Punimi shkencor i profesorëve të UBT-së, të Fakultetit Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes, me titull: “The effects of strength and conditioning programs on soccer players’ performance across a single season divided into two phases”, është publikuar në revistën ndërkombëtare Human Movement (ISSN 1899-1955).
Studimi, i realizuar nga profesorët: Milaim Berisha, Abedin Bahtiri dhe Agron Thaqi nga UBT, në bashkëpunim me Monèm Jemni nga Fakulteti i Edukimit Fizik në Ningbo, në Kinë, analizon ndikimin e programeve të forcës dhe kondicionit në performancën e futbollistëve profesionistë gjatë një sezoni të plotë futbollistik, i ndarë në dy faza përgatitore dhe dy faza garuese.
Rezultatet kryesore
Faza e parë përgatitore pati efektin më të madh në qëndrueshmërinë specifike, me rritje të dukshme në Yo-Yo Recovery Level 1 dhe VO₂max, kryesisht për shkak të niveleve fillestare më të ulëta. Faza e dytë, megjithëse efektive, solli rritje më të vogël për shkak të gjëndjes iniciale ne ketë fazë. Gjatë fazës së parë garuese u pa përmirësim i lehtë dhe mirëmbajtje e performancës; në të dytën mbizotëroi stabilizimi, me rënie të lehta.
Analiza e përbërjes trupore tregon se rritja e yndyrës është në kundershtim me qëndrueshmërinë, ndërsa uji trupor lidhet pozitivisht me të; masa muskulore, në mungesë të kondicionit kardiovaskular adekuat, korrelon negativisht me qëndrueshmërinë.
Yndyra viscerale shfaqi lidhje të dobët dhe jo domethënëse statistikisht. U vu re edhe një mospërputhje e pjeshshme midis Yo-Yo RL1 dhe VO₂max në fazat e mëvonshme, ndonëse VO₂max derivohet nga distancat e Yo-Yo. Kjo për shkak të fazave të pushimit që përmban testi. megjithatë, Yo-Yo RL1 mbetet një mjet praktik, ekonomik dhe efikas për vlerësimin e VO₂max dhe i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në përsëritje të ushtrimeve intensive.
Në thelb, studimi nënvizon rëndësinë e stërvitjes së strukturuar në fazën përgatitore, rikuperimit aktiv për ruajtjen e performancës gjatë periudhave të ndeshjeve dhe menaxhimit të kujdesshëm të përbërjes trupore, sidomos kur testimi laboratorik nuk është i mundur.