Lajmet

19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit

Published

on

Më 2 shkurt 2007 emisari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.

Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se diplomati finlandez do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi.

Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.

Sipas Ahtisaarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.

Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.

Për më tepër, marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente vendore në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Plani i Ahtisaarit gëzoi asokohe mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.

Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.

Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari, të cilat kishin filluar në korrik 2006 në Vjenë, u përmbyllën po në kryeqytetin austriak më 10 mars, me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

Më 26 mars, Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Agim Çeku, të cilët atëkohë udhëhiqnin Kosovën e patën cilësuar 26 marsin ditë historike për Kosovën.

“Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pati deklaruar Sejdiu.

Ndërsa, Çeku- kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë pat theksuar: “Letra propozon pavarësi për Kosovën të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.

Diametralisht të kundërta ishin reagimet e Beogradit zyrtar dhe ato të serbëve lokalë në Kosovë. Refuzimi i tyre për ta pranuar planin Ahtisaari u përkrah nga aleati serb-Rusia.

Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni faktmbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.

Delegacioni nisi vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Rusia-kundërshtuesi kryesor i planit, përdori më vonë veto ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, t’ia hapte rrugën hyrjes në fuqi të planit Ahtisaari dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.

Të pasuksesshme rezultuan edhe bisedimet Prishtinë – Beograd, të zhvilluara deri në dhjetor 2007, nën ndërmjetësimin e “treshes” ndërkombëtare, e përbërë nga amerikani Frank Wisner, gjermani, Wolfgang Ischinger dhe rusi Alexander Botsan-Kharcenko.

Më 17 shkurt 2008, Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare veten shtet i pavarur.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara