Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Nikolas Bërns

3 qershor 1994

Represioni në Kosovë

Skënderaj: – Dje rreth orës 16:00, policia mori në pyetje plakun 65 vjeçar, Hamit Jasharin nga Prekazi i Ulët i Skënderajt. Inspektorët serbë nga Hamit Jashari u interesuan gjoja të dinë rreth Sokol Rexhepit nga fshati Mikushnicë, i cili para pak ditësh u plagos në rrethana ende të panjohura.

Bëhet me dije se që nga viti 1991, Hamit Jashari dhjetëra herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga ana e policisë.

Prishtinë: – Më 31 maj policia serbe e mori në vendin e punës në Obiliq, Maliq Brajshorin dhe e mbajti rreth tri orë. Pastaj me te shkoi në shtëpinë e tij, në rrugën “Jabllanica” në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë dhe ia morën një revole.

Vushtrri: – Më 30 maj rreth orës 17:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Ragip Beqirit dhe ato të Bislim dhe Habib Krasniqit në fshatin Begaj të Vushtrrisë. Pas bastisjes, personave të lartëshënuar policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë në Vushtrri. Njoftohet gjithashtu se policia tre ditë rresht torturoi Ragip Beqirin, nën pretekst se ai poseduaka me një pushkë dhe një revole.

Ferizaj: – Më 31 maj, policia mori në pyetje Shemsi Ryshën nga Varoshi i Ferizajt. Inspektorët serbë u interesuan të dinë nga Shemsiu për djalin e tij Selajdin Ryshën, për të cilin dyshohet se ka ikur nga shërbimi ushtarak.

Mitrovicë: – Dje rreth orës 11:00, policia bastisi shtëpinë e Xhelal Tahirit në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës, me ç’rast në shtëpinë e tij policia plaçkiti mall me vlerë prej rreth 2 mijë markash gjermane.

Sot rreth orës 7:00, të mëngjesit, policia ndali autobusin e “Sion-toursit”, pronë e Behxhet Osmanit nga fshati Bare. Në autobus ishin disa arsimtarë, të cilët çdo ditë udhëtojnë falas me autobusin e “Sion-toursit”, të cilët mbajnë mësim në shkollat e fshatrave të Shalës së Bajgorës.

Pasi policët janë të njoftuar se transporti i arsimtarëve është falas, ata zbritën arsimtarët, autobusit ia hoqën tabelat dhe nuk e lejuan që të vazhdojë udhëtimin.

 

3 qershor 1995

Koment i “Bujkut” për përfundimin e vitit shkollor për maturantët e shtëpive-shkolla

Këto ditë, mbi 15 mijë maturantë shqiptarë në Kosovë me sukes i përfunduan mësimet në shkollën e mesme, thuhet në një vështrim të gazetës “Bujku” me titull “Maturimi i politikës shqiptare”.

Është kjo gjenerata e parë e shkollarëve tanë që diplomon jashtë objekteve të shkollave tona të okupuara, përkatësisht që mësimet i ka ndjekur 4 vjet rresht në shtëpi private, në shtëpitë e popullit. Është ky rast që me gjithë zemër të përgëzohen të gjithë së bashku, nxënës e arsimtarë, për suksesin e arritur, me përpjekje të jashtëzakonshme e në kushte tepër të vështira, ku, për shembull, në vend të bangës nganjëherë ishin vendosur dërrasa të thjeshta, në vend të karrigeve nxënësit detyroheshin të uleshin në tulla, në vend të kabineteve nganjëherë “eksperimentet” kryheshin edhe në dërrasë të zezë, në vend të teksteve shkollore shpesh mësimet shënoheshin në fletore, në vend të të ardhurave personale nganjëherë arsimtarët merrnin ndihma nga “Nëna Tereze”, në vend të përkrahjes, shumë shpesh, nxënës e arsimtarë, hanin dajak prej milicisë…

Ishte kjo një punë e madhe, një sakrificë e madhe, për një çështje të madhe.

Por, që në filim të mos i harrojmë edhe njerëzit tanë me zemër të madhe, ata të cilët i hapën hapekrah dyert e shtëpive të tyre, për nxënësit tanë, për fëmijët e tyre, pa llogaritur rrezikun që vinte nga milicia, as dëmin që u bëhej shtëpive të tyre. Ata i dolën krah arsimit, por në fakt i dolën krah shtetit të vetë, i cili veç sa ka filluar t’i bëjë hapat e parë, hapat e fëmijës.

Edhe një gjë: Suksesi i arritur s’ka dilemë se është dëshmi e lidhmërisë së fortë të popullit tonë me arsimin, e vitalitetit, aftësisë, gatishmërisë për sakrificë dhe e dashurisë së tij tepër të madhe për dritën e dijes. Njëkohësisht, kjo është dëshmi e vendosmërisë së politikës shqiptare që po udhëhiqet në Kosovë për të çuar në vend vullnetin e popullit për arsim, për liri dhe pavarësi. Në fakt është “maturim” i politikës shqiptare në Kosovë, thuhet në vështrimin e Qemal Aliut në gazetën “Bujku”.

 

3 qershor 1997

  1. Bërns: Për të mbajtur marrëdhënie diplomatike me palën shqiptare do ta ftojmë dr. Rugovën në Uashington

Në një intervistë dhënë të përditshmes së Beogradit “Blic”, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Nikolas Bërns, u përgjigj në disa pyetje lidhur me Kosovën dhe vizitën e fundit të Medlin Olbrajtit në Beograd.

Në pyetjen se çka mendon për murin e jashtëm të sanksioneve dhe nëse ky mur gjatë muajve të fundit është bërë më i hollë, Bërns tha:

– Jo, kurrsesi nuk po bëhet më i hollë, ai mund të bëhet më i trashë. Mendoj se nuk ekzistojnë gjasat reale që muri i jashtëm i sanksioneve të hiqet shpejt sepse kryetari Millosheviq nuk ka ofruar asnjë fije shprese se situata në Serbi do të përmirësohet. Problemi i Kosovës ka mbetur i pazgjidhur, bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës pothuajse nuk ekziston, kurse për demokracinë në këtë vend as të mos flas. Jemi të zhgënjyer, sepse kriminelët e luftës ende shëtisin të lirë dhe se dialogu në Kosovë ndërmjet përfaqësuesit të shqiptarëve të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, dhe palës serbe nuk ekziston.

Duke u përgjigjur në pyetjen se sa është e informuar bota për situatën në Kosovë, Bërns tha:

– Ne kemi hapur kabinetin në Prishtinë, sepse konsiderojmë se kjo ka qenë e nevojshme në mënyrë që qeveritë dhe mediat e bashkësisë ndërkombëtare të mund të përcjellin me vëmendje ngjarjet në atë rajon. Nëpërmjet neve, qeveritë e vendeve të tjera marrin informacione për situatën në media, për jetën politike dhe për respektimin e të drejtave njerëzore. Për të mbajtur marrëdhënie diplomatike me palën shqiptare, kemi planifikuar ta ftojmë dr. Ibrahim Rugovën në një takim me sekretaren Medlin Olbrajt, tha mes tjerash në këtë intervistë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

 

3 qershor 1998

Gjendje dramatike në Deçan e rrethinë – vendbanime të tëra të shkatërruara, qindra të plagosur, nuk dihet numri i të vrarëve

Edhe gjatë natës së mbrëmshme, nga baza ushtarake në Hulaj dhe nga “Podi i Gështenjave” herë pas here u dëgjuan granatime të fuqishme në drejtim të fshatrave të sulmuara.

KMDLNJ, duke iu referuar bashkëpunëtorit të vet Musa Berisha në Deçan, njofton se sot, më 3 qershor, gjendja është tejet dramatike. Dhjetëra mijëra banorë, të mbetur pa kulm mbi kokë, kanë mbetur rrugëve dhe livadheve të kësaj komune, ndërsa dhjetëra e mijëra të tjerë, kryesisht gra, fëmijë e pleq, janë nisur në drejtim të maleve të Shqipërisë dhe në drejtim të Pejës e të Gjakovës.

Në njoftim thuhet se populli i kësaj ane dhe UÇK me sukses po u bëjnë ballë sulmeve serbe.

