Lajmet

​Më shumë se 2.2 milionë bashkatdhetarë vizituan Kosovën, shpenzuan mbi 1.48 miliard euro

Megjithatë numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit është më i ulët krahasuar me vitin 2021.

Published

on

Një numër i madh i mërgimtarëve kanë vizituar Kosovën gjatë vitit që lamë pas. Numri i përgjithshëm i bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin gjatë vitit 2022 është 2 milionë e 274 mijë apo mbi 220 mijë më shumë se në vitin 2021.

Megjithatë numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit është më i ulët për mbi 160 mijë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka thënë se barrikadat rrugore për dy tri ditë në Serbi dhe inflacioni, mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të bashkatdhetarëve për këtë fundvit. Ndërkohë, përveç remitancave gjatë vitit 2022, sipas raportit të BQK-së, bashkatdhetarët kanë shpenzuar mbi 1.48 miliard euro gjatë vizitave në Kosovë.

“Nëse i shohim këto statistika dhjetor 2021 dhe dhjetor 2022, deri më 28 dhjetor 2022, shihet se ka një ulje të numrit të bashkatdhetarëve që kanë ardhur, krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak. Kjo rënie ka disa shkaqe, e para për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit, e dyta pengesat potenciale rrugore që kanë mundur t’iu shkaktohen bashkatdhetarëve tanë. Në këtë drejtim, si total, dallimi mes vitit 2021 dhe 2022, është se këtë vit ka pasur më shumë hyrje se sa në vitin paraprak. Në vitin 2021, kemi pasur rreth 2 milionë e 50 mijë qytetarë, ndërsa në vitin 2022, kanë qenë 2.2 milionë”, tha ajo.

Ndërsa nga viti në vit janë rritur edhe remitancat nga diaspora. Sipas zëvendësministres Gashi, nga muaj janar e deri në nëntor të vitit 2022, dërgesat nga bashkatdhetarët kanë arritur në vlerë 1.1 miliard euro. Shkaktar i rritjes së remitancave duket të jetë edhe rritja e numrit të migrimit viteve fundit nga të rinjtë kosovarë në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani.

“Deri në nëntor të vitit 2022, kemi pasur diku rreth 1.1 miliard euro dhe besoj se shumë shpejt edhe Banka Qendrore e Kosovës, do të del me statistikat finale për vitin 2022. Mirëpo, shohim jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin se është një rritje e remitancave që ndodhë gradualisht”, ka thënë ajo.

Zëvendësministrja Gashi ka thënë se prioritet për qeverinë mbetet edhe diplomacia ekonomike për promovim dhe nxitje të investimeve të huaja në Kosovë. Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2023, pritet të emërohen rreth 10 atashe ekonomikë.

“Presim që në vitin e parë të kemi rreth 10 atashe ekonomikë të specializuar në kuadër të rrugëtimit, misioneve tona diplomatike, shto kësaj edhe 42 diplomatë të ngarkuar me punë në kuadër të misioneve që kanë portofolion e diplomacisë ekonomike. Këtu do të jemi më ‘agresiv’ në vitin 2023, sa i përket prezantimit të këtij potenciali përmes forumeve, marrëveshjeve të bashkëpunimit bilaterale për tregti. Në disa shtete, taksimi i dyfishtë është ende në marrëveshje në proces, ne përveç që duhet ta bëjmë këtë pjesën e fasilitimit të kontakteve, duhet vazhdimisht avokim për ato vende siç është rasti i Çekisë, që është ende në parlamentin çek, e që duhet lëvizur tutje, kështu që në këtë drejtim ka ende hapësirë për t’u përmirësuar”, tha ajo.

Përkundër që nuk ka folur për numrin e migrimit gjatë vitit 2022, Gashi thekson se migrimi mbete sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit. 

Lajmet

Plot punë për policinë, raste të shumta anekënd Kosovës

Published

on

Raporti i Policisë së Kosovës për 24 orët e fundit sjell të dhëna për shumë raste kriminale të ndodhura në anë të ndryshme të vendit.

Në Lipjan njoftohet për një grabitje në tentativë.  “Ankuesja femër  ka raportuar se deri sa ishte në vendin e saj të punës në market kishte hyrë një person i dyshuar me armë të mprehtë (thikë) dhe kishte tentuar të grabit gjësende, por i njëjti nuk kishte arrit të marrë asgjë dhe kishte ikur në drejtim të panjohur. Ankuesja është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë pasi që e njëjta ishte e shqetësuar”, njofton Policia

Një vjedhje e rëndë është raportuar në Prishtinë. Sipas Policisë, është arrestuar i dyshuari kosovar, në PKK-Vërmicë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur,  dhe disa (3) vepra të tjera të njëjta, më herët. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë është njoftuar edhe një rast të falsifikimit të parasë.  “Ankuesja femër – përfaqësuese e bankës komerciale, ka raportuar se klientë të ndryshëm nga data 18.03.2025 deri tani kanë deponuar bankënota të ndryshme dhe monedha metalike në vlerë të përgjithshme 4558 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”.

Po në kryeqytet është njoftuar për një rast të armëmbajtjes pa leje. “Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri me nga një karikatorë dhe 19 fishekë si dhe një armë e mprehtë (thikë)”, njoftoi Policia

Në Prishtinë u gjetën edhe narkotikë. Policia njoftoi se ka shoqëruar në stacionin policor një të dyshuar, pasi që gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike me peshë rreth 4 gramë.

Në Drenas është  njoftuar për një person të zhdukur. Sipas Policisë, “ankuesi  ka raportuar se djali i tij- i mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti duke u hetuar”.

Arrestimet për dallavere më vota po vazhdojnë ende. “Më 25.02.2026 janë arrestuar 15 (pesëmbëdhjetë) të dyshuar, nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë falsifikuar rezultatet e votimit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Drogë është gjetur edhe në Gjilan. ”Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.84 gramë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Një rast i pranimit të ryshfetit në sektorin privat është njoftuar në Ferizaj. Aty janë arrestuar dy të dyshuar zyrtarë të KEDS-it, pasi të njëjtit nga viktima mashkull kosovar, në formë ryshfeti kanë pranuar 400 euro para të gatshme, me premtim se do t’ia zëvendësojnë njehsorin elektrik për kohë të shkurtër.  Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Drogë u gjet edhe në Prizren. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.39 gramë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Një rast i lëndimit të lehtë është shënuar në Suharekë.  Sipas Policisë: Ankuesi  kosovar ka raportuar se i dyshuari  kosovar, e kishte sulmuar fizikisht. Në vendin e ngjarjes i dyshuari nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar dhe një zyrtar policor viktimën mashkull kosovar, cili ishte jashtë detyrës zyrtare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

Një rast i vjedhjes është shënuar në Prizren. Aty është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë, i cili është kapur në flagrancë në tregun e qytetit, pasi që i njëjti viktimës  kosovar, i kishte vjedhur portofolin në të cilin kishte dokumente dhe 75 € para të gatshme. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur vetëm portofolin me dokumente. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Lajmet

2869 tiketa në trafik në 24 orë!

Published

on

Dita e djeshme duket të ketë qenë mjaft aktive për Policinë e Kosovës, së paku sa i përket tiketave për kundërvajtje në trafik.

Sipas raportit ditor, gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar hiç më pak se 2869 tiketa. Lartësia e dënimeve nuk specifikohet, por del të jetë bukur dobiprurëse për shtetin e rëndesë për xhepat e shoferëve.

Nga raporti del se, në këtë periudhë kanë ndodhur 23 aksidente trafiku  me të lëndua, 37 aksidente trafiku  me dëme materiale.

Gjithashtu, janë arrestuar 41 persona, prej tyre në mbajtje janë dërguar 13. Tre veta janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Continue Reading

Lajmet

REL: KE-ja propozon heqjen e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor

Published

on

By

Komisioni Evropian (KE) ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor për t’i përfshirë ato në regjimin e Bashkimi Evropian “Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë).

Programi i Komisionit Evropian “Roam Like at Home” është një rregullore e BE-së që u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonat e tyre në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e tyre.

Kjo do të thotë se gjatë përdorimit të telefonit mobil në zonën e Bashkimi Evropian nuk ka kosto shtesë roaming-u për thirrjet, mesazhet SMS dhe përdorimin e internetit.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se kostot e roaming-ut paraqesin problem për qytetarët në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Tarifat e roaming-ut janë problem në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët që punojnë jashtë vendit dhe familjet që telefonojnë më të dashurit e tyre jashtë vendit. Faturat e papritura kur udhëtoni janë diçka që ne më nuk e pranojmë në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë edhe Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kos në X.

Me propozimin për nisjen e bisedimeve, Komisioni Evropian kërkon miratimin e Këshilli i BE-së për hapjen e negociatave me partnerët nga Ballkani Perëndimor. Pasi Këshilli ta miratojë këtë kërkesë, Komisioni Evropian do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit.

Pasi marrëveshjet për këtë çështje të përmbyllen me sukses, ato do të hapin rrugën që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e zonës “Roam Like at Home” në BE.

Pas finalizimit të marrëveshjeve dhe harmonizimit të plotë me rregullat e BE-së për roaming-un, qytetarët që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të realizojnë thirrje, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin shërbime të internetit, pa tarifa shtesë të roaming-ut.

Bashkimi Evropian e ka iniciuar “Roam Like at Home” në qershor të vitit 2017. Ai zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e zonës ekonomike evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.

Aktualisht, nuk ka konfirmim nga Komisioni Evropian se kur mund të nisë zbatimi i kësaj rregulloreje për vendet e rajonit, pasi sipas zyrtarëve të KE-së gjithçka varet nga negociatat me institucionet përkatëse në rajon.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Ricardo Cardoso, pranoi se bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar.

“Afatet kohore varen nga gatishmëria e secilit prej partnerëve nga Ballkani Perëndimor për të përmbyllur marrëveshje dypalëshe me BE-në dhe për të siguruar harmonizimin e tyre të plotë me legjislacionin përkatës”, tha zëdhënësi i KE-së.

Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – po ashtu synojnë që një ditë të bëhen anëtare të bllokut. Nga të gjashtë vendet, Kosova është e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka status të vendit kandidat. Prishtina ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Spiropali premton mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se pas heqjes së masave kufizuese është momenti që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat. Ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përparimin drejt BE-së dhe NATO-s.

“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën”, nënvizoi Spiropali.

Continue Reading

Të kërkuara