Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se kanë ftuar për takim bizneset dhe odat sot nga ora 13:00 lidhur me vendimin për daljen në treg të lirë të bizneseve, porse siç tha ajo, kanë presion nga odat ekonomike që të mos mbajnë takime.
Në një konferencë për media, Rizvanolli tha se disa nga bizneset hezitojnë të vinë në takimin e sotëm.
“Kemi dëgjuar se bizneset kanë presion nga Oda Ekonomike e Kosovës për të mos marrë pjesë në takime. Disa kanë thënë hezitojnë të vinë në takimin e sotëm, pasi nuk ndjehen mirë në një pozitë të tillë“, ka thënë Rizvanolli.
Ajo po ashtu ka thënë se duhet kaluar ky tranzicion.
“OEK që sot ka vendos të bart problemin, dhe t’i bllokojë rrugët nuk ka ndërmarrë asnjë hap t’i përgatit bizneset. Kjo është sfidë të cilës nuk mund t’i ikim, duhet të kalojmë në këtë tranzicion. Qeveria do të jetë në çdo hap dhe betejë me secilin prej tyre“, ka shtuar Rizvanolli.
Ndërsa ka thënë se deklaratat që KESCO blen energjinë me 30 euro dhe do të shes në treg të lirë është dezinformatë.
“Është dezinformatë që ka qarkulluar, nuk është e saktë që KESCO do të blejë energjinë me 30 euro dhe do të shes në treg të lirë“, nënvizoi ajo.
Bizneset kanë protestuar sot me bllokimin e disa hyrjeve në Prishtinë kundër vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike më 1 qershor. Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë shtyrje të këtij procesi për një vit, në të kundërtën paralajmërojnë pasoja të rënda për ekonominë vendore.