Kanë mbetur vetëm banorët e nja 10 fshatrave, të cilët gjithashtu janë në ikje. Gjendja e të ikurve është dramatike, sikurse edhe e atyre që kanë mbetur këtu.

Nga ekipet mjekësore të këtij rajoni njoftohet sot në mëngjes se nuk ka as asnjë injeksion për të sëmurët e të plagosurit. Ndërkaq numri i viktimave të këtij terrori, që kanë mbetur nën gërmadhat e Deçanit dhe të fshatrave ët tij, që janë rrafshuar me tokë, dyshohet të jetë shumë i madh.

Sot u njoftua se vetëm në një punkt shëndetësor ka pasur 145 të plagosur, shumica e tyre gra, fëmijë, të plagosur gjatë granatimeve të ditëve të kaluara.

Sot, sërish, që nga ora 10, kanë filluar granatimet e fuqishme. Forcat ushtarake e policore serbe nga armët e rënda luftarake po shtijnë në drejtim të të gjitha fshatrave të kësaj komune, shumica nga të cilat kanë mbetur vetëm si nocione. Ndërsa dje janë përdorur edhe raketat shumëtytëshe – kaqusha, njofton KMDLNJ.

Burimet tjera njoftojnë se forcat serbe kanë përdorur edhe helikopterët e aeroplanët në sulmet e tyre kundër vendbanimeve të Deçanit.

 

Mbrëmë në Tropojë janë vendosur mbi 2500 shqiptarë nga zonat e rrezikuara të Deçanit

Vetëm gjatë natës së mbrëmshme nga zonat e rrezikuara të Deçanit dhe fshatrave përreth në Tropojë të Shqipërisë janë vendosur mbi 2500 shqiptarë, thuhej në një njoftim të emetuar sot në “Zërin e Amerikës”. Në këtë njoftim theksohej se gjendja e tyre shpirtrore ishte tepër e rëndë dhe se gjatë rrugëtimit të mundimshëm kishin vdekur pesë fëmijë.

Dje afër Deçanit një polic është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur

Në përleshjet e djeshme afër Deçanit midis policisë serbe dhe grupeve të armatosura shqiptare një polic është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, njofton agjencia Beta. “Përleshjet kanë ndodhur kur grupet shqiptare disa herë me armë automatike dhe me minahedhës sulmuan punktet dhe kolonat e policisë”, thekson kjo agjenci.

Burimet serbe nuk njoftojnë nëse ka pasur të vrarë dhe të plagosur në mesin e shqiptarëve.

 

Me tanke e artileri bombardohen disa fshatra të Gjakovës

Njoftohet se qysh mbrëmë fshatrat e Rekës së Keqe, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, të komunës së Gjakovës po granatohen pa ndërprerë nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Tashmë shumë fshatra janë shndërruar në gërmadha. Në këto sulme po përdoren armë të rënda artilerike të ushtrisë serbe nga pozicionet ushtarake të vendosura në Kodrën e Çabratit, Bitesh, Bobaj, Hulaj, Kodra e Pllanikut të Ponoshecit dhe nga pozicione të tjera.

Në këto granatime po përdoren edhe tanke dhe autoblinda që kanë zënë pozicione përgjatë rrugës kryesore të Rekës së Keqë.

Tashmë janë shndërruar në gërmadha fshatrat Ponoshec, Smolicë, Stubëll, Morinë, Brovinë dhe lagje të Junikut. Shtëpitë po plaçkiten, po rrënohen dhe po digjen. Popullsia e kësaj ane po ndiqet nga ushtria serbe në drejtim të Shqipërisë, të cilat po keqtrajtohen në mënyrën më barbare. Supozohet se ka të vrarë, të plagosur edhe të kidnapuar.

Megjithatë, rezistenca e shqiptarëve të mbetur për të mbrojtur trojet e tyre vazhdon me një heroizëm të pashoq, ndërkohë që kërkohen ndihma humanitare për të plagosurit.

Ndërkaq, mbeti e shurdhër thirrja e propagandës serbe (përmes radio “Djakovica”) për t’u mbledhur populli i Rekës së Keqe pranë Palestrës Sportive në Gjakovë se kinse duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Njofothet se asnjë individ nuk iu përgjigj këtij provokimi dhe skenari të okupatorit.

 

Forcat serbe shtrinë sulmin në Rahovec, po granatohen fshatrat Gradishë, Gexhë e Malësi e Vogël

Sot, forcat e serbe nga drejtimi i Gjakovës me artileri të rëndë po e granatojnë fshatin Gradishë dhe Gexhë e Malësinë e Vogël, njofton KI i Degës së LDK-së në Rahovec.

Sipas disa të dhënave supozohet se në Majën e Gradishit, forcat serbe kanë vendosur fusha të minuara.

Ndërkaq në orën 7:00 të mëngjesit, nga drejtimi i Prizrenit një konvoj i ushtrisë serbe me 20 kamionë shkoi në drejtim të Gjakovës.

 

Fluks i madh i refugjatëve nga Kosova në Mal të Zi

Gjatë dy ditëve të fundit në trevat etnike shqiptare të Malit të Zi është shtuar në masë të konsiderueshme numri i shqiptarëve nga Kosova, pjesa dermuese e të cilëve janë nga zonat e rrezikuara nga agresioni i forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Ulqin njofton se Komesariati për Refugjatëve në këtë qytet ka regjistruar 650 shqiptarë të ardhur në Kosova. Shumica e të ikurve janë gra, fëmijë e pleq, por ka edhe të moshave të mesme. Në njoftim thuhet se edhe shumë kosovarë të tjerë, të cilët janë strehuar në Ulqin, nuk janë evidentuar fare, kështuqë besohet se numri i tyre është shumë më i madh.

Banorët e Ulqinit, siç bëhet me dije, po tregojnë ndaj vëllezërve të tyre nga Kosova një solidaritet të pashoq, edhepse ata nuk mund të marrin ndihmat që u takojnë, për shkak se të strehuarit nuk gëzojnë statusin e refugjatëve.

Komisariati komunal i Ulqinit ka kërkuar edhe ndihmën e organizatave humanitare të Malit të Zi dhe të atyre ndërkombëtare, mirëpo kosovarët nuk mund të gëzojnë ndihmat e tyre për shkak se, sipas normave të këtyre organizatave, ata nuk mund të trajtohen si refugjatë. Për fat të keq, të strehuarit në Mal të Zi nuk kanë as kontakte me Këshillin Republikan për Ndihma Emergjente të Kosovës.

Një delegacion i refugjatëve nga Kosova që vizitoi sot Komesariatin komunal të Refugjatëve dhe KMDLNJ në Ulqin, paralajmëroi se në këtë qytet do të themelohet Këshilli i Refugjatëve nga Kosova, i cili do të veprojë për bashkërenditjen e veprimtarisë me këto dy asociacione, në mënyrë që të sigurohet përkujdesje dhe strehim për të gjithë të ikurve nga Kosova. Ata janë angazhuar që të vënë kontakte edhe me Komitetin Shqiptar të Helsinkit në Tiranë, me qëllim të këmbimit të informatave dhe të mundësimit të bashkimit të anëtarëve të familjeve të shkapërderdhura.

Delegacioni i refugjatëve nga Kosova fton organizatat ndërkombëtare humanitare që të ndihmojnë refugjatët nga Kosova që janë strehuar në Mal të Zi, ndërsa nga institucionet dhe organet shtetërore të kësaj republike kërkojnë që t’ua njohin statusin e refugjatëve.

Të gjithë të interesuarit për kosovarët që janë strehuar në Mal të Zi mund të marrin informata në telefaksin e KMDLNJ në Ulqin, 085/82-645.

Continue Reading

Lajmet

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë

Published

on

By

Mesfushori i ri i Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare nga kombëtarja e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për familjen Bellingham, pasi 21-vjeçari do të ketë mundësinë të luajë krah për krah në një ekip me vëllain e tij të madh, yllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

Ngritja e tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar vjen si rezultat i paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Bundesliga me klubin gjerman Borussia Dortmund. Pas hapave të parë te Birmingham City dhe shkëlqimit me Sunderlandin në Angli, Jobe ndoqi pikërisht rrugën e vëllait të tij duke u transferuar te Dortmundi, ku tashmë është konsoliduar si një nga mesfushorët më premtues. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara