Kulturë

14 vjet pa Sabri Godon, figurë e rrallë e kulturës dhe politikës shqip

Published

on

Sot shënohen 14 vjet nga ndarja nga jeta e Sabri Godos, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe politikës shqiptare.

Shkrimtar brilant, publicist dhe politikan me vizion, ai mbetet një nga personalitetet më të vyera që ka formësuar mendimin dhe shtetin shqiptar në dekadat e fundit.

Rrënjë patriotike dhe rinia e trazuar

Godo u lind më 8 gusht 1929 në Delvinë, në një familje me tradita të forta patriotike. Që i ri u rrit në një mjedis ku letërsia, kultura dhe dashuria për atdheun ishin pjesë e jetës së përditshme.

Në adoleshencë iu bashkua luftës antifashiste dhe u dallua në betejat e Brigadës VI në Shqipëri e Jugosllavi, duke u nderuar për trimëri.

Pas çlirimit shërbeu si oficer deri më 1948, por përplasjet me regjimin komunist, akuzat politike dhe ndëshkimet e vazhdueshme e ndoqën për shumë vite. Martesa me një vajzë nga një familje aristokrate dhe lidhjet me intelektualë të persekutuar shpesh e vunë në rrezik burgimi.

Shkrimtari i historisë dhe i njeriut

Pavarësisht presioneve, ai u afirmua si një nga shkrimtarët më të fuqishëm të letërsisë shqiptare.

Romanet e tij historike janë kthyer në pikë referimi të kulturës kombëtare:

Skënderbeu

Ali Pashë Tepelena

Plaku i Butkës

Ujërat e qeta

Koha e njeriut

Udhëtari, e shumë të tjera.

Në veprat e tij, figura monumentale si Skënderbeu dhe Ali Pasha marrin trajtim të ri, të thelluar artistikisht dhe të mbështetur në dokumente. Librat e tij janë ribotuar disa herë dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Më 1974, për shkak të akuzave për “devijim nga realizmi”, u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, kaloi 11 vjet në internim e riedukim.

Ai ishte edhe autor qindra shkrimesh publicistike, sidomos për revistën satirike “Hosteni”.

Angazhimi politik – “Babai i Kushtetutës”

Pas rënies së diktaturës, Sabri Godo u bë një prej figurave kyçe të tranzicionit demokratik. Më 10 janar 1990, ai themeloi Partinë Republikane dhe e drejtoi për tetë vjet. U zgjodh deputet dhe udhëhoqi Komisionin e Politikës së Jashtme.

Puna e tij më e rëndësishme politike mbetet hartimi i Kushtetutës s 1998, ku si bashkëkryetar i komisionit kushtetues luajti rol vendimtar.

Për këtë arsye, kujtohet si “Babai i Kushtetutës”. Dedikimi i tij për çështjen kombëtare ishte i pandalshëm: për Kosovën, Çamërinë, shqiptarët në Maqedoni e Luginën e Preshevës. Kontributi i tij u vlerësua gjerësisht nga personalitetet e të gjitha trevave shqiptare.

Vlerësime dhe nderime

Pas ndarjes nga jeta, Sabri Godo u nderua me tituj dhe dekorata të rëndësishme:

Urdhrin e Skënderbeut (nga Presidenti Bujar Nishani, 2012)

Titullin “Commendator” (nga Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, 2012)

Shpalljen e Zisë Kombëtare (4 dhjetor 2011)

Një bust pranë Kuvendit të Shqipërisë (10 maj 2013)

Sabri Godo ndërroi jetë më 3 dhjetor 2011, pas një beteje me tumor në mushkëri. U përcoll me nderime shtetërore dhe me respektin e mijëra qytetarëve, kolegëve dhe figurave të jetës publike. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Orkestra Simfonike e RTSH-së mban koncert më 13 nëntor

Published

on

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbajë më 13 nëntor një koncert të veçantë muzikor, nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj.

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë edhe solistët Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano.

Programi artistik përfshin vepra të kompozitorëve Gara Garayev dhe Felix Mendelssohn Bartholdy, si dhe premierën e veprës “Echoes of Spring” nga kompozitori Shpëtim Saraçi.

Koncerti do të nisë në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda”, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje me muzikë klasike dhe interpretime artistike.

/ A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Imazhe Migrues” e Bora Baboçit qëndron e hapur deri më 11 dhjetor

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA ka njoftuar se ekspozita “Imazhe Migrues” e artistes Bora Baboçi do të jetë e hapur për publikun deri më 11 dhjetor 2026.

Ekspozita mund të vizitohet nga e marta deri të premten, në orarin 10:00–18:00, ndërsa të shtunën dhe të dielën nga ora 10:00 deri në 17:00.

Të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë ekspozitën në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës QAFA, në Prishtinë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filmi kosovar “Shame and Money” prezantohet në mbrëmjen hapëse të festivalit në Hagë

Published

on

Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.

Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.

Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.

Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.

Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci dhe ambasadori i BE-së diskutojnë për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e turizmit

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

Gjatë takimit u diskutua për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, zhvillimin e turizmit dhe pjesëmarrjen e vendit në programin “Evropa Kreative”, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e mbështetjes evropiane dhe avancimit të projekteve në fushën e kulturës dhe turizmit.

Ndërkaq, ambasadori Schuebel ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Kosovës, duke theksuar se mbështetja e BE-së përfshin edhe zhvillimin e kulturës dhe turizmit në vend.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara