushtarake, por edhe përkundër kësaj, burrat dhe popullata po i mbrojnë pragjet e shtëpisë së vet.
Fshati Baballoq u sulmua edhe sot që nga ora 4,10 minuta, me të shtëna nga të gjitha llojet e armëve.
Forca të shumta ushtarake gjenden në zonën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë, të cilat që nga mëngjesi po shtinë edhe me armë të rënda, njofton KI i LDK-së në Deçan.
Lajm i plotë:
Shumë deçanas në mesin e të ekzekutuarve nga ushtria jugosllave
Në mesin e 23 të vrarëve nga ana e ushtrisë jugosllave në kufirin shqiptaro-shqiptar, dyshohet se ka edhe të vrarë nga komuna e Deçanit. Për numrin dhe identitetin e tyre edhe më tutje nuk ka të dhëna nga pamundësia e qarkullimit të njerëazve dhe të informatave nga vendi i ngjarjes, njofton KI i LDK-së në Deçan.
Lajm i plotë:
Qelë Deskun, nuk e vrau UÇK siç pretendon Beogradi, por policia serbe
Qelë Shaban Desku (41) nga Kliçina u vra dje nga policia serbe. KI i Degës së LDK-së në Pejë njofton se me rastin e ndërhyrjes së policisë në këtë fshat, Qela u plagos rëndë derisa po dilte për të parë se ç’po ndodhte me nxënësit që gjendeshin në shkollë. Një gjysmë orë pasi u qëllua me armë nga policia, ai vdiq, pasi për shkak të bllokadës së policisë, askush nuk pati mundësi t’i jipte asnjë ndihmë.
Në këtë mënyrë hidhen posht pretendimet e mediumeve dhe të policisë serbe se kinse Qelë Deskun e vranë dje terroristët shqiptarë për shkak se ai ishte lojal ndaj Serbisë dhe pse ai kishte marrë pjesë në referendumin serb kundër ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Dëshmitarët nga Kliçina dhe Jabllanica thonë se trupin e pajetë të Qelë Deskut, baba i pesë fëmijëve, e mori një automobil i ndihmës së shpejtë dhe atë deri sot paradite ende nuk e ka marrë familja.
Në këtë njoftim jipen detaje të ndërhyrjes së mbi 100 policëve gjatë ditës së djeshme në Kliçinë, Jabllanicë dhe Rosujë. Gjatë ndërhyrjes policia plagosi nxënësit Afrim H. Berishën (17) e Burim A. Berishën (17). Afrimi u plagos në dorën e majtë, ndërsa i dyti në këmbën e majtë.
Policia shtiu me armë edhe kundër Naim B. Abazit (22) dhe Jeton M. Abazit (17) nga Jabllanica. Këta të dytë pasi u kapën nga policia, u rrahën në vend dhe pastaj u dërguan në postkomandën e policisë, ku sërish u keqtrajtuan rëndë fizikisht, e pastaj u liruan.
Gjatë aksionit serb u bastisën shtëpitë e Ramiz e Mehmet Zogajt në Kliçinë, ndërsa në Jabllanicë të Leshanit u bastisën shtëpitë e Tahir e Ramë Abazit, Zenel Atashit, Hamdi Senikut dhe Haxhi Berishës, në të cilat u demolan shumë orendi.
U rrah nga policia edhe Fekë B. Atashi nga Jabllanica, i cili, në të kthyer nga Peja, u ndalua para postkomandës në Kliçinë dhe u keqtrajtua në prani të anëtarëve të familjes që po udhëtonin me të.
Gjatë ndërhyrjes në këto fshatra, që zgjati nga ora 12 deri në orën 15, forcat policore serbe shtinë pandërprerë me armë zjarri, duke rrezikuar banorët e pafajshëm. Ndërsa, nxënësit e shkollës fillore, që nuk mundën të largohen nga shkolla, u strehuan deri në fund të aksionit në një shtëpi në afërsi.
Lajm të tjera:
Policët malazezë paralajmërojnë tërheqjen nga policia serbe në Deçan
Paralizim i furnizimit me bukë e gjëra ushqimore
Ali Hasani i kindnapuar u paraqit nga Prizreni
Vërshim i ushtrisë jugosllave në Gjakovë dhe rrethinë
Regjimi serb dhe ushtria jugosllave duan të mbajnë të fshehura aksionet kriminale në Deçan dhe në Gajkovë
Në vendet e sulmuara nuk ka shkuar ende asnjë përfaqësues republikan
MPJ e Shqipërisë: “Incidentet kufitare të pretenduara nga qeveria e Beogradit – krejtësisht të pavërteta”
Territori i Klinës po mbahet i rrethuar nga forcat ushtarake e policore serbe
U arrestua kryetari i Degës së LDK-së në Klinë
Policia rrahu dhe plaçkiti një qytetar shqiptar
Edicioni i dytë (Ora 15:00)
Lajmet kryesore:
Përforcime të vazhdueshme të forcave ushtarake e policore në Gjakovë
Forca ushtarake vazhdojnë të vijnë nga Serbia në Kosovë
Vushtrri: Ilir Merovci u plagos në afërsi të stacionit të policisë në fshatin Druar
Rubin: Situata në Kosovë nuk mund të durohet
SHBA-të do të angazhohen për forcimin e sanksioneve ndaj Beogradit
Deklaratë e presidencës së UE-së për Kosovën
Vedrin: “Arsyetim i pasuksesshëm i autoriteteve në Beograd”
Qëndrimi italian për çështjen e Kosovës
Turqia e gatshme të dërgojë trupat në forcat eventuale ndërkombëtare në Kosovë
Ushtria e Shqipërisë në gjendje gatishmërie
Një shtab i posaçëm orerativ shqiptar vepron në zonat kufitare
Kukës: Ushtria jugoslave i solli nga fshatrat e Deçanit dhe i ekzekutoi në Kosharë shqiptarët
Kryetari Rugova mori pjesë në takimin me kryetarët e degëve të LDK-së
Armatosen edhe serbët e Klinës
Në Kamenicë serbëve u shpërndahen armë dhe uniforma
Në Suharekë armatosen civilët serbë
Në Gazimestan të Prishtinës u vendosën forca të mëdha ushtarako-policore
Paramilitarët serbë të Istogut thërrasin për mobilizim
Stërvitje të ushtrisë në fshatrat e Vushtrisë
Ushtarët serbë provokuan dy qytetarë shqiptarë
Edhe sot, forca të shtuara të policisë në Mitrovicë
Civilë të shumtë serbë po armatosen në Gjilan
Forca ushtarake në Bërnicë – vazhdojnë të digjen malet në Barilevë
Në Shtime prani e madhe e policisë serbe
Në njësinë speciale të policisë në Hajvali është vërejtur edhe krimineli serb Arkan
Mijëra qytetarë morën pjesë edhe në ditën e gjashtëmbëdhjetë të manifestimeve protestuese
Oficeri franzez, i akuzuar për spiunazhë, udhëhoqi trupat franceze gjatë operacioneve paqësore në Shqipëri
Manipulime të mëdha me numrin e votuesve në referendumin serb në Kosovë
Një qytetari shqiptar nga Pozhorani policia ia plaçkiti 7. 000 DM
Edicioni i tretë (Ora 15:45)
Lajm i plotë:
Ushtria jugosllave njofton emrat e dhjetë shqiptarëve të vrarë në Kosharë
Në një njoftim me titull “Identifikohen trupat e dhjetë terroristëve”, agjencia serbe e lajmeve Tanjug transmeton sot një kumtesë të gjyqit ushtarak të Nishit në Serbi, përmes së cilës njoftohen emrat e dhjetë shqiptarëve të vrarë gjatë aksionit të ushtrisë jugosllave më 23 prill në karakollin e Kosharës mes Kosovës e Shqipërisë.
Në kumtesë thuhet:
“Gjyqtari hetues i Gjyqit ushtarak në Nish, nënkoloneli Radenko Miladinoviq, ka kumtuar sot se menjëherë pas incidentit kufitar në rajonin e karakollit ‘Kosharë’ më 23 prill, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ‘në rajonin e gjerë’ në mes gurëve kufitarë C-3 dhe C-2/10 në kufirin jugosllavo-shqiptar, me hetimin e terrenit dhe ka gjetur 19 kufoma dhe një sasi të madhe armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake të prodhimit të huaj.
Në kumtesë thuhet se me njohjen nga ana e personave të arrestuar dhe në bazë të letërnjoftimeve të gjetura u vërtetua se bëhet fjalë për këta të vrarë:
- Shefqet Selim Aliaj, nga fshati Hereç i Gjakovës, i lindur më 1969;
- Bekim Sali Aliaj, nga fshati Hereç;
- Hasan Bajram Tahiraj, nga fshati Hereç;
- Skender Qazim Hajdaraj, nga fshati Hereç, i lindur më 1969;
- Gazmend Hasan Ramaj, nga fshati Hereç, i lindur më 1972;
- Ukë Misin Shabani, nga fshati Hereç;
- Sadik Lush Alijaj, nga fshati Hereç, i lindur më 1961,
- Hasan Tahir Dinaj, nga fshati Hereç;
- Hajdar Ramadan Taçaj (ndoshta Thaçaj), nga fshati Hereç, i lindur më 1972;
- Vehbi Asllan Hasanaj, nga Hereçi.
Në kumtesë thuhet se gjatë shikimit në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe letërnjoftimet e këtyre personave:
- Gëzim Shefqet Haredinajt, i lindur më 1976, nga fshati Sllup i Deçanit,
- Arben Bajram Hadërgjonaj, nga fshati Sllup, i lindur më 1978,
- Beqë Binak Lokaj, nga fshati Sllup, i lindur më 1968,
- Imer Isuf Lokaj, nga fshati Sllup, i lindur më 1970,
- Bekim Shefqet Mazrekaj, nga Deçani, i lindur më 1976,
- Xhemajl Sejdi Mazrekaj, nga Deçani, i lindur më 1969.
Në kumtesë thuhet se është e mundshme që këta persona të jenë vrarë në ngjarjen e përmendur. Puna e identifikimit vazhdon.
Në kumtesë thuhet se janë arrestuar Gazmend Mustafë Tahiraj, profesor i gjuhës angleze nga fshati Hareç, i lindur më 1970 dhe Ibër Sherif Metaj, bujk, nga fshati Hereç i lindur më 1961.
Këta dy persona janë trajtuar nga pikëpamja kriminalistike dhe kundër tyre është në proces procedura penale në Gjyqin ushtarak në Nish.
Gjyqtari ushtarak ka saktësuar se në rastin e shikimit në vend të ngjarjes janë gjetur këto armë, municione dhe pajisje ushtarake të prodhimit të huaj: 7 pushkomitralozë të kalibrit 7,62 mm, 5 pushkë gjysmautomatike të kalibrit 7,62 mm, 5 pushkë automatike të kalibrit 7,62 mm, 2 minahedhës dore, 2 mitralozë PKT, 67 bomba dore, 123 ndezës të bombave, 16 granata të minahedhësve, mbi 20 mijë copë municon të kalibrave të ndryshëm, 1 shtrat për minahedhës 60 mm dhe arkëz për pushkomitraloz.
Për shkak se ngjarja ka ndodhur në një hapësirë të gjerë dhe vështirë të kalueshme, po vazhdohet me gjurmimin e terrenit, thuhet në kumtesë.
Siç shihet, në këtë kumtesë nuk figuron askund emri i Naim Malokut, i vetmi emër që është përmendur në të gjitha njoftimet e Beogradit, e nuk përmenden as emrat e disa ish-eprorëve ushtarakë shqiptarë në ushtrinë e ish-Jugosllavisë, për të cilët ka barë zhurmë të madhe propaganda serbe pas incidentit në Kosharë.
Lajme të tjera:
Forca të mëdha policore serbe shkuan nga Klina drejt Skënderajt
“Frankfurter Algemaje Cajtung”: I domosdoshëm intervenimi ushtarak në Kosovë
Kinkel: “Milosheviqin do ta detyrojmë të hyjë në dialog”
Përfaqësuesit e LRDK-së u takuan me diplomatë të huaj
Edicioni i katërt (Ora 19:00)
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti diplomatë të lartë italianë
Dëshmi: Shqiptarët u ekzekutuan në Zharet e Batushës, 4 km në brendësi të Kosovës
Forcat ushtarako-policore serbe sulmuan sot Morinën
Trupat e viktimave të vrarë u dërguan nga Gjakova në Hereç
Në Prizren rafale armësh dhe mobilizim i serbëve
Në Prizren vazhdojnë shëtitjet protestuese
Edicioni i pestë (Ora 20:10)
Lajm i plotë:
Forca të shumta ushtarake arrijnë në mbrëmje në Deçan
Forca të mëdha të ushtrisë jugosllave kanë arritur sonte në mbrëmje në Deçan, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan.
Rreth orës 18:00 nëpër qendër të Deçanit parakaluan 12 tankse dhe disa autoblinda të ushtrisë jugosllave dhe duke kënduar me megafon këngë çetnike, si këngën famëkeqë “Marsh në Drinë”, shkuan në manastirin e Deçanit.
Në orën 19:30 nëpër qendrën e qytetit parakaluan edhe 13 tankse dhe 40 kamionë me ushtarë. Konvoji shkoi e u vendos në karakollin e ushtrisë në Hulaj, afër Deçanit.
Ndërsa në drejtim të Gjakovës shkoi një autoblindë, dy tankse dhe disa automjete të tjera.
Gjatë ditës së sotme, në Baballoq pati sulme të herëpahershme me armë të ndryshme.
Nga Deçani njoftohet se sot në Gjakovë policia kindnapoi Hysen Çallakajn nga Baballoqi dhe Hysen Kasumajn, Mehmet Agajn e Gani Rexhajn. Për ta nuk dihet asgjë.
Rreth orës 12:00 policia ka rrahur Demë Halil Cacajn dhe Muharrem Bajramajn.
Foto: Presheva
You may like
Kujtesë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Published
7 hours agoon
November 7, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
7 nëntor 1992
Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase
Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.
Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.
Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.
Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.
Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.
Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.
Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.
Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.
Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.
Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.
Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.
7 nëntor 1994
Represioni gjatë nëntë muajve në Istog
Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.
Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.
7 nëntor 1995
Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale
Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.
7 nëntor 1996
Dhuna e përditshme në Kosovë
Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.
- Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.
Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.
7 nëntor 1997
Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar
Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.
Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.
7 nëntor 1998
Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit
Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.
Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së.
Foto: Shkupi
Vendi
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.
Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.
Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.


Lajmet
Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.
Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.
Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.
Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.
Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/
Lajmet
BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë
Published
1 day agoon
November 6, 2026By
UBTNews
Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.
Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.
Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.
- Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
- Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
- Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.
Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?
Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT
Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh
BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë
Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë
Franco Foda publikon listën për sfidat e nëntorit: Tre emra të rinj dhe rikthimi i Elvis Rexhbeçajt te Kosova
Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë
Prokuroria e Pejës udhëheq takimin ndërinstitucional për dhunën në familje
MINT-i dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshjen për Eko-Parqet Industriale
Të kërkuara
-
Sport3 months agoTrumpi mbron Infantinon: “Do të ishte gabim i tmerrshëm nëse FIFA e zëvendëson”
-
Aktualitet3 months agoTrump konfirmon ndërrimin e fshehtë të avionit në Turqi pas kërcënimit nga SHBA-ja
-
Sport3 months agoTronditet pozita e Infantinos, shumica e federatave kundër mandatit të katërt
-
Lajmet2 months agoThaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte
